Repriza e mërzisë, Jakupi le ta merr me vete edhe Orbitrekun...

Repriza e mërzisë, Jakupi le ta merr me vete edhe Orbitrekun...

Kimete Berisha

  • 20 korrik 2019 - 14:18

E paskan ftu' edhe Jakup Krasniqin. Le ta merr me vete edhe Orbitrekun. Po bëj hajgare...por m'u kujtu ajo shpija e tij gjigande me dhomën e fitnesit...në vend se me pas atë dhomë naj trashalluk nafakpremë.

...anipse e kam antipati me arsye (kam qenë me familjen dhe UÇK-në gjatë luftës në mal, kur ky hero e ka pas shpall mobilizimin e shqiptarëve (16-55 vjeç), dhe të nesërmen në Smrekovnicë policia serbe i vrau e masakroi mbi njëqind meshkuj shqiptarë 'të mobilizuar' por duarthatë.

S'kishim gurë, dru, hu, stupc, bukë, ujë, s'kishim gjë t'gjallë krye shpirti, shkoj lufta tuj hëngër 'kompira' t'mërdhimë të Dobërllukës, por ishim 'të mobilizuar'.

Natën mbuloheshim me letra gazete vend jorganit, ujin e ruanim për më të rinjtë, tre muaj jetë kemi fjetur në ahurin e lopëve, por ishim 'të mobilizuar'.

E pamë vruan që u vra nga snajperistët serbë, kur lëvizi vendit në fshatin Shtitaricë për të kërkuar bukë për fëmijën që po qante nga uria; e nga qielli piknin vërejtet e aeroplanëve të NATOs 'kujdes, e dimë që po mbani popull duarthatë si mburojë e gjallë', por ishim 'të mobilizuar'.

I pamë kur në sallën e sporteve në Vushtrri i ndan burrat me duar lidhur pas qafe, por ishin 'të mobilizuar'.

Prandaj, antipatia ime ndaj tij është racionale sepse kur e shpalli mobilizimin nga hoteli i Tiranës, ai e dinte se as ushtarët e ngratë s'kishin armë se lë me populli.

Nuk i gjen gjë, mos u mërzitni. 

Unë besoj thellë thellë në pafajësinë e tyre.

Pasha besën, unë nuk gëzohem qe një kohë, mos u bëni merak ju, se nuk gëzohem unë lehtë, se ma kisha dasht m'u gëzu edhe 'për keq', nashtë, veç m'u qefu pak, por jam e sigurt se do të isha gëzu veç nëse ftesa do t'i shkonte njanit që gjithmonë u përmend se ua ka la flamën shqiptarëve...por kurrë asnjë ftesë nuk i ka shku...

Nuk gëzohem për Thaçin, as për Kadri Veselin, (për arsye se ata gjithmonë kanë shfaq respekt për mu), por ama nuk gëzohem as për Jakupin, as për Ramushin...s'ndjej gjë.

Të gjithë ju që jeni të mërzitur sot, do të qeshni nesër dhe anasjelltas. Mos u idhno o i idhnum.

Ramushi e di se kur është dorëzuar herën e parë në Hagë, unë jam e para që pasi kam pas kajt me lotë (dëshmitare e kam një zyrtare amerikane të UNMIK-ut), e kam shkruar editorialin 'Kush do ta akuzojë Karla del Ponten'...

Nga rrethi i tij familjar më ka ardh mesazhi falenderues se më shumë i ka ndihmuar ai shkrim sesa avokatët e paguar me miliona.

Unë nuk gëzohem për Ramushin. Mos të lodhet këshilltaret e tij me më sha me emra anonim (se nuk e ka gjet kishën ku mu kryqu) e m'u mundu me m'tutë se edhe unë e kam pa 'vdekjen me sy', mundesh me m'vra por s'mundesh me m'tutë.

Njëherë po u tutshme për vdekje e pastaj po u bëjshe 'zanzi'.

Se edhe 100 vjet ymer m'i pas ajo 'strinca' nuk mundet m'i ndihmu Rambos më shumë se unë.

Thjesht nuk ndjej as gëzim as më të voglin idhnim, as Albini nuk gëzohet, mos na raft m'u gëzu palidhje (kur gëzohemi unë e Albini, dridhet toka, e merrni vesh), pse bëhesh idiote, i shtini fminë me na sha, shani deputetët shqiptarë që po ju çojnë në Hagë, ju e mbytët njëri-tjetrin, e jo ata (ne) që kanë shkruar dhe folë kundër kësaj gjykate.

Ose shaj more bëj çfarë të duash, e di se s'din ti me jetu vet, pa të mbajt 'heronjtë' përdore...

S'mundesh m'u shty me neve që ecim tehut me sy mshel ë.

...por ama mos shihni kusur, mos na imtoni m'u mërzit dy herë për të njejtën 'temë' nuk është e realizueshme në skenë kjo lloj drame, veç kush të rren. 

Është thjesht 'Repriza e mërzisë'.

Lajm nuk është Ramushi (i msumë), lajm është Jakupi dhe kush e ka njet m'u mërzit për të, le t'ja nis menjëherë pa humbur kohë, se e ka mërzi sefte, se herën e dytë pastaj nuk ndjehet njësoj.

Pse nuk thonë dashuria në shikim të dytë, por thonë dashuria në shikim të parë.

Njësoj është edhe me mërzinë. Herën e dytë, mërzia nuk është risi.

E citoj veten: Është shumë e dhimbshme se si këta njerëz nuk i dhimbsen askujt jashtë klanit të tyre.

P.S. 'Çdo gjë ndodh një herë-të tjerët ta përsërisin fatin' (TD).

(Kosova Sot Online)