U ringjallën shpresat serbe, ruse e sorosiane për territore të Kosovës

U ringjallën shpresat serbe, ruse e sorosiane për territore të Kosovës
  • 15 korrik 2019 - 14:50

Vizita e presidentit Macron në Beograd po shoqërohet me një propagandë të shfrenuar të autorëve të ndarjes së Kosovës, si kthim në idenë e bllokuar në Samitin e Berlinit të 29 prillit të kaluar për ndarjen e Kosovës. Një lajm për këtë i France 24 u përhap me shpejtësi në mediet shqiptare, të cilat dukeshin qartë se ishin entuziaste në shërbimin e radhës ndaj Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, Vladimir Putin dhe Hashim Thaçit e Sorosit me kompani.

Në atë lajm thuhej se Macron në Beograd, ndryshe nga Merkel, do të mbështesë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës edhe me opsionin e ndarjes së kësaj të fundit. Ndërkaq me rastin e festës kombëtare të Republikës së Francës, ambasadori i këtij vendi, Didier Chabert, organizoi një pritje me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ku morën pjesë Thaçi, Haradinaj dhe Veseli. Nëse lexojmë nëntekstin e deklaratave të tyre, atëherë vëmë re diferencat në koshiencën dhe sub-koshiencën e ambasadorit, Thaçit, Veselit e Haradinajt. Ambasadori Chabert përdori zhargonin e presidentit Thaçi, kur foli për rrezikun e status-quosë në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb si dhe për ‘një marrëveshje ligjërisht të obligueshme’.

Me kërcënimin për rrezikun e status-quosë dhe me joshjen për ‘marrëveshje ligjërisht të obligueshme’ ka operuar Hashim Thaçi gjatë gjithë kohës që loboi për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Edhe Kadri Veseli u duk i paqëndrueshëm dhe i paqartë në deklaratën e tij, ndërkohë që Haradinaj përshëndeti angazhimin e Francës dhe presidentit Macron për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në kornizat e mos-ndryshimit të kufijve. Ndoshta Haradinaj dha mesazhin se ‘Ai nuk dëshiron ta besojë që presidenti francez i ndryshon kaq shpesh qëndrimet e tij, çka e paralajmëroi France 24 ditën e djeshme. Por loja me Kosovën dhe kufijtë e saj nuk mbaron me kaq.

Një ekspert amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, James Hooper, paralajmëroi po dje në Zërin e Amerikës se pavarësisht që Merkel e bllokoi idenë e ndryshimit të kufijve, këtë opsion ai e sheh si zgjidhjen më të mirë. Ai kritikoi ashpër zonjën Merkel dhe kryeministrin Haradinaj për bllokimin e procesit që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kishin nisur në këtë drejtim dhe e sheh zgjidhjen vetëm te një marrëveshje ‘gjithëpërfshirëse’, terminologji kjo e përdorur nga Thaçi. Sipas tij, zgjidhja gjithëpërfshirëse realizohet vetëm me ndryshimin e kufijve. Madje Hooper shton se ‘kufijtë e Kosovës në ish-Jugosllavi nuk ishin kufij shtetërorë të jashtëm, por kufij të brendshëm dhe si të tillë ata mund të ndryshojnë’. Me këtë ide ai hedh poshtë rekomandimin e gjithë pranuar të Komisionit të Banditerit të Londrës të vitit 1992, i cili ka përcaktuar që shtetet që dalin nga ish-Jugosllavia të njihen në kufijtë e brendshëm që kanë ekzistuar atë kohë. Këto zhvillime të reja në prag të vizitës së presidentit Macron në Beograd dëshmojnë për rigjallërimin e idesë serbo-ruso-sorosiane për ndarjen e Kosovës. Interesant është të hulumtohet fakti se si është e mundur që të ketë përputhje interesash midis Rusisë, Sorosit dhe ndonjë pjesëtari të administratës Trump, si Palmer, kur dihen konfliktet e ashpra midis Sorosit nga njëra anë dhe Putin dhe Trump nga ana tjetër?! Por kjo kërkon një studim të veçantë.

