Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli, do t’i kritikonin Isën dhe Albinin për mosgjetjen e kompromisit politik!

Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli, do t’i kritikonin Isën dhe Albinin për mosgjetjen e kompromisit politik!
Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli, do t’i kritikonin Isën dhe Albinin për mosgjetjen e kompromisit politik!

Mehdi Hyseni

  • 11 December 2019 - 18:53

*** Charles de Gaulle : “ Liderë politikë të aftë janë ata, që dinë dhe, kanë sens largpamës për ta  nuhatur me kohë dhe pa pasoja minutën e fundit, se kur duhet ikur nga posti drejtues i një shteti a partie politike”.

Mirëpo, kjo maksimë vizionare e ish-gjeneralit, e ish-shpëtimtarit dhe e ish-Presidentit të Francës, Charles de Gaulle,  nuk vlen për liderët dhe për udhëheqësit e sotëm politikë shqiptarë, sepse ata me gjithë dështimet e tyre politike të derisotme (1990-2019), nuk ka ndodhur që ndonjëri prej tyre të japë dorëheqje apo vullnetarisht, të mos jetë në krye të shtetit apo të ndonjë partie, por në çdo formë (madje edhe duke manipuluar me vota të zgjedhësve) kanë luftuar dhe luftojnë, që të mos i braktisin kolltukët e butë qoftë edhe pas 30, 20 apo 10 vite “stash” (mandate) në të njëjtat poste dhe pozita  politike në pushtet a në partitë e tyre.

Ja, ky është  “sensi vizionar” i humanizmit, i etikës, i drejtësisë, i demokracisë dhe i “patriotizmit kushtetues” të tyre. 

Mirëpo, liderët e deritashëm shqiptarë me  30, 20 a 10  vjet stazh politik dictatorial antidemokratik dhe antipopullor, duhet të dine se në çdo sistem demokratik të mirëfilltë, mund të ushtrohen 2 mandate qoftë si president, qoftë si kryeministër shteti a partie, por jo 30, 20, 10,  si kryetari i përjetshëm , sikur që dikur  ishte diktatori Josip B. Tito, i zgjedhur nga parlamenti i RSFJ-së, më 16 maj i vitit 1974,  i cili, sipas gazetës britanike “Daily Mail”,  ishte  figurë politike kontraverze  “sikurse diktatorët e egër, Mao Ce Dun, Stalin, Kim Il Sung, Idi Amin, mbase ndër të tjera mbante përgjegjësi edhe për vdekjen e 570.000 mijë kundërshtarëve politikë , gjatë sundimit  të tij diktatorial 35-vjeçar” në RSFJ (1945-1980).

Lerni të rinjtë e ditur ta drejtojnë Kosovën!

- Të mos mbijetojnë dhe, të mos përsëriten recidivat e politikës  antiemokratike të Jugosllavisë së Titos dhe të Slobodan Milosheviqit, sepse Kosova  qe 20 vjet nuk është më as Jugosllavi e as Serbi, por Shqipëri, që duhet të qeveriset nga gjenerata e re-djemë e vajza, që e meritojnë dhe i plotësojnë kushtet të jenë në krye të shtetit dhe të politikës së Kosovës. Kjo është shpresa, investimi më i mire, më i qëlluar, si dhe garancia më e sigurt dhe më e çmueshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të lirisë, të pavarësisë, të drejtësisë, të barazisë, të zhvillimit , të demokratizimit , të stabilizimit, të paqes dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës shqiptare.

Pra, dallaveregjinjtë, korrupcionistët dhe shfrytëzuesit të pamëshirshëm të popullit  të Kosovës dhe të Shqipërisë, tanimë,   do të duhej të kishin kuptuar se ka ardhur koha që të iknin nga politika, sepse të qëndrosh në pushtet ose në krye të një partie me nga 30, 20 ose 10 vjet, ajo nuk quhet drejtësi e as kurrfarë demokracie, por  diktaturë, autoritarizëm, absolutizëm, burokratizëm dhe nepotizëm i zhveshur  antihuman, antidemokratik dhe antipopullor.

