Si përherë, Akademik Kodra në krye të Misionit për Bashkimin Kombëtar

 Si përherë, Akademik Kodra në krye të Misionit për Bashkimin  Kombëtar
  • 28 May 2019 - 12:44

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Këtë e dëshmoi edhe uikendi i së shtunës së kaluar, më 25 maj 2019, ku në vend se të pushonte pas pesë ditësh të ngjeshura pune me pacientët e tij në spitalin universitar në Nju-Jork, Akademik Prof.Dr. Skënder Kodra organizoi një takim pune me stafin e Departamentit për Politikë dhe Diplomaci të Akademisë Shqiptaro-Amerimkane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork.

Gjatë këtij takimi dominuan tri tema qendrore: (1) Riaktualizimi i Projektit të ASHASHA-së për njësimin e të gjitha subjekteve politike një NJË SUBJEKT POLITIK GJITHËKOMBËTAR, (2) Rreziku i copëtit territorial të Republikës së Kosovës dhe (3) Kriza politike institucionale në Shqipëri.

  1. të tjera, këto tri çështje të mprehta me karakter politik, kombëtar, shtetëror dhe ndërkombëtar, tanimë, me arsye janë bërë edhe preokupim i përditshëm, edhe për veprimtarinë e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve në Nju-Jork, e cila duke pasur për mision parësor pajtimin dhe bashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë etnike, është duke ndjekur me interesim dhe me vëmendje të posaçme, por edhe me shqetësim të madh zhvillimin e ngjarjeve politike në të gjitha hapësirat shqiptare, me theks të posaçëm në Tiranë, ku forcat demokratike opozitare janë hedhur në protesta të fuqishme paqësore qe disa muaj rresht, me qëllim të largimit nga pushteti të kryeministrit të korruptuar Edi Rama.

 

Rekomandimi (1)

Duke qenë se, qe dy dekada kjo Akademi me presidentin e saj Skënder Kodra në krye ka inicuar dhe debatuar Projektin strategjik kombëtar për bashkimin e të gjitha partive, lëvizjeve, fronteve, shoqatave, organizatave, klubeve ( të cilat me programet dhe me platofmat e tyre janë deklaruar para opinionit publik për bashkimin kombëtar) NË NJË SUBJEKT TË VETËM POLITIK GJITHËKOMBËTAR SHQIPTAR.

Për këtë qëllim u arrit pëlqimi unanim që ky PROJEKT të riaktivizohet dhe të debatohet në shkallë mbarëkombëtare. Bartës të riaktualizimit dhe të artikulimit të këtij PROJEKTI, do të jetë AMZA e ASHASHA-së në Nju-Jork së bashku me degët e saj vepruese në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup dhe në Evropë.

Konkluzioni justifikues i shkrirjes së të gjitha subjekteve politike, të cilat janë deklaruar për bashkim kombëtar, është plotësisht i qëndrueshëm, sepse me 101 parti, klube, shoqata etj., as sot, e as nesër, nuk ka gjasë reale të arrihet kurrfarë shkolonizimi dhe bashkimi gjithëkombëtar. Prandaj, është i domosdoshëm, që me konsensus të formohet vetëm NJË SUBJEKT POLITIK MBARËKOMBËTAR SHQIPTAR, ashtu si ka propozuar ASHASHA-JA në Nju-Jork.

Rekomandimi (2)

Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit në Prishtinë, në Beograd dhe në Berlin (29 prill 2019) u debatua me të madhe lidhur me të ashtuquajturën “zgjidhjen” e statusit të Kosovës, për shkak të ndërkombëtarizimit të territorit verior të saj, si rrjedhim i politikës dhe i diplomacisë së gabuar të Prishtinës zyrtare për shkak të miratimit të Dialogut të Brukselit (2011-2019), në kuadrin e së cilit pala kosovare me Hashim Thaçin në krye nënshkroi edhe Marrëveshjen e dëmshme për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Veriun e Kosovës.

Duke qenë se kjo marrëveshje me të drejtë u bllokua nga parlamenti dhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sepse miratimi i saj ndërkohë, do të krijonte bazën juridike dhe ligjore për formimin e një “Republika srpska” si entitet serb brenda sistemit juridik, kushtetues dhe politik të Republikës së pavarur të Kosovës.

