Shtjefën Gjeçovi, Shenjti i shuar nga kriminelët (1873-1929)

Shtjefën Gjeçovi, Shenjti i shuar nga kriminelët  (1873-1929)

Gani Qarri

  • 14 October 2019 - 18:04

Në kujtim të 90 vjetorit të rënies së korifeut.


Ju mund të më vrisni mua, por gjuha shqipe dhe shqiptarët do të jetojnë!

 

Një shërbyes fetar me gjithë punën që bënë, nuk mund dhe nuk duhet të quhet "shenjtë", nëse ai nuk është atdhetar!

 

 

Kështu do të shprehej edhe para tytave të vdekjes, korifeu që plotësoi në përplotëni edhe kushtin e lartcekur jetik, për tu quajtur  "Shenjt" i kombit, i pavdekshmi At Shtjefën Gjeçovi.

 

Ai u lind më 12 korrik të vitit 1874, në Janjevë ku edhe kreu vitet e para të shkollimit fillor, për  ti vijuar ato nga mosha 10 vjeçare, në kolegjin fetar të Troshanit pran Lezhës, ndërsa studimet do ti mbaronte në Bosnjë e Hercegovinë. 

 

 

Në vitin 1892, Shtjefni u anëtarësua në kuvendin françeskan të Fojnicës, për ti vijuar studimet e filozofisë në Kuvendin e Dërventës, Banjallukës dhe Livnos, po në Bosnjë.

 

Megjithëse Shtjefën Gjeçovi pothuajse të gjitha mësimet do ti merrte në shkolla fetare, patriotizmi i tij i flakët dhe dashuria e madhe ndaj kombit e atdheut, do ta bënin atë njërin ndër atdhetarët më të denjë shqiptar.

 

Madje edhe pse në vend të huaj dhe me mision fetar, Gjeçovi përveç mësimeve fetare edhe nga ajo distancë me atdheun, studioi në hollësi dhe me pasion të thellë çështjen kombëtare shqiptare si dhe gjuhën tonë amtare, duke u bërë mysafir i rregullt i leksioneve të "Tolocit" në Kreshevë,ku shpjegohej origjina e gjuhës shqipe dhe lashtësia e shqiptarëve.

 

I frymëzuar nga të njohurit e gjuhës dhe malli ndaj atdheut, Shtjefën Gjeçovi do të fillonte të shkruante edhe poezi në gjuhën e tij amtare, ndërsa pas një kohe ai botoi edhe një libër me poezi prej 350 faqesh i cili asokohe u deponua në manastirin Kreshevës.

 

Mësues dhe Meshtar

 

Pas mbarimit të studimeve teologjike Shtjefën Gjeçovi nga fundi i qershorit të vitit 1896 mori titullin meshtar françeskan dhe sipas shënimeve nga monografia e Shtjefën Gjeçovit,të shkruar prej autorëve Ruzhdi Mata e Rrok Zojzi ,ai po atë vit (1896) që më 25 korrik, do të shugurohej prift në fshatin Zllakuqan afër Klinës.

 

Se Shtjefën Gjeqçovit, vërtetë gjithmonë i rrahu zemra fort për gjuhë, komb e atdhe, e dëshmojnë edhe autorë e monografisë së tij, të cilët thonë se kudo që At Shjefni punoi, në vend të kumbimit të kambanave të kishës, do të jehonte fort zëri i tij kombëtar me organizimin dhe dhënien e mësimit për nxënësit shqiptar në gjuhën amtare shqipe.

 

 

Sipas shënimeve biografike të tij, Shtjefën Gjeçovi pak pasi kishte kaluar një vit shugurimi si prift, më 15 shtator të vitit 1887, hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në fshatin Zllakuqan afër Klinës, që ishte edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë.

Pra përveç punës si meshtar edhe ai, njëjtë si dëshmori i gjuhës Papa Kristo Negovani, do të hapte një por shumë shkolla për mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa mësues i parë i shkollës së parë shqipe në Kosovë  ishte vet at Shtjefën Gjeçovi.

 

Pas shumë vitesh të kaluara në vende të ndryshme në Shqipëri e deri në Zar të Kroacisë nga viti 1926, Shtjefën Gjeçovin do ta gjejmë me shërbim në trojet shqiptare nën pushtimin jugosllav.

 

Mësuesi i talentuar kombëtar, i cili që në moshën 23 vjeçare, përveç shërbimit në kishë, petkun fetar diti ta shndërronte edhe në "uniformë" të arsimtarit në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe, kudo që ai punoi me nxënësit shqiptar, të cilët me aq dëshirë e pasion të lartë, mësonin nga ai, në gjuhën amtare. 

 

Ndaj shkolla e fshatit Zllakuqan në shenjë nderimi për kontributin që dha ky burrë i madh i kombit edhe sot krenohet e punon e stolisur me emrin e tij, emrin e patriotit Shtjefën Gjeçovi.

 

Studimet etnografike

 

Në vitin 1899,Shtjefni u dërgua të shërbente në Laç,ku krahas shërbesës fetare, do të merrej edhe me studimin gjeografik të rajonit si dhe mbledhjen e folklorit dhe fjalëve të urta popullore të atyre anëve, popullsia e të cilave jetonte në varfëri të skajshme.

 

Mjerisht në gjendjen çfarë ata ndodheshin, atyre nuk u ndihmonin më as fjalët e ëmbla të priftit, madje as atëherë kur ai mundohej t`ua lehtësonte vuajtjet dhe nga dhembja para mjerimit të rëndë që i kishte kapluar, detyrohej tu thoshte, se "ashtu e kishte shkruar zoti të jetonin" dhe se ata " duhej të shpresonin për jetën në amshim".


 

At Shtjefni kishte marrë për detyrë të shkruante për gjendjen dhe traditat sipas të cilave ata jetonin dhe t`ua dokumentonte edhe brezave të ardhshëm virtytet e larta, bashkë me vuajtjet e papërshkrueshme të asokohshme të tyre.

 

Shtjefën Gjeçovi, shkrimet e tij, prej vitit 1900,deri më 1902, do ti botonte tek revista "Albania",dhe në të njëjtën kohë ai do tu drejtonte edhe shumë apele, të gjitha organeve të kohës për gjendjen tejet të rëndë ekonomike të banorëve shqiptar në ato mote të vështira.

 

Por edhe përkundër të gjitha vështirësive, me dëshirën që të paktën ti arsimonte dhe rriste vetëdijen e shqiptarëve kudo që arrinte, ai nuk kufizohej në të angazhuarit vetëm si fetar por më tepër si intelektual i këtij populli të varfër, i cili me ndihmën e konsullatës Austro-Hungareze në Durrës, do të arrinte të rihapte sërish shkollën në Laç.

