Bekim Fehmiu, nga zbehja në harresë, e kujtimit për aktorin tonë mbarëbotëror

Bekim Fehmiu, nga zbehja në harresë, e kujtimit për aktorin tonë mbarëbotëror

Gani Qarri

  • 18 August 2019 - 09:40

1936-2010

Kaluan mbi nëntë vite dhe po shënojmë fundin e dekadës së parë, që kur u shua përgjithmonë aktori ynë i madh dhe i vetëm me famë mbarëbotërore Bekim Fehmiu. Talenti më i shquar i kohës, për film dhe teatër në të gjitha hapësirat etnike shqiptare, si dhe ish shtetin e dikurshëm  jugosllav, të cilin tashmë edhe në Kosovë, pothuajse nuk e kujton askush.

Bekim Fehmiu erdhi në jetë më 1 qershor të vitit 1936, në Sarajevë, kurse më 15 qershor të vitit 2010, sipas versionit zyrtar: "Ai bëri vetëvrasje"!, duke u shuar kështu tragjikisht dhe në mënyrën më dramatike të mundshme, një aktor kaq i mirënjohur dhe artisti ynë më emblematik që patën trojet shqiptare, në përmasa globale.

Ai ishte aktori i parë dhe i vetëm nga Evropa Lindore që edhe në kohën e Luftës së Ftohtë dhe ekstazën kulmore të sundimit të komunizmit, arriti të thyente perden e hekurt dhe depërtonte deri në Holliwood.

Por me gjithë emrin e madh që bëri dhe famës së përbotshme, që për gjallje të vet, Bekim Fehmiu, arriti ti ndërtonte aq suksesshëm me shumë punë dhe mund, nga kalimi i tij në amshim, vitet vijnë e shkojnë, njëra pas tjetrës-tërësisht në heshtje, dhe ai nuk përkujtohet më as në mënyrë simbolike, qoftë në Prizren kryeqytetin e Lidhjes ku aktori ynë ndërkombëtar u rrit e shkollua, apo edhe në Prishtinë kryeqytetin e Republikës së Kosovës, e të mos flasim më edhe për qytetet tjera shqiptare në Shqipëri-Kosovë, Iliridë apo kudo qofshin ato.

Aktori ynë më i madh shqiptar me përmasave botërore, ishte i madh, jo vetëm në art,vepër e kulturë, por i veçantë edhe në jetë dhe vdekje. Ai la të shkruar për gjallje të vet, që pas shuarjes fizike, trupi i tij të digjej, për ti bërë dritë qytetit të Lidhjes dhe të rritës e shkollimit të Bekim Fehmiut, Prizrenit, kurse hiri të hidhej në Lumbardhë, për tu larë e freskuar për herë të fundit në ujin e dëlirë të atdheut të tij.

Megjithatë data e vdekjes së artistit, nga më të mëdhenj kombëtar dhe mbarëbotëror, që patën trojet shqiptare nën ish Jugosllavi, në dy qindvjeçarët e fundit, pothuajse është harruar tërësisht dhe nga të gjithë. 

Koha e gjalljes dhe famës së tij, tanimë duket të jetë, jo vetëm shumë e largët, por edhe vepra e artistike e aktorit, kujtohet vetëm si "legjendë" dhe "histori".

I ati i Bekimit, Ibrahim Fehmiu, i lindur më 1892 në Gjakovë dhe vdekur, vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu rankoviqian më 1951 në Prizren, kishte vuajtur aq shumë nën regjimin okupator të Serbisë, sa që me tu lindur Bekimi, familjarët thuhet se ende  pa e parë e ëma, kishin nxituar ta mbështillnin me një çarçaf të bardhë, në shenjë besëtytnie se në këtë mënyrë, urimi i nënës për fëmijën e sapolindur, do të arrinte efektin maksimal dhe bindjen se njerëzit e mëdhenj dhe me fat, vijnë në jetë duke reflektuar bardhësi.

Babai i Bekimit, mësuesi, intelektuali dhe veprimtari i shquar, Ibrahim Fehmiu u lind më  25 nëntor të vitit 1892,në  Gjakovë, ndërsa vdiq , vetëm një muaj pas lirimit nga burgu rankoviqian, më 19 nëntor të vitit 1951 në Prizren.

