Fundi i turpshem i "turistëve" negociator

Fundi i turpshem i
Fundi i turpshem i

Ramiz Bojaj

  • 30 June 2019 - 08:37

Anëtarët e të ashtuquajturit 'Ekipi Negociator i Kosovës' për bisedime me Serbinë, ishin vetëm turistë të vetëshpallur, në serialin komik qe e ndërtoi presidenti i vendit Hashim Thaçi, i ndihmuar edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, por të ndjekur edhe nga klanet servile e zhvatëse. Njeriu i parë qe bëri shkelje ligji e Kushtetutë është i pari i vendit Hashim Thaqi, i cili anashkaloi Kuvendin dhe Ekzekutivin, duke marrë bajrakun e bisedimeve për ndarjen e Kosovës, me homologun e tij serb Aleksandër Vuqiç.

Kjo ishte shkelja më e rëndë e Kushtetutës së Kosovës, në vitin e fundit, e cila atakoi drejtëpërsëdrejti tërërinë territoriale, sovranitetin e vendit, e krejt në fund edhe kupolën e shtetit: Kushtetutën. Kjo për faktin se presidenti nuk ka të drejtë të përfaqësojë Kosovën në këtë rang dialogu, pasi Kushtetuta e Kosovës këtë rol ia servon ekzekutivit.

E çka është edhe më absurde, fajësinë për këto shkelje e marrin edhe deputetët e koalicionit qeverisës të Kuvendit të Kosovës, të cilët votuan vendime të rënda anti kushtetuese, duke i ndarë edhe para një ekipi jolegjtim. Kjo tregon se deputetët e Kosovës janë 'dele' të klanëve mafioze, të cilët u shërbejnë shefave të tyre në ecurinë e zhvatjes së parasë publike, e grabitjes e mbajtjes së pushteteve pa asnjë parim ligjor e kushtetues. Ashtu sikur edhe shefat e tyre, këta i detyrohen parasë dhe interesave të klientelave, e jo detyrimeve ligjore e kushtetuese. 

Gjykata Kushtetuese duke gjetur shkeljen e të paktën 5 neneve të ligjit rreth kompetencave të këtij dialogu, e që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me automatizëm ka shuar ekzistncën e ekipit 'fluturues' dhe ka mbyllur përfundimisht rrugën e presidentit për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Edhe kryeministri i vendit duke ikur nga përgjegjësia për dialogun me Serbinë, bëri, po ashtu veprime antikushtetuese, sepse kjo është kompetencë ekskluzive e ekzekutivit, natyrisht duke u mbështetur në transparencë të plotë me Kuvendin e Kosovës. Kosova duhet të mbrohet në kontekstin e vet juridik e Kushtetues, e jo të lihet në dorën e aventurierëve, duke lansuar ide çekuilibruese e atakuese për vendin. 

Edhe 'Zajednica' e Hashimit ishte ndërtuar me shkelje Kushtetuese, njësoj siç janë proklamuar edhe negociatat me Beogradin për ndryshim kufijsh, duke mohuar pjesë nga sovraniteti i vendit të vet, duke i cilësuar disa territore si 'dhuratë nga Rankoviçi'.

Veprimet e tilla janë krim.  Në këtë kontekst, kërkohet përgjegjësi penale edhe për paratë e shpenzuara në shetitje turistike nga ekipi negociator i 'Shpëndit & Co', lojën e tyre mashtruese, pa u takuar asnjëherë të vetme me palët negociuese.  As Haradinaj nuk është kryeministër vetëm i taksës, por është i Kosovës, i cili duhet të veprojë në sajë të kompetencave ligjore e kushtetuese, e jo të 'vetëdorëhiqet' nga kompetencat e detyrueshme.

Pas gjithë kësaj rrëmuje, pas vendimit të GJK-së rreth ekipit negociator e negociatave me Serbinë, duhet të jemi shumë syçelë, sepse presidenti i vendit do të mobilizohet sërish qe të krijojë rrëmujë në këtë situatë për të vepruar me koalicione gjithëpërfshirëse, për të përmbyllur dialogun e tij me Serbinë fqinje, e qe nënkupton prerjen e territorit të Kosovës. Hashimi nuk është president i duhur i Kosovës, sepse ky ka rrënuar ecjen dhe forcimin e shtetit tonë, duke penguar njohjet e reja, duke dobësuar legjitimitetin ndërkombëtar dhe duke sjellë në tavolinë opcionin e ndarjes.

Për këtë arsye Thaçi kërkon me çdo kusht shpërndarjen e fajësisë për coptimin e Kosovës. Thaçi ishte inisiatori kryesor kur Kosova humbi territor edhe me Maqedoninë e me Malin e zi, por ndarjen e madhe me Serbinë mëton ta bëjë me deputetët 'dele' të cilët mbrojnë strajcat e hajnave, por nuk mbrojnë as ligj, as Kushtëtutë e as drejtësi. Ekipi negociator i mbushur me 'teze, dajë e halla', është barometri më i saktë se Kuvendi i Kosovës funksionon nga kukullat e dirigjuara prej 'bosëve'-vasalë, të cilët shkojnë pas tyre, edhe kur rrezikohet shtetësia e Kushtetuta e Republikës sonë.

(Kosova Sot Online)