 

Aktiviteti i pareshtur kombëtar do ta njihte Shtjefën Gjeçovin me shumë personalitete historike të kohës, por edhe vizitoi shumë vende të njohura në trojet tona etnike, përfshi malin e Tomorit, të cilit pas përshtypjeve të krijuara nga madhështia e këtij mali, do t`ia kushtonte edhe disa poezi. 

 

 

Ndërsa njëra nga Poezitë më të shquara të at Shjefën Gjeçovit ishte "Beja e Shqiptarit" botuar në vitin 1902,nën pseudonimin "Lkeni i Hasit" në revistën Albania, gjë që dëshmonte se sa shumë e donte dhe ishte i lidhur me mish e me shpirt me Hasin.

 

Aktiviteti Pedagogjik i Shtjefën Gjeçovit

 

Siç del nga e tërë veprimtaria e tij e bujshme, At Shtjefën Gjeçovi, për detyrë të veten përkushtuese dhe jetësore, kishte marrë me vullnetin e tij personal edhe arsimimin e gjeneratave shqiptare,ndaj kudo që dërgohej me shërbim fetar, ai zhvillonte edhe aktivitet të dendur kombëtar.

 

 

Kështu që, është me shumë rëndësi të përmendet fakti historik, se gjatë qëndrimit të tij në Laç e rrethinë, kohë kur shqiptarët deri në fund të vitit 1908, ende nuk kishin alfabet të vetin zyrtar, për nevojat pedagogjike të shkollës që kishte hapur ,Shtjefën Gjeçovi do të tubonte 12 shenja të kodeve të moçme shqiptare dhe format e vjetra ekzistuese të shkronjave shqipe, duke arritur të bënte shkrirjen dhe përshtatjen e tyre në një alfabet të përkohshëm, për përdorim në vendet dhe shkollat ku ai mbante mësim.

 

Po në këtë kohë ai filloi të shkruante edhe veprën e tij më madhore "Kanunin e Maleve" i cili pothuajse do të bëhej kryevepra e At Shjefën Gjeçovit. 

 

 

Në vitin 1906,nga Laçi ai u transferua në Zar të Kroacisë, ku do të punonte si mësues i kurseve të gjuhës shqipe që mbaheshin atje,por për shkak të disa mospajtimeve me udhëheqjen françeskane të Kishës, në shenjë proteste pas gjashtë muajsh At Shjefni do të largohej nga Zara.

 

Për fatin e Shjefën Gjeçovit, Austro-Hungaria ishte shteti i cili kishte përgjegjësin e mbrojtjes dhe të mbikëqyrjes së të drejtave të pjesëtarëve të besimit katolik, gjatë kohës së sundimit otoman në Shqipëri, dhe konsullatat e saj përkujdeseshin edhe për kishat dhe emërimet e meshtarëve të tyre në trojet shqiptare në koordinim me Vatikanin. 

 

 

Ndaj Konsulli Austro-Hungarez, i cili kishte marrëdhënie të mira dhe çmonte lartë inteligjencën e at Shjefën Gjeçovit,pas largimit të tij nga Zara, do të kujdesej që në vjeshtën e vitit 1906, ai të emërohej drejtor i shkollave françeskane për vajza dhe djem në Shkodër, të cilat financoheshin nga Austro-Hungaria.

 

Qëndrimet e tij kombëtare, bënë që më 1 maj të vitit 1907, ai të organizonte një protestë, në formë shetie me nxënës në Shkodër.

 

 

Por veprimtaria kombëtare e at Shjefën Gjeçovit e pengonte Kishën françeskane , ndaj kjo edhe u bë shkak që me kërkesën e Kishës, at Shjefën Gjeçovi, nga qyteti Shkodrës, të transferohej në një vend si Gomsiçe.

 

 

Megjithatë pa mbaruar muaji i parë, me ndihmën e Konsullatës Austriake, Gjeçovi ynë i shenjtë edhe aty do të hapte një shkollë në gjuhën shqipe.

 

Mbledhës i Folklorit dhe zbulimeve arkeologjike

 

Shtjefën Gjeçovi, përveç shkollimit të fëmijëve dhe të rinjve shqiptar, në Gomësiçe kishte filluar të studionte edhe shkrimtarët kombëtar dhe të merrej me mbledhjen e folklorit, etnografisë, studimet arkeologjike dhe historinë kombëtare të shqiptarëve, veprime këto që do ti vazhdonte, me gjithë ndërrimet e shpeshta  të vend punimeve të tij, nga kisha françeskane, kudo që ai caktohej të punonte në trojet tona etnike.

 

Pas mbledhjes së gojëdhënave dhe legjendave të moçme, si dhe gjetjeve të besueshme arkeologjike nga ana e At Shtjefën Gjeçovit, faktet e zbuluara autentike, bënë që ai të bindej në plotëni dhe shprehej me argumente se rrënjët e shumë hyjnive të lashta, gjendeshin të ngulitura fort, pikërisht në tokën tonë etnike shqiptare.

 

Për thëniet e veta at Shjefni u bazua edhe në folklorin e mbledhur dhe në këngët popullore të shqiptarëve gjithandej, të cilat siç do të shkruante shumë vite më parë edhe filozofi dhe folkloristi i njohur gjerman Johann Gottfried Herder "Këngët e një populli janë arkiva e lashtësisë dhe thesari i ngjarjeve nëpër të cilat ai ka kaluar dhe mbajtur gjallë historinë e mbijetesës së vet nëpër kohë, gjë që medoemos, duhej të vlente edhe për shqiptarët.

 

Argument ky që fitonte edhe më shumë në peshë, për vet faktin se shqiptarët deri pak para çlirimit nga otomanët, nuk kishin shkrim-lexim as alfabet të vetin zyrtar, që të mbanin shënime autentike mbi të kaluarën e tyre.

 

Institucioni arkeologjik i At Shtjefën Gjeçovit përkundër detyrës së meshtarit, në Gomsiçe punoi mbi shtat vite, që nga fillimi i vitit 1907 deri në vitin 1914, por pas disa zënkave me drejtuesit françeskan dhe parinë e vendit, të cilët e shihnin si pengesë aktivitetin kombëtar dhe patriotizmin e madh të at Shjefnit, ai u përjashtua edhe një herë nga puna e meshtarit.