Si atdhetar i përbetuar dhe personalitet i besueshëm i Bajram Currit, krahas punës si mësimdhënës, Ibrahim Fehmiu luftoi në radhët e luftëtarëve të Plakut të Maleve, me pushkë në dorë kundër pushtuesve perandorak turq, ndërsa nga viti 1912,si njëri ndër mësuesit e parë shqiptar, ai iu përkushtua me tërë qenien  e vet arsimimit të popullit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe kudo mundi dhe arrinte, në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera shqiptare, për   ç‘shkak edhe ishte dënuar me vdekje nga pushtuesit serbo-malazez.

Patriotizmi i tij i flakët dhe qëndrimi i paluhatshëm kombëtar, u dëshmua edhe me emërtimet kuptimplota dhe të pastra shqiptare të fëmijëve të vet, duke mos lejuar që të përdoren barbarizma arabe as turko anadollake në emrat e tyre.

Ai kishte 8 fëmijë dhe emrat e tyre ishin: Besa,Shpresa, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri, Bekimi, Afërdita dhe Luljeta.

Ardhja e sllavo-komunistëve në pushtet Ibrahim Fehmiun e gjeti të angazhuar në profesionin e tij të dashur, në arsim. 

Por patriotizmi, puna e tij e pareshtur dhe kontributi si veteran i arsimit në edukimin e gjeneratave të reja në gjuhën shqipe u bënë shkak që ai edhe më 1944, tashmë të arrestohej dhe dënohej me shumë vite burg edhe nga regjimi komunist titist e rankoviqian i ish Jugosllavisë, përkundër propagandës së tyre për drejtësi dhe të drejta të barabarta për të gjithë.

Nga burgu ai u lirua vetëm nga fundi i tetorit pra atëher kur u pa se ai nuk do të jetonte më gjatë dhe rreth një muaj pas lirimit, ai vdiq më 19 dhjetor të vitit 1951,dhe u varros me shumë nderime në Prizren.

Përveç pjesëmarrjes së mijëra bashkëkombësve nga të gjitha trojet shqiptare, mësimdhënësi atdhetar Ibrahim Fehmiu, përkundër ndalesës së Flamurit Kuq  e Zi, nga regjimi i Rankoviqit, trupi i tij u varros i mbështjellë me flamur kombëtar në qytetin e Prizrenit.

Pra Bekim Fehmiu ishte djalë i një mësimdhënësi të shquar e patrioti me nam dhe familjeje të nderuar atdhetare nga Gjakova, babai i të cilit mu në kohën kur nga pushtuesit serb Flamuri Kuq e Zi, ishte i ndaluar rreptësishtë në Kosovë, ai përdhosi edhe për së vdekuri ligjet e okupatorit dhe u varros në Qytetin e Lidhjes me Flamur Kombëtar. 

I ati i aktorit njihej nga të gjithë si një nga mësuesit e parë të Gjakovës dhe trevës nga ai vinte, i cili dijen e tij u përpoq ta përhapte tek rinia shqiptare kudo dhe veçanërisht në Kosovë, gjë për të cilën pushtuesit serbo malazez, qysh në vitet e para të pushtimit të trojeve shqiptare, e kishin dënuar me vdekje.

Por pasi që për shumë vite nuk mundën ta zinin, më 1929, derisa familja e tij jetonte në Gjakovë i ranë në gjurmë dhe e burgosën. Fillimsht të atin e Bekimit, e dërguan në burg, në Valevë të Serbisë ku nga 1929 deri më 1931 e mbajtën plotësisht të izoluar, ndërsa më 1931 atë bashkë me familje i internuan në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës.

Kështu që më 1936, Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë, ndërsa më 1939, ende pa kaluar tri vite të plota nga lindja e Bekimit, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.

Pasi që më parë mësuesi patriot Ibrahim Fehmiu nuk guxonte të qëndrojë në Shqipëri sepse përndiqej edhe nga regjimi i Ahmet Zogut, me ikjen e Zogut nga Shqipëria, babai i Bekim Fehmiut bashkë me familje, do të arratisej nga Sarajeva dhe vendosej përkohësisht në Shkodër. 

