Albini apo Vjosa?

Albini apo Vjosa?
Albini apo Vjosa?

Liri Loshi

  • 29 August 2019 - 20:46

Janë të dobishme përballjet intenzive dhe shteruese mes Albinit dhe Vjosës që të shohim se cili është më racional dhe më praktik për të qeverisur me Kosovën. Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk janë anëtarë të kësaj, apo asaj partie. Prandaj duhet krijuar mundësia që ata të formojnë bindjet e tyre për kandidatët në bazë të asaj së çka ata vetë prezantojnë dhe jo në bazë të prezantimit që atyre iu bën partia e tyre.

Ka një kohë relativisht të gjatë që Albin Kurti e ka shpalosur programin e vet për qeverisjen e shtetit. Ai këtë e ka bërë gjatë zgjedhjeve të kaluara dhe llogaritur në votat që ka marrë, duke dalë më i votuari edhe si subjekt edhe si individ, e kemi një provë sado të debatueshme se populli ia ka dhënë vizën për të qeverisur, porse makinacionet joparimore politike të Kadri Veselit e kanë përjashtuar nga ajo mundësi. Albin Kurti e ka mundur Avdullah Hotin. Vetevendosja e ka mundur LDK-në.

Në Vetevendosje ka ndodhur ndarja, por në popull nuk është humbur shpresa e cila ka qenë e lidhur për Albin Kurtin dhe ekipin e tij. Ndërkohë, për shkak se ekipi i Albinit është dobësuar, edhe disponimi në popull ka rënë. Por, fushata zgjedhore është një moment për të gjithë, e sidomos për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Derisa për Albinin e kemi idenë se si do ta drejtojë vendin, për Vjosa Osmanin nuk e kemi idenë fare. Është e sigurtë se Albin Kurti do të jetë plotësisht i lirë nga partia e tij për të marrë vendime, meqë është lider i pakontestueshëm nga partia e vet dhe se brenda Vetvendosjes nuk ka grupe të interesit që do të ndikonin në Albinin të mos ishte vetëvetja.

Sa i përket Vjosës, nuk jemi fare të sigurtë se ajo do ta ketë komoditetin e Albinit, meqë ajo nuk është lidere formale e LDK-së, madje ajo nuk e ka përkrahjen reale nga të gjitha struktuat e partisë. Prandaj janë të dobishme përballjet intenzive dhe shteruese mes Albinit dhe Vjosës që të shohim se cili është më racional dhe më praktik për të qeverisur me Kosovën. Në orët e fundit, LDK dhe Vetevendosje mund të bashkohen në koalicion dhe mandatari i përbashkët të emërohet në bazë të performancës së tyre, reagimit të publikut dhe sondazheve.

Nuk është e drejtë që popullit t’i imponohet një kandidat që nuk është testuar ende në asnjë formë, siç është Vjosa Osmani. Dijet akademike dhe ato politike dallojnë shumë, kurse dijet pratike dallojnë nga dy të parat dhe ato janë qenësore për qeverisje kualitative. Fatkeqësisht, Albin Kurti nuk ka treguar se është aq i mirë në dijet praktike, kurse Vjosa Osmani as që e ka pasur shansin ta tregojë veten fare. Vjosa po i imponohet publikut nga një eufori e brendshme e anëtarësisë së LDK-së. Por shumica e qytetarëve të Kosovës nuk janë anëtarë të kësaj, apo asaj partie. Prandaj duhet krijuar mundësia që ata të formojnë bindjet e tyre për kandidatët në bazë të asaj së çka ata vetë prezantojnë dhe jo në bazë të prezantimit që atyre iu bën partia e tyre.

Megjithatë, të gjitha gjasat janë që kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të digjet, njësoj sikurse ishtë djegur ajo e Avdullah Hotit në zgjedhjet e kaluara.Sinqerisht, unë nuk besoj se Vjosa Osmani do të bëhet ndonjëherë kryeministre. Nëse ju kujtohet, të njëjtën gjë e kam pas thënë për Avdullah Hotin dhe kam pas marrë shumë reagime negative nga fanatikët e LDK-së, të cilët besonin se kandidati i tyre ishte pakrahasimisht më i ditur dhe më i miri.

Pas dy vitesh LDK ka harruar për ekspertin e ekonomisë që do ta nxjerrte Kosovën nga kriza e thellë ekonomike dhe tash ka gjetur një figurë kompromisi politike për kryeministre.

Kjo është një hipokrizi, meqë krejt loja po bëhet për ta eliminuar Vjosa Osmanin nga konkurrenca për drejtimin e partisë. Në dy variantët e mundshm gjasat janë që Vjosa Osmani të eleminohet nga mundësia për ta drejtuar qeverinë. Skenari i parë është që Vetvendosje të dalë e para në zgjedhje dhe për kryeminister të imponohet Albin Kurti. Në variantin tjetër, nëse LDK del e para, Vetvendosje do ta kushtëzojë pjesmarrjen në qeveri me Albin Kurtin në postin e kryeministrit, meqë ai e di se edhe Ramush Haradinaj nuk pranon as më pak as më shumë se rolin e kryeministrit.

E vetmja parti që do të bënte koalicion me LDK-në dhe të mos e kërkojë me çdo kusht postin e kryeministrit është PDK-ja.

Edhe në këtë variant zonja Osmani nuk do ta ketë lehtë, meqë ajo do të tentojë të mos e pranojë koalicionin me PDK-në dhe kjo mund ta shtyejë LDK-në që ta emërojë dikënd tjetër për kryeminister. 

(Kosova Sot Online)