BE është më e rëndësishme se kurrë më parë në Ballkan

BE është më e rëndësishme se kurrë më parë në Ballkan
BE është më e rëndësishme se kurrë më parë në Ballkan

Haki Abazi

  • 24 July 2019 - 11:21

Bashkimi Europian, BE, nuk është perfekte, por pavarësisht të gjitha negociatave të zbehta për të ardhmen e saj, prapë është diçka shumë më mirë se çdo gjë tjetër që ne e njohim ose e kemi provuar deri më tani – dhe ka qenë nismëtare e më shumë sukseseve sesa që ne mund ta kuptojmë.

Në vitin 2010 kam marrë përsipër detyrën e hartimit të një strategjie për zhvillimin e shoqërisë civile dhe rolin e saj në Ballkanin Perëndimor. Pas një procesi gjithëpërfshirës që përfshinte shoqërinë civile, aktivistë, think-tanke e gazetarë (por jo edhe OJQ mafia dhe të dyshuar të zakonshëm – kërpudha paskonfliktuale, siç i quaj unë), kam hartuar një strategji. Qëllimi kryesor ishte mbështetja e reformave në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe mundësimi i shoqërisë civile që të luajtur rolin e duhur në procesin e zgjerimit të tyre.

Nëntë vjet pas, BE-ja është akoma më e rëndësishme tani se sa dikur për popullin e Ballkanit Perëndimor.

Strategjia e 2010-ës në të cilën punova, u fokusua në tre fusha: 1. Zhvillimi demokratik përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mekanizmat mbështetës për qeverisje transparente dhe të përgjegjshme dhe demokraci pjesëmarrëse përmes fuqizimit të qytetarëve; 2. Zhvillim i qëndrueshëm, për të nxitur reforma të politikave duke siguruar një kalim nga sistemet energjetike të bazuara në lëndë djegëse nga fosilet, sisteme energjetike të korruptuara dhe të mbyllura për energji të gjelbër, të rinovueshme dhe demokratike; dhe 3. Arritja e paqes që përfshin dhe u përgjigjet kompleksitetit të miteve nga e kaluara dhe urrejtjes e shkaktuar nga luftërat e fundit në rajon.

Puna e planifikuar për të trajtuar çështjen e arritjes së paqës në bazamentin e saj: dokumentimin e të vërtetës për atë se çfarë ka ndodhur në luftërat e viteve 1990 dhe për t’i vënë njerëzit përballë me të kaluarën e tyre dhe të ndalojnë mohimin e krimeve të luftës.

Kjo strategji ka qenë e realizuar përmes qasjes sê trekëndëshit unik të bashkëpunimit të thellë mes bazës, grupit të ekspertëve dhe gazetarëve hulumtues – masave, kapacitetit intelektual dhe kureshtjes.

Është e qartë se shumë njerëz të mëdhenj, institucione dhe ndërjyrje tjera kanë kontribuar jashtëzakonisht që rajoni të lëvizjë përpara gjatë këtyre viteve. Por ajo për të cilën unë jam krenar është se sa nga institucionet që ishin pjesë e kësaj strategjie u bënë transportuesit kryesorë të vizionit të BE-së për Ballkanin në nivel vendi dhe rajonal në të tre fushat.

Sot, me fondet dhe mbështetjen e BE-së, grupet bazë, think-tanket dhe gazetaria hulumtuese në rajon janë që të gjitha në sukseset e tyre më të mira.

Haptazi kam hasur në shumë skeptikë. “A mendoni se BE do të vazhdojë të ekzistojë (deri në kohën kur vendet e rajonit të bashkohen)?” ishte njëra prej pyetjeve. Një pyetje tjetër ishte: “Ndoshta duhet ta rishikoni qëllimin, pasi anëtarësimi në BE nuk është realist”.

Në një moment, duket sikur këta skeptikë do të fitonin, siç ishin duke fituar radikalët nga të dyja anët, ultra-nacionalistët e krahut të djathtë dhe ekstremistët e krahut të majtë.

Falë zotit, kjo foto shterpë – në të cilën Angela Merkel e Gjermanisë dukej e braktisur dhe e vetme në përpjekjet e saj për të mbështetur vizionin e BE-së kundër mohuesëve të saj – ndryshoi pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Kancelarja Merkel ishte dhe mbetet heroi i Evropës dhe udhëheqësja më e guximshme në skenën botërore. Ajo qëndroi si e vetme dhe mbronte vlerat më të çmuara të njerëzimit, duke ndihmuar njerëzit në situatat më të ashpra, edhe refugjatët dhe emigrantët. Për më tepër, Merkel pati sukses, ndërsa ishte e rrethuar nga udhëheqës të tjerë meshkuj, të cilët në heshtje shikonin, me përbuzje ose duke qeshur, me atë që, ata mendonin se ishte “naiviteti” i saj.

Në mendjet e tyre të kufizuara, ishte e pamundur që qeveria gjermane të mbetej e paprekur në një BE të bashkuar fuqimisht duke i zgjatur dorën miliona sirianëve që e braktisnin vendin e tyre për shkak të regjimit sirian, rusëve dhe të gjithë të tjerëve që përpiqeshin të gllabëronin Sirinë.