Dy vite më vonë, menjëherë pas shkatërrimit të regjimit okupues serb dhe pushtimit të mbretërisë jugosllave nga gjermanët më 1941,i ati i Bekim Fehmiut- Ibrahimi mori familjen dhe u vendosën përgjithmonë në Prizren ku dhe u angazhua me mish e me shpirt për hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare dhe përhapjen e arsimit shqip tek bashkëkombësit në Kosovë.

Ndaj Bekimi i takonte gjeneratës së parë me fat, të nxënësve shqiptar që u rrit dhe shkollua në gjuhën e nënës në qytetin e bukur të Lidhjes në Prizren. 

Ai, jo vetëm se aty i kishte shokët më të mirë të fëmijërisë, por Prizrenin Bekimi e konsideronte si vendlindjen e vet dhe kryeqytet historik të të gjithë shqiptarëve.

Pas përfundimit të gjimnazit, si i ri entuziast dhe me prirje të veçanta për aktrim, Bekim Fehmiu paraqet dhe kalon me shumë sukses,provimin te aktori i mirënjohur Abdurrahman Shala. Madje pa kaluar shumë kohë, ai pranohet në Teatrin Profesional të Prishtinës, si dhe sistemohet edhe si aktor i dramës shqipe në Teatrin Popullor.

 Mirëpo për shkollimin e tij të mëtejshëm, Bekimit i duhej të dilte jashtë Kosovës, sepse asokohe në atdheun e tij, nuk kishte shkolla të larta adekuate për aktrim.

Ndaj më 1956, pra pesë vite pas vdekjes së të atit, ai u detyrua ta linte Kosovën dhe regjistrohej në Akademinë për teatër në Beograd, ku megjithëse edhe atje e kaloi provimin me sukses, atij iu vendos si kusht, që për ti vijuar studimet, ta mësonte gjuhën serbe.

Fillimisht, Bekimit si aktor i ri dhe artist me perspektivë shumë premtuese, Teatri i Prishtinës i kishte ndarë edhe një bursë për shkollim të mëtejmë jashtë Kosovës, por vetëm dy muaj më vonë, për shkak të veprimtarisë kombëtare të babait të Bekimit, ani pse ai kishte vite që nuk jetonte më,Teatri i Prishtinës ia ndërpreu bursën studentit të ri.

Si për koincidencë, duke qenë se Bekim Fehmiu tregoi zotësi të jashtëzakonshme në prova dhe aktrim si dhe mësoi shpejtë gjuhën serbe, akademia e tetarit të atjeshëm, i ndau Bekimit një bursë me kohëzgjatje deri në përfundim të studimeve. 

Ndërsa falë aftësive të tij, për luajtjen brilante të roleve në aktrim, më 1960 ai u bë edhe anëtar i rregullt i teatrit më të mirë të asokohshëm në ish Jugosllavi.

Shkollimi dhe jeta prej aktori, e detyruan Bekim Fehmiun, që për kohë të gjatë të qëndronte larg familjes dhe atdheut, veçanërisht në Sarajevë dhe Beograd, qytete ku atëbotë ishin qendrat kryesore të teatrit dhe filmit për tërë ish Jugosllavinë. 

Por megjithëse Bekim Fehmiu përmendej qysh atëherë si student i vyer dhe artist e aktor shembullor me talent dhe aftësi të jashtëzakonshme për aktrim, shkaku i trajtimit jo të mirë dhe përçmimi i hapur ndaj tij, si pjesëtar i një "pakice" të nënçmuar e të padëshirueshme, siç konsideroheshin me cinizëm asokohe shqiptarët, në Serbi dhe ish Jugosllavi, më 1967, Bekimi jep dorëheqje nga Teatri i Dramës dhe nis aktivitetin si artist i lirë.   

Përkundër të gjithave Bekim Fehmiu sërish mbetet ndër aktorët më të kërkuar, madje nami i tij si aktor i shquar, arriti dhe u përhap, me shpejtësi marramendëse deri në Holliwood dhe kudo nëpër botë.

