Pse nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar në Ballkan (1990-2019)?

Pse nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar në Ballkan (1990-2019)?
Pse nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar në Ballkan (1990-2019)?

Mehdi Hyseni

  • 06 June 2019 - 11:50

*** Pse vetëm Shqipëria londineze (1913) nuk pati të drejtë t’i ndihmojë  ushtarakisht dhe luftarakisht Kosovën, Kosovën Lindore dhe Iliridën, që t’i shpëtonte nga sundimi, nga terrori  dhe nga gjenocidi kolonial nga Serbia dhe nga “Maqedonia”? 

*** Pse vetëm shqiptarëve të kolonizuar në zemër të Evropës nuk iu bë e mundur, që t’i ndryshojnë kufijtë artificialë me bagazh kolonial, në mënyrë që ta krijonin shtetin e tyre kombëtar në Ballkan, sikurse Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe “Maqedonia”? *** 

Pse Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare e njohën “Republika srpska”  si entitet nacionals serb në Bosnjë, kur ajo u krijua me gjenocid, në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe me rendin juridik pozitiv ndërkombëtar?

Duke qenë se Shqipëria Etnike është djepi shekullor i të gjithë shqiptarëve (mbi 8 milionë), është e drejtë natyrore, historike dhe e ligjshme, që edhe shqiptarët ta kenë formuar shtetin e tyre kombëtar në Ballkan, ashtu sikurse shtetet fqinje të saj.

 Mirëpo, kjo nuk ndodhi deri tani (jo me fajin e shqiptarëve, por me fajin dhe me gabimin e pakorrigjueshëm të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të të gjitha hapësirave të Shqipërisë Etnike), edhe pse gjatë 3 dekadave të shkuara (1990-2019) në Evropën Lindore dhe në atë Juglindore, si dhe në Ballkan, u bënë ndryshime radikale me karakter historik, gjeopolitik, ekonomik, politik, shtetëror dhe demokratik, ku si rezultat i tyre, shumë popuj në këto hapësira krijuan shtetet e tyre kombëtare.

Mirëpo, JO edhe populli shqiptar në Ballkan, si shkak dhe pasojë e politikës dhe e diplomacisë miope të paharmonizuar dhe të papeshuar gjithanshmërisht të garniturave të ndryshme politike qeveritare shtetërore ( Sali Barisha, Fatos Nano, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, Bamir Topi, Edi Rama, Ilir Meta,  Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi,  Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku, Hashim Thaçi, Atifete  Jahjaga,  Arben Xhaferi, Ali Ahmeti… etj. (1990-2019).

Duke mbajtur parasysh këtë fakt të qëndrueshëm historik, gjeopolitik dhe juridik, shtrohet pyetja: - Pse shqiptarët nuk e shtruan kërkesën e tyre të ligjshme për krijimin e shtetit të tyre kombëtar, që njihet me emrin Shqipëria Etnike, kur jemi dëshmitarë se gjatë këtyre 3 dekadave (1990-2019) e patën shansin real historik dhe vendimtar, të dilnin nga tutela e sundimit kolonial të Serbisë gjenocidale, të Malit të Zi, të “Maqedonisë” dhe të Greqisë?

Sipas filozofisë së doktrinës dhe praktikës së dëshmuar të deritashme 30-vjeçare të titullarëve dhe të protagonistëve kryesorë të historisë ditore, të diplomacisë ditore dhe, të politikës ditore shqiptare (Tiranë-Prishtinë-Shkup-Tetovë), këta janë ndër faktorët kryesorë, që kanë ndikuar negativisht në mosbërjen e shtetit kombëtar shqiptar në Ballkan:

(1) Mosndryshimi dhe mostransformimi i kursit 100-vjeçar i politikës zyrtare kolonialiste dhe hegjemoniste të shteteve fqinje sllave ndaj shqiptarëve dhe Gjysmë Shqipërisë Etnike (1878-2019). Si rrjedhim dhe, si pasojë direkte e politikës dhe e diplomacisë dritëshkurtër dhe të defaktorizuar të Tiranës, e cila, në vend se hapin e parë ta bënte drejt shkolonizimit të shqiptarëve dhe të Gjysmë Shqipërisë, me qëllim të krijimit dhe të bashkimit të shtetit kombëtar shqiptar, ato u përqendruan në njohjen ndërkombëtare të “Maqedonisë”, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë, me qëllim që të ruante kohezionin e interesave politike, diplomatike, ekonomike dhe tregtare, duke mos e prishur ekuilibrin e marrëdhëniet ndërshtetërore me to. Edhe pse këto janë ndër shkaktarët kryesorë për statusin kolonial dhe vasal të shqiptarëve nën sundimin e tyre kolonial dhe imperialist (1878-2019).

(2) Ndërprerja e tri luftërave  çlirimtare kombëtare të UÇK-së, UÇK-së dhe UÇPBM-së si shkak dhe pasojë e mosmbështetjes ushtarake dhe luftarake e politikës zyrtare të Tiranës (1990-1999). Pikërisht, kjo tradhti e shtetit berishist-nanoist shqiptar, i vuri pikën aspiratës dhe të së drejtës shekullore, që shqiptarët në rastin vendimtar historik (1990-1999), të krijonin shtetin e tyre kombëtar të përbashkët, ashtu sikurse Sllovenia, Kroacia, “Maqedonia”, Mali i Zi dhe Serbia. 

(3) Ndikimi negativ i faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare në moslejimin e ndryshimit të kufijve ndërmjet shteteve ballkanike, si shkak i politikës agresive dhe kolonialiste të shteteve serbosllave dhe, si pasojë e politikës nënshtruese dhe kapitulluese e politikës zyrtare të Shqipërisë londineze dhe, të ekspoziturave të saj politike në Prishtinë, në Tetovë dhe në Shkup.

(4) Përcaktimi dhe fokusimi afatgjatë i politikës dhe i diplomacisë shqiptare në integrimin e Gjysmë Shqipërisë në NATO, në BE dhe në strukturat dhe institucionet e saj përkatëse.

Jo, kurrsesi në formimin e një shteti të përbashkët kombëtar shqiptar në Ballkan. Ç’është më e keqja, kundër krijimit dhe bashkimit të një shteti të vetëm kombëtar shqiptar, janë deklaruar botërisht dhe zyrtarisht, Sali Berisha, Atifete Jahjaga, Ilir Meta, Alfred Mojsiu , Bamir Topi,, Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Pandeli Majko,.. etj.

(5) Si kompensim për njohjen e pavarësisë së kushtëzuar ndërkombëtare, gjithashtu, edhe Kosova si shtet i ri (17 shkurt 2008), ashtu sikurse Shqipëria londineze, nuk është e interesuar për kurrfarë krijimi të shtetit të përbashkët kombëtar me këtë Gjysmë Shqipëri dhe me pjesët e tjera autoktone të Shqipërisë Etnike.

Këtë e vërteton edhe agjenda strategjike e interesave dhe e objektivave parësore të Prishtinës zyrtare, e cila, tanimë, kryesisht është e përqendruar se si të krijojë kushtet dhe klimën e përshtatshme politike dhe diplomatike, që sa më parë të  aderojë në OKB,në NATO, në BE, si dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Gjithashtu, orientimin kundër krijimit të shtetit të përbashkët kombëtar shqiptar, qeveria dhe parlamenti i Kosovës e kanë dëshmuar me miratimin e Kushtetutës së 15 qershorit 2009, sipas së cilës Kosova nuk është shtet kombëtar, por “shtet i shtetasve”, shtet parlamentar, multietnik, pluralist, demokratik dhe sekular.

Ndërkaq, elitat politike zyrtare shqiptare, që participojnë në institucionet dhe në organet e qeverisë së shtetit sllavomaqedon,  me  të ndjerin Arben Xhaferi (deri dje) dhe me Ali Ahmetin etj., po ashtu, sikurse homologët e tyre shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë, gjatë 30-vjeçarit të shkuar (1990-2019) nuk kanë treguar kurrfarë interesimi dhe angazhimi për ndryshimin e statusit kolonial të shqiptarëve në “Maqedoni”, edhe pse ata janë shumicë, jo pakicë.

