Pavijoni i melankolisë

Pavijoni i melankolisë
Pavijoni i melankolisë

Kimete Berisha

  • 01 December 2019 - 13:42

Mos ma shihni për të madhe, ju lus, ama me ndihmën e organizuar 'psikike' të psikologëve tanë në Durrës, m'u ka 'qesh' shumë.

Ata s'më hidhërohen mua se janë psikologë, i kuptojnë edhe ata si unë që nganjëherë më qeshet kur jam në zorin më të madh, siç i ndodh shumëkujt në varrime dhe në të pame, mjafton një shikim me ndonjë shok a kushërirë që të shkon muhabeti e humori me të, të vjen me qesh, jo me tragjedinë, por me situatën e rëndë, ku qeshja të duket sikur ta çel një tjetër derë të jetës, nga ajo dhomë që duket sikur tmerri i ka vënë kapak jetës, sikur s'ka mbetur një trohë jetë të.

Se edhe unë herë pas here, sidomos vjeshtave vuaj nga melankolia dhe nga 'zbrazëtia', prandaj shkruaj.

Neve na vjen turp me na dhëmb mendtë, jo që jemi shoqëri dyftyrëshe, e që te psikologu dhe te hoxha shkojmë tinëz.

S'kam pas punë me psikologë, pa dashur t'i

mohoj (Zoti na ruajt), por më qeshet shumë të flas seriozisht për veten me një të 'huaj', s'ka shans, më vjen shumë mërzi të flas për mërzinë time!

Ne jemi katundarë, psikologet tona të vetme kanë qenë nanat dhe gjyshet tona.

Prandaj, psikologët shqiptarë nuk kanë punë.

Edhe kur kemi parë ëndërr të keqe apo jemi ftohur nga jeta, na kanë trajtuar me

moral, me 'terapi morale':

'mos t'sheh kush ratë n'gjysmë dite se të del fjala që je tranu'.

Edhe sot di shumë raste që disa psikologë tanë i trajtojnë njerëzit e dëshpëruar me 'terapi morale'.

Dhe rrallë kush del i shëruar nga fjalët, derisa të 'rraset' me kokrra që ta topit aftësinë të vuash por edhe të jetosh.

Pra, vuajtja e shpirtit dhe mërzia ende konsiderohen si 'të meta' mendore te ne, dhe si 'sëmundje të turpshme' të njerëzve me nerva të 'dobëta'.

Kush i ka 'nervat e forta' ka edhe respekt këtu.

Ju kujtohet 'Shkëlqimi mbi bar', Natalie Wood përfundon në 'çmendinë' për shkak të 'zemrës së thyer' nga dashuria.

Ky sindromi i 'zemrës së thyer' tani më është 'modë e vjetër e dashurisë', prandaj me 'modën e re' njerëzit e kanë zvogëluar dashurinë për tjetrin dhe e kanë rritur dashurinë për veten.

Më mirë.

Kështu, mo' Zot, edhe nëse përfundon në 'çmendinë', përfundon për shkak të dashurisë së tepërt për veten, jo për tjetrin, që nuk ta di, si Warren Beatty, i cili, derisa Natalie dergjej në spital për dashurinë e sëmurë ndaj tij, Ai u martua me tjetrën dhe krijoi familje.

Pra, asnjë dashuri e tepërt nuk ia vlen.

Çka i thotë psikologu viktimave të moshuara të tërmetit (të cilët e njohin mërzinë më mirë se gjuhën shqipe), që kanë humbur çdo gjë që kanë pasur!

U thua: 'Mos u mërzit?!

Dauti i 'mendimit pozitiv' do t'u thoshte: 'Mendoni sikur kjo s'ka ndodhur dhe do ta shihni se kjo s'ka ndodhur'.

Thuajse me mendjen tonë ne e ndryshojmë realitetin dhe e shkruajmë dhe redaktojmë sa herë duam fatin tonë.

Error.

Në këso raste kryen punë veç besimi (hoxha, prifti), se kur të thotë dikush 'ka qenë e shkruar', ka efekt qetësues, e kur dikush të trajton si 'pacient' që duhet të mashtrosh veten me pallavra që s'të bëjnë derma, anipse ti ke arsye që mërzitesh dhe s'do të ishe nornal nëse s'mërzitesh, kjo kur dikush të thotë 'mos u nërzit', edhe më shumë ta shton mërzinë.

Më mirë do të ishte sikur të dërgonit humoristë nga Kosova për t'i disponuar fëmijët e të rinjtë. Humori është ikaçi më i bukur dhe më i mirë, pa efekte

anësore dhe pa filozofi.

Po, dikush vdes duke qeshur, dikush, si zogjtë, vdes duke kënduar. Ani çka!

Kori i psikologëve të Kosovës më mirë t'i vizitojnë gjithë ata shqiptarë nevojli për t'u dukur 'njerëz të mirë', m'i qetësu ata që po bëjnë selfie me viktimat e termetit, po bëjnë foto me photoshop, që m'u duk 'tragjik' por bukur, sesa 'viktimat e tërmetit', u pa

se më shumë nevojë kanë këta narcisistë për psikologë, sesa viktimat e tërmetit.

S'ka ndodh kështu, më së paku po qajnë viktimat. Të tjerët po bëjnë 'filma' dhe foto me filtera, me vajin e tyre të mbytur.

S'e kemi ditur se kemi pasur kaq shumë njerëz që kanë nevojë me qenë 'njerëz të mirë'.

Ata që janë 'të mirë', nuk duken.

Kush e ka lexu 'Profetin' e Khalil Gibranit, i njeh mirë kategoritë e dhuruesve.

Dikush jep m'u duk dikushi (sepse s'është dikushi), dikush jep krejt çka ka (e që ndodh rrallë), e shumica dhurojnë nga pasuria që u tepron (prandaj këtë nuk e numëron Zoti).

P.S.

Nëse edhe ti si unë, dyshon se s'je 'mirë' qysh ke qenë, se po vuan nga melankolia, përcjelle situatën, nëse i ke simptoma, si vijon:

- E zbulon paradoskin se sa më shumë që fle, aq më shumë të merr gjumi;

- Nuk të duket më interesant 'qeveria e re' e Kosovës. Ata 'të dy', Albini dhe Isa, po të duken të vetmit që po flasin për të ardhmen, kur të gjithë ne kemi ngecur në të kaluarën, në tërmet;

- Të vjen turp me postu foto seksi në instagram;

- Të rri mendja veç te 'vdekja';

- E ke kuptuar se jeta 'tap-rrap, këtu je-këtu s'je, veç vonim se pshtim s'ka;

- Ha ushqim pa i la duart;

- Nuk e ke stolisur bredhin e Vitit të Ri dhe nuk shikon më filma komedi;

- Kur qan loti të del nga syri i majtë, sepse lotët e gëzimit dalin nga syri i djathtë.

- Nëse je mashkull i thinjur e ke fillu të dalësh nga shtëpia pa i lyer flokët me bojë; dhe nëse je vajzë e ke harru me vë linerin;

- Nëse je femër, nuk të shkohet më në fitness dhe ha ushqim pa kontroll, urgjentisht drejtuhu te organet kompetente të ndihmës se ky simptom tregon qartë përkeqësimin e melankolisë tënde;

(Kosova Sot Online)