Ndaj jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë hapësirën ballkanike, Bekimi me të drejtë edhe pas vdekjes, cilësohet artist me përmasa legjende dhe miti. 

Emri i Bekim Fehmiut si aktor, mori përmasa ndërkombëtare veçanërisht me filmin "Mbledhësit e puplave" , i cili më 1967,në festivalin e njohur të filmit, në Kanë, fitoi "çmimin e Madh të Jurisë".

Kurse më 1968, pra vetëm një vit më vonë, për luajtjen ekscelente të rolit kryesor nga Bekim Fehmiu në filmin "Mbledhësit e Puplave", ku paraqitet jeta e rëndë e pakicës rome, si njerëz të lënë pas dore nga shteti, të cilët për të mbijetuar detyroheshin të shisnin edhe pupla të Patës, po ky film u nominua edhe për çmimin OSCAR.

Bekimi ishte aktori i parë i famshëm shqiptar i filmit dhe teatrit, nga të gjitha hapësirat tona etnike, i cili përkundër kufizimeve nga regjimi komunist jugosllav, arriti të depërtonte me sukses deri në Hollywood duke u shndërruar kështu në yll ndërkombëtar të kinematografisë botërore

.Ai përveç në Evropë xhiroi dhe luajti edhe në SHBA, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, duke u shquar për aktrimet e tij në gjuhët; Angleze, Italiane dhe Spanjolle.

Për shkak të aftësive të veçanta aktëruese, Bekim Fehmiut, iu besuan rolet kryesore në filmat më të njohur ndërkombëtar si; „Odiseu“ , „Aventurierët“ dhe shumë filma tjerë.

Ndaj Bekimi, për të arsyetuar besimin e ofruar dhe dëshmuar talentin e tij të gjithanshëm, për vetëm dhjetë javë, mësoi dhe interpretoi përsosmërisht në gjuhën Angleze.

Në filmin "Odiseu" Bekimi siç u tha edhe më lart, luajti rolin kryesor, atë të Odiseut ndërsa Irena Papas-shqiptare arvanitase e lindur afër Korintit në Peleponez, me emrin Irena Leleku, rolin e Penelopës, të dy këta aktor të ndritshëm shqiptar, nga dy cepat e Shqipërisë Etnike të cilët vërtetë, që të dy shkëlqyen me aktrimet e tyre ekscelente.

Irena Leleku, artistja më e madhe shqiptare, mbiemrin -"Papas", e mori vetëm pas martesës.

Sipas historianit të mirënjohur Pëllumb Xhufi, Peleponezi,krahina prej nga Vinte Irena Leleku, ishte i mbushur me shqiptar dhe ata e përbënin pjesën më të madhe të popullsisë autoktone.

Siç është e njohur tanimë botërisht, Bekim Fehmiu ka xhiruar mbi 50 filma, në të cilët ai personalisht, ka luajtur rolet kryesore.

Ndërsa ka aktruar edhe me aktorët më të njohur të kinematografisë botërore, duke filluar nga Irena Papas,e cila qysh atëherë, thuhet ti ketë dëshmuar vet personalisht Bekim Fehmiut, se edhe ajo ishte aktore me origjinë të pastër shqiptare.

Pastaj me Çak Konors, Riçard Kren, Gjon Hjuston,Klaudia Kardinale,Ava Gardner, Ana Mof, Shan Koner dhe shumë të tjerë.
Po ashtu Bekim Fehmiu punoi edhe me regjisorët e mirënjohur botëror si Franko Rosi, Luis Gilbert, Ken Aneken etj.

Përkundër faktit se ai mbi 20 vite aktroi dhe xhiroi, larg vendlindjes dhe anë e mban globit, sukseset e tij ndërkombëtare, nuk e zbehën kurrë ndjesinë atdhetare të Bekim Fehmiut, Bekimi gjithmonë ruante me krenari të veçantë, dashurinë e pashuar për origjinën, kombin dhe atdheun e vet. 

Madje edhe djemtë e Bekimit u emërtuan me emra të vjetër pellazgo-ilir; Uliks dhe Hedon.