Megjithatë, ajo e bëri një gjë të tillë. Qeveria gjermane mbeti e paprekur,  radikalët nuk ia dolën ta marrin përsipër, dhe partitë neo-naziste nuk arritën të pikturojnë një pamje të emigrantëve dhe refugjatëve duke i shfaqur ata si njerëz të këqij. BE-ja arriti jo vetëm në mbrojtjen e vlerave të saj themelore demokratike, por ka bërë shumë më tepër për të avancuar politikat e paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Pas zgjedhjeve parlamentare të BE-së në muajin maj, Jeshilja është ngjyra e re e Parlamentit Europian. Lufta kundër ndërhyrjes ruse në SHBA duket se ka ka shkuar në të mirë të Bashkimit Evropian po ashtu; BE ka mbyllur hapësirën për ndërhyrjet ruse. Ndërkohë, Brexit ka përfunduar si turpi i shekullit 21, një fitore vetëm për ata që e mendojnë se rruga për të ecur tutje qëndron në izolimin dhe këmbënguljen në sovranitetin e ngurtë në një botë të globalizuar.

BE-ja nuk është ideale, por është diçka shumë më mirë se çdo gjë tjetër që ne e njohim ose për të cilën jemi përpjekur deri më tani. Ti përmendim disa prej sukseseve, ajo është lidere në marrëveshjen mbi klimën dhe në reduktimin e emetimit të gazrave; ka ndihmuar për të zgjidhur me sukses mosmarrëveshjen afatgjate me Greqinë mbi emrin e Maqedonisë; po vazhdon të mbajë marrëveshjen me Iranin; dhe është financuesi më i madh i paqes dhe prosperitetit në botë.

BE po këndellet gjithashtu në raport me  sfidat me të cilat po ballafaqohet në oborrin e vet, gjë që nënkupton kompletimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron ndërhynë me të drejtë për të parandaluar ndarjen katastrofike të Kosovës që ishte duke u përgatitur nga Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë dhe Hashim Thaçi, president i Kosovës.

Bisedat e tyre sekrete, të lehtësuara nga ish-komisionerja e BE për punë të jashtme dhe të nxitur nga lobistët, po hapnin shtegun për një marrëveshje që nuk do t’i shërbente askujt, përveç Vuçiçit dhe Thaçit. Nëse do të kishte sukses, ajo marrëveshje do të hapte derën për ndarjen e Republika Srpskas nga Bosnja dhe Hercegovina.

Një marrëveshje e tillë, megjithatë, do të ishte në favor të Thaçit, i cili jeton nga frika se një ditë do të paditet për krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Një aktakuzë e tillë do të vinte nga dhomat e specializuar e cila u votua edhe nga deputetët e parlamentit, pjesë e partisë së tij. Por, në një Kosovë të ridefinuar, ato dhoma të specializuara thjesht mund të bëhen të pavlefshme.

Të lejosh vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike jo vetëm që do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për mënyrën se si gjenocidi mund të përdoret për vendet e ndara, por do të kishte dëmtuar shumë vlerat fundamentale të BE-së, të cilat e përcaktojnë kontinetin evropian si një bastion të multikulturalizmit dhe bashkëjetsës  në diversitet.

Një BE që do të lejonte diçka të tillë të ndodhte në oborrin e saj do të humbiste të gjithë besueshmërinë e saj për t’u angazhuar kudo tjetër në botë. Ç’është më e rëndësishmja, kush tjetër do të mbetej në botë për ti ruajtur këto vlera demokratike dhe njerëzore, nëse jo BE-ja?

Përderisa e vërteta është se në shumicën e vendeve të Ballkanit reformat e vërteta janë të ngadalta, faji për këtë bie në elitat politike dhe kalkulimet e tyre në secilin vend. Shumica prej tyre janë sot në pushtet falë korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftërave. Është e vështirë të imagjinohen këto vende duke kryer reforma që do të rezultonin në zhdukejn e këtyre rrjeteve.

Në rastin e Maqedonisë Veriore, reformat u bënë të mundshme vetëm pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme e shtyrë nga kërkesa popullore për ndryshim dhe falë mbështetjes së plotë të BE-së për sundim të ligjit dhe reforma politike.

Edhe shqiptarët edhe maqedonasit ishin bërë së bashku për ndryshim, duke dëshmuar se njerëzit do ta tejkalojnë votimin në vija etnike kur bëhet fjalë për të ardhmen dhe prosperitetin e tyre.

Tani duhet ta ndryshojmë regjimin e Vuçiqit në Serbi, i cili ka ngushtuar hapësirën për mediat dhe shoqërinë civile dhe kontrollon pothuajse çdo pjesë të shoqërisë serbe. Ne gjithashtu duhet të ndryshojmë diktaturën kapëse të Thaçit, e cila kontrollon sistemin e drejtësisë në Kosovë, sektorin privat dhe i ka sjellë institucionet shtetërore buzë shembjes përmes nepotizmit dhe korrupsionit. Këta udhëheqës nuk u zgjodhën nëpërmjet proceseve demokratike. Demokracia në Serbi dhe Kosovë, si dhe në Shqipëri është peng i krimit të organizuar dhe i rrjeteve të korruptuara.

Kjo sfidë është shumë e madhe për t’u luftuar vetëm nga individët, shoqëria civile apo mediat. Kjo detyrë është e rrezikshme dhe e frikshme, sidomos në mungesë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe profesional dhe kur kemi të bëjmë me rrjete trans-regjionale dhe trans-ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndihma nga BE-ja, pra, nuk është vetëm e mirëpritur dhe e dëshirueshme, por është një domosdoshmëri, për të mbrojtur interesin e përbashkët dhe sigurinë e Evropës, përveç mbështetjes së dëshirave të popullit të Ballkanit për t’u bërë qytetarë të plotfuqishëm evropianë. Kjo është urgjente, pasi beteja kundër ikjes së trurit po humbet; ekziston një rrezik real që ikja e njerëzëve të mençur nga vendet e Ballkanit do të krijojnë më shumë hapësirë për injorantët që të vazhdojnë të na udhëheqin.

(Kosova Sot Online)