 

 

Megjithatë At Gjeçovi jo vetëm që nuk i ndaloi për asnjë moment hulumtimet arkeologjike, arsimimin e të rinjve dhe punën atdhetare, por vijoi me këmbëngulje edhe më tej gërmimet e pareshtura të vendeve historike, në të cilat do të zbulonte se visaret e vërteta kombëtare, gjendeshin të mbuluara thellë nën dheun e tokave shqiptare, kurse historia jonë e pashkruar,vërtetë mbahej e ruajtur vetëm në kujtesën dhe këngët e popullit tonë të robëruar ”!.

 

Kështu që me aktivitetin e vet të pa lodhshëm dhe angazhimin personal Shjefën Gjeçovi arriti të mblidhte mbi 500 objekte dhe artefakte të ndryshme arkeologjike që nga enët prej balte, vegla të ndryshme pune e deri te monedhat e kohës ilire, si dhe materiale të shumta etnografike duke krijuar edhe një institucion në formë koleksioni arkeologjik, të parin dhe vetmin për kohën e tij, në të gjitha trojet tona etnike.

 

Lotorja (Iacrumitarium) e At Shjefën Gjeçovit

 

At Shtjefën Gjeçovi ishte bërë emër me nam dhe aq i njohur e i respaktuar në të gjitha trojet etnike shqiptare, sa që, atë shkonin ta takonin edhe personalitetet më të njpohura të kohës, duke udhëtuar me orë të tëra këmbë deri në fshatrat më të thella malore ku ai angazhohej vullnetarisht me hulumtime historiko-etnografike, apo dërgohej të punonte.

 

 

Njëri nga burrat e mëdhenj që do ta vizitonte ishte edhe Faik Konica, i cili do të befasohej me koleksionet e rralla arkeologjike të mbledhura dhe të ruajtura me aq kujdes nga At Shtjefën Gjeçovi.

 

 

Madje me rastin e vizitës që do ti bënte Shtjefën Gjeçovit në Gomsiçe,përveç tjerash Konica mbeti veçanërisht i habitur kur mbi tryezën e at Gjeçovit, gjeti edhe një enë të vjetër të quajtur "Lotore" (Iacrumatorium), për të cilën vetëm flitej nga më të vjetërit, por për ta gjetur e dokumentuar,deri atëherë, ende nuk kishte mundur askush tjetër përveç At Shtjefën Gjeçovit.

 

 

Kjo enë- apo lotorja sipas besimeve të hershme dhe traditës së vjetër të shqiptarëve, u vihej të vdekurve te koka, ngase mendohej se edhe ata qanin, ndaj kur varroseshin u vendosej pranë koke që të kishin ku ti derdhnin lotët,për jetën e tyre të kaluar.( Faik Konica, "Ca kujtime mbi At Gjeçovin" Revista "Dielli" 18 Mars 1930.

 

Për aq më tepër, sipas shkrimit studiues të Anton Çetës me titull " Kultura shqiptare në periudhën e Rilindjes", Thesari i zbulimeve arkeologjike të At Shtjefën Gjeçovit, ishte vlerësuar lart edhe nga arkeologë dhe etnologë të njohur botëror si Maruki, Ugolini, Nopça, etj.

 

Po ashtu, shteti shqiptar në shenjë mirënjohje ndaj veprës dhe zbulimeve të tij, në vitin 1962, do ta dekretonte Shtjefën Gjeçovin si Etnografin e par shqiptar.

 

 

Është tejet interesant dhe duhet të theksohet fort fakti, se at Shjefën Gjeçovi ishte aq atdhedashës e patriot i madh kombëtar, sa që edhe në kapitujt dy-dhe tre të librit "Agimi i Qytetnisë" botuar më 1910 në Shkodër, la Sakrilegjin e tij të pavdekshëm i cili vlen shumë edhe për ditët e sotme ndër shqiptarët kudo, në të cilin shkruante: "Një shërbyes fetar me gjithë punën e mirë që mund të bëj,nuk duhet të quhet “ shenjt” nëse ai nuk është edhe atdhetarë!.

 

Kongresi i Alfabetit

 

Më 23 korrik të vitit 1908, tubimi i mbi 30 mijë bashkëkombësve nga Isa Buletini në Ferizaj dhe ultimatumi dërguar Sulltan Hamitit të dytë, që ose të rikthente kushtetutën ose shqiptarët do të nisnin kryengritjen dhe mësynin Shkupin, detyruan atë, të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja,ku do të fitonte partia e turqve të rinj, (xhonturqit) që u kishte premtuar më shumë të drejta kombëtare dhe shkolla në gjuhën shqipe edhe shqiptarëve.

 

Kështu që përderisa u forcuan në pushtet, fillimisht,xhonturqit u detyruan ti mbanin premtimet e dhëna, ndaj nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir u organizua kongresi i shkronjave shqipe, ku u vendos për një alfabet të përbashkët kombëtar.

 

Alfabet i cili do tu mundësonte të gjithë shqiptarëve, klubeve të tyre kombëtare dhe shkollave në gjuhën amtare që do të hapeshin me shpejtësi gjithandej ku flitej shqip, të mësonin dhe shkruanin e lexonin me ABC-n, e tyre të njësuar kombëtare.

 

Krijimi i Alfabetit Kombëtar,jo vetëm se do ta gëzonte shumë edhe patriotin e denjë dhe mësuesin e shquar At Shtjefën Gjeçovi, por ai këtë ngjarje me rëndësi jetike për shqiptarët dhe gjuhën e tyre amtare, do ta merrte edhe si grishje për çlirim të trojeve tona etnike, nga sundimit mese 500 vjeçar turk.

 

Shtjefën Gjeçovi luftëtar

 

Në fakt At Shjefën Gjeçovi, që nga viti 1900, kishte lëshuar kushtrimin për lirinë e shqiptarëve me thirrjen “Ngreu Shqypni”:

Ndërsa nga momenti kur u miratua Alfabeti,jo vetëm se do të interesohej shumë për studimin e kryengritjeve kombëtare, por ai edhe pse i veshur në petkun fetar, në vitet 1909– 1912,derisa shërbente në Gomsiçe do të hidhej edhe vet në luftën për liri duke marrë pjesë të drejtpërdrejt dhe aktive për afro një javë,me pushkë në dorë në luftimet e ashpra të Gomsiçes, detajet e së cilës do ti përshkruante në shënimet e veta "Djaloshi nga Gojani". 

 

 

Ja një nga strofat e kushtrimit të At Gjeçovit për lirinë e shqiptarëve; “Ngreu Shqypni”!:

 

-Ngrihuni burra, çonju trima!

