Kryetarët e partive politike në Kosovë janë despot

Kryetarët e partive politike në Kosovë janë despot
Kryetarët e partive politike në Kosovë janë despot

Ramiz Bojaj

  • 13 July 2019 - 17:59

Historiani e shkrimtari Jusuf Buxhovi e ka thënë të vërtetën për partitë politike në Kosovë. E di se e vërteta e thënë troç nuk i pelqen çdokujt. Edhe e vërteta e Buxhovit nuk do t'i pëlqejë militantizmit partiak, por as atyre strukturave mafioze e kriminale, të cilat, në emër të luftës e kanë kapur shtetin, janë veshur me poste, tituj e grada të pameritueshme dhe sot janë 'milionerët e Kosovës'.

Pushtetarët hajdutë tërë harbutërinë e tyre e kanë bërë e po e bëjnë në emër të luftës, të heronjve, dëshmorëve..... e në fakt këto struktura janë armiqtë më të egër, më të rrëzikshëm e më të paskrupullt të luftës së UÇK-së, të lirisë sonë e të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë të çlirohet nga këto falanga-palaço doktorësh, gjeneralësh, 'vizionarësh ruralë' në mënyrë që shteti ynë të mos kthehet në aksham pazar për bandat ndërpartiake klienteliste, të cilët i bashkon pushteti, interesi e paraja.

Partitë politike janë shndërruar në shumëllojshmëri klikash klienteliste, të cilat,  veprojnë brenda llojit për të shtypur konkurrencën e vlerave të vërteta demokratike, njerëzore e intelektuale. Më i forti i këtij lloji, dominon partitë, ndërton klanet ekstreme militante për të shtypur çdo mendim ose veprim të lirë. Pra, kryetarët e partive politike në Kosovë janë despot, të cilët kontrollojnë strukturën partiake, pastaj, dominojnë në pushtetet e koalicioneve, duke përcaktuar masat zhvatëse në çdo segment shtetëror siq janë keqperdorimi i parasë publike, kontrolli i aseteve shtetërore, tenderëve etj. Pra, i gjithë spektri politik në Kosovë funksionon nga mendësia primitive e tiranit, struktura këto, qe bashkëveprojnë edhe jashtë kornizave partiake, vetëm e vetëm të zhvatin sa më shumë para e pushtet.  

Bashkëthemeluesi i LDK-së, Jusuf Buxhovi, me të drejtë ka akuzuar zyrtarë të partisë së tij për lidhje kriminale, me grupe tjera partiake, duke nënvizuar saktë se ekzistojnë “feude” brenda LDK’së, të cilat “janë të lidhur me strukturat kryesore kriminale brenda PDK’së”. Këto janë sekte të cilat bashkëveprojnë në interesa gllabëruese, sunduese e zhvatëse.

Jo rastësisht, LDK-ja si nën udhëheqjen e Fatmir Sejdiut, ashtu edhe nën Isa Mustafën ishte bërë patericë ose nëngedë e PDK-së, pothuajse në të gjtiha proceset e kapjes dhe zhvatjes së shtetit. Të sinqertët janë eliminuar për të dominuar llaskucët.  Ky konstatim është shumë i saktë, edhe pse mund të ngre reagime të forta nga klanet militante të të gjitha partive politike, sidomos nga LDK-PDK, të cilat janë bërë shtylla të njëra-tjetrës, në shumë procese të dëmshme e atakuese për shtetin e Kosovës.

Klika brenda LDK-së kanë shtypur e përjashtuar mendimin e lirë e kritik, pastaj me diktat despotik kanë detyruar deputetët të votojnë Kadri Veselin e SHIK-ut për kryeparlamentar dhe Hashim Thaçin për president. Gjithashtu të njëjtat klika kanë votuar me pompozitet për humbjen e Kullës e Çakorrit, kanë nënshkruar asociacionin jo kushtetues ASK, sipas konceptit të Hashim Thaçit. LDK u bë patericë e PDK-së në të gjitha dëmët qe kryetari i shtetit Hashim Thaçi ia solli Kosovës.  

Janë pikërisht këto “feude” të cilat e mbajnë gjallë militantizmin seksist dhe kanë vrarë shpresat e qytetarëve për në të ardhme më të mirë. LDK’ja, me “feudin e Llapit, të Gjilanit dhe të Dukagjinit”, PDK me 'feudin' e Drenicës, Llapit e Anamoravës, AAK me 'feudin' e Dukagjinit e kanë kthyer Kosovën në plaçkë ditore, e cila vidhet, varfërohet e sakatoset çdo ditë.

(Kosova Sot Online)