Se sa shumë e urrenin serbët Bekim Fehmiun, e sqaron më së miri, nga përvoja e tij personale, djali i Bekim Fehmiut Uliksi, i cili siç është shprehur vet ai për shtyp, gjatë një udhëtimi me taksi në Beograd, sapo i tregon adresën e banesës, taksistit serb, ai ia kthen: "Pih, sa shumë e urrej atë adresë!"

Në pyetjen e Uliksit se "Pse?"

Taksisti përgjigjet; "Paj, aty jeton ai shiptari, he nënën ......, dhashtë Zoti, të jetë shpërngulur në Kosovë".

Pra bëhej fjalë për Bekim Fehmiun, kurse Uliksi ia kthen me krenari taksistit: "Ai shqiptar është babai im"!

Djali i Bekimit Uliksi edhe vet artist me profesion, kishte ikur që në vitet e 90-ta, në SHBA pasi që nuk dëshironte të bëhej pjesë e ushtrisë gjakatare të shtetit serb, i cili edhe tani jeton dhe zhvillon karrierën e tij artistike në SHBA.

Ndërsa siç është e njohur për publikun, pushtimi klasik i Kosovës dhe terrori që Serbia ushtronte mbi shqiptarët, bëri që në shenjë proteste aktori Bekim Fehmiu ta linte përgjysmë edhe rolin që ishte duke e interpretuar në teatrin e Beogradit.

Të gjithë bashkëkombësit duhet ta kenë të freskët faktin kur në vitin e rëndë 1987, artisti ynë i madh, në shenj revolte ndaj propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes së shfrenuar në Serbi, ndaj Kosovës dhe bashkëkombësve të tij, Bekimi u largua demonstrativisht nga teatri, duke lënë në gjysmë shfaqjen "Madam Kolontjan" në të cilën luante rolin kryesor.

Madje pothuajse njëkohësisht, Bekim Femiu braktisi përgjithmonë edhe skenën e Teatrit dhe të gjithë kinematografisë jugosllave, në shenj proteste ndaj politikës diskriminuese që Serbia dhe e ashtuquajtura Jugosllavi e atëhershme ushtronin mbi shqiptarët. 

Megjithatë, në përvjetorët e shuarjes fizike të Bekim Fehmiut, në Prizren, atë rëndom e kujtojnë vetëm ndonjë nga institucionet, apo edhe më keq, vetëm shoqëria civile. 

Ndërsa edhe në qytetet tjera të mëdha, njëjtë si në kryeqytetin e shtetit të Kosovës në Prishtinë, nuk organizohet pothuajse asgjë, në kujtim të tij.

Për aq më tepër, nuk njoftohet më asnjëherë dhe nga askush, se të paktën edhe për ndonjë vit vijues, do të ndahet çmimi që mban emrin e Bekim Fehmiut, i themeluar pak pas vdekjes së aktorit ton të madh nga Ministria e Kulturës së Kosovës. 

Organizata civile dhe aktivistët e kulturës në Prizren, më kot ftojnë nga viti në vit, "të interesuarit" që më çdo 15 qershor, t’i bashkohen manifestimit për shënimin e përvjetorit të vdekjes së këtij aktori kolosal dhe me famë mbarëbotërore.

Në përkujtimin gjithnjë e më të zbehtë me datën e lartcekur, në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit, nga pjesëmarrësit e pakët, në mesditë bëhet hedhja simbolike e luleve në lumëbardhë, vend ku pak vite para se të ndërronte jetë, Bekim Fehmiu, vet kishte porositur dhe lënë amanet me gojë dhe me shkrim, që hiri i trupit të tij të hidhej në këtë lum, për tu freskuar për herë të fundit në ujin e lumit të vendlindjes dhe amshuar përjetësisht në atdheun e tij që nuk e harroi kurrë dhe e donte aq shumë deri në vdekje. 

Në fjalën e rastit, nga "Doku Fest", para disa vitesh u shpalos edhe nisma e titulluar "Bekimi i Prizrenit", por ende nga askush nuk u përmend as iniciua ngritja në Prizren e një lapidari a përmendoreje të Bekim Fehmiut në këtë qytet historik , në Gjakovë, apo në kryeqendrën e Republikës së Kosovës në Prishtinë , dedikuar këtij aktori të madh dhe me famë botërore. 

