Më mirë “status kuo” edhe 100 vite, sesa humbje territoresh shqiptare në mënyrë vullnetare

Më mirë “status kuo” edhe 100 vite, sesa humbje territoresh shqiptare në mënyrë vullnetare
Më mirë “status kuo” edhe 100 vite, sesa humbje territoresh shqiptare në mënyrë vullnetare

Sadik Përvetica

  • 27 June 2019 - 11:56

Regjimet serbe në Kosovë kanë bërë gjenocid të vazhdueshëm mbishekullor mbi popullatën shqiptare. Dhe kjo e vërtetë duhet të përsëritet vazhdimisht. Regjimi serb i Beogradit, edhe sot, aktualisht, harxhon miliona për prishjen e imazhit të shtetit të Kosovës dhe për çnjohjen e Kosovës edhe nga ato vende që e njohin Republikën e Kosovës. Regjimi i Beogradit, aktualisht, edhe sot, po shkatërron ekonominë dhe të ardhmen e serbëve të Kosovës me qëllim të realizimit të kauzës së tyre të gabuar kombëtare se aty ku jeton një serb, aty duhet të jetë Serbi! Kjo është kauza e sotme dhe ky është edhe vizioni i djeshëm dhe i sotëm i Beogradit.  

Nga ana tjetër, Europa, me ndonjë përjashtim, edhe sot, po luan një lojë të papastër në raport me Kosovën. Kështu, edhe 20 vite pas luftës së fundit në Kosovë, ku u vranë mijëra njerëz të pafajshëm, u kryen, në mënyrë të planifikuar, mbi 20 mijë dhunime femrash shqiptare, deri edhe fëmijë të moshës 7 vjeçare që vdiqën gjatë dhunimit, ku u dogjën dhe u shkatërruan mbi 90% e ekonomisë familjare shqiptare, ku u dogjën edhe shqiptarë të gjallë në shtëpitë e veta, ku u përzunë nga trojet e veta mbi 50% e popullates shqiptare, Europa ende luan lojën e neutralitetit mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova është një shtet i vogël dhe i posalindur, ndaj e gjithë bota e di se… të qëndrosh “neutral” në mes të një force të madhe dhe një fëmije të vogël, ky nuk mund të quhet neutralitet, por e ka emrin PËRKRAHJE e hapur e të fortit.

Me përfundimin e luftës në Kosovë dhe me lënien e mundësisë (edhe me pëlqimin dhe nën kontrollin e Bashkësisë Ndërkombëtare!!!) për t’u grumbulluar dhe për të vepruar lirshëm në pjesën veriore të Kosovës: të gjithë kriminelët e luftës, kësaj i thonë: lënie e qëllimshme e vegzës për turbullira të reja dhe për mundësinë e destabilizimi të Kosovës (dhe të gjithë rajonit) saherë të dëshirojë dikush. Më lënien hileqare të kësaj vegëze të Bashkësisë Ndërkombëtare (dhe me mosreagimin me kohë edhe të faktorit kosovar) për mundësinë e vazhdueshme të destabilizimit të Kosovës, Kosovës nuk iu dha ajo që meritoi. As nuk erdhi drejtësia në vend. Ndaj, pa drejtësi, siç dihet, askund nuk ka, as nuk mund të arrihen: as paqe dhe stabilitet.

Gjithashtu, menjëherë pas luftës (dhe deri në ditët e sotme) përkundër shpenzimeve dhe investimeve të shumta materiale në ndërtimin e shtetit të Kosovës, keqpërdorimet, keqmenaxhimi dhe korrupsioni i koordinuar (i faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, sepse dihet botërisht që edhe Kosova, përveç miqve, ka edhe armiq që kanë ardhur dhe vijnë si miq dhe veprojnë armiqësisht) qeverisja dhe ndërtimi i vendit nuk shkoi (dhe nuk po shkon ende) as përafërsisht siç duhet. Këtë që thamë, populli i Kosovës e sheh çdo ditë në praktikën aktuale qeverisëse, ku rivaliteti politik, korrupsioni, krimi i organizuar dhe apetitet individuale çojnë jo vetën drejt një pasqyre joserioze të një shteti joserioz, por deri edhe kah zhbërja e shtetit.  Në këtë drejtim duhet parë edhe bisedimet shterrpe shumëvjeçare në Bruksel, të cilat nuk bëhen për stabilizim të shteteve dhe të rajonit, por bëhen për interesa të të fortit dhe për zgjatjen e status kuosë në Kosovë! Ndryshe nuk mund të lexohen mes rreshtave veprimet shumëvjeçare të Brukselit pa asnjë rezultat konkret për drejtësi dhe paqe mes popujve dhe shteteve.

E në këto rrethana, kur edhe mes nesh, ende gjenden mercenarë e tradhtarë të interesave kombëtare për interesa personale dhe karrieriste, mendojmë që për interesin tone shtetëror dhe kombëtar, më mirë është të mbetemi në një status të paqartë edhe 100 vite të tjera, sesa ta humbim vullnetarisht territorin dhe trojet tona, të cilat, me shekuj janë mbrojtur me gjakun e atdhetarëve tanë.

(Kosova Sot Online)