Kundër politikës anti-Kosovë të Tiranës

Kundër politikës anti-Kosovë të Tiranës
Kundër politikës anti-Kosovë të Tiranës

Skender Kapiti

  • 13 November 2019 - 10:55

Shqipëria ka pak politikanë patriotë dhe asnjë medie nacionaliste

Patriotët dhe nacionalistët në Shqipëri kurrë nuk patën shansin që të jenë në majë të politikës dhe as në krye të shtetit shqiptar që kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë.

Dhe jo vetëm kaq por ajka e nacionalizmit shqiptar dhe familjet fisnike shqiptare edhe u dëbuan,u përndoqën, u shpronësuan dhe u persekutuan në Shqipëri, dhe ,edhe shumë prej tyre, dhe më të mirët edhe u vranë.

Kjo vazhdon akoma edhe sot në Shqipëri, ku politikën e kanë në dorë injorantët, të pamerituarit, shumë e shumë pej tyre me rekorde krimi,korrupsioni e hajnije.

Më të mirët: elita patriotike sidomos, dhe ajo intelektuale, profesionale, akademike dhe truri e rinia shqiptare janë përjashtuar nga politika, qeverisja , nga administata dhe vetëm e vetëm sa largohen nga Shqipëria.

Në Shqipëri nuk ka asnjë media e cila të ketë bosht patriotik e nacionalist, nuk ka medie e cila të informojë dhe të edukojë me frymë të mirëfilltë kombëtare lexuesit dhe shikuesit e tyre. Por janë medie lajmesh e informacionesh ordinere , të parëndësishme e që nuk kanë as frymëmrrje dhe as ndjesi kombëtare.Edhe në rast se botohet ndonjë shkrim nacionalist te mediat e Tiranës dhe jipet ndonje lajm apo emision televiziv ndonjë i tillë, ai bëhet thjesht për ndonjë përfitim momental politik në shërbim të retorikës falso patriotike të politikës së ditës, dhe vetëm kaq.

Si politika ashtu edhe mediat në Shqipëri janë të zhveshura nga patriotizmi dhe nacionalizmi dhe kanë një antikosovarizëm të maskuar me hipokrizi dhe shumë të pabesë e tinëzar.

Dhe kjo embargo kundërintelektuale e antipatriotike që bëjnë mediat në Shqipëri, falë internetit dhe teknologjisë informative intelektualëve të vërtetë dhe patriotë nga Shqipëria u mundësohet që të shkruajnë e botojnë në gazetat e portalet e Kosovës dhe në ato shqiptare që ka diaspora në perëndim të cilat duhen falenderuar për informacionet me rëndësi kombëtare si politike, letrare, artistike, patriotike e sportive të cilat ua mundësojnë dhe ua japin shqiptarëve.

Po ta shikojmë mirë historikun e politikës dhe e politikanëve të Tiranës është vështirë dhe shumë rrallë që të gjëndet ndonji politikan patriot, dhe ndonjë media kombëtare, të cilët të kenë si interes të tyre edhe interesin kombetar.

Politika në Shqipëri është produkt i një shoqërie që ka shumë pak bindje nacionaliste,pra është shumë deficitare në aspektin nacionalist.

Shqipëria londineze është falë sakrificave , heroizmit dhe gjakut të Kosovës kryesisht, dhe pa Kosovën Shqipëria nuk do të kishte as histori dhe as nuk do të kishte ardhur as pavarësia e Shqipërsë.

Shqiptarët e Shqipërisë as nuk e dinë mirë akoma se çfarë është politika, genocidi dhe shovinizmi serb dhe as ai grek, sepse nuk e kanë pësuar por ndoshta shumë, shumë pak prej tyre. Shqipëria kurrë as nuk ka bërë luftë të armatosur me Serbinë dhe as me Greqinë për të marrë territoret që i përkasin asaj, dhe as për të mbrojtur liritë e të drejtat kombëtare të tyre, dhe madje as politikisht dhe as diplomatikisht kurrë Shqipëria nuk ka kërkuar Bashkimin Kombëtar.

Dhe jo vetëm Edi Rama sot, por edhe të gjithë paraardhësit e tij që kanë qenë në krye të shtetit të Shqipërisë nuk është se u ka intersuar çështja kombëtare dhe as Kosova.

Patriotizmin e kanë pasur që të gjithë fals dhe vetëm retorikë e mashtrim.

Patriotizmin dhe nacionalizmin politika dhe politikanët e Tiranës e kanë përdorur sa për mashtrim dhe si retorikë për mashtrim publik dhe ndërkombëtar për interesa personale pushteti.

Shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera të okupuara në ishJugosllavi e shikonin Tiranën dhe Shqipërinë si shtetin amë ,si strehë mbrojtëse të tyre. Këtë besim te Shqipëria dhe bindje te ajo se do të kujdesej si nënë për të gjithë shqiptarët kudo që të ishin ata, shqiptarët e Kosovës e kishin pasi edhe shikonin se çfarë bënte shteti i Serbisë me fanatizëm e shovinizëm ekstrem për të mbrojtur dhe përkrahur të gjithë serbët kudo që ata ishin jashtë Serbisë si në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë , në Kroaci dhe në Maqedoni sipas doktrinës shoviniste serbe se “ku ka serb, është Serbi”. Në mbështetje të nacionalizmit dhe të shovinizmit e genocidit të shtetit serb kundër shqiptarëve gjithmonë janë angazhuar të gjitha kapacitet shtetërore ushtarako-policore të Serbisë, akademia e shkenca, intelektualizmi, kisha dhe mediat serbe.

Ndërsa Tirana jo vetëm se nuk ka pasur asnjëhere një politikë, as diplomaci dhe as strategji kombëtare, por përkundrazi politika e Tiranës gjithnjë ka qenë e përçarë dhe konfliktuale me plot raste tollovish e trazirash paqëndrueshmërie të brëndshme duke e vënë në jo pak raste nën kërcënim dhe rrezikim edhe vetë sovranitetin e Shqipërisë , dhe ka arritur deri atje sa që edhe ka kërkuar edhe ndihmë nga fqinjët e saj serbë e sllavë për të marrë e qëndruar në pushtet.

Deri atje ka arritur puna sa që edhe kanë hëngër edhe paranë e tyre duke iu shërbyer interesave të tyre antishqiptare si politikanë ashtu edhe mediat në Tiranë, gjëra të cilat i kanë vertetuar e deklaruar edhe vetë politika dhe media e Beogradit dhe e Athinës. Nuk është patriotizëm pse Shteti i Shqipërisë priti refugjatët Kosovës të dëbuar nga genocidi serb në vitet 1999, por kjo është detyrë dhe përgjegjësise për bashkëkombasit e tu. Patriotizëm do të ishte dhe do të kishte atëhere kur Shqipëria të kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga genocidi serb dhe për çlirimin e Kosovës.

Të dëbuar dhe refugjatë shqiptarë të Kosovës kanë pritur edhe Maqedonia e Mali i Zi.

Shqipëria, po, me të drejtë mund të krenohet pse ka pritur e strehuar p.sh. hebrejtë gjatë luftës së dytë botërore të pëndjekur e të persekutuar nga nazizmi prej shteteve te Europës por jo për shqiptarët që dëboheshin prej trojeve shqiptare.

Për t’u krenuar duhet Turqia dhe asaj i duhet të jemi mirënjohëse pasi ajo ka strehuar vazhdimisht mira e me qindramira shqiptarë të ndjekur , të persekutuar nga regjimet genocidiste sllavo-serbe që nga viti 1878 e këtej . Turqia mund të krenohet pse ka 5 vite që mban, strehon dhe ushqen jo turq, por 5 milion sirianë që janë larguar nga lufta civile në Siri. Të thuash e të krenohesh për patriotizëm pse u strehuan tre muaj shqiptarët e Kosovës në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë është sikur të thuash se rusët janë popull patriot pse ata strehonin po rusët e tyre dëbuar nga tokat ruse gjatë pushtimit gjerman të Luftës së Dytë Botërore.

Të vazhdojnë me argumente se përse kaq pak , për të mos thënë aspak e kanë mbështetur , përkrahur e ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët në trojet e tyre politika dhe regjimet politike të Tiranës.

Nuk mund të ishte p.sh. regjimi i mbretit Zog seriozisht e sa duhet për Kosovës dhe për shqiptarëvë e Kosovës pasi Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e Jugosllavisë dhe të Pashiqit , dhe në këmbim të asaj ndihme Zogu i fali Serbisë toka shqiptare, shpërndau Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe përndoqi e vrau patriotët dhe herojtë e mëdhej kosovar si Bajram Currin e Hasan Prishtinën.

