Të shpallet nule Rezoluta e Kuvendit të KAKM-së për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia Federale

Të shpallet nule Rezoluta e Kuvendit të KAKM-së për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia Federale
Të shpallet nule Rezoluta e Kuvendit të KAKM-së për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia Federale

Riza Smaka

  • 13 November 2019 - 15:35

Akti politik, e veçanërisht akti juridik, i miratuar në rrethana të dhunës, mashtrimit apo lajthimit, kurdoherë, ab initio është nul! Sipas doktrinës juridike si dhe zgjidhjeve juridike të mira, çfarëdo akti juridik apo politik që do të miratohej nga apo në rrethana të dhunës, mashtrimit apo lajthimit, apriori, ab ovo , ab initio është nul, i cili, përderisa do të ekzistonte de facto, nuk do të prodhonte efekte juridike as afektime politike valide!

Në rrethanat e aplikimit të dhunshëm të aktit juridik apo politik të miratuar ( Vis, Claem, Precario) nga dhuna , mashtrimi apo lajthimi, efektet juridike si dhe afektimet politike kurdoherë mbetën të natyrës faktike ndërsa në rastin e shpalljes nul të tij, të gjitha efektet dhe afektimet praktike, për dallim të abrogimit, nga fillimi e përfundimisht, nulohen dhe konsiderohen invalide dhe inegzistente juridikisht! 

Likudimet fizike

Në Prizren, gjatë seancës nga 8- 10 korrik 1945 të KANÇKKAKM së( Kuvendit të Këshillit Nacional Antifashist Çlirimtar të Krahinës së Kosovës dhe Metohisë ), në rrethana të administrimit dhe të pushtetit ushtarak, të dhunës, kanosjes, mashtrimit e lajthimit ka qenë imponuar Rezoluta ( 8-10 korrik 1945 , Pz.) për Aneksimin e Kosovës dhe Metohisë Serbisë Federale. Në seancën e KANÇK-së e KAKM-së, ka qenë miratuar Rezoluta e sipërtheksuar vetëm atëherë kur, autoritetet politike, ushtarake e policore de facto të Serbisë Federale, jo pak nga delegatët parimorë dhe kundërshtarë të aneksimit të Kosovës nga Serbia, i kanë likuiduar fizikisht, shumë sish i kanë deprivuar nga liria si dhe të tjerë i kanë joshur me benefite funksionale e materiale!

Së andejmi, miratimi i Rezolutës së sipërthënë ka qenë e imponuar me mjete të dhunës politike, ushtarake - policore, ndaj, si e tillë ishte dhe mbetët politikisht e gabuar, e padrejtë dhe e dëmshme si dhe juridikisht absolutisht nule. Po ashtu, Rezoluta e KANÇKAKM-së e datës 8- 10 korrik 1945, pos miratimit Vis , Claem , Precario nën rrethana të dhunës, mashtrimit e lajthimit politik - ushtarakë e policorë, ka qenë dhe është në kundërshtim me: - Rezolutën e KANÇKM të miratuar në Bujan në seancën e mbajtur gjatë datave 31 dhjetor 1943, 1 e 2 janar 1944 , me të cilën, konform me të drejtën e pamohueshme për vetëvendosjen politike të popullit shumicë absolute të Kosovës, ka qenë aprovuar bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, madje edhe me - Rezolutën e KOMINTERN-it ( Konferencës Ndërkombëtare të Partive Komuniste) të miratuar në vitin 1924, me të cilën, nder të tjera, ka qenë aprovuar formimi i Republikës Socialiste Fshatare të Kosovës, alternativisht, të pavarur ose të bashkuar me Republikës Socialiste Fshatare të Shqipërisë, të njëjtë me republikat socialiste fshatare të Serbisë, Kroacisë , Sllovenisë, - Rezolutën e Konferencës IV të PKJ-së (Partisë Komuniste të Jugosllavisë) të miratuar në Drezden me të cilën ka qenë pranuar dhe konfirmuar Rezoluta e sipërthënë e KOMINTERN-it si dhe në kundërshtim me - Rezolutën e Konferencës V të Vendit e PKJ-së (Partisë Komuniste të Jugosllavisë ) me të cilën, autoritetet politike e shtetërore të Jugosllavisë së dytë deri në vitin 1945 e kanë konfirmuar dhe përfillur subjektivitetin politik të Kosovës konform me dokumentet politike të sipërtheksuara. - Në vitin 1945 , kur PKJ-ja dhe institucionet shtetërore të ish Jugosllavisë kur kanë qenë të predominuara nga provenienca dhe influenca centraliste serbe hegjemone dhe antishqiptare, ndër të tjera, ka qenë imponuar me dhunë, mashtrime e lajthime Rezoluta (8-10 korrikut 1945, Prizren) e Këshillit Popullor të KANÇKAKM-së, për aneksimin e KAKM-së ( atëherë, Kosova quhej Krahinë Autonome e Kosovës dhe Metohisë) Serbisë Federale, sic! Me nulimin e Rezolutës së Këshillit Popullor të Këshillit Antifashist Çlirimtar të Kosovës dhe Metohisë të datës 8-10 korrik 1945, në funksion të statusit politik të Kosovës, do të nulohej suprestruktuara juridike e ish-Jugosllavisë së dytë, përkatësisht e Serbisë (1945- 92- 99). 

Një rast analog, si precedent

Në dhjetorin e vitit 1918, në rrethana të dhunës, mashtrimit dhe lajthimit, ka qenë miratuar Rezoluta për aneksimin (bashkëngjitjen) e Mbretërisë së Malit të Zi, Mbretërisë së Serbisë. Javë më parë , Parlamenti i Republikës së Malit të Zi, sipas propozimit të arsyetuar të Qeverisë së Malit të Zi, e ka nuluar Rezolutën për aneksimin e Mbretërisë së Malit të Zi Mbretërisë së Serbisë duke e cilësuar juridikisht absolutisht nule.

Përfundime

Duke vlerësuar se, Rezoluta e imponuar me dhunë, mashtrime e lajthime, në seancën 8-10 korrik 1945 e KANÇKAKM-së , në Prizren, ishte dhe është juridikisht absolutisht nule, shpallja nule e asaj Rezolute, është politikisht oportune dhe juridikisht e justifikuar. Kryeministrit z. Ramush Haradinaj, i propozoj që, në procedurë parlamentare , Kuvendit të RK-së, t'i prezantojë dhe arsyetojë nulimin e Rezolutës së KANÇKAKM-së të imponuar në seancën e datës 8-10 korrik 1945 në Prizren si dhe Kryetarit të Kuvendit të RK-së z. Kadri Veselit, që propozimin e Qeverisë së RK-së të procedojë dhe mbështes për miratim në procedurë parlamentare.

(Kosova Sot Online)