Diplomacia e plogshtë kosovare dhe pasojat e saj

 Diplomacia e plogshtë kosovare dhe pasojat e saj

Sadik Përvetica

  • 15 shtator 2019 - 18:55

Pëkundër zhurmës propagandistike dhe thirrjes për dialog, Serbia, çdo ditë e më tepër, po minon dialogun me Kosovën, diplomacia kosovare nuk po reagon fare( ose po reagon plogshtë),  derisa Bashkësia Ndërkombëtare po hesht.

1.Serbia po harxhon shumë kohë dhe mjete për ta zhbërë shtetin e Kosovës dhe për ta çnjohur Kosovën si shtet të njohur ndërkombëtarisht nga mbi 115 shtete të botës. 

2. Tashmë gjithë bota e di se më 1998-99, Serbia vrau rreth 15 mijë shqiptarë të pafajshëm, kidnapoi, burgosi e vrau njerëz të pafajshëm, eshtrat e të cilëve i dogji nëpër furrëlarta ose ndërtoi rrugë mbi to nëpër Serbi, dhunoi mbi 20 mijë femra shqiptare, dogji, plaçkiti e shkatërroi gjithë ekonominë kosovare. Për të gjitha këto krime të rënda në Kosovë, Serbia, edhe 20 vjet pas luftës, ende nuk ka kërkuar falje, ndaj kërkimfalja për krimet e bëra në Kosovë do duhej t’i paraqitej si kusht i parë Serbisë për ta vazhduar dialogun.

3. Kushti i dytë që duhej vënë Serbisë është zbulimi dhe kthimi i eshtrave të njerëzve të kidnapuar e të  pagjetur deri më tani.

4. Kushti i tretë ndaj Serbisë (dhe presioni i diplomacisë kosovare, por edhe i Bashkësisë Ndërkombëtare mbi Serbinë) do duhej të ishte ndalja e menjëhershme e strukturave kriminale serbe që, në mënyrë të organizuar nga Serbia, po pengojnë kthimin e shqiptarëve të Mitrovicës me rrethinë në trojet e veta të paraluftës, gjë që diplomacia (e plogshtë) kosovare dhe ajo ndërkombëtare nuk po ushtrojnë fare ndikimin e vet ligjor dhe moral, ani pse dihet se pengimi i kthimit të banorëve legjitimë në trojet e veta është shkelje e të drejtave elementare të njeriut.  Pra: edhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet, pikërisht këtu, të ushtrojë ndikimin e vet mbi padrejtësinë që po i bëhet popullit shqiptar të Mitrovicës me rrethinë për t’u kthyer në trojet e veta. Diplomacia kosovare nuk po bën presionin e duhur për të drejtën e shqiptarëve për t’u kthyer pranë shtëpive të djegura dhe nëpër banesat e veta në Qytetin e Mitrovicës. Pra: një diplomaci e përgjegjshme kosovare, duhet t’i bëjë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare,  që për një dialog të mirëfilltë Kosovë-Serbi, duhet t’i parashtrohet si kusht Serbisë QË TË MOS I PENGOJË SHQIPTARËT E MITROVICËS PËR T’U KTHYER NË PRONAT E VETA TË LIGJSHME.

5. Serbisë duhet t’i bëhet presion ( dhe t’i parashtrohet si kusht edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare) që të mos pengojë popullatën serbe që jeton në Kosovë për të votuar lirshëm dhe për të vendosur për fatin e vet. Bashkësia Ndërkombëtare e di fare mirë se çka do të thotë të themelohet një mekanizëm minues i një shteti në një shtet tjetër, siç është Lista Serbe me kokën komanduese në Beograd, e cila, haptaz, kundërshton funksionimin normal të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne e dimë se Amerika dhe Aleanca Veriatlantike ndaloi gjenocidin serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Megjithatë, nuk e kuptojmë: pse edhe 20 vjet pas luftës, në kohën kur Republikën e Kosovës e kanë njohur si shtet të pavarur dhe sovran rreth 115 shtete të botës, në shtetin dhe në territorin e Kosovës, ende luhen lojëra të ndyta, ku një shtet tjetër (Serbia) ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, ku Serbia shkel rendin kushtetues të Kosovës, duke ndërtuar fshatra etnikisht të pastra serbe (në një shtet, të cilin Bashkësia Ndërkombëtare e ka dizajnuar dhe e njeh si shtet shumetnik!!!). Pra: edhe në këtë rast, diplomacia (e plogshtë) kosovare nuk ka kryer funksionin e vet. Por, edhe heshtja Ndërkombëtare mendojmë se nuk ka qenë e përgjegjshme dhe qëllimmirë, ngase: edhe të proklamosh shtet shumetnik, edhe të lejosh ndarje të popullsisë në vija etnike – kjo nuk është në rregull.

