Ç’është dhe ç’nuk është demokraci  

Ç’është dhe ç’nuk është demokraci  

Mehdi Hyseni

  • 15 shtator 2019 - 18:53

 (I)

* Pa liri, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi, demokracia është vetëm një nocion abstrakt doktrinar.

Instituti i demokracisë nuk është kurrfarë standardi   i automatizuar politik, që “brenda natës” t’i japë rezultatet e efektshme pozitive në një shoqëri të caktuar. Gjithashtu, koncepti i demokracisë nuk është “çelës elektrik”, që mund të kyçet dhe të shkyçet sipas dëshirave dhe interesave të ndryshme të konsumatorëve individualë a gruporë (privatë a shtetërorë) të tij, por, para së gjithash, është detyrim dhe përgjegjësi si në kuptimin e së  veçantës, ashtu edhe në atë të së përgjithshmes së përkufizimit të përmbajtjes së nocionit të tij.

Demokracia nuk nënkupton izolimin dhe asgjësimin e elitës akademike shqiptare (vetëm pse nuk u përket familjeve, grupeve, mahallave, provincave, partive dhe klubeve të derëbejve në pushtet), diferencimin mes njerëzve, diskriminimin, mohimin, uzurpimin dhe shpërfilljen e të drejtave dhe të lirive elementare të individit dhe të kolektivitetit. Demokracia nuk nënkupton krijimin dhe diferencimin e klasave në një shoqëri (në të pasura dhe në të varfëra). Demokracia nuk është pronë private, as mall tregu privat as shoqëror i askujt qoftë edhe i klasës më të lartë politike në pushtet, e cila në emër të demokracisë e vjedh, e plaçkit, e shfrytëzon dhe e keqtrajton shumicën dërrmuese të popullit.

Nuk quhet demokraci ajo, nëse në një sistem a rend shoqëror mbisundon korrupsioni, krimi i organizuar, mashtrimi, amoraliteti, moszhvillimi ekonomik, shfrytëzimi i njeriut prej njeriut, shkurtimi i të drejtave për t’u edukuar, arsimuar, punësuar, shpërblyer për punën dhe kontributin e tij dhe  për t’u mjekuar gratis në institucionet dhe në entet përkatëse.

Përkundrazi, të gjithë këta negativizma janë armiqtë më të rrezikshëm dhe më vdekjeprurës të çdo lloji të demokracisë (qoftë ajo e drejtpërdrejtë, qoftë ajo përfaqësuese).

Një shtet i cili ka parlamentin dhe qeverinë demokratike, nuk do të thotë se përmbajtja e tij poliko-shtetërore ka karakter demokratik (pavarësisht nga shprehja e mendimit dhe e fjalës së lirë, si dhe nga numri i deputetëve dhe i ministrave të tij, të cilët vetëm teorikisht, në bazë planeve dhe të projekteve me “shkronja demokratike”, thirren në mbrojtjen dhe në avancimin e standardeve dhe të vlerave demokratike), nëse në të mbretëron papunësia mbi 50%, varfëria mbi 50%, mbyllja e vendeve të punës mbi 50%, shfrytëzimi i klasës punëtore mbi 50%, ekzodi permanent i popullësisë, ku mbi 2 milionë shqiptarë e kanë braktisur Shipërinë dhe Kosovën gjatë tri dekadave të shkuara (1990-2019).

Kjo krizë ciklike më së shumti e ka goditur klasën punëtore dhe shtresat e varfëra të popullsisë shqiptare, si rrjedhim i krijimit dhe i funksionimit të mekanizmave shtetërorë “private” dhe partiakë antidemokratikë dhe antihumanë, si instrumenti më efektiv i sundimit të klasës së re korruptuese dhe kriminalizuese  në pushtet.

Për më tepër, një gjendje e këtillë drastike e mosjetimit në praktikë të demokracisë së mirëfilltë si për individin, ashtu edhe për kolektivitetin në tërësi, provon se shteti po bëhet gjithnjë më i centralizuar, më despotik, më autoritar, më i pakufizuar dhe më i pakontrolluar në ushtrimin e autorizimeve dhe të kompenecave të tij politike, jurdike dhe ekzekutive. Ndërkaq individi dhe kolektiviteti po bëhen gjithnjë më të varfër, më të varur dhe më të “gozhduar” në sistemin dhe në pushtetitn e tij dominues. Në këtë mënyrë antidemorkatike liritë dhe të drejtat e njeriut janë bërë pronë e paluajtshme nënshtruese të sundimit dhe të mbizotërimit të grupeve të ndryshme  të korruptuara në pushtet.