-Për Shqypni ta derdhim Gjakun!

-Në luftë shqyptarë porsi vetima

 -Liri të lypim, të lypi  hakun!

 

 

Kjo dëshmon më së miri se megjithëqë ai ishte famullitar, kur u vu në pyetje liria dhe fati i atdheut, At Gjeçovi nuk hezitonte ta kapte edhe pushkën për mbrojtjen e tij.

 

Madje, duke përjetuar rëndë robërinë e vendit dhe bashkëkombësve të vet, veçanërisht me rastin e okupimit të Kosovës nga Serbia, At Gjeçovi lëshoi botërisht thirrjen publike:

 

"Atdheu është mbi të gjitha, mbi fetë dhe jetërat!

Të cilën e pasuroi me sakrilegjin e tij, të shprehur në formë të kushtrimit kombëtar, se;

 

"Një shërbyes fetar me gjithë punën e mirë që mund të bëj, nuk duhet të quhet “ shenjt” nëse ai nuk është edhe atdhetarë!

 

 

Ky sakrilegj monumental i at Shjefën Gjeçovit, ndikoi aq fuqishëm edhe te klerikët tjerë kombëtar, sa që të gjithë njëzëri, që atëherë u deklaruan publikisht, se: "Pa atdhe nuk ka fe"!

 

 

Flamuri i ngritur nga At Gjeçovi mbi Vaun e Dejës


Në kohën e tij, vendi përjetonte krajata të mëdha vuajtje e mjerimi, në përpjekjet për liri dhe çlirim.

Ndaj përveç faktit se ai nuk hezitoi që edhe me pushkë në dorë të luftonte krah për krah me kryengritësit shqiptar kundër armiqve dhe pushtuesve të atdheut, për të dëshmuar patriotizmin e tij të flakët, pas ngritjes së flamurit në Vlorë, edhe at Shtjefën Gjeçovi do ta ngrinte Flamurin Kombëtar mbi Kalanë e Dejës, duke shpalosur kështu tërë dimensionin e vet të njëmendtë kombëtar!

 

Përpjekjet e at Gjeçovit për shuarjen e gjaqeve

 

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Shtjefën Gjeçovi, i vuri edhe një detyrë shtesë vetes dhe u mundua me mish e me shpirt për mbylljen e një plage të vjetër të kombit si shuarja e gjaqeve në mes të shqiptarëve.

 

 

At Shtjefni do të merrej seriozisht edhe me studimin e hakmarrjeve në trojet tona etnike duke shpresuar në gjetjen e "ilaçit" adekuat për shërimin e kësaj plage të rëndë kombëtare.

 

Por fatkeqësisht as kjo nismë e shenjtë,e At Gjeçovit nuk do ti pëlqente qendrës françeskane në Shkodër, e cila vetëm për këtë shkak do të përjashtonte sërish patriotin Shtjefën Gjeçovi nga puna.

 

 

Madje me gjithë reagimet e mëdha të fshatarëve dhe kërkesat e tyre këmbëngulëse për kthimin e tij, paria pro-italiane françeskane, pa të drejtë, do ta linte At Gjeçovin gjatë gjithë vitit 1914,pa punë.

 

I lodhur dhe mbetur pa asnjë mbështetje, në vitin 1916, Shtjefën Gjeçovi do të shkonte në pjesën më të varfër, të shkatërruar nga lufta dhe të vërshuar edhe nga sëmundja e kolerës, në Theth ku do të hapte një shkollë shqipe duke bërë jetën e rëndë të skamjes së madhe bashkë me banorët vendor.

 

 

Për aq më tepër, në mungesë të bukës, ai mundohej ti ushqente fshatarët me dije,në mënyrë që të mësoheshin të luftonin për të drejtat e tyre,një jetë më të begat dhe të ardhme mirë të mirë për ta dhe fëmijët e vet, të cilët mezi u mbijetonin varfërisë dhe kushteve të rënda të jetesës.

 

Hero i shkollave shqipe

 

At Shtjefën Gjeçovi, sapo ishte familjarizuar me jetën e vendit dhe banorët e varfër të Thethit, ende pa përfunduar vitin, nga paria françeskane do të detyrohej të shkonte në një vend jo vetëm të varfër por edhe shumë të rrezikshëm për jetën, si në Prekal ku asokohe vepronin shumë banda dhe grupe të ndryshme haraqegjinjësh.

 

Kështu që në vitin 1917, ai do të vendosej në Prekalin e varfër e të shkatërruar,ku nuk mund të gjente qetësi edhe nga cubat e shumtë që vepronin në ato anë.

Madje përveç se pareshtur kishte punë me ta, atij i duhej edhe ti diktonte se cilët kishin marr malin nga zori për të shqyrtuar mundësit e kthimit të tyre në jetën normale, e cilët ishin të nxitur dhe paguar nga bajraktarët e rretheve për të krijuar probleme për llogari të tyre.

 

Por edhe përkundër krejt fatkeqësive që e rrethonin dhe me të cilat ballafaqohej, At Gjeçovi nuk mund të jetonte pa shkollë e pa nxënës ndaj që në shtatorin e vitit 1917, ai do të hapte edhe aty një klasë mësimi, në të cilën do të punonte gjithë ditën pa pagesë,duke jetuar me bukën që i ofronin fshatarët, para dite me djem dhe pasdite me vajzat e fshatit që të mësonin shkrim-leximin në gjuhën amtare.

 

 

Për aq më keq, mësues Gjeçovi jo vetëm se nuk paguhej nga askush por edhe kërcënohej në vijimësi, për ndalimin e punës së tij si mësimdhënës.

 

Ndaj duke parë se ai nuk ndalonte punën me mësimin e fëmijëve shqiptar aty, në vitin 1919, pas 36 vitesh të kaluara, At Shtjefën Gjeçovi do të transferohej sërish në Troshan të Lezhës, ku kishte zhvilluar edhe vet mësimet si fëmijë i ardhur nga Kosova. 

 

 

Gjatë shërbimit në Troshan, ai rifillon edhe një herë studimet arkeologjike të vendit duke studiuar dhe përshkruar me shumë hollësi lashtësitë e këtyre trojeve ku me punën e tij të palodhshme do të mblidhte mbi 500 objekte arkeologjike, nga periudha të ndryshme kohore me vlera të çmuara historike dhe kombëtare.

 

Por për të penguar dhe lënë në gjysmë punët e tij të nisura e rinisura disa herë, në pjesën e dytë të muajit prill të vitit 1920,me shpresën se shenjti At Gjeçovi,do të afrohej me italianët dhe largohej nga çështja kombëtare, do të dërgohej për të shërbyer në Vlorë, e cila atëbotë mbahej e pushtuar nga Italia. 

