Hashim Thaçi vs Aleksandër Vuçiq

Hashim Thaçi vs Aleksandër Vuçiq
Hashim Thaçi vs Aleksandër Vuçiq

Enver Bytyçi

  • 24 June 2019 - 19:42

Aleksandër Vuçiq ka fajësuar qeverinë e Kosovës për atë që ai e quan "dështimi i samitit të Parisit", duke akuzuar se "Prishtina me taksën për mallrat serbe u bë pengesë e këtij samiti". Sipas Vuçiq, qeveria e Kosovës "nuk është e interesuar për bisedimet dhe dialogun me Serbinë", ndaj dhe Haradinaj "nuk dëshiron ta heq taksën për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë". Në fund Vuçiq ka thënë se "edhe po të vijnë 350 milionë amerikanë, nuk do ta njohin Kosovën shtet"!

 

Por deklaratat e presidentit të Serbisë për Kosovën nuk janë më lajm. Për mua, që në momëntin kur në Lesopaviç pati deklaruar se "Milosheviçi kishte një projekt të mirë, por nuk dijti ta realizonte", Aleksandër Vuçiq ka dëshmuar plotësisht se ndjek politikat e satrapëve serbë që kanë masakruar popujt ballkanikë, veçmas shqiptarët, për të realizuar Serbinë e Madhe.

Lajm ishte deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili edhe kësaj radhe mbështeti akuzat e homologut të tij në Beograd kundër qeverisë së shtetit të Kosovës. Thaçi u shpreh tekstualisht: “Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”.

 

Ndërkaq kryeministri Haradinaj reagoi menjëherë ndaj deklaratës së presidentit të vendit dhe sqaroi se “Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitetin dhe integritetin është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik".

 

Nga këto deklarime, të cilat shprehin qëndrimet e palëve në Prishtinë e në Beograd, duket shumë qartë se vazhdon edhe më tej të kemi dy palë në konflikt: - Nga njëra anë palën serbe dhe ndihmësin e saj në Prishtinë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Nga ana tjetër qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Haradinaj. Kushdo që lexon deklaratën e zotit Thaçi kupton lehtësisht se ajo shkon në harmoni me deklaratat e presidentit të Serbisë dhe shërben për ta përforcuar pozicionin e Beogradit në raport me Prishinën në dialogun midis palëve. Kur Thaçi flet për institucionet e Prishtinës fjala është për qeverinë e Kosovës.

 

Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë intepretim tjetër që mund të justifikojë qëndrimin e Hashim Thaçit në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë së tij në Prishtinë e në pajtim me pozicionin serb ndaj Kosovës. Dhe duke mos dashur të vijoj më tej me këtë fenomen anormal, më duhet të trajtoj dhe tri çeshtje kryesore lidhur me këtë debat:

 

Së pari, Haradinaj e lidh heqjen e taksës me garancinë që pala serbe në fund të dialogut të zotohet për njohjen e shtetit të Kosovës, pa lejuar në asnjë rrethanë tjetërsimin e territorit të vendit. Thaçi kritikon këtë qëndrim të Haradinajt dhe i kërkon atij që "të mos bëhet pengesë për dialogun Prishtinë-Beograd"! Dmth, njësoj si Vuçiq, edhe Thaçi kërkon heqjen e taksës, vazhdimin pa kushte të dialogut, mundësinë e trajtimit të temës "tabu" të ndryshimit të kufijve dhe përfundimisht ndarjen e Kosovës. Haradinaj kritikon zotin Thaçi se "është ai që e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë, kur tentoi të ndryshojë kufijtë midis dy vendeve". Thaçi akuzon Haradinajn për veprime të nxituara e të pakoordinuara. Dmth i kërkon kryeministrit të vendit të tij që të mos vazhdojë të kundërshtojë idenë e presidentit për kompromisin e shkëmbimit të territoreve. Sipas Thaçit, më shumë vlen koordinimi dhe dakordimi me idenë e tij të çmendur të tjetërsimit të territorit të vendit, sesa moskoordinimi i qeverisë me presidentin. Në të vërtetë moskoordinimi midis Thaçit dhe Haradinajt në çeshtjen e ndarjes së territorit është edhe shansi i mbijetesës së Kosovës si shtet!

 

Së dyti, Thaçi shfaqet përsëri shumë kontradiktor. Me datën 28 prill, një ditë para Samitit të Berlinit, ai u thoshte qytetërve të Kosovës se do shkonte atje për të kërkuar liberalizimin e vizave dhe jo për të biseduar për dialogun me Serbinë. Tani thotë se në Paris do prolongohej liberalizimiiI vizave. Dmth, do shkonte në Paris për të dhënë territoret e Kosovës në këmbim të liberalizimit të vizave. Kjo deklaratë e tij na bën me dije se anullimi i samitit të Parisit nuk është pasojë e qëndrimeve të Prishtinës për taksën ndaj Serbisë, por është diçka krejt tjetër. Parisi, mesa duket, nuk dëshiron ta evitojë krejtësisht idenë e ndryshimit të territoreve. Kjo do të thotë se presidenti Macron nuk ka të njëjtën pikëpamje me Berlinin sa I përket rezultatit të dialogut Prishtinë-Beograd. Qëndrimi francez është më afër qëndrimit të Serbisë, sesa të qeverisë së Kosovës. 

Ndaj dhe presidenti Thaçi është i pakënaqur me dështimin e këtij Samiti, ndërkohë që ndërmori një fushatë të shfrenuar kundër Samitit të Berlinit. Ai ka shpresuar se në këtë samit do të rikthehet ideja e tij dhe e Vuçiq për shkëmbime territoresh. Ndaj dështimin e këtij samiti e përjeton si zhgënjim të tij. Interesant është se në të njëjtën masë e për të njëjtën arsye janë të zhgënjyer edhe në Beograd. Vetëm Haradinaj dhe kundërshtarët e idesë së shkëmbimit të territoreve janë të lumtur që Samiti i Pariisit ka dështuar! Por jo edhe Thaçi, Rama, Batoni e të tjerë protagonistë të cënimit të territorit të Kosovës!

Së treti, Berlini ka dhënë sinjale të qarta se nuk e dëshiron Hashim Thaçin si shef të delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë. Për Gjermaninë interlekutor i pranuëshëm do të ishte kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ky qëndrim e ka tërbuar presidentin e Kosovës. Shpresa e tij e vetme është presidenti i Serbisë, të cilin Thaçi e nxit të kundërshtojë çdo mundësi të dialogut me protagonist Haradinajn.  Mënjanimi i Thaçit nga dialogu, do të thoshte fundi logjik i karrierës së tij politike! Në kushtet e këtij fundi të shfaqur në hapësirën e Shqipërisë për Edi Ramën, Thaçi e përjeton me trishtim largimin nga dialogu e për pasojë edhe nga politika. Ndërkaq largimi nga dialogu i zotit Thaçi do të thotë edhe mundësi e pashmangshme e përballjes së tij në Gjykatën Speciale. Beogradi nuk do të kishte më asnjë motiv që ta mbronte atë nga kjo gjykatë!


(Kosova Sot Online)