Feja e Shqiptarit është Shqiptaria

Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria

Kosova Sot

  • 15 August 2019 - 09:26

Historia e Shqipërisë është ndriçuar, nga njerëz të zgjuar, trima dhe Atdhetarë. Po shkruaj për burrat shqiptarë, që jo vetëm me pushkë, por dhe me shkrimet e tyre, kanë ndezur zjarrin, në gjirin e atdhetarëve, për liri. Një nga këta është Vaso Pasha i spikatur dhe i lartësuar me veprat e tij për Shqipërinë. Unë do të përpiqem të komentoj, vetëm shprehjen e tij”Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”.

Gjenialiteti i Vaso Pashës do të thotë: Ti respektojmë librat e shenjta, me syrin e bashkimit dhe vllazërimit të njerëzimit. Ato predikojnë: dashuri dhe paqe, për qeniet e gjalla dhe adhurim për fuqinë e mbinatyrshme, Zotin.

Por mbi gjithçka duhet të vemë vendlindjen Atdheun tonë të dashur. Aty lindëm, bashkëjetuam, punuam, lidhëm miqësinë, vëllazërinë dhe therrorinë për Kombin.

Në kohët e lashta njerëzit jetonin në grupe pa një drejtim të caktuar. Me kalimin e kohës, në vende të ndryshme të botës, njerëzit më të zgjuar krijuan grupe besimtarësh. Ata përhapnin paqe dhe dashuri midis njerëzve, me bindje shpirtërore të larta dhe të shenjta, prandaj dhe populi i quajti të shenjtë. Të tillë ishin Krishti, Muhameti, etj. Shumica e besimtarëve janë njerëz të ndershëm dhe përhapin vllazërimin. Disa kanë sakrifikuar jetën dhe kanë nisur rrugën e shenjtë, duke punuar si priftërinj, hoxhallarë, etj. Për këta duhet patur admirim dhe respekt. Të gjitha grupimet fetare, pranojnë dhe adhurojnë vetëm një fuqi të mbinatyrshme, Zotin.

Vaso Pasha jo vetëm i pranon, por dhe i respekton thëniet e librave të shenjta, për dashuri dhe paqe. Ai i udhëzon shqiptarët, që këto shprehje të shenjta, duke mos harruar, besimin e tyre shpirtëror, ti zbatojnë për Atdheun dhe popullin e shumëvuajtur Shqiptarë. Të jetojnë bashkë, pa dallim feje, për të mbrojtur trojet e shenjta të Shqipërisë.

Në tryezën drejtuese të ç’do feje ka dhe egoistë, që kërkojnë dhe nxisin grindje midis grupimeve fetare. Besimtarët e mirë, të vërtetë dhe të ndershëm nuk duhet të derdhin lotë, por ti dënojnë dhe nxjerrin jashtë tryezës së shenjtë drejtuese, këta njerëz të këqinj.

Po shkruaj jo që të lavdëroj, Atdhetarin e shquar të legjendës shqiptare, se për te flasin veprat e tij dhe vlerësimet e burrave të shquar shqiptarë. Po shkruaj vetëm për ta kujtuar si personalitet i spikatur, me rastin e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë. Vaso Pasha nuk derdhte lotë për vuajtjet e shqiptarëve, por derdhte kurajo, guxim dhe trimëri në shpirtin e shqiptarit me anë të veprave. Ai dëshironte një Shqipëri të bashkuar me të gjithë trojet e saja dhe të lirë. Donte ti shkelte këto troje me syrin e dashurisë dhe të thithte ajrin e pastër, të vëllazërimit shqiptarë. Besonte tek një Zot, që do ti ndihmonte shqiptarët të gëzonin trojet e tyre përgjithmonë.

Shqiptarët janë goditur egërsisht nga egoistët ekstremist fqinjë. Por me gjithë sytë e skuqur si zjarri dhe dhimbjet, nga goditjet shtazarake, populli ynë i udhëhequr nga atdhetar të shquar si Skënderbeu, Ismail Qemali, etj; ka ditur të mbijetojë dhe të fitojë.

Testamenti gjigand i Vaso Pashës, është dhe do të mbetet i pavdekshëm. Shqiptarët nuk janë gurë, as dru, por njerëz dhe si të tillë do ti venë në jetë fjalët e urta dhe me kuptim të lartë të gjigandit Vaso Pasha. Gjaku i shqiptarëve të renë për liri dhe demokraci është akoma i patharë. Ai kërkon që populli ynë të udhëhiqet, nga njerëz të aftë, të ndershëm dhe atdhetarë të vërtetë të shquar. Ky gjak është derdhur që Shqipëria me të gjitha trojet e saja të nderohet dhe respektohet nga bota mbarë. Janë plagët e popullit tonë shqiptar në shekuj, që kanë berë dhe do të bejnë të lëvizin, jo vetëm njerzit shqiptar, por dhe gurët e trojeve të Shqipërisë, për të siguruar të ardhmen e këtij populli të shumëvuajtur.

(Kosova Sot Online)

Rinia gjaku më i freskët i popullit të të gjitha trojeve Shqiptare do ta ngrejë flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, etj në majat më të larta të maleve tona. Ajo nuk do të derdhi lotë, por me energjitë e saja gjigande, e bashkuar pa dallim feje krahinë dhe ideje, do të realizoi ëndrrat shekullore të stërgjyshve dhe etërve Shqiptarë. Se pa të gjitha trojet Shqiptare dhe Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri.