Mosakreditim dhe depolitizim të universiteteve politike (publike) në Kosovë!

Mosakreditim dhe depolitizim të universiteteve politike (publike) në Kosovë!
  • 19 July 2019 - 18:25

Gjendja e tanishme e arsimit shqip në Kosovë lirisht mund të krahasohet me nivelin e pasluftës së dytë botërore, të viteve '50-ta apo 60-ta, ku gati gjysma e popullsisë nuk e kanë ditur shkrim-leximin. Rezultatet e PISA-s nga viti nëj vit po na bëjnë të ndihemi të turpëruar si shoqëri, si pasardhës të rilindasve, të gjeneratës së artë të arsimit të viteve të '70-ta, '80-ta dhe '90-ta, të kuadrove të nivelit më të lartë evropian e botëror.

Universitetet publike; Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", Universiteti i Prizrenit ''Ukshin Hoti'', Universiteti i Pejës ''Haxhi Zeka'', Universiteti i Gjakovës, ''Fehmi Agani'', Universiteti i Gjilanit ''Kadri Zeka''

Universiteti i Mitrovicës ''Isa Boletini'', Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike ( Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës).

Universitetet private; Akademia Evolucion, Kolegji AAB, Kolegji AUK, Kolegji, Heimerer, Kolegji Biznesi, Kolegji Dardania ,Kolegji Evropian Dukagjini, Kolegji, ESLG, Kolegji Evropian i Kosovës, Kolegji FAMA , Kolegji Gjilani, Kolegji i Menaxhmentit Internacional Globus, Kolegji Iliria, Kolegji i Shkencave Mjekësore Rezonanca, Kolegji ISPE ,. Kolegji Evropian Juridika (Pjeter Budi), Kolegji Riinvest, Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli, Kolegji UBT, Kolegji Universi, Kolegji Universum, SHLP Design Factory dhe International Business College Mitrovica.

Kosova e tepër e ngushtë për numër enorm të universiteteve

Por si duket ky numër enorm i universiteteve dhe kolegjeve do te rritet akoma më tepër, ngase janë në rritje “kërkesat” për universitete publike edhe në qytete tjera,…për të shkaktuar kështu ndarjen e dijes në bazë të përkatësisë rajonale politike dhe fuqisë elektorale të liderëve aktual,…për t’i lënë vendin në fund ndoshta edhe universitetit të Shtimjes për prodhimin e kuadrove me të meta mentale për përmbushjen e “mozaikut” universitar në Kosovë!

Kërkoj falje për ketë të fundit, që e përdora si metaforë që i shkon për shtati asaj metaforës së pasluftës në Kosovë; “po të kisha ditur se është kaq lehtë më kryer fakultetin, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme…”, flitej kështu për të “diplomuarit” në universitetin e Tiranës e Prishtinës në periudhen e pasluftës të liderëve të ndryshem politik pa diplomë të maturës!

Kosova është një territor tepër i ngushtë gjeografik për absorbimin e të gjitha këtyre universiteteve e kolegjeve, që janë bërë sikur objektet fetare të pasluftës që mbinin ngado e kudo, edhe aty ku nuk kishte fare nevojë për to!

Kjo logjikë e mbrapsht e hapjes e vendeve të “reja” të punës, është logjikë e kthimit mbrapa e jo e ecjes përpara, ngase kuantiteti nuk e përcakton asnjëherë kualitetin në arsim. Nga të gjitha këto universitete publike (politike) që veprojnë aktualisht,…nesër mund të bëhen edhe pesëdhjetë sosh dhe asnjëherë të mos arrihet kualiteti që dikur ishte në Universitetin e Prishtinës.

Shtimi i universiteteve dhe rritja e analfabetizmit

Thellësisht jam i bindur së shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën Universitet (njohuri të gjëra), ngase më siguri do të përmbaheshin pak nga “fabrikimi” i këtyre institucioneve të larta arsimore në vend, të quajtura “universitete”.

