Maja e Zezë

Maja e Zezë
Maja e Zezë

Anton Quni

  • 13 June 2019 - 11:00

Më 9 qeshor 1999 me njësinë time ishim te pozicionuar tek Maja e Zezë, në krahun e majtë të frontit në Betejen e Koshares. Po i bënim pergatitjet perfundimtare që të nesërmen të fillonim aksionin për neutralizimin e forcave serbe ne Mriqaj, Rrasa e Zogut dhe Kërrshi i Yllit.

Një tog i yni, diverzanto - vëzhgues kishte arritur të vendosej mbrapa armikut, në mes të Rrasës së Zogut dhe Gjeravicës, dhe ishin në pritje te operacionit.

Për çdo ushtar ishin bërë plotësimet me municion, mjete sanitare, ushqim dhe ujë. Grupet e artilerisë tani më i kishin koordinatat e verifikuara dhe qëndronin në pritje për veprim. Edhe mjetet e komunikimit funksiononin mire. Përgatitjet, përvoja, zbulimi i qendrave të zjarrit të armikut, ndarja e caqeve për snajperistët, mbulimi me armë të rënda, elementi i befasisë dhe motivimi i lartë ishin garancë e suksesit të operacionit.

Vështirësi paraqiste tereni i zhveshur dhe kalimi i disnivelit nga 1600m në 2300m.

Operacioni parashihej te fillonte te nesermen, me rrezet e para të diellit.

Pas orës 19.00, po qëndronim me disa komandues në vend komandë dhe po bisedonim tema nga më të ndryshmet. Pak humor, barcoleta, por edhe biseda se si do ta perjetojmë ditën e çlirimit. E ndjenim se nuk ishte e largët. Çdo njëri i ishte lëshuar imagjinatës së vet, pasi na e thoshte miratohej ose kundërshtohej nga të pranishmit. Mbretëronte edhe një dozë e nervozizmit për aksionin e të nesërmes. Të gjithë ishim të vetëdijshëm se ky operacion e ka çmimin e vet. Ndoshta, dikush nga ne nuk do ta përjetoi ditën e madhe të çlirimit!

Për disa momente ishim zhytur në mendime, heshtjen e theu zilja e telefonit satelitor.

Në vijë të lajmërimit më njoftonin se neser pritej që forcat serbe të nënshkruajnë para NATO-s kapitullimin dhe e fillojnë tërheqjen.

Pasi e konfirmova njoftimin, duke e perseritur sipas procedures, bashkëluftëtarët me shikonin me habi dhe të pasigurt nëse e kishin kuptuar drejt e mire bisedën.

Po djema, lufta mbaroi, serbet po tërhiqen- ju thash unë.

Ato momente nuk pershkruhen, por mbesin thellë në kujtesë si momentet më të bukura që vetëm njëherë në jetë përjetohen. Në atë çast, si në film, të kalojnë sekuencat më të tmerrshme, humbja dhe plagosja e shokëve, kolonat e refugjatëve, kallja e shtëpive, britmat, breshëritë, detonimet, stuhia dhe i ftofti i bjeshkëve, por prap e ke ndjenjën e mirë kur e di se ja dole, se je fitimtar dhe se që të gjithë që mbetën gjallë do të ju kthehen familjeve faqebardhë si fitimtar!

Kaluan 20 vjet nga atëherë, Kosova jo vetëm u çlirua, por sot ajo është e pavarur dhe sovrane. Si e tillë i mirëpriti aleatët e përjetshëm, engjujt mbrojtës që me vendimet e tyre shpëtuan jetërat e qytetarëve të pambrojtur të Kosovës.

Presidenti amerikan , Bill Klinton, Sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, dhe gjen. Wesley Clark, u rikthyen per ta festuar me popullin e Kosovës festën e madhe të lirisë.

Kosova, u mbetët përjetë mirënjohës e falenderuas SHBA-së, NATO-së dhe gjithë botës demokratike që na mbështeten në rrugëtimin tonë për liri e pavarësi.

Kemi shumë punë për të bërë, por me ndihmën e miqëve që asnjëherë nuk na lanë vetëm do të ja dalim, do ta fitojmë edhe paqen!

Zoti e bekoftë Kosovën, popullin dhe miqtë e saj.

(Kosova Sot Online)