Pse është stabile kleptokracia?

Pse është stabile kleptokracia?
Pse është stabile kleptokracia?

Lis Bukuroca

  • 07 July 2019 - 10:38

Dikur ekzistonin lista se kush duhet të futet nën dhé, sot ekzistojnë lista punësimi, me të cilat vendoset se kush duhet të mbetet në atdhe, rrjedhimisht kush duhet të dëbohet jashtë! Me këta njerëz nuk mund të bëhet më mirë sepse ka ndodhur një zhvendosje, një rrëshqitje tektonike e shtresave, ku mediokritetet, analfabetët, gjysmanalfabetët dhe të predestinuarit për krim, kanë zaptuar gati çdo pozitë të rëndësishme.

Padrejtësia, kleptokracia, korrupsioni dhe punësimi fisnor, do të zhvillohen pa pengesa deri kur ne të debatojmë për ato ndodhi, e jo të veprojmë me revoltë kundër tyre. Shteti privat i një klani do të përforcohet dhe mbetet stabil deri kur ne të jemi vetëm vështrues. Domethënë derisa ne të mjaftohemi vetëm me komente, me shkrime, deri atëherë ata do të kujdesen të na dhurojnë sa më shumë tema për të kaluar ne sa më shumë kohë me debate: në televizor, nëpër gazeta, portale, deri te statuset në facebook, si vend kryesor publik, ku hidhen mllefet dhe elozhet.

Kështu, të kënaqur mbeten ata se vodhën sa u duhej dhe punësuan kë deshën, por të kënaqur mbetemi edhe ne, sepse me fjalë e me shkrime, kritikuam padrejtësitë e tyre. Ata ligjërimet tona do t’i inkasojnë si vlera të tyre sepse po na garantojnë lirinë e mendimit. Pra, me sjelljet tona, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa harmonike në mes krimit dhe moralit garantohet dhe është e përkryer: ata veprojnë, ne analizojmë! Ata vjedhin e pasurohen, ne kritikojmë dhe emigrojmë. Studentë dhe rini më shpërfillëse, më pasive, më injorante dhe më pa interes, nuk mund t’i dëshironte vetes asnjë kleptokrat!

Ne, pjesa dërmuese, teorikisht nuk pajtohemi me politikanët, që shkelin ligjet e shtetit të vet, por praktikisht, i durojmë. Durimi i padrejtësisë, është mbështetje e saj. Pse i mbështesim? Sepse me krimin na familjarizuan, na mësuan, na stërviten mirë dhe tallen me oportunizmin tonë idiotesk, kurse me distancimin tonë, mendojmë se mbaruam detyrën ndaj vendit dhe moralisht, ngritëm veten më lartë se ata!

Me kritikat tona, dëshirojmë të theksojmë, të nënvizojmë, se ne, vetëm ne, nuk jemi si ata dhe se populli ka politikanët, të cilët i meriton dhe prandaj ne, duhet të rrimë anash, sepse ne nuk jemi pjesëtarë të popullit, por populli janë vetëm të tjerët, masa anonime.

Ne kundërshtojmë veprat e tyre penale veç e veç, (tre nuk bëhemi bashkë) por me mosveprimin tonë, ndihmojmë planifikimin e veprave penale dhe përfundimin e suksesshëm të tyre. Çdonjëri prej nesh pret që dikush të ngrihet dhe si me shkop magjik, të zhdukë kriminalitetin ekonomik, korrupsionin dhe nepotizmin në politikën shqiptare. Këtë shfaqje teatrale, nuk e ka parë asnjë komb, e nuk do ta përjetojmë as ne! Ne, pjesa dërmuese, presim që shtetet e së drejtës të na dhurohen pa i dashur, pa i gjakuar vetë dhe për të cilët, pos fjalëve, energji tjetër nuk duam të investojmë.

Kritika me fjalë dhe pa veprime, është si dëshira për të shkuar në nevojtore vetëm duke menduar, por jo duke ecur, ose si kur njeriu mbështet pas një lisi në mal dhe thotë vet me vete: Arushani po sillet keq me delet! Ai mendim është thjeshtë oportunizëm dhe mungesë dëshire për të vepruar, prandaj ariu do të vrasë delet tutje i papenguar.

Në natyrën e bishës, është vrasja. Në natyrën e kriminelit është kriminaliteti! Nuk duhet të çuditemi as për të parën, as për të dytin. Për të penguar Arushanin, duhet kapur atë dhe mbyllur në një kopsht zoologjik. Ky do të quhej parandalim i masakrimit të deleve. Për të penguar hajdutët, ata duhet të hidhen në burg, nëse jo aty, atëherë në një kafaz të madh pranë Arushanit. Jo me Arushanin sepse shteti i së drejtës, që synojmë nuk lejon hakmarrjen, por respektimin e dinjitetit, edhe të kriminelëve. Zhvendosja e tyre nga zyrat nëpër burgje, quhet parandalim i rrënimit të shtetit.