Me gjithë parimet dhe me standardet e proklamuara të demokracisë, kjo formë sundimit antidemokratik dhe antihuman provon sheshit se liritë dhe të drejtat themelore e demokratike të njeriut janë normuar dhe sanksionuar në sistemin e dominimit të shtetit të proklamuar demokratik. Në kuptimin politiko-filozofik dhe pragmatik, kjo do të thotë se, njeriu prapë ka ngelur në cilësinë e robit, kurse shteti prapë ka statusin e lirisë dhe të mëvetësisë ngaqë atë e trajton si “artikull konsumi” dhe plotësisht të varur.

Ja, kjo është kuintesenca e antidemokracisë. Në vend të realizimit të drejtave dhe të lirive politike të njeriut, të barazisë para ligjit, të garantimit të punës, të pasurisë, të sigurisë personale dhe kolektive, të mos sanksionimit të shprehjes së mednimit dhe të fjalës së lirë së individit, po ballafaqhemi me manifestimin e dallimit ndërmjet shtresave shoqërore, me politokracinë, me autokracinë, me despotizmin, me oligrakinë, me neofashizmin dhe me  antihumanzimin… etj.

Të gjitha këto elemente negative të tërësisë së antidemokracisë janë të ndërlidhura me sistemin politik, i cili në esencë është shprehje e veprimit direkt arbitrar i qarqeve të korruptuara sunduese në pushtet, e autokratizmit, si dhe e tendencës së shfrytëzimit të egër të shumicës dërrmuese të popullit. Kjo po manifestohet në raportin privat dhe publik të shtetit dhe të qytetarëve, në marrëdhëniet e grupeve dhe të partive të ndryshme në luftën e egër pasuri, për karrierë dhe për pushtet sipas “çelësit” nepotist provinicial, partiak, ideologjik dhe ekonomik etj.

Kjo simbiozë dhe ndërlidhuri e elementeve negative të sistemit politik dhe shtetëror, është arma armiqësore më e  rrezikshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe të vënies në veprim të demokracisë së  drejtpërdrejtë  të të gjithë qytetarëve.

(II)

Demokracia është prodkut i lirisë dhe i drejtësisë, jo i dhunës, i plaçkës, i robërisë dhe i shfrytëzimit të njeriut prej njeriut

-Demokracia nuk e sjell lirinë, as drejtësinë, por liria dhe drejtësia e sjellin demokracinë dhe demokratizimin e një rendi a sistemi politiko-shoqëror të një vendi.

Prandaj, të gjithë, duhet të kemi parasysh faktin se, demokracia nuk është e rezervuar  vetëm për pushtetarë (presidentë kryeministra, ministra, deputet me “mandat të përjteshëm” etj.), as vetëm për disa popuj të zgjedhur, as  vetëm për disa klasa të zgjedhura, as vetëm për disa raca të zgjedhura…etj., por është parim dhe vlerë universale qu u përket të të gjitha qenieve njerëzore njësoj, pa dallim, kudo në planetin njerëzor. Kështu, do të duhej ta kenë kuptuar edhe politikat, partitë, grupet e interesit politik dhe ekonomik, qeveritë, parlamentet, kishat, xhamitë, teqet dhe të gjithë titullarët e tyre në të gjitha hapësirat e Shqipërisë etnike.

Ndryshe, çdo devijim nga përmbajtja e këtij standardi dhe parimi universal nuk ka të bëjë me demokracinë, por me antidemokracinë që quhet anaraki, kaos dhe fund i një rendi a sistemi politko-shoqëror, juridik, kushtetues dhe demokratik parlamentar.

Pothuajse qe  tri dekda(1990-2019) “elitat” politike e shkencore, në veçanti “masmediat e verdha” dhe komericale janë hedhur në garën e ethshme, që t’i hyjnë në thelb “zbërthimit” teorik se, ç’do të thotë termi demokraci. Mirëpo, në këtë kuptim kanë dështuar ngase praktika e deritashme 30-vjeçare i ka demantuar “zbulimet” dhe “interpretimet moderne” teorike të “demokracisë” së tyre ngase nuk përputhen me praktikën robëruese kolonialiste 100-vjeçare të shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike në Ballkan.

