Pa çkapjen e LDK-së nga Prontomafia nuk mund të ketë as çkapje të shtetit

Pa çkapjen e LDK-së nga Prontomafia nuk mund të ketë as çkapje të shtetit
Pa çkapjen e LDK-së nga Prontomafia nuk mund të ketë as çkapje të shtetit

Xhafer Shatri

  • 06 December 2019 - 20:33

Është koha që të gjithë ata që kanë shkrirë mendjen dhe çdo gjë që kanë pasur në LDK dhe për idealet e saj të dikurshme të zgjohen nga letargjia dhe Isa Mustafës e kopukëve të tjerë që janë karcinom i LDK-së dhe i Kosovës t'ua tregojnë vendin. Sepse këta nuk përfaqësojnë asnjë vlerë të Kosovës, por llymin dhe antivlerat e saj.

1.

Zgjedhjet e 6 tetorit përçuan mesazhin e fortë të ndëshkimit të Partisë së Cubave të Kosovës për shkak të qeverimit të saj shtetrrënues.

Isa Mustafa, i cili e ktheu definitivisht krejt LDK-në në patericë të PDK-së, i vetëdijshëm për gjynahet e panumërta, në prag të zgjedhjeve u përcaktua për Vjosa Osmanin si bartëse e listës së LDK-së. Këtë zgjedhje Isa Mustafa nuk e bëri me ndonjë qëllim fisnik, por thjeshtë, sepse e dinte se nëse nuk vepron kështu, atëherë LDK, nuk do të fitonte as 15% të votave.

Kështu që LDK, doli subjekt i dytë falë Vjosa Osmanit dhe opinionit të krijuar te zgjedhësit e LDK-së, se më në fund ky subjekt politik po shkëputet njëherë e mirë nga japanxha e Hashim Thaçit.

Por bisedimet mes LVV dhe LDK-së për koalicion të përbashkët paszgjedhor, po dëshmojnë katërcipërisht se kjo ishte vetëm një lojë e Isa Mustafës dhe oligarkëve të tjerë të LDK-së për të vepruar sipas urdhërave të Prontomafisë.

Cilat mund të jenë motivet?

Ato duhet të jenë shumë, por kryesorja janë dosjet dhe mijëra fije interesash konkrete ekonomike të oligarkëve me të cilat Thaçi e C° e mbajnë peng LDK-në dhe abuzojnë me anëtarësinë e ndershme të saj për 7 palë qejfe...

Se është kështu e konfirmoi Isa Mustafa gjatë negociatave, kur këmbënguli që Ministria e Punëve të Brendshme t'i takojë LDK-së dhe të sigurojë njëkohësisht për vetën edhe kolltukun e rahatshëm të presidentit.

Ky ishte një shantazh i paskrupull që, përmes gojës së Isa Mustafës vinte drejtpërdrejt nga fulçitë e Prontomafisë.

Shtrohet pyetja pse Isa Mustafa këmbënguli që LDK ta ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku, më parë, ka dështuar plotësisht, e jo, ta zëmë, Ministrinë e Financave, ku ajo ishte treguar e suksesshme? Sepse përmes MPB, Isa Mustafa dhe shefi i tij real, Hashim Thaçi, pamundësojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe qeverisë së ardhshme ia heqin levën kryesore për çkapjen e shtetit nga Mafia. Aq më tepër kur dihet se njëra prej shtyllave kryesore të sigurisë, AKI, FSK dhe krejt sistemi i drejtësisë, kontrollohen krejtësisht nga Prontomafia.

Se sa e rëndësishme është MPB u dëshmua kur, në dhjetor të vitit 2014, Skënder Hyseni u emërua ministër i brendshëm jo me propozimin e LDK-së, por me kërkesën ekskluzive të Kadri Veselit, sepse ai kishte nevojë ta ketë aty një kukull, në emër të të cilit do ta kthente këtë institucion rëndësor në qerdhe të krimit të organizuar.

2.

Shantazhi i paskrupull i Isa Mustafës duhet t'i alarmojë LDK-istët e vërtetë, se partia dhe idealet e tyre për Kosovën shtet të pavarur e demokratik po rrezikohen seriozisht madje në emrin e tyre.

Është koha që të gjithë ata që kanë shkrirë mendjen dhe çdo gjë që kanë pasur në LDK dhe për idealet e saj të dikurshme të zgjohen nga letargjia dhe Isa Mustafës e kopukëve të tjerë që janë karcinom i LDK-së dhe i Kosovës t'ua tregojnë vendin. Sepse këta nuk përfaqësojnë asnjë vlerë të Kosovës, por llymin dhe antivlerat e saj.