Edhe regjimi komunist në Shqipëri i Enver Hoxhës ia ka shpërblyer Jugosllavisë mirë për ndihmën e dhënë nga emisarët e Partisë Komuniste Jugosllave në formimin e Partisë Komuniste Shqiptare, duke dërguar për të luftuar për Jugosllavinë komuniste partizanët shqiptarë ku disa qindra prej tyre edhe dhanë jetën për Jugosllavinë, për internacionalizmin dhe për “vëllazërim-bashkimin”titisto-jugosllav; duke kontribuar brigadat parizane të Shqipërisë në luftën e komunizmit jugosllav kundër nacionalistëve dhe patriotëve kosovar; duke kontribuar për vendosjen e regjimit kriminal policor e ushtarak të Jugosllavisë së Titos në Kosovë e deri edhe duke qenë edhe bashkëautorë të masakrës famëkeqe antishqiptare të Tivarit.

Edhe pas komunizmit Shqipëria ka “kontributin” e saj në kohën e regjimit të Sali Berishës për shkeljen e embargos së naftës për makinerinë krminale të luftës së Millosheviçit, për deklarimin se Shqipëria është dakord për një autonomi kulturore nën Serbi dhe më vonë pas clirimit të saj , ishte për një Pavarësi të Kushtëzuar.

Shqipëria edhe sot ,politika e pushteti i kryemistrit E. Rama shkon në një linjë me politikën agresive antiKosovë të Beogradit kur shprehu dakordësinë për idenë e coptimit të Kosovës dhe për shkëmbimin e trojeve shqiptare të Kosovës me troje po shqiptare që janë akoma nën Serbi.

Kur bën marrëveshje për një Union Ballkanik me ishrepublikat të ishfederatës jugosllave për futjen edhe të Shqipërisë në atë neojugoslavi, marrëveshje kjo e cila është në dëm të jashtëzakonshëm për Kosovën ,pasi Serbia e Bosnja jo që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por madje janë edhe shumë agresive dhe lobojnë fuqishëm kundër integrimeve të Kosovës në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, dhe punojnë në maksmum edhe kundër njohjeve të Kosovës dhe për tërheqjen e njohjeve nga shtete që e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Pra, është alogjikë e madhe për të mos thënë se është edhe tradhëti ndaj Kosovës, është mosrespekt dhe injorim i madh që i bëhet Kosovës, politikës kosovare dhe sakrificave të jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës për liri ,pavarësi dhe për shtet e Bashkim Kombëtar, kur e akuzon atë se po vetëpërjashtohet nga integrimi në një Union neojugosllav , ku rolin kryesor e lider në atë minishengen do ta ketë armiku numër një i shtetit të Kosovës, që është Serbia, e cila punon në maksimum dhe në agresivitet ekstrem politik e diplomatik kundër integrimit të Kosovës në BE, OKB , UNESKO, INTEPOL etj ., si dhe sponsorizon e lobon shumë te shtete që e kanë njohur Kosovën që t’i tëheqin njohjet. Qëndrimi i publikut kosovar dhe i politikës kosovare kundër minishengenit Rama-Vuçiç nuk është vetëpërjashtim por është vetëmbrojtje e Kosovës kundër rrezikut të madh që fatkeqësisht pjesë e atij kërcënimi të sovranitetit dhe shtetit të Kosovës është edhe Edi Rama, dhe po që fatkeqësisht nuk shohim asnjë reagim serioz nga mediat dhe as nga shoqëria civile në Shqipëri të kapura e të paralizuara nga apatia nacionaliste.

Kjo që vepron kryeministri i Shqipërisë që Kosova të hyjë në këtë shpikje neojugosllave minishengen e që përkrahet edhe nga politika e segmente antishqitare të politikë europiane, që Kosovë të integrohet në atë Union si krahinë e para viteve 1999 , sepse këtë dhe kështu e njeh akoma Serbia Kosovën, si krahinë të saj.

Kjo është një thikë tjetër pas shpine antiKosovë e Tiranës zyrtare, sa që edhe mund të thuhet se a e njeh Edi Rama pavarësinë e Kosovës apo jo?! Le të thonë çfarë të duan shtetet e Europës, kur të vijë puna te probleme të rëndësisë jetike e kombëtare shqiptare, ata që vendosin janë shqiptarët, që BE padrejtësisht i mban jashtë gjirit të saj.

Europa përderisa nuk i do shqiptarët brënda BE-së, shqiptarët nuk kanë pse ta pyesin Europën se çfarë duhet të bëjnë , sepse ata e dinë vetë më mrë , dhe nuk i do Europa shqiptarët më shumë se sa e duan veten e tyre shqiptarët.

Mjaft më Europë se të ka stërdalë boja me këshilla, pabesi dhe me tradhëti kundër shqiptarëve, mjaft më ia ke krehur bishtin dhe e ke përkëdhelur Serbinë kundër shqiptarëve nga frika që ia ke Rusisë.

(Kosova Sot Online)