Cili është profesioni i vërtetë i Baton Haxhiut?

Cili është profesioni i vërtetë i Baton Haxhiut?
Cili është profesioni i vërtetë i Baton Haxhiut?

Valon Rogova

  • 03 December 2019 - 08:24

Baton Haxhiu është drejtor i një televizioni. Paraqitet si gazetar. Në të vërtetë është biznesmen. Politikan.”Spiun”. Llafazan.

Baton Haxhiu. Ky është emri i një prej njerëzve ndoshta më të urryer në Kosovën tonë të përvuajtur. Një emër krejt i rëndomtë i një shqiptari të Kosovës. por që identifikon një person aspak të rëndomtë.

Baton Haxhiu është drejtor i një televizioni. Paraqitet si gazetar. Në të vërtetë është biznesmen. Politikan.”Spiun”. Llafazan.

Ai u akuzua si një njeri që kishte bashkëpunuar me Stanishiqin e shërbimit sekret serb. Belbëzoi si një qyqar para kësaj akuze.

Në Hagë, vetë Millosheviqi i tha “Ti ke punuar për ne.” E Haxhiu, u struk, belbëzoi edhe aty, nuk diti se çka të thoshte. Por, ky sistem kriminal politik i çeli rrugë këtij njeriu të dyshimtë. U bë një njeri që sillet poshtë e përpjetë rretheve të pushtetit. Me njerëz tjerë të dyshimtë. Të përmendur për vrasje. Për zhdukje njerëzish. Për zhdukje dëshmish. Dëshmitarësh. E për plot të zeza tjera.

Por, megjithatë Haxhiu vazhdon të qëndrojë te gazetari. Vazhdon t’i thotë vetes gazetar. Të na shfaqet në ekranet tona televizive. Të flas, ashtu në mënyrë të çrregullt, në mënyrë të belbëzuar, gjëra që i shkonin për shtati partive në pushtet. Të gjitha partive në pushtet. Bile, sa më e keqe partia në pushtet, aq më i afërt Baton Haxhiu me të.

Ai e përdhosi këtë profesion të shenjtë. Le që nuk ishte opozitar, siç i ka hije një gazetari, por nuk ishte as gazetar, dreqi e marrtë. I gjori nuk di një fjali ta lidhë pa gabime të tmerrshme gramatikore. Nuk di as të flas. Një fjali pason tjetrën, e shoqëruar nga gulçime, nga plot pauza që qesin shkronjën “ëëëë”, të parenditura, pa nyje, pa mendim, pa premisë, pa asgjë. Një zhurmë që qëllimin përfundimtar e ka pikërisht heqjen e qartësisë, llugën, kaosin, rrethanën ku askush s’merr vesh, ku fjala nuk ka rëndësi, ku rregulli prishet.

Ky është pushteti të cilit i shërben ky njeri. Pushteti i kaosit. Pushteti i njerëzve injorantë si ai vetë. Pushteti i njerëzve që nuk e duan popullin, bile e përçmojnë, edhe pse vetë janë të pashkollë e të paditur.

Misteri është: Pse njerëzit e pushtetit jugosllav, të regjimit vrastar të Millosheviqit, u rehatuan edhe në Kosovën e pasluftës? Epo, njerëzit e kamur në mënyrë të dyshimtë kanë moral tjetër, kanë kritere tjera, kanë gjëra tjera në mendje, prej ne të tjerëve.

Baton Haxhiu kështu nuk iu nënshtrua një vettingu të mirëfilltë për atë se kush ishte e çka bëri me Stanishiqin dhe me Millosheviqin. Shpëtoi. Bile, jo veç që shpëtoi, por edhe u rrit në përmasa të mëdha. Sa më zullumqar që u bë pushteti, aq më shumë u rrit Baton Haxhiu, pushteti dhe pasuria e tij.

Pushteti i pasluftës, me rritjen e kriminalitetit, nuk mundi të ndante veten nga kurrfarë pushteti tjetër kriminal. E madje, as nga ai i Millosheviqit. Ne mund t’i marrim me mend llafet që bëjnë në privat. Se çka thonë. Se çka nuk thonë. E ajo që nuk e thonë, është pikërisht demonizimi i sinqertë, demonizimi meritor, i atij regjimi dhe i të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Batonin e pamë në disa raste duke qenë pranë politikanëve si Thaçi, Haradinaj, Pacolli. Pranë tyre, larg popullit. Si gjithnjë. Pranë tyre, edhe pse nuk dihet se pse ai duhej të ishte pranë njerëzve të zgjedhur. Edhe pse, atë vetë askush nuk e zgjodhi.

Cili është profesioni i vërtetë i Haxhiut? Të argëtojë këta pushtetarë.

Batoni është plaga jonë që ecën. Plaga jonë që ka shumë qelb brenda.

(Kosova Sot Online)