Është koha e fundit që njerëz me peshë reale në LDK, si Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Anton Çuni, Kujtim Shala dhe plot të tjerë që përbëjnë shumicën absolute në LDK, t'ia ndalin turrin Isa Mustafës dhe shtetrrënuesve të tjerë që veprojnë në emër të LDK-së.

Albin Kurti, nëse e ka seriozisht çkapjen e shtetit nga mafia nuk guxon të heqë dorë nga Ministria e Punëve të Brendshme, sepse gradualisht do të kthehet në një kryeministër pa pushtet!

Nëse Vetëvendosje do t'i mbetet besnik premtimeve që ia ka dhënë elektoratit, ajo nuk duhet në asnjë rrethanë ta tolerojë shantazhin e Prontomafisë që i servohet përmes Isa Mustafës. Ajo nuk duhet të lëshohet në pazare të pista politike përmes të cilave një mashë e Prontomafisë si Isa Mustafa do të mundë t'i mbajë peng institucionet e vendit dhe t'ia zgjasë agoninë Kosovës...

3.

Për shkak të rëndësisë së temës që po e trajtoj, po detyrohem që, sidomos ldk-istëve të vërtetë, t'ua përkujtoj disa gjëra që nuk do të duhej t'i harrojnë asnjëherë:

- Isa Mustafa është i vetmi ministër i financave në historinë e njerëzimit, i cili buxhetin e shtetit të mbledhur me mandat kushtetues e ka kthyer në organizatë joqeveritare (UFORK-u);

- Isa Mustafa është i vetmi ministër i financave në historinë e njerëzimit që ka lejuar shitjen e Bankës Dardania sikur të ishte pronë e tij private, sepse ajo Bankë, me vendim qeverie ishte themeluar si Bankë Kombëtare e Kosovës dhe askush në këtë botë nuk kishte mandat ta nxjerrë në pazar.

- më 25 gusht 2015, Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës ka nënshkruar, bashkë me Vuçiqin, Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që në fakt është një dokument thellësisht antikombëtar e kundërkushtetues (Shih aneksin numër 1).

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktvendimin e saj, datë 23 dhjetor 2015, ka konstatuar se përmes kësaj Marrëveshjeje ishte shkelur Kushtetuta hiç më pak se 25 herë.

Por kjo nuk e pengonte Isa Mustafën të thotë menjëherë pas nënshkrimit se "Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive" dhe se "Marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës... dhe ligjet e Kosovës" Sipas tij, Asociacioni "do të mundësojë që të ndihmohen komunat me shumicë serbe, por nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Kështu që funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë normal dhe i suksesshëm..."

Ndërsa shefi i tij, Hashim Thaçi, atëherë si ministër i Jashtëm i Kosovës, konfirmonte broçkullat e Isa Mustafës se marrëveshjet "janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës".2

Mjafton ta lexosh Marrëveshjen për të kuptuar se 26 vjet më parë me të njëjtin fjalor e arsyetonin suprimimin e autonomisë së Kosovës Ali Shukria dhe Rrahman Morina.

4.

Nëse Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin, të cilën e kishte nënshkruar Hashim Thaçi, e federalizonte vendin në favor të një pakice prej 5% të popullsisë, Marrëveshja për Asociacionin, e nënshkruar nga Isa Mustafa, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, krijon nga Kosova “…një formë konfederate ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave. Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…“ 3 e 4

Kanë mjaftuar këto fakte të pakundërshtueshme që forcat demokratike e atdhetare brenda LDK-së të kërkojnë kaherë shkarkimin e Isa Mustafës.

Sepse është e papranueshme që një plak i sëmurë që ec me kërroçe, në vend që të shkojë në shtëpi dhe të kënaqet me nipat dhe mbesat e veta, në vend që t'ua lëshojë rrugën gjeneratave të reja, edhe pas të gjitha këtyre akteve shtetrrënuese, për shkak të babëzisë së tij të pakufijshme pushtetore, të përpiqet ta mbajë peng krejt Kosovën duke detyruar ta braktisin atë edhe gjeneratat që kanë lindur pas Luftës.

Tipave të tillë që nuk njohin as një kod moral duhet treguar vendin me kohë, sepse ata me sjelljet e tyre Kosovës nuk po i mbysin vetëm shpresat, por po ia mbyllin çdo derë e çdo mundësi për të dalë nga humnera, ku e kanë rrëknyer.

Fusnotat

1. http://www.kryeministriks.net/…/Asociacioni_perkthimi_shqip…

2. https://www.dw.com/…/kosova-dhe-serbia-nënshkrua…/a-18672175

3. http://gjk-ks.org/…/uploads/…/amicus_curiae_brief_ki_shq.pdf

4. https://www.youtube.com/watch?v=LAdPPhdu1hc

Shkrimi : https://xhafershatri.info/pa-ckapjen-e-ldk-se-nga-prontoma…/

(Kosova Sot Online)