Shqipëria, a e njeh “de fakto” Kosovën si shtet të pavarur!?

Shqipëria, a e njeh “de fakto” Kosovën si shtet të pavarur!?
Shqipëria, a e njeh “de fakto” Kosovën si shtet të pavarur!?

Skender Kapiti

  • 11 October 2019 - 13:49

Së pari po i bëjmë këtë pyetje kryeministrit të Shqipërisë në lidhje me “vizionin” e tij për integrimin e Shqipërisë se: Shqipëria sipas vizionit tuaj a duhet të integrohet në BE apo në “Shengenin ballkanik” neojugosllav të Vuçiçit dhe tuajin?! Kjo nuk ka asgjë tjetër vetëm një rikthim te marrëveshja Tito-Enver dikur që Shqipëria të gllabërohej nga Jugosllavia.

Por si ka mundësi që E. Rama pikërisht tani kur Kosova ka Shtetin e vet të pavarur, kryeministri i Shqipërisë nuk parakonsultohet me Prishtinën për këtë, e që me të drejtë mund t’i themi se ky është një aventurizëm i tij , ekstermisht anti-Kosovë së pari, por edhe anti-Shqipëri, pasi askush në Shqipëri nuk e do një marrëveshje të tillë, sepse shqiptarët e Shqipërisë kërkojnë integrim në BE dhe jo një integrim me sllavët e me serbët e Ballkanit.

Së pari kjo është një marrëveshje anti-Kosovë për këto arsye: Serbia jo vetëm që nuk e njeh Kosovën, por përkundrazi me një angazhim gjithë potencial shtetëror të saj, dhe me një agresivitet politik e diplomatik ajo punon që Kosova jo vetëm që të mos njihet nga shtete e tjera të botës , por edhe lobon dhe korrupton edhe në shtetet që e kane njohur Kosovën në mënyrë dhe përpjekje që ato t’i tërheqin njohjet e tyre.

 Dhe me sjelljen e qeverisë së Tiranës indirekt lind pyetja se a mos vallë edhe Shqipëria sot ashtu si edhe here te tjera me pare, politika e qeverisë së saj është në një linjë me Beogradin, dhe ”de fakto” a e njeh apo nuk e njeh qeveria e Edi Ramës Shtetin e Kosovës?!

Tjetra, e cila është kjo, se politika e qeverisë së Tiranës është në një linjë me atë të Beogradit edhe në lidhje me marrëveshjet e shumta qeveritare Tiranë -Prishtinë dhe pothuajse asnjë prej tyre nuk është mbajtur dhe as realizuar seriozisht, ashtu sikurse as edhe nga Beogradi i Vuçiçit nuk i janë përmbajtur asnjë marrëveshje me Kosovën të cilat kanë pasur si ndërmjetësues Brukselin.

Marrëveshja e “Shengenit ballkanik” i jep dhe e faktorizon Serbinë si faktorin kyç në Ballkan , për faktin se Serbia edhe është anti-BE dhe pro Rusisë, por edhe për faktin se asaj i janë hapur negociatat për në BE dhe Shqipërisë jo. Kjo marrëveshje ka hipokrizinë brenda saj pasi është jo vetëm një veprim antikombëtar , por edhe një veprim hakmarrës anti-BE, pasi BE nuk hap negociata me Shqipërinë, dhe kjo marrëveshje Shengeni ballkanik bëhet edhe për ta larguar vëmendjen nga shkaqet kryesore pse BE nuk hap negociatat e që janë: krimi i organizuar, krimi i korrupsionit, droga dhe kriza gjithëpërfshirëse që ka kapur Shqipërinë e që kanë për autor qeverisjen e rilindjes së E. Ramës.

Kjo marrëveshje e quajtur “Shengen ballkanik” izolon dhe e bllokon gjeografikisht, ekonomikisht dhe gjeopolitikisht Kosovën , shtetin më proamerikan në Botë, si dhe e largon dhe e pengon integrimin brënda shqiptar Shqipëri-Kosovë.

Si ka mundësi që Edi Rama më shumë është i interesuar për një Shengen Shqipëri-shtete sllave të Ballkanit se sa për marrëdhëniet ndërshqiptare Shqipëri-Kosovë, kur ai edhe bëri atë që asnjë politikan shqiptar jo vetëm që nuk do ta kishte bërë, por as në mëndje nuk do t’i kishte shkuar për vënien e taksës së anti-kombit për “Rrugën e Kombit”, taksë e cila penalizon dhe pengon zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore Shqipëri-Kosovë, ku në antitezë me politikën e Tiranës , Serbia harxhon qindara million euro për minoritetin serb në Kosovë, dhe qindra milion euro lobon kundër Kosovës, e ndërsa Tirana ndëshkon dhe gjobit kosovarët pse ata vijnë në Shqipëri, dhe gjobit , ndëshkon dhe penalizon biznezin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës në vend që Shqipërisë i takon që ta ndihmojë shtetin e ri shqiptar të Kosovës.

 Dhe tani e pyesim Edi Ramën si mund t’u përgjigjesh shqiptarëve të Kosovës, të cilët në Refendumin e votimeve të 6 Tetorit, ata ndëshkuan rëndë mikun tënd të ngushtë H. Thaçi për marrëveshjen e ndryshimit të kufijve ku edhe ju si Kryeministër i Shqipërisë keni qenë një prej promotorëve të tij, dhe si minimum duhet t’u kërkosh falje jo vetëm Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe Ramush Haradinaj por edhe të gjithë atyre mira e qindramira votuesve të Kosovës që e ndëshkuan projektin anti-Kosovë Vuçiç-Thaçi , duhet t’u kërkoni falje pasi Ju i keni ofenduar më parë duke i quajtur gomarë ata që janë kundër idesë së Thaçit.

Albin dhe Vjosa kini kujdes! Po ju porosis ashtu sikurse edhe më parë që kam shkruar 3-4 shkrime me titull: “Tiranë, mjaft më me politikën antiKosovë”, pra duhet të keni kujdes nga politika në Tiranë , pasi politika e Tiranës historikisht nuk ka qenë e sinqertë me Kosovën, si politika e kohes së mbretërisë, si ajo e kohës së komunizmit, si edhe kjo e pas regjimit komunist.

Kjo sepse politikës së Tiranës gjithmonë i ka interesuar më shumë vetëm pushteti, pasuria e paraja se sa interesi kombëtar. Me këtë politikë të Tiranës u infektua edhe ajo e Prishtinës, por që votuesi inteligjent dhe populli patriotik e heroik i Kosovës, ashtu sikuse për 100 vite që mposhti, e sfidoi, i rezistoi dhe e mundi barbarinë e genocidin serbo-sllav , dhe që e fitoi lirinë e pavarësinë, ashtu edhe me 6 Tetor 2019 me armën e votës së lirë e ndëshkoi ashpër politikën antipublike, të kriminalizuar e të korruptuar.

Shembulli i politik i Vjosës dhe i LDK-së si dhe shembulli i Albinit dhe i VETËVENDOSJES duhet t’i marrë si shembull edhe politika e Tiranës e cila është shumë e shumë më tepër e korruptuar , e kriminalizuar dhe që dallohet për papërgjegjshmëri të thellë kombëtare dhe politike, dhe se ka edhe një deficit shumë të madh demokratik dhe nacionalist. Si dhe tjetra: shembull duhet të marrë edhe votuesi në Shqipëri, edhe mediat e Shqipërisë nga votuesi dhe nga mediat kosovare.

(Kosova Sot Online)