Mund të thuhet vetëm ajo se interesat e palëve përputhen. Soros synon që përmes Beogradit të marrë në dorë Trepçën. Beogradi ka për qëllim të administrojë e të jetë sovran në veriun e Kosovës, ku bën pjesë Trepça dhe pasuritë e saj miliardëshe. Moska dhe vetë Beogradi duan të krijojnë precedentin, me qëllim që Ballkani të futet në një konflikt të ri dhe kësisoj influenca ruse e Serbia e Madhe të bëhen realitet i padiskutueshëm.

Administrata e Trump kujdeset për stabilitet dhe jo për kufij e demokraci, sepse për ta ‘Amerika është e para’. Kjo do të thotë se stabiliteti i shërben Amerikës më shumë se çdo gjë tjetër, veç tjerash dhe për shkak të muxhaidinëve iranianë të vendosur në Shqipëri. Besohet se ky është shkaku i mbështetjes për sorisistin Edi Rama, pavarësisht pozicioneve të kundërta brenda Amerikës. Vetëm Europa dhe Gjermania nuk mund të jenë të fituar në këtë betejë. Ndërsa Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu e të tjerë shqipfolës që mbështesin idenë dhe projektin serbo-ruso -sorosian të ndarjes së Kosovës, e bëjnë këtë për shkak se janë të implikuar me Sorosin e njëkohësisht me Beogradin, ku është instaluar një qeverisje dhe një president sa Sorosist, sa rusofil. Ndërsa në administratën amerikane vegjetojnë jo pak sorosianë, pro-rusë dhe antishqiptarë.

Megjithatë Trump do ta ketë të vështirë ta mbështesë një plan të tillë për shkak se ai në vjeshtë hyn në fushatë elektorale dhe dështimi i projektit do ta dëmtojë imazhin e tij. Demokratët pro Kosovës dhe shqiptarëve, përfshirë Eliot Engel, Biden etj, do ta shfrytëzojnë qëndrimin e tij për ta goditur si qëndrim pro-rus. Por grupimi jo i vogël dhe jo pa influencë edhe te Macron kërkon dhe do të kërkojë të përçajë kombinacionin Berlin-Paris për të penguar një zgjidhje të konfliktit me ndarje e shkëmbim të territoreve. Thaçi ishte entuziast gjatë pritjes së ambasadorit francez në Prishtinë dhe përsëriti edhe ai nevojën e dialogut pa kushte me Serbinë.

Haradinaj duket se është moderuar disi. Megjithatë ai deklaroi para një jave, pas publikimit të përgjimeve të Zaev, se ‘Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e kufijve do t’i mbrojmë me çdo çmim’. Kadri Veseli, nga ana e tij, po vëzhgon lëvizjet dhe matë me peshore nga anon ekuilibri. Nëse peshorja anon nga ndarja, do t’i bashkëngjitet idesë së çmendur të Thaçit, Vuçiçit dhe Edi Ramës. Nëse jo, atëherë do mbahet në anën e kundërshtarëve të ndarjes së Kosovës. Thjesht po rrotullon sytë sa në një anë në anën tjetër të kandarit! Ndërsa në Shqipëri ka filluar gjuetia e shtrigave kundër atyre që mbështesin Haradinajn për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Në shenjë është vënë presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili gjithnjë gjendet në anën e kryeministrit të Kosovës, ndërkohë që Rama dhe Thaçi e shohin këtë pozicion si të rrezikshëm për ta.