Sidomos pas përfundimit të luftës së ftohtë (1990) është shkruar shumë për demokracinë si institucion dhe vlerë universale e botës së qytetëruar. Mirëpo, në praktikë, sidomos në disa vende të Evropës Lindore dhe të Evropës Juglindore, së këndejmi, posaçërisht në Ballkan, një demokraci e mirëfilltë në praktikë, ende nuk ka dhënë frytet e saj në kuptimin e universales, për shkak se, ende nuk janë plotësuar parakushtet themelore, që ajo të vihet në jetë si vlerë dhe si fryt konkret, si rrejdhim direkt dhe indirekt i vazhdimësisë së politikës dhe i praktikës gjenocidale të fashizmit dhe neofashiozimit kolonialist serbomadh, grekomadh, “bullgaromadh” dhe malazezomadh ortodoks ndaj shteteve fqinje të tyre, në radhë parë ndaj shqiptarëve, të cilët ende i mbajnë si plaçkë koloniale, të copëtuar në rezervatet e tyre moçalike shekullore.

Në këtë vështrim ia vlen të theksojmë edhe mosjetësimin e demokracisë në hapësirat e Shqipërisë etnike në Ballkan. Vonesa dhe “hendikepi” për shkolonizimin dhe për demokratizimin e Shqipërisë etnike, para së gjithash, kanë për shkak dhe për pasojë moszjgidhjen e problemit kolonial të shqiptarëve në Ballkan. Kjo është pengesa kryesore pse në sfondin shqiptar ende nuk ka ardhur në shprehje standardizimi dhe ushtrimi i demokracisë në praktikën e jetës së përditshme të shqiptarëve as në gjysmën Shqipërinë e lirë (1912), sepse fjalën kryesore e kanë korrupsioni, shpërfillja e ligjit dhe krimi i organizuar.

Ndërkaq, për gjysmën e Shqipërisë tjetër, as që mund të bëhet fjalë se ajo është në rrugën e demokracisë dhe të demokratizimit të proklamuar deklarativ. – Sepse, ende, edhe pas 100 vitesh, është “ e sëmurë” dhe, po ballfaqohet egërisht nga verdhëza koloniale e Serbisë, e Greqisë, e “Maqedonisë” dhe e Malit të Zi.

Domethënë, asnjë nga territoret dhe popullësia shqiptare e gjysmë Shqipërisë etnike (të kolonizuar nga “merimanga” sllavo-bizantine) ende nuk e kanë fituar lirinë dhe pavarësinë antikoloniale nga hegjemonistët dhe nga imperialistët e theksuar sllavë të Ballkanit.

Pavarësisht nga citimet enorme të Zhan Bodenit, të Tomas Hobsit, Zhan Zh. Rusoit, Platonit, Arsitotelit, Grociusit, të Aleks Tokuilit..., etj. nga ana e disa “demokratëve” dhe “politikanëve” debutantë, se si ata e kanë kuptuar dhe interpretuar përkufizimin e nocionit të demokracisë, ne shqiptarët në praktikë, ende nuk jemi duke parë, as duke shijuar frytet e para të demokracisë perëndimore, sepse ende jemi të ngulfatur dhe të mbështjellur në “ambalazhin” kolonial të “merimangës” sllavo-bizantine, që nuk njeh drejtësi, as demokraci e as humanizëm të shteteve demokratike evro-perëndimore.

Pra, shqiptarët as gjysmë Shqipëria etnike (50%), ende nuk e ka fituar LIRINË, as PAVARËSINË, as të DREJTËN E VETËVENDOSJES nga tutela e shteteve kolonialiste fqinje sllave. Kështu që, kjo gjendje dhe status politik dhe juridik i shqiptarëve në Ballkan e përjashton interpretimin dhe rinterpretimin e përkufizimit të autorëve klasikë dhe modernë se “demokracia e sjell lirinë, drejtësinë dhe prosperitetin e një populli”. Përkundrazi, liria, pavarësia dhe drejtësia e sjellin në praktikë demokracinë dhe demokratizimin e një populli. Ky është kusht dhe premisë thelbësore, edhe për sendërtimin e demokracisë, të drejtësisë, të prosperititetit dhe të integrimit të shqiptarëve me popujt e Ballkanit dhe, me popujt e tjerë të Evropës së integruar.

Spekulimi dhe simulimi “bizar” me konceptet e tejkaluara politike dhe juridike ndërkombëtare, si dhe “recitimi” i tyre vend e pa vend lidhur me aplikimin e demokracisë në Ballkan, është në shpërputhje flagrante me konceptet e lirisë, të drejtësisë,  të dekolonizimit, të bashkimit dhe të zhvillimit të shqiptarëve mbase mbi 50% e tyre vetëm teorikisht e di se çfarë do të thotë nocioni demokraci. Ndërkaq, praktikisht “e dinë” vetëm sunduesit e tyre neokolonialistë dhe imperialistë serbosllavë.

S’ka demokraci, pa liri!