 

Ndërsa At Shtjefën Gjeçovi, me të arritur atje, do të kërkonte menjëherë lirimin e objekteve fetare nga italianët, për çka ra në konflikt të hapur së pari me kryepeshkopin e Durrësit-Bianki, e pastaj me qendrën françeskane në Shkodër dhe vet Vatikanin.

 

Për këtë arsye, Vatikani urdhëroi kryepeshkopin Bianki, që At Shjefën Gjeçovit,të mos i lëshonte leje pune në Vlorë, duke detyruar edhe qendrën françeskane në Shkodër që ajo të mos i paguante rrogën Gjeçovit,për shkak se komanda e ushtrisë pushtuese italiane ishte ankuar në Vatikan se At Shtjefën Gjeçovi ishte shumë prift nacionalist dhe i pa dëshirueshëm për ta.

 

Akuzat e rrejshme kundër Gjeçovit

 

Përveç asaj që At Shtjefën Gjeçovi, ishte penguar të punonte në Vlorë, ku kishte kaluar dit e net edhe pa ngrënë bukë, nga qendra françeskane në Shkodër pa fije turpi, kishin filluar ta akuzonin këtë patriot të denjë kombëtar edhe si "serb" e hajn?!, megjithëse për disa kohë, ata nuk i kishin paguar atij as rrogë!

 

Madje,përveç mos pagesës së rrogës, ata At Gjeçovit nuk ia kishin hequr as shpenzimet e udhëtimeve të tij nga Shkodra në Vlorë dhe anasjelltas edhe pse vet e kishin dërguar për të shërbyer atje.

 

Ndaj, Faik Konica i madh në shkrimin me titull "Ca kujtime mbi At Gjeçovin" botuar më 18 Mars të vitit 1930,tek revista "Dielli", duke e njohur mirë ndershmërinë dhe karakterin burrëror të At Shjefën  Gjeçovit, i brengosur thellë mbi shpifjet që i bëheshin pa të drejt këtij atdhetari të madh të kombit, do të shkruante me  dëshpërim:

 

At Gjeçovi ishte burrë i ditur dhe shqiptar i kthjellët të cilit i përkiste çdo mirësi....Por në vend të kësaj atij nuk i mungoj asnjë hidhërim dhe asnjë çpifje, edhe nga ato më të çuditshmet, deri te të mohuarit se ai ishte Shqiptar,vetëm se kishte lindur në një kufi ku mbaron Shqipëria e sotme dhe nis një tjetër ...( Faik Konica, "Ca kujtime mbi At Gjeçovin" Revista "Dielli" 18 Mars 1930)

 

Megjithatë, Shtjefën Gjeçovi,ashtu si mundi, do të qëndronte në Vlorë deri në çlirimin e saj, ku mblodhi shënime me rëndësi të luftës dhe kryengritjes kombëtare kundër pushtuesve italian të Vlorës, duke i botuar ato në shtypin e kohës.

 

Kjo do ti kushtonte ndëshkime të reja nga Vatikani dhe paria e Kishës françeskane në Shkodër, At Shtjefën Gjeçovit duke e dërguar atë nëpër vendet më të vështira dhe pothuajse të pa arritshme për shërbim.

 

 

Kështu që nga Vlora ku, përkundër të gjitha vuajtjeve dhe urisë e punës pa rrogë, ai kishte krijuar shumë miq dhe emër shembullor për patriotizmin e tij të pashoq, pas vetëm 8 muajsh,atë do ta dërgonin për të shërbyer në Rubik të Mirditës, vend në të cilin kishte punuar mbi 20 vite më parë.

 

Kthimi në Kosovë

 

Shtjefën Gjeçovi, në vitin 1926, përfundimisht do të dërgohej të punonte në Gjakovë dhe nga Gjakova në fillim të muajit korrik të vitit 1928, ai u transferua në Zym të Hasit, ku shërbeu me devotshmëri jo vetëm si prift por edhe mësues, deri me vrasjen e tij barbare në vitin 1929. 

 

 

Dita e vrasjes së tij, ishte dita më e kobshme si për At Shjefën Gjeçovin, ashtu edhe për shkollën shqipe në Zym e Has, si dhe të gjithë shqiptarët e të dy besimeve fetare që e donin dhe respektonin më shumë se cilindo burrë tjetër në ato anë, megjithëse ai nuk kishte shumë kohë që jetonte dhe punonte në rajonin e Hasit.

 

Vetëm fakti se që nga fillimi i punës në këtë famulli, ai nisi të bisedonte me banorët vendor dhe organizonte rezistencën rajonale kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi , si dhe në shkollat e hapura prej tij, mësonte fëmijët shqiptar të të dy besimeve fetare, përveç hasmërisë së françiskanëve ndaj tij, At Shjefën Gjeçovin e armiqësuanë veçanërisht shumë edhe me okupatorët serb të Kosovës, sa edhe u vra nga xhandarmëria kriminale serbe.

 

Në Zym okupatorët kishin hapur edhe një shkollë në gjuhën serbe, por shqiptarët iknin nga shkolla e pushtuesit dhe shkonin te mësuesi Shtjefën të mësonin në gjuhën amtare të tyre.

 

Ndaj At Gjeçovi vetëm pse u mësonte gjuhën shqipe fëmijëve dhe të rriturve shqiptar kishte rënë në konflikt të hapur jo vetëm me organet shtetrore të pushtuesit por edhe me të dërguarin e tyre aty, të ashtuquajturin "uçitelj"sllav, apo thënë shkurt e shqip, me mësuesin e okupatorit serb, i cili akuzonte At Gjeçovin se po ia merrte nxënësit, të cilët iknin nga ai dhe shkonin te At Shjefën Gjeçovi për të mësuar shqip.

 

Për aq më keq, mësuesi serb, jo vetëm se i quante shqiptarët njerëz me bishta të cilët nuk guxonin të mësonin gjuhë tjetër përveç gjuhës së pushtuesit nga karpatet dhe alfabetit sllavo-cirilik, por ai nuk kishte hezituar që edhe para At Shtjefën Gjeçovit, ta shante shkollën shqipe dhe nënën shqiptare.

 

 

Ky gjest jonjerëzor e i paprecedent i mësuesit idiot sllav, me gjithë përmbajtjen e madhe dhe faktin se ai ishte prift, e kishte nxjerrë tërësisht nga kontrolli At Shtjefën Gjeçovin dhe detyruar të reagonte furishëm duke i dhënë një shpullë të nxehtë e të merituar kriminelit të ashtuquajtur mësues serb.