Bekimi është artisti i parë shqiptar i filmit dhe teatrit i cili përveç interpretimit të roleve me shumë sukses, në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, mbi të gjitha, i madh dhe i njohur botërisht, ai u bë me rolet e interpretuara në mënyrë brilante në kinematografit më të përmendura botërore. 

Siç është njohur, Bekim Fehmiu ka bashkëpunuar ngushtë me emrat më të shquar të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Irene Papas, Dirk Bogart, Claudia Cardinale, Sharl Aznavur etj.

I angazhuar në filma dhe xhirime nëpër vende të ndryshme ndërkombëtare, Bekim Fehmiu ka interpretuar në shumë gjuhë ballkanike dhe botërore, si ; shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, gjuhën serbo-kroate etj. 

Nga viti 1953 deri më 1998, ai luajti në 41 filma dhe rolet e tij, të interpretuara sidomos tek “Odiseja”, “Prova speciale”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, etj, që të gjitha, cilësohen si kryevepra të aktrimit nga Bekim Fehmiu.

Duhet cekur me krenari të veçantë, se Bekimi ishte artisti i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që u shqua me kontributin e tij të madh artistik dhe përveç aktrimit në filmat dhe skenat e ish-Jugosllavisë, ai la gjurmë të thella e të pashlyeshme edhe në kinematografit ballkanike dhe ato botërore, duke luajtur rolet kryesore në to. 

Për aq më tepër, pikërisht në kohën kur emri shqiptar asociohej si mos më keq dhe me stereotipet më të papërshtatshme, Bekim Fehmiu theu të gjitha klishetë paragjykuese sllave ndaj shqiptarëve dhe i dëshmoi botës mbarë, se nga kombi i tij, mund të dalin edhe artistë të mëdhenj e të shquar dhe me famë botërore si vet ai. 

Bekimi asokohe, jo vetëm që luante me sukses të madh krahas aktoreve e aktorëve më të famshëm ndërkombëtar, si Ava Gardner,Klaudia Kardinale,Xhejms Korbun, e shumë të tjerë, por edhe ishte në gjendje, që rolet e ofruara ti interpretonte me shumë ekselencë në shtat gjuhë të ndryshme të botës.

Ndaj përveç faktit se Bekim Fehmiu ishte një shqiptar i madh, që i bënë bashkëkombësit e vet kudo edhe sot të ndjehen krenar me te, ai posedonte edhe karakterin e fort prej artisti dhe vendosmërinë e palëkundur atdhetare të trashëguar nga paraardhësit e tij kombëdashës.

Patriotizmi i lartë në familjen e Bekim Fehmiut ishte akt i rëndomtë tradicional dhe me rrënjë të forta autoktonie shqiptare, fakt të cilin e dëshmoi gjatë gjithë jetës edhe babai i Bekimit, Ibrahim Fehmiu.

Bekimi në vitin 1972,vizitoi edhe Shqipërinë, për të cilën, nuk e fshehu kurrë mallin dhe dashurinë e madhe që ndjente për të. Por njëjtë si Kosova ,ashtu edhe shteti amë-Shqipëria, përveç ndonjë premtimi sa për sy e faqe dhe disa puthjeve staliniste, përkundër faktit se në Shqipëri luanin edhe aktor rus, Bekim Fehmiut ani pse aktor i dalluar me famë botërore, i dëshmuar me rolet që luante edhe në Holliwood, këtij shqiptar të njëmendtë dhe kombëdashësi të flakët, kurrë nuk iu ofrua qoftë edhe një rol i vetëm artistik nga shteti amë.

Aktori që bëri të njohur dhe të adhuruar shqiptarët kudo në botë, dhe aq të bujshme e pati jetën personale, në formë e mënyrë jo plotësisht të sqaruar dhe tejet tragjike, u tha se i imponoi edhe vetes vdekjen ?! 

Kontributi kombëtar e ndërkombëtar artistik i një personaliteti të kthyer në mit, si fenomeni artistik Bekim Fehmiu, gjithsesi duhet të çmohet lartë dhe vlerësohet ashtu siç ai e meritoi me arritjet kulminante artistike, puna dhe vepra e jashtëzakonshme e të cilit, ishte dhe mbeti e papërsëritshme deri më tani ndër shqiptarët.