Po ndodhë kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve “akademik e shkencor”, rritje enorme të të diplomuarëve dhe rënje të cilësisë dhe kualitetit në arsim.

Më gjithë këtë shtim të universiteteve, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje enorme, si pasojë e udhëheqjes së antivlerave me këto universitete në njërën anë, dhe në anën tjetër të rënjes së cilësisë së studimeve në këto universitete, kemi degradim edhe të sistemit shëndetësor, juridik, kulturor, pse jo dhe politik të vendit tonë.

Janë të shpeshta rastet kur nxënësit më sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme, të mbesin jashta “amfiteatrove”,…ndërsa në anën tjetër nxënës e nivelit të mesëm dhe të ulët i zëjnë vendet e tyre në këto universitete,…duke e patur të sigurtë që në fillim diplomimin dhe “specializimin” në afatin e parapar të këtyre “akademive” universitare, si rezulat i privilegjeve; nepotizmit, familjarizmit, korrupsionit e dukurive tjera negative të përhapura në shoqërinë tonë këtyre 7-8 viteve të fundit.

Kostoja e lartë financiare e universiteteve politike

Përderisa shtetet më të zhvilluara ekonomike, të shtyrë nga kriza financiare në Eurozonë, përditë bëjnë shkurtime të shpenzimeve buxhetore, ne në Kosovë, në vendin më koeficientin më të ulët të zhvillimit ekonomik në Evropë, i rrisim shpenzimet buxhetore pa asnjë kriter, pa asnjë strategji të qartë zhvillimore,…thuajse jemi më të pasurit e më të mënçurit e globit tokësor!

Në të kaluaren jo shumë të largët, Kosova mburrej më kuadrat e dalura nga Universiteti publik i Prishtinës, në veqanti me nivelin e lartë profesional, shkencor dhe akademik, që nivelizoheshin më kuadrat e universiteteve më prestigjioze evropiane e botërore.

Kosova si një vend i vogël, do t’i mjaftonte një universistet publik (shtetëror), i konsoliduar mirë, i pajisur me infrastruktur akademike, me kushte të volitshme për studentet; me konvikte bashkëkohore, me transport të organizuar mirë për studentet nga qendrat e tjera e shumçka tjetër,…që do ta kishin koston më të ulët buxhetore se sa hapja e universiteteve në çdo pjesë të vendit, dhe ajo çka është më e rëndësishmja do të kishim prodhim të kuadrove cilësore për nevojat e vendit e jo fabrikim të tyre sipas orekseve partiake!

Depolitizimi i universiteteve dhe kolegjeve, imperativ i ngutshëm kohor

Fati i mosakreditimi i tri univeristeteve publike (politike), mund t'i pret edhe universitetet e tjera të hapura gjatë fushatave  zgjedhore nga presidenti (ish kryeministri)Thaçi.

Janë këto universitetet të themeluara pa asnjë analizë paraprake, por vetëm si premtim elektoral gjatë fushatave zgjedhore, pa buxhet dhe pa kushte infrasturkturore.

Në këto universitete kryesisht janë rehatuar militantët partiak, me studime themelore dhe me notë mesatare shumë të ulët. Katër nga rektorët e universiteteve publike (politike) vijnë nga PDK. Të mos flasim për numrin enorm të personave që mbajnë pozita udhëheqëse në këto universitete dhe që kanë lidhje të ngushtë me politikën.

Në mesin e ligjeruesve dhe stafit udhëheqës të universiteteve politike (publike) janë edhe gratë e disa prej liderëve shtetërorë më diploma të fabrikuara, siq janë edhe shumica e liderëve partiak dhe shtetërorë të Kosovës.

Mosakreditimi i tri universiteteve, përveqse dështim i menaxhmentit të universiteteve, duhet të shërbejë si alarm për cilësinë e dobët në universitetet publike (politike) dhe kolegjet private.

Mosakreditimi duhet të pasohet me depolitizim të universiteteve politike (publike) dhe kolegjeve private të Kosovës.

(Kosova Sot Online)