 

 

Mësues të tillë të okupatorit, pothuajse në të gjitha rastet nuk ishin asgjë tjetër, përveçse pjesëtar të stërvitur të sigurimit shtetëror të Serbisë dhe mbretërisë jugosllave,të cilët më shumë se "mësues" vepronin si vëzhgues dhe kontrollues të gjendjes në terren, në vendet ku ata dërgoheshin të "punonin".

 

Vrasja e Shenjtit at Shtjefën Gjeçovi

Pas këtij rasti, At Shtjefni ishte thirr nga xhandarmëria serbe në Prizren, fillimisht kinse për tu marr në pyetje, për shpullën e dhënë spiunit serb.

 

Por kur ai arriti në zyrat e tyre, xhandarët e pushtues përveç maltretimit për rastin në fjalë, pikësëpari i kërkuan atij që menjëherë ta mbyllte shkollën shqipe.

 

 

Pastaj e kërcënuan që urgjentisht të distancohej dhe ndërpriste të gjitha kontaktet me vëllezërit shqiptar të besimit fetar musliman, tek të cilët gëzonte shumë nderim, mbështetje e respekt dhe ata ndanin edhe kafshatën e gojës me të.

 

Si dhe të ndalonte tërësisht komunikimin me ta dhe nga ai moment, të mos guxonte të ndikonte më, që ata të mos shpërnguleshin në Turqi, por tash e tutje të merrej vetëm me punët e Kishës dhe asgjë më tepër.

 

 

Ndaj At Shjefën Gjeçovi ishte ndjerë aq i prekur dhe ofenduar nga kërkesat e xhandarëve të okupatorit, sa që aty për aty, u ishte përgjigjur me vendosmëri atyre dhe naqellnikut në Prizren, se jo vetëm që nuk do ta mbyllte shkollën shqipe për asnjë çmim, por ai ishte njeri i fjalës dhe besës i cili e donte më shumë popullin pa dallim feje dhe atdheun e vet, se sa jetën e tij.

 

 

Kështu që duke parë pathyeshmërinë e At Shjefën Gjeçovit, organet kriminale të pushtuesve serb, kishin bërë sikur po e lironin të dilte nga objekti i tyre dhe shkonte në punë të vet, ndërsa në anën tjetër, kishin urdhëruar xhandarmërinë, që gjatë kthimit të tij, nga Prizreni për në Zym të Hasit, t`ia zinin pritën dhe vrisnin në pjesën malore të rrugës nga ai duhej të udhëtonte.

 

Informimi dhe këshillimi me përfaqësuesit e Kishës françeskane në Prizren

 

Me tu larguar nga zyrat e xhandarmërisë serbe, At Gjeçovi kishte shkuar në selinë françeskane të Prizrenit, për ti informuar edhe ata lidhur me konfliktin që i kishte ndodhur me xhandarmërinë e okupatorit.

 

Mirëpo At Shjefni, jo vetëm që nuk kishte hasur në mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre, por ata e kishin pritur shumë ftohtë e kritikuar ashpër, si dhe akuzuar se kinse ai me "kokëfortësinë" e tij, po ua prishte harmoninë me “pushtetin” dhe shkaktonte telashe edhe atyre.

 

 

Madje ata jo vetëm që ishin sjellë shumë keq me të, por as nuk i kishin ofruar vend At Shtjefën Gjeçovit që të paktën, atë mbrëmje ta kalonte aty dhe të mos e bënte gjithë atë rrugë natën nëpër errësirë, duke ditur mirë, rrezikun për jetë, që i kërcënohej atij.

 

Vrasja e At Shjefën Gjeçovit

 

Rruga e gjatë të cilës ai duhej të shkonte jo vetëm se ishte përpjetë dhe me plot lakore, por me kilometra të tërë, shtrihej vetëm nëpër male.

 

 

Kështu që në mbrëmjen e kobshme të 14 tetorit të vitit 1929, me të rënë muzgu, xhandarmëria serbe ishte kujdesur që nga vendi ku ata po i përgatisnin pritën, ti përzinte para kohe barinjtë, të cilët prisnin At Shjefnin të kthehej nga qyteti dhe nuk lejonin njeri tjetër të kalonte andej pari, asaj pjese të malit.

Ata i kishin zënë pritën At Shtjefën Gjeçovit, në pjesën më delikate të rrugës, ku ai edhe po të donte,më nuk mund të mënjanohej.

 

Kështu që me të arritur në vendin e quajtur Kodra e Rrezinës, derisa ai ecte i vetmuar këmbë, me thesin plot libra mbi shpinë, rrugëve malore në drejtim të fshatit Zym, barbarët, e kishin ndaluar dhe fillimisht ishin përpjekur t`ia hiqnin thesin me libra nga dora, por megjithëse e kishin kërcënuar se do ta vrisnin, ai nuk ua kishte lëshuar.

 

 

Madje ata ishin tërbuar fare, kur At Gjeçovi, përveçse nuk ua kishte lëshuar thesin me libra, duke e kuptuar se pse ata i kishin dalë në pritë mu aty, u kishte thënë se unë e di që keni dalë për të më vrarë, por ju mund të më vrisni vetëm mua, ndërsa shkolla shqipe dhe populli shqiptar, do të jetojnë përgjithmonë!

 

 

Të tmerruar nga fjalët e tij, xhandarët kriminel jo vetëm që do ta vrisnin por edhe masakronin, duke u hakmarrë në mënyrën më makabre, për të mos lejuar shenjtin Shtjefën Gjeçovi që të arrinte më kurrë i gjallë në vendin që ishte nisur dhe fshatin ku vepronte si famullitar dhe mësues i gjuhës shqipe.

 

 

 Kujtimet e bukura për At Shenjtin Gjeçovi

 

Sipas fjalëve autentike që njerëzit më të vjetër me dhembje e nostaligji në zemër tregonin, veçanërisht ata të cilët kishin pasur fatin e mirë që ta njihnin edhe personalisht At Shtjefën Gjeçovin, thuhet se ai ishte shumë njeri i mirë dhe i dashur me të gjithë, e në mënyrë të veçantë me fëmijë, të cilët i donte dhe e donin pa masë.

 

Sidomos vogëlushët, rregullisht i dëshironin atij rrugë të mbar sa herë që e shihnin të shkonte në Prizren dhe uronin atij me gjithë zemër-mirëseardhje, kurdo që ai të kthehej prej andej.