Gjithashtu, sikurse kolegët e tyre në Prishtinë dhe në Tiranë, kanë zhvilluar të njëjtën politikë kundër krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, vetëm për t’i ruajtur, të paprekura interesat dhe privilegjet e tyre ekonomike, politike dhe karrieriste, kuptohet, në emër të reformave demokratike multietnike dhe pluraliste sipas skemave dhe agjendave të diktuara nga eurokratët e BE-së dhe të faktorëve të tjerë politikë të bashkësisë ndërkombëtare.

A është humbur përgjithmonë, ajo që po e humbim sot?

Tash, pas kapitullimit të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar në Ballkan, si pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të brishta, përçarëse, nënshtruese dhe indiferente zyrtare shqiptare, me të drejtë dhe me arsye të plotë dolën në skenën politike disa lëvizje dhe disa fronte shqiptare në hapësirat e Shqipërisë Etnike.

Mirëpo, sa do të jenë në gjendje këto subjekte opozitare, që të kompensojnë atë çka është humbur si shkak dhe pasojë e politikave sterile zyrtare shqiptare si në planin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, kjo mbetet për t’u vlerësuar më vonë, sepse në politikë, si rregull, dështimet dhe rastet e humbura-të pashfrytëzuara, në momentet e caktuara historike dhe politike, nuk mund të kompensohen dhe të rikthehen prapa në favorin e humbësit dhe të dështuesit. Ashtu, sikurse në mjekësi, një operacion a terapi e gabuar e mjekut, pacientit ia shkurton jetën.

Edhe pas dështimit 30-vjeçar të moskrijimit të shtetit kombëtar ( si pasojë e vdekjes klinike të politikës dhe të diplomacisë së Shqipërisë londineze), qëllimi i këtyre lëvizjeve , i fronteve dhe i partive opozitare për bashkimin e Shqipërisë Etnike është tejet i kristalizuar, dhe me mish e shpirt po orvatet, të sondojë terrenin politik, diplomatik, kombëtar dhe ndërkombëtar, që t’i riparojnë gabimet fatale politike dhe diplomatike të qarqeve zyrtare shqiptare (Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë) në favor të krijimit dhe të bashkimit të shtetit kombëtar shqiptar-Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Mirëpo, megjithëkëtë platformë të njësuar strategjike politiko-kombëtare për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar brenda kufijve natyrorë etnikë, historikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike, tanimë jemi në vonesë, edhe për 30 vjet të tjera (duke mos llogaritur 100 vitet e kaluara, që nga viti 1878 i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), sepse politika dhe diplomacia shqiptare (Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup) nga verbërimi i interesave të kapitalit vetjak privat dhe të karrierizmit pushtetar, nuk kanë qenë në gjendje, që t’i ndjekin shembujt pozitivë të politikave dhe të diplomacive të shteteve ballkanike, të cilat kanë formuar shtetet e tyre kombëtare gjatë ciklit të fundit të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan (1990-2019).

Ka ngelur shumë pak kohë për fushëveprim politik konkret dhe realist, që edhe shqiptarët në Ballkan, të formojnë shtetin e tyre kombëtar, sikurse popujt e tjerë fqinj. Mirëpo, përkundër realiteteve të krijuara në disfavorin tonë, opozita dhe, i gjithë spektri i subjekteve politike me orientim dhe platformë të krijimit të shtetit kombëtar, sa më parë të jetë e mundur, nevojitet që të aktivizohet, duke gjetur forma, mjete dhe rrugë të përshtatshme politike, demokratike dhe paqësore për të shfrytëzuar shansin historik të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar në Ballkan,ashtu sikurse shtete e tjera fqinje.

Për ta ndryshuar një politikë të tillë negative dhe me pasoja kapitulluese për ndërtimin e shtetit kombëtar shqiptar në Ballkan, është e mundur, por, para së gjithash, nevojitet sakrificë vetëmohuese si në kuptimin individual, ashtu edhe në atë kolektiv.