Së pari, kombit shqiptar dhe Shqipërisë etnike në Ballkan, duhet t’i sigurohet dhe, t’i njihet liria, pavarësia dhe drejtësia, pastaj demokracia dhe integrimi me popujt e tjerë.

Sa ia vlen të krekosemi “shkencërisht” se kemi njohuri të mjaftueshme teorike për demokracinë, për lirinë dhe për drejtësinë, kur PRAKTIKISHT populli shqiptar në Ballkan, edhe në fillim të shekullit XXI ndodhet nën çizmen e huaj robëruese të kolonializimit, të neokolonializmit, të fashizimit dhe të neofashizmit sllavo-bizantin.

Nëse objektivi ynë është demokracia, atëherë, përgjigja e saj është liria, jo anasjelltas. Ky interpretim i shkurtër thelbësor provon qartazi se koncepti i demokracisë është i ndërlidhur dhe i kushtëzuar nga krijimi dhe nga realizimi i konceptit të lirisë dhe të pavarësisë së popujve.

Në ato vende, (ashtu siç është rasti konkret i gjysmë Shqipërisë etnike në Ballkan), ku sundon tirania, shfyrtëzimi ekonomik dhe kolonial, si dhe mohimi i së drejtës së vetëvendosjes së popujve, nuk mund të pohohet se rendi i tyre ka karakter demokratik , të drejtësisë, të lirisë dhe të barazisë, por të shytpjes dhe të robërisë, që përbëjnë fundamentin e regresit të shoqërisë.

Prandaj, ndryshe nga tezat e shtruara mbrapsht për qëllime të mbrojtjes së koherencës dhe të kontinuitetit të sundimit kolonial dhe neokolonial në dimensione rajonale dhe globale, demokracia nuk mund të ndërtohet, as të jetësohet as si vlerë e as si standard i përsosur dhe i dobishëm i botës së qytetëruar, nëse ndonjë popull i mohohet liria, pavarësia dhe e drejta e vetëvendosjes, ashtu siç po veprohet me popullin shqiptar në Ballkan, të cilit, edhe pas 100 vjetësh “stazh” nën sundimin kolonial të Serbisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi, edhe sot, në dekadën e parë të shekullit XXI nuk po i njihet liria dhe pavarësia as nga ana e kolonialistëve imperilaistë serbosllavë, as nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, në vend se kombit shqiptar në Ballkan, t’i njihen liria dhe pavarësia sipas së drejtës së tij historike dhe juridike ndërkombëtare, po thurën dhe po ndërthuren plane dhe projekte të ndryshme “demokratike-humane” se si ai, edhe në këtë shekull, të lihet në “mëshirën” dhe  në varësinë e sundimit kolonial dhe gjenocidal të sllaveve të Jugut të Ballkanit. Në këtë vështrim, krahas armiqve tradicioanalë shekullorë serbosllavë, meritat më të mëdha i kanë politikat e varura dhe të ndërvarura antikombëtare shqiptare me kryeqendrën e tyre të vendosjes në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë etj.

(III)

Kush janë shpërfytyruesit e demokracisë?

Sa më sipër, krahas robërisë së huaj, armiqtë më të egër, më sadistë, më të dëmshëm, më iracionalë dhe, më të rrezikshëm të demokracisë janë armiqtë e brendshëm-drejtuesit-regjimet marionete dhe të korruptuara të një populli.

Sikurse njeriu, ashtu edhe demokracia ka miqtë dhe armiqtë e saj. Një nga armiqtë më potencialë të demokracisë është vetë njeriu, si njësi e bashkësisë njerëzore. Ky relacion është i njohur që nga koha antike, kur filozofët grekë me të drejtë nxorën përfundimin e tyre shkencor se njeriu në bashkësinë njerëzore nuk është asgjë tjetër veçëse një njësi e saj, që do të thotë se vetë njeriu është bashkësia, e bashkësia është vetë njeriu.

Në këtë formë, edhe është zhvilluar sistemi i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve në bashkësinë shoqërore. Kjo është arsyeja kryesore pse në zhvilimin e derisotëm të bashkësisë njerëzore, vazhdimisht shtrohet çështja e pozitës, e kërkesave, e obligimeve, e të drejtave, e përgjegjësisë dhe e identifikimit të interesave të njeriut në kuadrin e saj. Ky lloj i organizimit të bashkësisë njerëzore është zhvilluar përmes sistemit politik dhe formave sunduese të tij.