Prandaj, në bisedimet e mëtejme me palën serbe në procesin e Brukselit (nëse do të vazhdonin pas Konferencës së Parisit të 1 Korrikut 2019)) lidershipi i Republikës së Kosovës me Hashim Thaçin në krye, këtë Marrëveshje nuk duhet pranuar në asnjë formë të saj.

Gjithashtu, rekomandohet që as qeveria, as kuvendi i Kosovës, të mos japin kurrfarë pëlqimi për shkëmbimin (ndryshimin-korrigjimin-copëtimin) e territoreve të Kosovës me Serbinë, sepse edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë territore autoktone të Shqipërisë etnike, jo të Serbisë, edhe pse janë koloni të saj, që nga vitti 1878. –Domethënë, as historikisht, as de fakto e as de jure këto nuk janë territore të ligjshme të Serbisë. Prandaj, logjikisht e as ligjërisht nuk mund të ketë shkëmbim territori shqiptar-shqiptar-jep Mitrovicën tënde, merr Preshevën tënde, ky nuk është kurrfarë shkëmbimi i territoreve me Serbinë, por vetëm humbje e territorit të Shqipërisë etnike.

Këtë lojë të rrezikshme nuk duhet pranuar kurrë, kushdo që të negociojë me palën serbe të Beogradit qoftë në Bruksel, në Londër, në Paris, në Berlin apo Vjenë etj., sot apo nesër, sepse do të jemi humbës të dyfishtë të territorit shqiptar. –Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, duhet t’i khehen Shqipërisë etnike, jo me faljen e territorit verior të Kosovës, por pa asnjë kompensim territorial e as material, sepse janë pronë e ligjshme dhe historikisht të shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike. Këtë vërtetë e di më së miri, edhe Evropa, që nga Kongresi i Berlinit (1878), nga Konferenca e Ambasadorëve të Londërs (1912-1913) dhe nga Konferenca e Paqes e Parisit (1919-1920), kur me vendimet e tyre të padrejta i copëtuan territoret e Shqipërisë etnike dhe iu dhuruan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Prandaj, Eropa e sotme demokratike ka shansin historik, që më 1 Korrik 2019 në Paris, në Konferencën e organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryetari i Francës, Emanuel Macron për ta zgjidhur problemin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të bëjë të qartë Serbisë se, pikërisht ky është momenti historik, që Beogradi zyrtar me paqe të heqë dorë nga kolonitë e Serbisë siç janë Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Novi Pazari.

As Brukesli, as Berlini, as Parisi, as Uashingtoni nuk duhet ta tolelrojnë Serbinë, që kjo, edhe në këtë shekull të mbetet “mbretëria” e vetme kolonialiste dhe hegjemoniste në Ballkan, përkatësisht në Evropë. Ndryshe, nëse edhe këtë herë fuqitë e mëdha të Evropës dhe aleatët e tyre evroperëndimorë sakrifikojnë mbi 8 milionë shqiptarë për hir të ruajtjes së interesave kolonialiste, hegjemoniste dhe imperialiste të Serbisë, duhet ta kenë të qartë se, do të marrin përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe për ruajtjen e stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në rajonin ballkanik.

Pra, Evropa Perëndimore dhe aleatët e tyre kanë shansin historik, që në Konferencën e Parisit të 1 Korrikut 2019 për zgjidhjen e konflitkit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, të marrin vendime të drejta historike, juridike dhe politike ndaj zgjidhjes koloniale të popullit shqiptar, që ende po vuan nën sistemin e egër kolonial serb (Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Novi Pazari).

Edhe sa vjet, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Novi Pazari, duhet të jenë koloni të Serbisë?

Nuk është kjo çështje absurde dhe e paparnuaeshme sipas së drejtës ndërkombëtare, e cila “kolonializmin” e cilëson si vepër penale ndërkombëtare.

Këto janë “problemet akute”, që do të duhej të debatoheshin në “itinerarin” e Konferencës së Parisit, më 1 korrik të këtij viti, jo statusi politik i Kosovës, sepse kjo, tanimë është e pavarur dhe sovrane që nga 17 shkurti 2008. Ndaj, është çështje e Beogradit do, apo jo ta njohë Republikën e Kosovës.

Prandaj, pala shqiptare nuk ka çfarë të bisedojë me palën serbe të Beogradit në Paris për rishqyrtimin e statusit politik, juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Konferenca e Parisit për delegacionin kosovar, është e mirëseardhur, që për herë të parë të riaktualizojë problemin kolonial shekullor të Preshevës, të Bujancit dhe të Medvegjës.