 

Ndaj, përveç asaj nate kobzezë në të cilën xhandarët serb, At Gjeçovin me qëllim që ta zinte nata në rrugë, e kishin vonuar, ai e kishte bërë parim, kurdo që shkonte në qytet, të nxitonte e kthehej pak më herët, të ndalonte në Kodrën e Rrezinës dhe ulej aty nga një orë e dy me barinjtë e vegjël, që t`ua mësonte shkronjat e alfabetit shqip edhe në mal, ku ata ruanin bagëtinë.

 

 

Madje edhe pse nxënësit e tij barinj, nuk kishin laps as fletore, mësues Shtjefni,i kishte mësuar ata të shkruanin në rrasat e malit me fingij zjarri.

 

Kështu që “nxënësit” e tij të disiplinuar, mbanin të gatshme rrasat e pastruara e disa jo vetëm fingij por sillnin edhe ndonjë unë të vogël nga oxhaku i shtëpisë të mprehur, për të qenë sa më të përgatitur që ti shkruanin germat e reja,të cilat do tu diktonte mësuesi i tyre i shtrenjtë At Shjefën Gjeçovi.

 

Këta fëmijë ishin familjarizuar aq shumë me Gjeçovin, sa që kur ai ulej këmbëkryq në mes të malit, ata që ishin më të vegjël, rendnin qetësisht që të uleshin sa më afër dhe mbështeteshin nga të dy anët, në këmbët e tij, e ndonjëri merrte guximin nga butësia prindërore që ai tregonte edhe të ulej në prehrin e mësuesit.

 

Kishte të atillë që kur ai vinte,ia hidhnin edhe duart në qafë, kurse ata më të vegjlit do t'ia lëmonin me shumë dashamirësi mustaqet e zeza të at Shtjefën Gjeçovit.

 

Ndërsa, mësues Shjefni, secilit nxënës fillestar që kishte vështirësi në të shkruarit e germave, ia kapte dorën pa përtesë dhe ndihmonte ata për shkrimin e drejtë të shkronjave të para të gjuhës amtare shqipe.

 

Aktet e tij ,At Shtjefnin do ta bënin shumë të dashur për të gjithë banorët e zonës,sa që nuk ishin të rralla rastet kur ata të cilët kishin në asokohe qerre dhe kuaj, ti ngjisnin vetëm që ta qonin atë në qytet dhe sillnin nga andej, deri atje ku mund të shkohej me qerre e kuaj.

 

Madje megjithëse shumica e fshatarëve atëbotë jetonin në skamje të madhe dhe ishin mote kur pak kush kishte kafe e sheqer në shtëpi, Shtjefën Gjeçovi ishte bërë pjesë e pandashme e shpirtit të atyre njerëzve të vuajtur.

 

Ai jo vetëm se kuptonte deri në hollësi hallet dhe skamjen e njerëzve në ato anë, por nuk përtonte të ulej edhe tek vatra e zjarrit gjatë dimrit, apo në oborr mbi cung të druve, gjatë verës, për të këmbyer ndonjë fjalë me ta dhe biseduar për hallet e tyre.

 

Ndaj ishte pothuajse njeriu i vetëm, që secili banor e thërriste me shumë dashamirësi, të kthente për të pi një "pikë" uji, apo ngrënë një kafshatë buke misërnike, qoftë edhe "thatë" ashtu siç e hanin edhe shumica popullit, nga skamja e asaj kohe.

 

Veçanërisht fëmijët, çdo herë ruanin diçka për mësues Shtjefnin, madje edhe ujin që e merrnin kur shkonin ti ruanin bagëtin në mal,nuk e pinin për vete, të cilin familjet e kishin me "grat" dhe duhej ta bartnin mbi shpinë me kilometra largësi, apo bukën e mangët një pjesë të së cilës do t`ia ruanin përherë mësuesit. 

 

Kurse gjatë vjeshtës, ata do të shqyheshin nëpër degët e pemëve, duke u munduar të marrin ndonjë mollë, dardhë apo edhe “kalavesh”rrush, për At Shjefën Gjeçovin.

 

Kështu kishin vepruar edhe më 14 tetor të vitit 1929, kur si çdo herë më parë, fëmijët kishin rezervuar shumë gjëra për At Shtjefnin, kishin renditur njërën pas tjetrës edhe rrasat për mësimin e radhës dhe prisnin me padurim me fingij në dorë ardhjen e mësuesit të tyre. 

 

 

Por atë ditë xhandarmëria serbe kishte përzënë të gjithë, fëmijët nga ajo pjesë duke ua thyer edhe rrasat e pastruara dhe të radhitura nga ata për të shkruar shkronjat e reja.

 

Ndaj, kësaj radhe më kot kishin shpresuar, ta takonin mësuesin e tyre, që sa herë e shihnin duke ardhur nga larg, vraponin për ta përqafuar secili më parë se tjetri, si prindin e vet më të mirë.

Shtjefën Gjeçovi, atë ditë jo vetëm se kishte refuzuar ta mbyllte shkollën shqipe, por ai kishte mbushur dhe një thes me libra, duke menduar ta furnizonte shkollën dhe t`ua shpërndante ndonjërën edhe nxënësve të vet të mirë.

 

Por në momentin që nuk kishte parë fëmijë as barinjtë andej nga ai kalonte, të cilët e prisnin atë edhe deri vonë të vinte, ai e kishte marrë me mend dhe para ndjerë të keqen që mund ti ndodhte, megjithatë nuk ishte kthyer.

 

Kështu që me të kaluar pjesën malore të rrugës, kur tanimë ishte afruar ti kalonte malet e fshatit Krajk e Gjonaj, pak para se të hynte në arat e fshatit Zym, pikërisht në vendin e quajtur "KODRA e RREZINËS, aty i kishte zënë pritë xhandarmëria kriminale serbe e cila do ta masakronte At Shjefën Gjeçovin pa asnjë mëshirë, dhe lante Kodrën e Rrezinës me gjakun e tij të pafajshëm.

 

Me gjithë përpjekjet që t`ia nxirrnin thesin me libra nga dora, ai nuk e kishte lëshuar, dhe pas kacafytjeve me ta, njëri nga xhandarët kriminel,pa një pa dy, kishte shkrepur pushkën mbi trupin e At Shtjefën Gjeçovit,me ç`rast plumbi i shkaut do ta vriste mësuesin patriot, shponte anë e përtej thesin  me libra dhe përgjakte fletët e tyre me gjakun e pa fajshëm të këtij atdhetari të denjë të kombit.