Të gjithë bashkëkombësit e vuajtur në trojet e pushtuara etnike, nën ish Jugosllavi, do ta kujtojnë përgjithmonë dhe nuk mund ta harrojnë asnjëherë vitin e rëndë 1987, kur Serbia nisi sulmet brutale në Kosovë dhe artisti ynë i madh, në shenje revolte, braktisi në mënyrë demonstrative skenën e Teatrit të Beogradit dhe atë të kinematografinë jugosllave në tërësi, duke protestuar publikisht kundër politikave gjenocidiale dhe diskriminuese që Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme ushtronin sistematikisht mbi shqiptarët.

Angazhimi i Bekimit në mediat evropiane, përfundoi me interpretimin e rolit "Shejti Jozef" më 1987, në filmin serik "Fëmija me emrin Jesus",mbi  legjendën e fëmijërisë së Jezusit nga Nazareti, për televizionet italiane, i cili u shpërblye me çmimin e njohur EMMY, që është njëri nga çmimet më të vlerësuara televizive, krahas çmimit Academy Avards, të njohur ndryshe, si çmimi- OSCAR. 

I mahnitur me aftësitë interpretuese të aktorit tonë famëmadh, producenti i mirënjohur i filmit dhe shkrimtari i shquar italian, Françesko Skardaneli, do të thoshte: Artisti brilant shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet me sisteme komuniste, që ka arritur ta thyej perden e hekurt dhe të xhiroi për njëzet vjet me radhë në perëndim dhe Amerikë, duke interpretuar rolet kryesore në nëntë gjuhë të huaja!. 

Kurse filmi i fundit ndërkombëtar në të cilin Bekim Fehmiu mori pjesë, ishte filmi "Gjingis Khan" në vitin 1992, me ç`rast i dha fund karrierës së aktrimit edhe në arenën ndërkombëtare.

Bekim Fehmiu shkroi edhe një libër të veçantë autobiografik, të cilin e titulloi ashtu siç ishte në realitet edhe vet jeta e tij;  “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, fakt që më së miri lë të nënkuptohen përjetimet dhe peripecitë e aktorit tonë edhe nga vet titulli impozant e shumë domethënës i librit.

Në këtë libër, Bekimi paraqet kujtimet e tij në mënyrë kronologjike, përjetimet personale dhe veprimtarinë e vet të gjatë artistike, si dhe kontributin e madh e të pareshtur prej aktori me përmasa botërore, që ai i dha teatrit dhe kinematografisë në gjithë botën.

Por që nga pushtimi i atdheut të tij prej Serbisë e sidomos pas luftës në Kosovë, për Bekimin ditët nuk rridhnin më si më parë, çdo gjë tingëllonte më ndryshe, dhe megjithëse në Beograd ai posedonte apartamentin e vet familjar, i dukej vetja shumë i huaj, aq sa ndjehej sikur të ishte plotësisht i pastrehë. 

Më 15 qershor të vitit 2010,Bekim Fehmiu ishte në moshën 74 vjeçare, ditë kur duket se dëshpërimi i tij kishte arritur kulmin dhe ai u gjet i vdekur në apartamentin e vet.

Pasardhësi i Millosheviqit dhe ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, me atë rast, deklaroi me ftohtës prej krimineli, se Bekimi kishte bërë vetëvrasje!.

Vdekja e një ikone si Bekim Fehmiu, në këtë mënyrë, pa dyshim është edhe një shprehje e fortë proteste publike për kujdes më të madh ndaj artistëve të mëdhenj, si ai që Kosova dhe shqiptarët, vërtetë ende i kanë të pakët, për  të mos thënë  fare.

Fatkeqësisht, në këtë mënyrë misterioze dhe pa ndonjë sqarim tjetër të hollësishëm mjekësoro-gjyqësor, u shua edhe jeta e artistit më famoz që për kohën, patën shqiptarët dhe trojet tona etnike kudo.

Vetëm, një vit pas vdekjes së tij, në qershor të vitit 2011, libri jetësor i Bekim Fehmiut; “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, u cilësua si libri më i shitur dhe më i kërkuari në edicionin e 13-të, të Panairit të Librit në Prishtinë.

