“Pse Rama nuk ka leje nga SHBA dhe BE ta rrëzojë qeverinë e tij- Preç Zogaj: Do ishte e tmerrshme që Rusia të shihte në Shqipëri atë që…

“Pse Rama nuk ka leje nga SHBA dhe BE ta rrëzojë qeverinë e tij- Preç Zogaj: Do ishte e tmerrshme që Rusia të shihte në Shqipëri atë që…
“Pse Rama nuk ka leje nga SHBA dhe BE ta rrëzojë qeverinë e tij- Preç Zogaj: Do ishte e tmerrshme që Rusia të shihte në Shqipëri atë që…

Preç Zogaj

  • 23 June 2019 - 13:28

Gropat dhe gërmimet e skandaleve vazhdojnë të zgjerohen rreth qeverisë së Ramës. Së fundi përgjimet nga zgjedhjet e vitit 2016 për Bashkinë e Dibrës, ku vërtetohet përmes bisedave telefonike ajo që e kemi demonstruar përmes vëzhgimit dhe analizës në kohë reale të atyre zgjedhjeve: eksperimentimi në formën e një projekti pilot i aleancës Parti-Polici-Krim, shndërrimi i bandave dhe grupeve të narkotrafikut në njësi komplementare apo të integruara brenda strukturave të Partisë Socialiste.

Përgjimet do të kishin shkaktuar tërmet në çdo vend normal. Flas për aspektin politik dhe moral të çështjes. Por qeveria “Rama” reziston, qëndron, kundërsulmon. Ajo kundërpeshon në agorën e debateve, akuzat me kundërakuza, argumentet me kundërargumente, duke përcjellë në publik mesazhin se nuk tundet.

Luhet pis në të gjitha frontet, pakkush nga kjo klasë politike mund ta hedhë gurin e të papërlyerit nga i njëjti mëkat pak a shumë, për të cilin i turret kundërshtarit. Gjëmat e aktualitetit janë gjëma të vazhdimësisë me aktorë të rinj. Policit që shërben si militant partie në zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016 i përgjigjet si pararendës polici që mbushte kutitë e votimit për llogari të partisë në shumë zgjedhje të mëparshme; narkotrafikantit të angazhuar elektoralisht në vitin 2017 i përgjigjet i burgosuri për vrasje që ka marrë liridalje nga burgu pikërisht në prag të zgjedhjeve në vitin 2009; blerësit të votave në qeveri i përgjigjet pikë për pikë e nganjëherë me një çmim më të kripur blerësi i votave që ka kaluar në opozitë për momentin; përgjimeve të freskëta u përgjigjen përgjime po aq të rënda, e në mos edhe më të rënda, për afera korruptive shumëmilionëshe që publiku nuk ka si t’i harrojë; prokurorëve të drejtësisë tranzitore që “krihen” tash disa muaj me dosjet “339” dhe “184” në kuptimin e ngadalësisë për t’i zbardhur, u përgjigjen prokurorët e drejtësisë së vjetër që kanë bërë një gjë shumë më të shëmtuar, i kanë përdorur përgjimet zyrtare për politikë, për shantazh, për përfitime vetjake. Ky varg çiftimesh mund të zgjatet e të zgjatet.

Të gjitha këto nuk e zvogëlojnë përgjegjësinë e kryeministrit për “modelin” e Dibrës dhe as e përligjin mungesën e ndjesës dhe mosmarrjen e masave administrative prej tij ndaj zyrtarëve të përgjuar që kanë vepruar në kundërshtim me statusin e tyre ligjor. Por të gjitha këto dhe fakti që disa prej personazheve të përgjuar janë sot ishër apo në procese gjyqësore për çështje të tjera, i japin dorë qeverisë dhe kryeministrit të përdorin një retorikë që e relativizon të keqen duke e vendosur qoftë edhe në mënyrë spekulative në rrafshe krahasuese me shembujt e mëparshëm.

Njëherësh të predikojnë dhe reklamojnë me zë të lartë se “ne mbajmë qëndrim politik ndaj përfshirjes së tanëve në veprime të papranueshme dhe ky është dallimi që bëjmë me kundërshtarët tanë”. Në këtë aspekt, megjithëse i vonuar në shumicën e herëve, Rama ka vërtet në rafte disa skelete nga të tijtë, në kuptimin politik të fjalës.

Por nuk janë këto që e mbajnë në këmbë qeverinë “Rama” në këtë periudhë pa të ngjashme. Jetojmë në një botë të hapur, jemi vend i NATO-s, jemi në partneritet strategjik me SHBA dhe BE, ngjarjet dhe konfliktet shqiptare nuk janë e nuk mund të jenë strikte shqiptare, sidomos kur rezonojnë apo pasqyrojnë në mënyrën e tyre përballje dhe përplasje gjeopolitike që përshijnë rajonin dhe Shqipërinë, siç është ajo mes SHBA-së dhe BE-së në një anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Nga ky këndvështrim janë të shumta faktet që na tregojnë se qeverinë e mban një koniunkturë specifike me afat të caktuar, që ka lidhje me përparësitë e politikave të SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri në këtë periudhë. Më konkretisht, e mban leximi i krizës dhe pozicioni i SHBA-së në raport me natyrën e veçantë të saj, me mjetet e papranueshme që ka përdorur opozita, siç janë djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve.