Pra: kuptohet se fajin kryesor për mosfunksionimin normal të shtetit të Kosovës e ka pikërisht Qeveria e Kosovës (diplomacia e plogshtë e saj), e cila, në pamundësi të vendosjes së rendit dhe ligjit në gjithë hapësirën, do duhej kërkuar ndihmë edhe nga KFOR-i për dhënien e mundësive të barabarta të të gjithë banorëve të Kosovës që të kthehen nëpër trojet e veta dhe aty të ndërtojnë LIRSHËM jetën e vet. Andaj, besojmë se këto kërkesa për garantimin e lirisë dhe barazisë së të gjithë banorëve të Kosovës do duhej të koordinoheshin mirë dhe qartë: pikërisht nga Qeveria (diplomacia) e përgjegjshme e Kosovës, në koordinim dhe në bashkëveprim me Bashkësinë Ndërkombëtare. Në të kundërtën, siç janë duke shkuar punët, logjika e secilit person me mendje të shëndoshë e thotë se në Kosovë, edhe për një kohë të gjatë, nuk do ketë as stabilitet politik, as stabilitet ekonomik, as shtet funksional, as liri dhe barazi për të gjithë – ashtu siç proklamohet me ligjet pozitive kosovare, por që në praktikë është krejtësisht e kundërta.  

Dhe, në fund, besojmë se duhet ta kujtojmë njërin nga shembujt më eklatantë: se vetëm para pak ditsh, Serbia ndërmori një fushatë diplomatike e propagandistike, kinse Kalaja e Artanës qenka monument kulturor serb (!!!) derisa diplomacia kosovare, Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë u gjetën në gjumë. Pra diplomacia serbe mati pulsin diplomatik dhe kulturor kosovar. Dhe, kur pa mosreagimet e duhura diplomatike kosovare, një kompani nga Beogradi, me një bager të rëndë, filloi rrënimin klasik të Kalasë, duke gërryer muret deri në zhbërje! Dhe përsëri shtrohet pyetja: cilat ishin reagimet diplomatike të Qeverisë së Republikës së Kosovës drejtuar UNESCO-s dhe Bashkësisë Ndërkombëtare?! Dhe a pati reagime nga Akademia e Shkencave e Kosovës, apo nga Instituti i Historisë. Dhe: a pati hile përzgjedhja e kompanisë  nga Serbia, për “të kryer punë në Kosovë, kur, në kohën kur gjithë bota e di se me përpjekjet për çnjohje, si dhe me veprime të tjera, Serbia, çdo ditë po e minon shtetin e Kosovës?!

Jo, jo: përderisa diplomacia jonë (si dhe institucionet intelektuale të Kosovës) të qëndrojnë fjetur, është punë e ditur se armiqtë tanë shekullorë nuk flejnë si ne, por punojnë ditë e net për ta zhbërë qenien shqiptare dhe shtetin e Kosovës. Andaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që, tani kur jemi në prag të zgjedhjeve, të bëjnë përpjekje për ta ndërtuar një kuvend me  njerëz të përgjegjshëm, nje qeveri të përgjegjshme, me institucione më kredibile se deri më tani, si dhe me udhëheqës më vizionarë që nuk flejnë, por që reagimet e tyre të jenë me kohë përkitazi me secilën ngjarje, para se të bëhet vonë për shumëçka – si gjer më tani.

(Kosova Sot Online)