Pra, kjo do të duhej të ishte strategjia e qartë politike e palës kosovare në Paris, jo kurrfarë debati për ndryshimin e kufijve territorialë të Kosovës si shpërblim Beogradit për arritjen e ndonjë kompromisi të keq politik me Serbinë për copëtimin e territorit të Kosovës Veriore.

Rekomandimi (3)

Është e pabesueshme se, çdo herë, kur Kosova kërcënohet nga Serbia, në Shqipëri shkaktohen kriza politike në relacionin pozitë – opozitë. Këtë e dëshmon edhe kriza disamujore politike institucionale e shkaktuar nga politika e gabuar e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës së pakënaqur demokratike, e cila si rrjedhim i padrejtësive të tij, qe e detyruar ta braktisë Kuvendin dhe të dalë në rrugë në protesta demokratike paqësore për të kërkuar drejtësi, zbatimin e ligjit dhe të kushtetutës, barazi dhe demokraci, si dhe dënimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri.

Në këtë frymë u zhvillua edhe protesta e fundit e opozitës demokratike, më 25 maj 2019, e cila kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie tarnsitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira demokratike.

Përmbajtja e mesazhit të kësaj proteste, e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte kjo : “E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi banditësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt europës. Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Ramës qeveri tranzitore zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” . http://shekulli.com.al/mbyllet-protesta-basha-europa-na-degjoi-koha-per-zgjidhje-politike-largimi-i-rames/).

Me gjithë kërkesat e drejta të opozitës demokratike dhe të qëndrimeve tekanjoze dhe të gabuara politike të pajustifikueshme të kryeministrit Edi Rama për të qndruar edhe më tej në pushtet, kjo krizë politike duhet të zgjidhet vetëm me mjete të dialogimit dhe të mirëkutimit paqësor në përligjjen e lirive dhe të drejtave të patjetërsueshme të të gjithë qytetarëve, si dhe në zbatimin konsekuent të ligjit dhe të Kushtetutës në fuqi si garantë të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm dhe të vlerave vitale kombëtare, shtetërore dhe demokratike të Shqipërisë.

-Vetëm dialogu konstruktiv dhe objektiv janë bazë e qëndrueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, të drejtë dhe demokratike, të pranueshme jo vetëm për shtetin e së drejtës në kuptimin e brendshëm, por edhe për të drejtën ndërkombëtare (respektimi i të drejtave themelore të njeriut, respektimi integritetit dhe i sovranitetit territorial i të gjitha shteteve, respektimi i të drejtave dhe detyrimeve juridike ndërkombëtare, si dhe respektimi i parimeve dhe objektivave të Kartës së OKB-së, si dhe të parimeve dhe obligimeve që dalin nga Akti Final i Helsinkit të KSBE-së, përkatësisht të OSBE-së).

Sa më sipër, gjuha e komunikimit dhe e dialogimit paqësor, por pa dëmtuar interesin e përgjitshëm kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë etnike, është çelësi kryesor për zgjidhjen e çdo konflikti dhe krize politike qoftë në shkallë kombëtare, qoftë në dimensione ndërkombëtare.

Edhe ne si institucion kombëtar dhe shkencor, pranojmë çdo zgjidhje paqësore kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim të normalizimit të marrëdhënive me fqinjtë tanë,POR vetëm nëse kombit shqiptar dhe Shqipërisë etnike nuk i mohohet e drejta e shkolonizimit, e vetëvendosjes dhe e bashkimit brenda territoreve të tyre autoktone stërgjyshgore pellazgo-ilire-shqiptare.

Prandaj, sot është koha më oportune që liderët shqiptarë, të mos grinden mes veti (për shkak të luftës për pushtet, për korrupsion dhe për pasuri të paligjshme, duke e plaçkitur dhe varfëruar popullin në skajshmëri, si dhe duke e shndërruar në lypësarë dhe të papunë) dhe të mos lakohen para kërkesave dhe interesave të padrejta të shteteve fqinje kolonialiste sllave, që edhe në këtë shekull të bëjnë “kompromis të dhimbshëm” dhe tragjik në kurrizin e mbi 8 milionë shqiptarëve, të cilët “përbëjnë kompaktësi etike dhe territoriale” të Shqipërisë etnike në Ballkan.

 

*) Autori është drejtues i Departamentit për Politikë dhe Diplomaci të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve të Nju-Jorkut.

(Kosova Sot Online)