Ku gaboi Albin Kurti?

Ku gaboi Albin Kurti?
Ku gaboi Albin Kurti?

Liri Loshi

  • 20 October 2019 - 17:04

Kur ka bërë koalicion me PDK-në, lidershipi i LDK-së ka genjyer antarësinë e vet se ashtu ishte qëndrimi i amerikanëve. Tash ata i bëjnë shantazh Vetëvendosjes me të njëjtin justifikim, sikur Amerika iu thotë se duhet pasur kujdes kur bëni koalicion me Vetevendosjen!

 E vërteta e parë është se Albin Kurti tash për tash është lideri më i besueshëm shqiptar si për shqiptarët, si për europianët, si për amerikanët. E vërteta e dytë është se LDK mbetet parti e dytë që nga viti 2008 e këndej, së pari pas PDK-së dhe së dyti pas Vetvendosjes, pa një perseketivë për të dalë e para ndonjëherë. Kot flasin për kualitetin kadrovik, sepse atë e ka vlerësuar sovrani dhe e ka pozicionuar në vendin e dytë.

Albin Kurti ka bërë një gabim shumë të madh strategjik e ky është përkushtimi i tij për koalicion parazgjedhor me LDK-në. Kjo i ka kushtuar atij me faktorizimin e LDK-së, e cila opozitën po e bënte duke mrizuar në parlament si një tufë delesh nën hijen e lisit! Kjo i bie që Albin Kurti ka shprehur njëlloj pasigurie në forcën politike të partisë së vet dhe ka llogaritur gabimisht në LDK-në si parti më e fuqishme në Kosovë, e cila u pa qartë se nuk ishte. Me një taktikë të njëjtë, për shembull duke e vendosur Vlora Çitakun në pozicionin e kandidates për kryeministre, siç ka bërë LDK me Vjosa Osmanin, pozitën e LDK-së ka mundur ta kishte PDK-ja.

Pra, pasiguria i ka kushtuar Albin Kurtit në këto zgjedhje, pavarësisht se Vetëvendosje është fituese. Po të kishte qenë krejt kohën i përkushtuar dhe i fokusuar në forcimin e partisë së tij, tani do ta kishte një pozitë edhe më të mirë dhe do të ishte më komod në të gjitha kalkulimet e tij për ta bërë qeverinë. Sepse, populli kërkonte një parti që kishte guxim dhe vendosmëri për ta bërë ndryshimin dhe ai e kishte kuptuar qartë se kjo parti nuk ishte LDK-ja. 

Sido që të jetë, Albin Kurti përseri është në pozitë të mirë për të mos qenë i shantazhuar dhe nuk besoj se përgjigja e tij ndaj makinerisë shantazhuese të LDK-së do të jetë me shtrirjen e qafes. Për LDK-në këto zgjedhje kanë qenë moment historik që t’i fitonte ato dhe të legjitimohej si një faktor kyq në politikëbërjen kosovare. Por, ajo nuk ka qenë e zonja dhe ka deshtuar ta kapë momentin. Një shans të tillë nuk mund ta ketë më, të paktën jo edhe një dekadë. LDK mund të kalkulojë e të manovrojë sa të dojë, por ajo nuk mund të shantazhojë. E ardhmja politike e Kosovës bazohet në Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen dhe jo në LDK-në.

(Kosova Sot Online)