A ka faj populli? Jo, populli nuk ka faj. A meriton një popull këta politikanë që i kemi? Jo, atë soj nuk e meriton asnjë popull. Sikur të pajtoheshim me mendimin shumë të përsëritur se çdo popull meriton udhëheqësit që ka në krye, atëherë do të duhej pranuar se kombi gjerman meritoi Hitlerin, italianët Musolinin, rusët Stalinin, serbet Millosheviqit, ne Hashimin, Ramushin, Berishën, Ramën, Bashën, Metën e Mustafën, po pse vallë? Si mund një popull i tërë të meritojë: kriminel, psikopatë, hajdutë, gjysmanalfabetë e të padijshëm me vulë në ballë të injorancës?

Kush është populli? Popull janë edhe fëmijët, gratë, plakat, pleqtë dhe prindërit që kanë fëmijë të mitur. Si mund ata të meritojnë kriminel nëpër qeveri? Popull është edhe rinia dhe studentët. Këta të fundit bartin përgjegjësinë kryesore kudo në botë. Ata duhet të nisin ndryshimet, por meqenëse nëpër fakultete janë futur diku 75% profesorë të rrejshëm, edhe ajo rini është prishur dhe kënaqet me fjalë e pallavra, duke arsyetuar pasivizimin e tyre me mospajtim në bisedat pasdarke, pra duke shkuar në qenef me mend, po dhiejnë jo vetëm të tashmen e vet, por edhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre nesër!

Popullit i duhet lideri. Deri kur ai të mungojë, deri atëherë ai do të sorollatet si kope, ose do të manipulohen votat e tij, ose do të votojë kriminelin më simpatik! Populli nuk paguhet për të menduar politikisht. Populli i bashkëngjitet liderit të urtë, ose i imponohet i ligu, por për të vepruar, ai ka nevojë për udhëheqës me fanar në dorë siç shprehej Hugo, që ne nuk kemi akoma mundësi t’ia ofrojmë. Ai nuk shihet ende, por duhet të jetë në ardhje e sipër, kushtet janë krijuar, udha është hapur, sepse kudo krimi ka mbijetesë të kufizuar. Në pyetje janë vitet, por jo dekadat! Ne nuk presim mbienjeriun e Niçes, por politikanin me dinjitet, që burgos kriminelët dhe u sekuestron pasurinë. Edhe nëse ai shfaqet, nuk do ta ketë lehtë: krimi i organizuar do të përpiqet ta ekskomunikojë duke e quajtur: jugosllav, udbash, agjent i huaj, tradhtar etj, siç i ka mënjanuar deri tani.

Nuk është çudi kur të dënuarit zgjidhen në pozita të rëndësishme. Kjo në fakt vetëm dëshmon se mafia ka shtetin në dorë. Nuk mund të pritet prej saj të zgjedhë njerëz me dinjitet dhe të dijshëm për vende të rëndësishme. Po ta bënte këtë, atëherë do të dukej e mençur, çfarë nuk është dhe do shfaqej si jokriminele, çfarë në fakt është! Ata ndërtuan shtet fisnor për vete, jo për popullin. Ata po i hakmerren popullit që nuk ka luftuar dhe ia ngarkuan mbi supe edhe 60.000 veteranë, si gjobë të përmuajshme. U kuptuam, gati 50.000 veta do të paguhen muaj për muaj pse NATO çliroi Kosovën! Ata, nëse kanë nga gjashtë anëtarë në familje, atëherë 300.000 veta janë blerë si kafshët në treg dhe janë mbështetës potencial të krimit shtetëror, edhe me vota. Ky numër është tepër i madh. Ky numër është garantues se shteti ligjor aq shpejtë nuk do të jetë i mundur.

E pastaj pse të ndërtohet shteti ligjor, kur ata pasurohen vazhdimisht dhe ne durojmë vazhdimisht? Si mund të pritet që krimineli të luftojë krimin e vetë? Apo, si mund të pritet që ai të mos i dhurojë pozita bashkëpunëtorit të vetë? Apo, si mund të pritet që hajdutët të ndërmarrin ndryshime, që do të kufizonin lirinë e tyre të vjedhjes?

Vajtimi shndërron njeriun vetëm në viktimë, por kurrë jo në autor të jetës, sepse siç thotë Camus,“njeriu kupton vlerën e vetë vetëm në revoltë”, që ne nuk e kemi. Derisa rinia nuk revoltohet, do të vazhdojmë me shkrime, biseda, debate e kritika, kurse karvani i tyre, do të ecën i patrembur!


(Kosova Sot Online)