Së pari, KUSHT I DOMOSDOSHËM është që, të gjitha lëvizjet, frontet dhe partitë politike me Platformë për ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, nevojitet, të arrijnë gjuhën e përbashkët të kompromisit politik, duke u shkrirë në NJË SUBJEKT TË VETËM POLITIK DHE KOMBËTAR SHQIPTAR. 

Së dyti, si formë ligjore, demokratike dhe paqësore, të shpallin REFERENDUMIN për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar-Shqipërisë Etnike në Ballkan. 

Së treti, në bazë të rezultateve përfundimtare të REFERENDUMIT TË MBAJTUR në të gjitha hapësirat e Shqipërisë Etnike, të krijohet QEVERIA KOMBËTARE me të gjitha ministritë, institucionet dhe me organet e saj përkatëse, e cila në bashkëpunim me Parlamentin e formuar, do të vendosnin për formën e qeverisjes së shtetit kombëtar shqiptar.

Për t’u përmbushur këto tri kushte themelore, së pari, nevojitet të arrihet MORATORIUMI DHE KONSENSUSI i të gjitha lëvizjeve, i fronteve dhe i partive në NJË SUBJEKT TË PËRBASHKËT POLITIK KOMBËTAR SHQIPTAR.

Ndryshe, na mbetet të ngushëllohemi vetëm me artikuj, me komente, me analiza, me poezi dhe me libra, duke shkruar në temën e ribashkimit kombëtar shqiptar, si dhe të merremi me fizkulturë politike garuese opozitare si dekor i politikës së “natyrës së vdekur” kombëtare të pozitës, e cila qe 30 vjet (1990-2019), ishte kundër çdo përpjekjeje dhe, çdo iniciative për krijimin e shtetit kombëtar të përbashkët shqiptar-Shqipërisë Etnike.

Pse vetëm shqiptarët të jenë përjashtim në Ballkan?

Pse vetëm popullit 8 milionë shqiptarë në Ballkan po i mohohet e drejta historike dhe e ligjshme për krijimin e shtetit kombëtar, kur dihet se ky popull, kurrnjëherë gjatë historisë së tij të derisotme nuk e ka rrezikuar, as nuk e ka dëmtuar asnjë popull fqinjë në Ballkan.

Por, me shekuj ka luftuar për lirinë dhe për ekzistencën, që të jetë Zot në shtëpinë e vet, e jo rob dhe opingë shërbyese e kolonializmit serbo-sllav të pangopshëm (1878-2019).

Nuk mund të jenë shtetarë e as miq tanë, ata, që botërisht po na i kontestojnë dhe po na i mohojnë të drejtat dhe vlerat tona historike dhe ligjore, që edhe ne të kemi shtetin tonë kombëtar shqiptar, ashtu siç i kanë popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.

Pse në këtë kontekst, vetëm populli shqiptar të jetë përjashtim dhe, i diferencuar nga popujt e tjerë në Ballkan dhe në Evropë?!

Me gjithë pezullimin e së drejtës për krijimin e shtetit kombëtar, populli shqiptar nuk po ballafaqohet për herë të parë me këto masa kufizuese joligjore dhe jodemokratike, të cilat janë në funksion të shkurtimit të së drejtës së ekzistencës së tij në një shtet të përbashkët kombëtar shqiptar. Megjithëkëtë, të gjithë armiqtë dhe miqtë e tij, duhet të jenë të vetëdijshëm se, shqiptarët kurrë nuk e kanë duruar robërinë nën këmbën e huaj.

Prandaj, nuk do ta durojnë as në të ardhmen, pavarësisht nga mashtrimet dhe nga manipulimet politike dhe propagandistike të lirisë, të demokracisë, dhe të paqes improvizuese të personalizuar dhe të dekretuar nga oponentët e egër të mosrespektimit të së drejtës legjitime të shqiptarëve, që të krijojnë shtetin kombëtar të tyre, ashtu sikurse të tjerët në rajon dhe në Evropë. As më pak, as më shumë.

(Kosova Sot Online)