Pazaret e Isës

Pazaret e Isës
Pazaret e Isës

Liri Loshi

  • 03 November 2019 - 15:23

Isa Mustafa: “Vjosa është ende kandidate për kryeministre!”

Kjo shqip do të thotë se Isa nuk e pranon Albin Kurtin për kryeministër, nëse Albini nuk e pranon Isën për president!

Isa Mustafa: “Nëse nuk arrijmë marrëveshjen me Vetëvendosjen, LDK mbetet në opozitë!”
Kjo shqip do të thotë se Isa Mustafës nuk i intereson fati i Kosovës, por i intereson që me çfarëdo çmimi ta mbyllë karrierën e tij politike si president i Kosovës.

A duhet edhe Albini t’i përgjigjet Isës duke shikuar vetëm interesin e tij personal?! E, interes personal i Albin Kurtit do të ishte dështimi i formimit të qeverisë në mënyrë që të shpalleshin zgjedhjet e reja. Nëse ndodh kjo, Vetëvendosje do të dilte me mbi 40 deputetë. LDK nuk e ka një kandidat tjetër që do ta zëvendësonte Vjosën për ta arritur maksimumin e votave dhe nga një fuqi afërisht e barabartë me Vetëvendosjen që ka arritur sot, do të mbetej vetëm sa gjysme e saj nesër.

Secili njeri i LDK-së që shantazhon Vetëvendosjen me shkuarje në opozitë, nuk ia do të mirën shtetit të Kosovës, nuk është i gatshem të marrë përgjegjësi për shtetin dhe nuk ia do të mirën as partisë së vet, LDK-së. Dy gjera janë të kthjellta si loti: e para është se, LDK-së nuk i konvenon opozita, por Isa Mustafa është i vendosur për ta nxjerr maksimumin për vete. Dhe e dyta është se, nuk ka asnjë variant që do ta dobësonte pozitën e Albin Kurtit. Të gjitha rrugët atë e çojnë në postin e kryeministrit.

Sidoqoftë, le të jemi të arsyeshëm, nëse pleqve të LDK-së iu ka mbetur t’u hyjnë aventuarve, pse të rinjtë e Vetëvendosjes të mos e pranojnë një lojë që është e sigurtë se do t’i nxjerrte fitues?! Unë e di që Albin Kurti nuk është aq i papërgjegjshëm sa ta dërgojë vendin në zgjedhje, por edhe Isa Mustafa duhet ta ketë një limit në kalkulimet e tij.

Një president i pazareve politike nuk i duhet Kosovës. Kosova po vuan nga një president i tilë tash e tri vite rresht. Me një marrëveshje të tillë, pas dy vitesh, koalicioni pothuaj e ka të sigurtë fundin e vet. Pse të bëhen pazare të atille që rrijnë vazhdimisht si shpatë e Demokleut mbi qafë të koalicionit? Le t’i mundësohet popullit që ta zgjedh vetë presidentin!

(Kosova Sot Online)