Ja cilat “mite” të reja duhet të ngrenë e ndërtojnë sot shqiptarët

Ja cilat “mite” të reja duhet të ngrenë e ndërtojnë sot shqiptarët
Ja cilat “mite” të reja duhet të ngrenë e ndërtojnë sot shqiptarët

Skender Kapiti

  • 24 November 2019 - 13:22

Të kaluarën duhet ta respektojmë, duhet t’u jemi mirënjohës brezave të së shkuarës, por më shumë e rëndësishme është shikimi i së tashmes, përgjegjësia për të tashmen, janë detyrat e së tashmes. Mitet dhe institucionet që kanë mundësuar qëndresën dhe mbijetesën e shqiptarëve në shekujt e historisë janë: atdheu,gjuha, nderi, burrnija dhe besa.

Por e kaluara nuk zgjidh problemet e së tashmes sepse ajo ka shkuar, por e tashmja duhet të zgjidhë problemet dhe pasojat edhe te atyre që ka lëne trashëgimia e keqe e së kaluarës. Është prapambetje dhe të mban prapa në kohë dhe në progres të merresh dhe vetëm ta mallkosh e t’ia faturosh gjithçka të keqe të shkuarës , për të vetmin qëllim ,për të justifukuar dështimet e së tashmes, duke u përpjekur që të rrëzohen mitet e së shkuarës për të ndërtuar e ngritur mite dhe heronj të rrejshëm të sotëm.

Ne duhet ta mësojmë të shkuarën që të mos përsërisim gabimet e saj për të mos gabuar në të tashmen dhe jo për t’u ngatërruar, grindur dhe as për të harxhuar kohë dhe energji për ta ndrequr politikisht e historikisht të shkuarën.

E tashmja ka për detyre që të kompensojë dëmet e padrejtsive të së shkuarës. E tashmja duhet të mësojë të vërtetat historike dhe jo gënjeshtra, mashtrime e falsifikime historike që i kanë bërë pushtuesit e pushtetet për interesat e tyre. Po të përpiqemi që të mbrojmë apo të rrëzojmë mitet e së shkuarës, ideologjizmat e fanatizmat, atëherë ne vetëpengohemi , bllokohemi dhe nuk ndërtojmë mitet moderne dhe reale të kohës që janë: liria, demokracia, shteti ligjor, progresi, mirëqënia dhe integrimi.

Tashmë kohët kanë ndryshuar, dhe ndryshimin po e sjell Kosova, Kosova e luftës, Kosova e paqes; po e sjell ndryshimin e madh Kosova , djepi i patriotizmit dhe nacionalizmit të vëtetë shqiptar. Kosova po ç’mitizon edhe Ballkanin prej të pavërtetave dhe prej miteve e gënjeshtrave mesjetare sllavo-serbe e bizantine si dhe prej miteve të komunizmit.

Historia e Ballkanit akoma u mësohet popujve te tij si histori gënjeshtrash e manipulimesh. Shqiptarët e Shqipërisë tashmë po i mësojnë të vërtetat e mëdha historike,po mësojnë se sllavët kanë qenë prej 1500 vitesh armiku dhe rreziku më e i madh për ekzistencën e Kombit shqiptar; po mësojnë se sa e dëmshme paska qenë coptimi i trojeve shqiptare nga Europa, lënia e Kosovës jashtë shtetit shqiptar të Shqipërisë.

Kurrë më parë në historinë kombëtare shqiptarët nuk kanë qenë kaq afër dhe kaq pranë njëri-tjetrit me dy shtete shqiptare; kurrë më parë në historinë e tyre nuk është ndërkombëtarizuar çështja dhe problemi kombëtar shqiptar se sa me luftën e UÇK-së dhe me krijimin e shtetit shqiptar të Kosovës. Tani shqiptarët janë aktori dhe faktori kyç në Ballkan.

Pa shqiptarët nuk ka stabilitet , as qëndrueshmëri dhe as integrim europian për Ballkanin. Këtë tashmë e dinë edhe shtetet e Ballkanit, edhe Europa, por edhe Bota, si dhe po e mësojnë edhe politika , edhe mediat , edhe historianët e Shqipërisë. Kosova e ka shkruar historinë kombëtare me gjak, me sakrifica , me politikë, me diplomaci.

Kjo historia më e re dhe moderne e fundshekullit të 20-të është edhe më e lavdishmja për shqiptarët, dhe nuk është më e nevojshme që të grindemi e të përpiqemi për të kërkuar ndihmën e heronjve të së kaluarës , as mitet, legjendat dhe as që të harxhojmë kohë për ta ndrequr atë politikisht.

Ne, po, duhet që t’i ruajmë dhe kultivojme institucionet dhe mitet e shqiptarëve që janë ato që edhe i citova më lart si: atdheu, gjuha, nderi, burrnija dhe besnikëria të cilat po kërcënohen sot nga pabesia, korrupsioni, mashtrimi, gënjeshtra, hajnija dhe tradhëtia.

Duhet të shohim përpara. Demokracia dhe patriotizmi i vërtetë sot nuk ka nevojë për heronj.Hero sot është ligji, sundimi i tij kundër korrupsionit, vjedhjes, krimit e tradhëtisë publike dhe të interesit kombëtar. Sot mite janë progresi e mirëqënia.

Të gjithë mitet, “shpëtimtarët” dhe ata që deshen të hyjnë në histori e sotme si heronj kanë rezultuar antiheronj dhe dështakë të mëdhenj. Sot heronj dhe “mite” janë shteti, ligji, drejtësia, demokracia. Sot mit është ligji demokratik, shteti ligjor,demokracia e vërtetë dhe patriotizmi real i cili është përgjegjshmëria, ndershmëria ,morali dhe drejtësia.

(Kosova Sot Online)