Linda dhe lindushët

Linda dhe lindushët
Linda dhe lindushët

Liri Loshi

  • 26 May 2019 - 14:02

Më tërhoqi vërejtjen dikush se duke krahasuar Linda Morinën me tre udhëheqësit kryesorë të vendit (Lindushët), po u tallkam me voten e popullit!

Të jemi të qartë, në asnjë kontekst nuk do të merresha me Linda Morinën sikur të mos e kisha parë një video të saj ku shpreh ambiciet për t’u bërë presidente e Kosovës. Nga vjen entuziazmi dhe motivimi i saj për postin më të lartë në vend, pos nga shembujt e atyre që kanë pozita të larta shtetërore pa qenë fare të kualifikuar?! Ne ose duhet të vazhdojmë kështu si ia kemi nisur dhe t’i mbajmë lart shpresat e Lindës për t’u bërë presidente, ose duhet të votojmë më të kualifikuarit që t’i ulim ambiciet e Lindës dhe t’i mbajmë lart shpresat e popullit.

Nuk mund të bëhesh deputet vetëm pse je një figurë e njohur publike, ta zëmë një këngëtar, një humorist, një artist, një moderator, një kirurg,një dentist, një boksier, një xhudist, një komandant apo një fëmijë komandanti, ish presidenti, ish të burgosuri politik, përderisa nuk ke lidhje me politikën. Edhe nëse ti dëshiron të bëhesh, sepse je një egoist i tmerrshëm dhe ligji nuk ta mohon, këtë nuk duhet ta mundësojë populli me votën e tij. Këtë nuk duhet ta mundësojnë as partitë politike që fusin në listat e tyre individë të pa kualifikuar e të paemancipuar politikisht vetëm pse ata gëzojnë respektin për profesionalizmin e tyre në detyrat që kryejnë. Parlamenti nuk është vend ku dërgohen njerëzit për t’i shpërblyer, por ata që janë të kualifikuar të na përfaqësojnë.

Nëse populli bën këso gabimesh edhe më tej, unë do ta kritikoj edhe popullin. Sepse edhe ai duhet të sillet me përgjegjësi. Qëllimi im nuk është të tallem me popullin dhe më votën e tij. Madje, qëllimi im nuk është të tallem as me Linda Morinën. Ky do të ishte një gjest shumë i ulët imi. Por, qëllimi im është të ndikoj aq sa mund të ndikohet që populli duke votuar me përgjegjësi, ta ndërrojë votën e tij.

(Kosova Sot Online)