Mazhoranca e socialistëve dhe e deputetëve mumie, që kryeministri i Shqipërisë i çoi në parlament pas djegies së mandateve nga opozita reale, nuk janë të aftë të lexojnë synimet antikombëtare të Edi Ramës dhe lëvizjet që ai bën në favor të idesë serbo-ruso-sorosiane të ndarjes së Kosovës. Interferimi i Edi Ramës në aferën antikombëtare të ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë, po mban peng gjithashtu Shqipërinë, njësoj si para vitit 1999. Në një farë mënyre peng i kësaj afere është i gjithë rajoni. Por është fat i madh që vendet e rajonit, veç Serbisë dhe Republikës Srpska të Dodikut, janë kategorikisht kundër çdo ndryshimi të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermania po ashtu është e vendosur bashkë me Britaninë e Madhe kundër këtyre ndryshimeve.

Me rëndësi është që Ramush Hardinaj në Kosovë, Ilir Meta në Shqipëri dhe zërat e fuqishëm, si ai i Prof. Dr. Sali Berishës, të vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre në mbrojtje të kufijve dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova ka autoritetin dhe rolin vendimtar për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Idhtarët e cenimit të këtij integriteti po abuzojnë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e konsiderojnë dhe përfaqësues të vullnetit politik të Kosovës. Kjo dukej në intervistën e zotit Hooper dhënë dje Zërit të Amerikës. Për ta larguar këtë alibi është detyrë e parlamentit dhe partive politike parlamentare opozitare dhe jo-opozitare, si dhe gjykatës kushtetuese të Kosovës, që ta shkarkojnë presidentin e vendit.

Kjo do të ishte zgjidhja ideale që parandalon rrezikun më të madh që Kosova ka pasur në historinë e saj pas masakrave të Milosheviçit. Në të kundërt, së paku duhet që vetë Ramush Haradinaj të marrë në dorë udhëheqjen e dialogut. Vetëm në këtë mënyrë mund të dalë jashtë loje lobi pro rus, pro serb e pro soros brenda e jashtë shqiptarisë për ndarjen e Kosovës Serbia do të hyjë në dialog edhe pa heqjen e taksës, nëse dikush e garanton se në tavolinë do të diskutohet ndarja e Kosovës dhe ripushtimi i veriut nga ana e saj. Këtë mund ta bëjë Macron gjatë vizitës së tij në Beograd, edhe si presion ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për ‘kokëfortësinë’ e tij për mosheqjen e taksës.

Në këtë rast Thaçi jo vetëm do t’i gëzohej ndryshimit të kufijve, gjithnjë në favor të Serbisë, por do t’i gëzohej edhe ‘mposhtjes’ që ia bën kundërshtarit të tij kryesor,Ramush Haradinajt. Ndaj Haradinaj duhet të bëjë llogari të sakta politike në interes të Kosovës në radhë të parë e përmes interesit të vendit edhe në interes të AAK-së. Nëse kufijtë hyjnë në agjendën e bisedimeve, zoti Haradinajt i mbetet të japë dorëheqjen e të shkaktojë krizë qeverisjeje e parlamentare. Pra, ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke dalë hapur kundër këtyre planeve. Thaçi në këtë rast do të përpiqet të afrojë Isa Mustafën në qeveri, duke i dhënë atij postin e kryeministrit.

Por LDK nuk do ta pranojë ofertën e Thaçit, ndryshe do tëhuhet të llogarisë me humbjen absolute të elektoratit. Më pas Thaçi do t’i drejtohet për ndihmë Vuçiçit, me qëllim që të sigurojë mbështetjen e Listës Srpska në një qeveri me PDK-në mazhorancë. Në këtë rast tradhtia e presidentit të Kosovës do të dilte lakuriq dhe kurdo që do bëheshin zgjedhje, PDK do ta kishte të sigurt fundin e saj. Prandaj Kadri Veseli nuk do ta pranonte një qeveri me Listën Srpska. Kësisoj mbetet opsion vetëm shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare, prej ku Haradinaj do të siguronte një ngritje spektakolare të partisë së tij. Sido që ta vlerësosh situatën, duket qartë se fijet e suksesit për ruajtjen e territorit të Kosovës i ka kryeministri Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)