Kosova ka nevojë për zgjim të madh

Kosova ka nevojë për zgjim të madh

Ramiz Bojaj

  • 16 korrik 2019 - 17:23

Aleanca serbo-ruse është shtrirë shumë ashpër në krye të politikës e të diplomacisë shqiptare Prishtinë-Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi janë shpresat e fundit të Serbisë e Rusisë për coptimin e Kosovës dhe shkatërrimin e paqës dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Në fakt, Rama e Thaçi duke hapur tema të rënda e antikombëtare, metojnë të fshehin pushtetet e tyre mafioze e kriminale; Rama për të fshehur narko-pushtetin, ndërsa Thaçi për të krijuar turbulenca në sistemin e drejtësisë për pushtetin e vet mafioz dhe për shtetin e kapur nga bandat oligarke.  

Pas dekonspirimit të planit Rama-Vuçiq-Thaqi, sidomos pas 'bombave' të Zaevit e të ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB Agim Nesho, po dëshmohet se rreziku për copëtimin e Kosovës ka zbarkuar në pushtetet e krimbura shqiptare, mafioze e të drogës.  Duke goditur shtetin e ri të Kosovë, kryemafiozët e Ballkanit (Tiranë-Prishtinë-Beograd), përpos kanaleve të nëntokës kriminale, tashmë janë bashkuar edhe në aleancat e përbashkëta antishqiptare serbe e ruse, në mënyrë që të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në ombrellën e diktatit mafio-ekonomik e të drogës.

Edhe ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati kishte dekonspiruar projektin sllav më të njëjtin vlerësim për të njëjtin qëllim. Ky plan kriminal  i prodhuar në Serbi dhe i përkrahur në Rusi, mori goditje vdekjeprurëse nga fuqitë e mëdha evropiane si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, të cilat jo vetëm nuk e pranuan planin e ri të luftës, por nëpërmjet ‘Samitit të Berlinit’ u përpoqën të jepnin edhe një zgjidhje racionale në rikthimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Këto shtete japin vlerësim shumë më korret sa i përket natyrës së dialogut duke kërkuar qe bazë e kësaj të mbetet parimi i shteteve të pavarura. Eshte i quditshëm fakti se më shumë po e mbrojnë shtetësinë e Kosovës, vendet e BE-së e SHBA-ja, se sa liderët tanë Hashimi i Brojës e Edvini i Tiranës.

Pra, kjo dëshmon se BE-ja është në luftë me mafinë serbe e shqiptare dhe me planin e tyre kinse 'marrëveshje historike' e në fakt është plan i luftës. Praktikë kjo e maniakëve politikë me ambicie kriminale e diktatoriale. Çuditërisht, edhe pasi qe Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli si kundër- kushtetuese krejt procesin e deritanishëm të agjendës së dialogut Hashim-Serbi, bashkë me ekipin 'turistik' të hoteleve, opozita kosovare nuk po 'zgjohet nga gjumi i ariut'.

Kosova ka nevojë për zgjim të madh, reagim të organizuar qytetarë, në mënyrë që të largohen nga pushteti falangat antishqiptare, të cilat jo vetëm qe e vodhën dhe e shkatëruan këtë vend, por po na sjellin në tavolinë edhe projektin për ndarjen  e Kosovës. Dialogu me Serbinë duhet të ndërtohet nga në format krejt tjetër, bazë e të cilës janë Kushtetuta e Kosovës, tërësia territoriale dhe sovraniteti.

Ndryshe, marrëveshjet e fshehta, të jashtëligjshme e anti kushtetuese, sipas idesë së fashistëve serbë e cubave shqiptarë, janë hyrje në epokën e re të luftës, e assesi në arritjen e ndonjë marrëveshjeje 'historike e gjithëpërfshirëse' siq po nënvizohet kohën e fundit.

(Kosova Sot Online)