Prandaj, s’ ka dilemë se një nga format më oportune për regullimin dhe për zhvillimin progresiv të marrëdhënive të ndërsjella të njeriut dhe të bashkësisë, është demokracia, si forma më parësore dhe më racionale për qytetërimin dhe për përparimin e gjithanshëm të njerëzimit. Mirëpo, kjo formë e organizimit të demokracisë nuk bëhet vetëm përmes sistemit politik me përgjegjësi të veçanta, por edhe përmes obligimeve dhe përgjegjësisë së bashkësisë shoqërore ndaj individit.

Pra, demokracia, është forma më e mirë dhe, më e kapshme e rregullimit dhe e organizimit të marrëdhënieve reciproke ndërmjet njerëzve në jetën e përbashkët shoqërore, ku gërshetohen kërkesat, obligimet, përgjegjësitë, të drejtat dhe liritë individuale dhe kolektive shoqërore brenda suazave të bashkësisë shoqërore.

Demokracia shpreh marrëdhëniet e njerëzve në jetën e përditshme të bashkësisë shoqërore, duke u bazuar në besimin e ndërsjellë, në përfilljen e interesave, në lirinë e punës dhe të krijimtarisë etj.

Mirëpo, kjo formë demokratike e organizimit të marrëdhënieve reciproke të individit dhe të bashkësisë shoqërore, në favor të interesit të tyre të përbashkët nuk mund të bëhet përmes formave të sistemit politik të korruptuar, të dekretuar dhe të personalizuar të individëve burokratë dhe paranoidë politikë, të instaluar në pushtetin shtetëror, sepse ata nuk e njohin këtë standard dhe parim të demokracisë. Në vend se të veprojnë në përfilljen dhe në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të individit- bashkësisë shoqërore, ata demokracinë e përdorin si maskën më të leverdishme për realizimin e interesave të tyre parciale materiale dhe karrieriste, klanore, grupore dhe partiake e ideologjike, me qëllim që të mbisundojnë mbi vlerat, mbi demokracinë dhe mbi lirinë e idividit dhe të bashkësisë shoqërore.

Paradigmat negative të shtetarëve dhe të politikanëve të tillë (ashtu sikurse ata të “elitave politike” sunduese në hapësirat shqiptare në Ballkan) janë armiqtë më të rrezikshëm të demokracisë. Ata, në vend të ndërtimit, të mbrojtjes dhe të avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë, dhe të drejtësisë kanë legalizuar format dhe mekanizmat e sundimit të anarkisë, të korrupsionit, të plaçkës, të dhunës, të shfrytëzimit dhe të krimit të organizuar, të cilat, pa dyshim kanë shkaktuar varfërinë, papunësinë, pazhivillueshmërinë ekonomike, sëmundjet e ndryshme, urinë, krimin e organizuar, plaçkitjen, vjedhjen, uzurpimin dhe shfrytëzimin e djerësës dhe të pasurisë së popullit.

Të gjithë këta armiqë të demokracisë janë asgjësuesit më fatalë të vlerave dhe të mirave materiale të njeriut-bashkësisë shqërore ngase në këtë mënyrë shpiejnë në anarki, në kaos, në mjerim dhe në krijimin e diferencimin e klasave shoqërore.

I gjithë ky spektër i armiqëve të lirisë dhe të demokracisë, është bazamenti i pathyeshëm betonarme i krijimit, i instalimit dhe i sundimit të regjimeve: autokratike, autoritare, totalitare, despotike, diktatoriale, absolutiste, plutokratike, aristokratike, oligrakike, tiranike dhe sulltanistike etj.

Kjo formë “hibride” e sundimit të egër dhe antidemokratik të individit dhe të kolektivitetit, është e pranishme edhe në “qendrat e vendosjes” së politikës shqiptare në Ballkan. Si rrjedhim, ky, edhe është shkaku kryesor i gjendjes së mjerueshme dhe robëruese të shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike në Ballkan.

Ndërgjegjja dhe përgjegjësia (domosdoshmnëri)

Evitimi i këtyre dukurive shëmtuese antidemokratike, anithumane, antinjerëzore (korrupsioni dhe barësitë e tij) mund të bëhet vetëm nëse vjen në shprehje ndërgjegjja e lartë njerëzore dhe përgjegjësia e titullarëve, përkatësisht e drejtuesve të shtetit ndaj qytetarëve, përkatësisht popullit të tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet korrupsioni dhe abuzimi i pushtetit. Kjo është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt e ndërtimit dhe e vendosjes së  rendit juridik dhe kushtetues të shtetit demokratik, që garanton efektshmërinë e respektimit dhe të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, rendin, drejtësinë dhe demokracinë për të gjithë, jo vetëm për titullarët dhe për drejtuesisht  abuzues dhe korruptues të pushtetit shtetëror, ashtu siç po ndodh në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe në Tetovë… etj.

(Kosova Sot Online)