 

Fatkeqësisht, përkundër krismave të pushkës, pak kujt i kishte shkuar ndër mend se kriminelët serbo-sllav mund të shkonin aq larg, sa ta vrisnin edhe shenjtin Shtjefën Gjeçovi.

 

 

Madje sipas tregimeve nga më të moshuarit, që kanë përjetuar ato kohë të vështira, megjithëse banorët shqiptar e dinin mirë se çdo të thoshte edhe vetëm ti takosh xhandarët serb në rrugë, të cilët po ti përshëndetje të rrihnin pse fole me ta, e po të mos i përshëndesje, të rrihnin përse nuk fole, ata ende shpresonin se ajo xhamë nuk do ti kishte ndodhur pikërisht At Shjefën Gjeçovit.

 

Pasi që atë mbasdite deri vonë në mbrëmje xhandarmëria pushtuese serbe nuk kishte lejuar askënd të afrohej andej pari, as kalonte përskaj vendit të ngjarjes, të nesërmen, barinjtë e vuajtur, nxënësit e dashur të Shtjefën Gjeçovit, do të ngjiteshin të parët me nxitim te Kodra e Rrezinës,ku përveç shenjave ende të freskëta të gjakut dhe ndonjë flete të shqyer libri të cilën e kishte bartur era nga vendi i vrasjes, nuk do të gjenin më asgjë tjetër.

 

Por dikush nga barinjtë më të rritur, u kishte dhënë edhe më të vegjëlve, lajmin e trishtuar për vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit, nga kriminelët serb.

 

 

Ndaj, që nga ai moment me dëshpërim në zemër, çdo mbasdite në vendin e vrasjes së tij,sipas traditave të vjetra shqiptare, të rinjtë dhe banorët e vendit, mblidheshin për të sjellë secili nga një gurë, në vendin ku ishte vrarë ky hero i kombit dhe mësimit të shqiptarëve, në shenjë nderimi për rënien heroike të At Shtjefën Gjeçovit i cili nuk u ndal së punuari, deri në momentet e fundit të jetës së tij tragjike, për kulturën,traditën, gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare.

 

Dekorimi me çmimin "Doktor Honoris Causa"

 

Shtjefën Gjeçovi ishte shkrimtari i par shqiptar, i cili mblodhi të drejtën kanunore të vendit, dhe shkroi “Kanunin e Lek Dukagjinit" të cilin me shumë punë e durim e voli nga goja e popullit. Për këtë vepër At Shjefën Gjeçovi do të nderohej me çmimin "Honoris Causa" edhe nga Universiteti i Lajpcigut, në Gjermani.

 

Shtjefën Gjeçovi, përshkroi në mënyrë të detajuar traditat kombëtare, doket popullore dhe mblodhi pjesë ligjesh të pashkruara kanunore të cilat ishin norma juridike të shqiptarëve që nga mesjeta siç do të thoshte Faik Konica, derisa shprehej për njohurit e mëdha të Kanunit nga Shtjefën Gjeçovi.

 

 

Pra siç u cek edhe më lart, ai ishte edhe mbledhës i të drejtave kanunore të shqiptarëve, i cili pas një pune të gjatë arriti ta kthente në vepër të shkruar tër Kanunin Arbëror, por nuk mundi edhe ta botonte për gjallje të vet, ndaj vepra e tij më madhore, do ta shihte dritën vetëm pas vdekjes së At Gjeçovit, më 1933,kur dhe u botoua me titull " Kanuni i Lekë Dukagjinit"!

 

Përveç shpalljes nga shteti amë më 1962, "Etnograf i parë", Urdhërit "Për veprimtari patriotike" dhe Urdhërit "Naim Frashëri" të klasit të parë, për përgatitjen e Kanunit dhe veprën "Trashëgime Thrako-Iliriane" të cilat pas botimit do të përktheheshin edhe në gjuhën gjermane, At Shjefën Gjeçovi do të dekorohej post mortum, me çmimin "Doktor Honoris Causa",edhe nga Universiteti i Laipcigut në Gjermani.

 

Shtjefën Gjeçovin nuk e pengoi as petku fetar që të ishte mësues, shkrimtar, përkthyes, arkeolog,,folklorist ,poet dhe patriot i flakët kombëtar dhe për 26 vite me radhë të punonte me aq zell e përkushtim për arsimimin dhe edukimin kombëtar të nxënësve shqiptar në Shqipëri e Kosovë dhe deri në Zar të Dalmacisë ku edhe atje, do të udhëhiqte për 6 muaj kurset që zhvilloheshin në gjuhën shqipe.

 

I lindur në kohën e lavdishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe rritur e mbrumur me idealet e saj të pavdekshme atdhetare, At Gjeçovi jo vetëm se punoi me mish e me shpirt, deri në vrasjen e tij tragjike, për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë tonë mbarëkombëtare, por ishte dhe mbeti korife i pavdekshëm i shkollës shqipe, arkeologjisë, edukimit, kulturës dhe historisë gjithëshqiptare. 

 

 

 

Veprat kryesore të At Shtjefën Gjeçovit:

 

1.Dashtunia e Atdheut (dramë) 1901

2. Mënera e Prezës 1902

3.Shqiptari Ngadhënjyes 1904

4.Princi i Dibrave apo Mojsi Golemi 1904

5.Përkrenarja e Skënderbeut

6.Kanuni i Maleve, i cili do të botohej pas vdekjes më 1933

7.Parradija e Popullit ose Kryengritja e Dheut, dorëshkrime nga 1903-1906.

 

Mirënjohjet me të cilat u nderua Shtjefën Gjeçovi:

 

1. Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit

2. Monumenti i Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit.

3.Dekreti i Shtetit "Etnograf i parë"

4.Urdhëri "Për veprimtari patriotike" dhe

5.Urdhëri "Naim Frashëri" i klasit të parë 

 

Burimiet:

1 – , Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), www.shqiperia.com pa autor
2– Karl Gurakuqi, Shtjefën Gjeçovi (1874-1929)-Jetëshkrimi veprimtaria,(Marr nga Shkrimtar Shqiptar-1941),www. forumishqiptar.com
3 – Wikipedia (Enciklopedia e lire), Shtjefën Gjeçovi
4 – Ndoc Kamsi,Shtjefën Konstantin Gjeçov,Shkëput nga Revista “Shkodra”,www.forumishqiptar.com

5 – Faik Konica,”Ca kujtime mbi At Gjeçovin”,
6– At Gjeçovi, “Agimi i Gjytetnisë”,Shkodër,1910

(Kosova Sot Online)