SHBA-ja influencon, për të mos thënë formon qëndrimin e Europës gjithashtu. Sikur SHBA-ja dhe BE-ja të kishin thënë zyrtarisht vetëm fjalinë “duhet të shqyrtohen arsyet e opozitës”, qeveria Rama nuk do të kishte mbijetuar. Pse nuk e kanë thënë? Arsyet i dinë vetë më mirë. Por kemi kuptuar një gjë: Nuk është se e kanë preferencë këtë qeveri. Rama ka qenë luajal me ta në kuadrin e bashkëpunimit për reformën në drejtësi. Për këtë ka marrë një bonus, por është vetëshpërblyer me dorën tjetër, me veprime dhe akte që plasin periodikisht si skandale dhe mbahen shënim, besoj me një zemërim të akumuluar nga partnerët.

Që u ka zënë rrota bishtin, siç thotë një shprehje popullore, duke qenë se janë të fokusuar publikisht te ngritja e institucioneve të reformës në drejtësi si përparësi absolute e politikës së tyre në vendin tonë. Përparësi, të cilën e ndajnë me shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që mezi presin të shohin sundimin ndëshkimit të krimit dhe korrupsionit në sferat e larta. Për këtë arsye, partnerët amerikanë dhe europianë e konsiderojnë qeverinë politike të kësaj periudhe një referencë për të çuar drejt fundit objektivin e tyre.

Nga e gjithë sjellja dhe deklaratat e tyre ka dalë qartë se nuk duan të dëgjojnë sirena të tjera, nuk duan të rrezikojnë asgjë pa i parë SPAK, BKH dhe gjykatat të ngritura dhe as do të tërhiqen për asnjë çmim për të rishikuar reformën në drejtësi në thelbin e saj, që është veprimi i ligjit në sferat e larta. Aq të vendosur duken dhe aq e kontrollojnë gjendjen në rrafshin makropolitik, sa për ta thënë me humor, as Rama nuk ka leje ta rrëzojë qeverinë e tij sa pa u nisur drejtësia e re.

Rama do të kishte qenë shumë më i dobët dhe rivalët e kundërshtarët e tij shumë më të mbështetur ndërkombëtarisht, në qoftë se këta të fundit do të kishin gërshetuar me vizion dhe largpamësi opozitarizmin e përditshëm klasik, që qeveria e Shqipërisë e ushqen me bollëk, me një vlerësim të gjerë të impaktit të reformës në drejtësi dhe me një qasje më të zgjuar ndaj saj në fazën e zbatimit. Sigurisht që opozita ndjek me përparësi detyrat e saj për të kontrolluar, denoncuar dhe mundësisht korrigjuar qeverinë. Por duke qenë një institucion i demokracisë dhe alternativë e pushtetit, asaj i shkon të sillet si të ishte në pushtet në disa fusha dhe për disa çështje, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare, integrimi, reformat e mëdha shtetformuese etj.

Euroatlantizmi është pika e takimit qeveri-opozitë-president. Kjo pikë nuk do të duhet të sakrifikohet për asnjë arsye, do të thosha as në mëkatin më të madh politik të njërës dhe tjetrës palë. Euroatlantizmi për ne është më shumë se orientim. Është të jemi një komb i lirë, brez pas brezi. Jo rrallë ne nuk dimë ta vëmë kufirin deri ku duhet të shkojë lufta politike. Luajmë me fatin. Javën e shkuar, në disa media shqiptare u botua një analizë kuptimplotë e politologut të shquar Janusz Bugajski për rajonin e Ballkanit dhe Shqipërinë. I gjithë artikulli tingëllonte si një thirrje kthjellimi drejtuar krerëve politikë të Tiranës, por edhe njerëzve të thjeshtë.

Dy fraza ishin më goditëse se të tjerat, e para: “Nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri si një dështim tjetër të Perëndimit. Një skenar i tillë shkatërrues do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Europian nuk mund të promovojë zhvillim”;

e dyta: “Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE-ja nuk e do”.

Do të ishte e tmerrshme, larg qoftë, që Rusia të shihte të realizuar në Shqipëri, prej budallallëkut apo sedrës së disa kokave të nxehta e mendjeve të prishura, atë që nuk e arriti dot në dy vende me shumicë sllave si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Këtu nuk jemi në paranojë. Jemi në një realpolitikë të ashpër, që duhet t’u mësojë drejtuesve politikë se në një nivel të caktuar detyrat e tyre takohen me ato të familjes së madhe euroatlantike. Kush nuk e ka këtë rreze dhe kuptim të detyrës, është në vendin e gabuar.

(Kosova Sot Online)