Bekimi ashtu siç erdhi në jetë i mbështjellë me të bardhë edhe aktrimin e pëlqente mbi kuaj të bardhë, figura e të cilit sa më shumë kohë që kalon, aq më tepër shkëlqen e rritet, merr dimensione të pakufishme dhe zgjerohet e rrezaton kudo bardhësi, si vlerë e pamatshme universale. 

Ndaj, për një popull të përparuar, me kujtesë të fort kombëtare dhe ideal të pa lëkundur autoktonie, nuk është i shumtë as i tepruar , çfarëdo akti i manifestimit, sado i “ekzagjeruar” që nga dikush mund të quhet a cilësohet, për ta përkujtuar me përkushtim të duhur e përkatës, një artist kaq me nam ,si Bekim Fehmiu, aktorin i cili me arritjet dhe kontributin e tij, bëri krenar gjithë kombin dhe lartësoi imazhin e shqiptarëve kudo në botë.

Megjithëse siç u përmend edhe më lartë, kohë më parë Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, në shenj nderimi ndaj veprës dhe jetës së tij, pati akorduar edhe një çmim me emrin e Bekim Fehmiut, kjo tash e sa vite, është heshtur e harruar tërësisht dhe pothuajse nuk praktikohet më askund.

Bekim Fehmiu krijoi modelin e artistit-shembull, përvoja e të cilit, vite me radhë u përdor edhe për edukimin e brezave të tërë të artistëve të ri në Akademinë e Arteve të Kosovës.

Edhe pas shuarjes së tij, janë të shumta shtetet, në Ballkan e më gjerë, që do të dëshironin ta kishin të vetin Bekim Fehmiun, por Zoti kur vendosi që ai të lindej shqiptar, i fali atij edhe talentin personal, i cili me angazhimin e hekurt dhe punën e suksesshme, u bë i të gjithëve dhe shndërrua në aktor universal e mbarëbotëror.

Ndaj dhe nuk është për tu habitur se pse në fund të viteve të tetëdhjeta dhe fillimi i viteve të pushtimit, luftës dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, Bekim Fehmiu si një shqiptar i denjë që ishte, nisi të ndihej  aq keq në Beograd.

Kështu që ky aktor aq i madh me përmasa evropiane dhe botërore, në ditët e pleqërisë, megjithëse kishte apartamentin familjar në Beograd, sidomos gjatë stinëve të verës, të shumtën e kohës e kalonte në Prishtinë

I futur në dëshpërim të thellë, vitet e fundit aktori ynë, pothuajse nuk shfaqej më në jetën publike, derisa një ditë u gjet i vdekur në banesën e vet me një pistoletë pranë trupit të shuar të tij, për të cilin në media u publikua vetëm një lajmi i shkurtër se; aktori kishte bërë "Vetëvrasje"!

Që nga shuarja fizike e Bekim Fehmiut, vitet shkojnë e vijnë pareshtur, por megjithëse ende nuk ka kaluar një dekadë e plotë, aktorin tonë të madh që shkëlqeu kudo në botë, edhe në Kosovë, pothuajse nuk e kujton më askush.

Më çdo 15 qershor, shënohet vetëm në mënyrë simbolike përvjetori i shkuarjes në amshim të këtij artisti të madh e të mirënjohur kudo dhe njërit nga kinematografët më të shquar e me famë kulminante ndërkombëtare, që pati etnia shqiptare.

Një emër përmasash të tilla ndërkombëtare dhe artist i një formati të kalibrit universal si ai, jo vetëm në përvjetorët e shuarjes, por në çdo kohë e mot, meriton të nderohet pareshtur, kujtohet përgjithmonë dhe lartësohet deri në piedestal, për të mos u harruar kurrë emri i shkëlqyer dhe vepra brilante e tij, derisa të ketë shqiptar mbi dhe, në nderim të aktorit të papërsëritshëm kombëtar dhe mbarëbotëror që përjetësisht i bënë dritë filmit,artit dhe kulturës në gjithë globin, Bekim Fehmiut.

(Kosova Sopt Online)