Don Kishotët dhe Sanço Pançot-kulltukofagët e  etur dhe të  pangopshëm  për sundim aboslut dhe për pasuri enorme vetëm për “kopet” e veta, duhet kuptuar se, një shteti a një kombi nuk i vjen e mira, as kurrfarë prosperiteti nëse në ballë të tyre qëndrojnë  me dekada liderët e  tyre të sëmurë për pushtet, për karrierë dhe për pasuri të pangopshme në kurrizin e popullit dhe të shtetit. Ky soj i liderëve politikë, deri tani, i parë në hapësirat e Shqipërisë Etnike në Ballkan (1990-2019), fatkeqësisht të përkujton paradigmën negative të liderëve politikë  të sistemeve diktatoriale komuniste dhe imperialiste, të cilët kanë sunduar me mandate të pakufizuara e në raste të caktuara, edhe  në kohëzgjatje të përjetshme. Mirëpo, shembujt e tillë negativë nuk kanë të bëjnë fare me etikën politike, me humanizmin, me demorkacinë e as me drejtësinë, por vetëm me diktaturën,  me autoritazimin  dhe me  absolutizimin etj.

Në çdo sistem demokratik të mirëfilltë, mund t’i ushtrosh dy mandate qoftë si president, qoftë si kryeministër shteti a partie, por jo 5 ose 6… etj., si kryetari i përjetshëm , ashtu siç ishte edhe  diktatori Josip B. Tito, i zgjedhur nga parlamenti i RSFJ-së, më 16 maj i vitit 1974,  i cili, sipas gazetës britanike “Daily Mail”,  ishte  figurë politike me hipotekë të lartë antidemokratike  “sikurse diktatorët e egër, Mao Ce Dun, Stalin, Kim Il Sung, Idi Amin, mbase ndër të tjera mbante përgjegjësi edhe për vdekjen e 570.000 mijë kundërshtarëve politikë , gjatë sundimit  të tij diktatorial 35-vjeçar” në RSFJ (1945-1980).

Dy muaj debatim për të formuar një koalicion qeveritar?!

-Çfarë debatimi politik është ai, kur dy parti të një populli dhe të një shteti  me një interes të përbshkët kombëtar dhe shtetër,  qe 2 muaj  rresht nuk kanë qenë në gjendje që të arrijnë kompromis-gjuhë të përbashkët politike për formimin e koalicionit qeverisës të vendit?!

Kjo farë maratone  e pazarit politik (ndoshta) nuk do të kishte pasur “bishtin” kaq të gjatë, jo më pak se 2 muaj, sikur të mos ishte  plaku i rryer në politikë, Isa Mustafa, i cili qe 2 muaj ditë rresht nuk po bie dakord me Albin Kurtin, kur është fjala për “rezervimin” e postit të presidentit dhe të zgjedhjes së ministrive që  i do partia e tij, siç është Ministria e Punëve të Brendshme. Këmbëngulja për kapjen e kësaj ministrie nga LDK-ja, nuk është e çuditshme dhe fare absurde, sepse, po shihet që në start (pa formuar qeverinë e koalicionit), nëse kjo Ministri, do t’i kalonte Lëvizjes Vetëvendosje ( gjatë  qeverisjes koalicioniste), do  të mund të shfaqeshin rezerva dhe pengesa serioze, për të mos thënë edhe sabotime nga LDK-ja (sepse ndoshta dikush nga kjo parti ndihet nën hipotekën e krimit dhe të korrupsionit. Ndryshe, Isa nuk do të kërkonte me çdo kusht Ministrinë e Punëve të Brendshme), gjatë procesit të zhvillimit të reformave serioze të sistemit të drejtës, kur është fjala për luftimin e fenomenit të korrupsionit, të krimit, të nepotizmit, të burokratizimit, të oligarkizmit dhe të pasurimit të paligjshëm etj.

Sa më sipër,  Isa Mustafa me grupin e tij “negociues” për formimin e qeverisë së koalicionit me LV-në e Albin Kurtit, urgjentisht, do të duhej të  bënte kompromis me Albin Kurtin, jo ta ka kushtëzonin  qoftë me “rezervimin” e postit të Presidentit të Kosovës, qoftë me zgjedhjen e ndonjë ministrie, siç është rasti me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse kjo i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kjo zgjedh e para, mbase edhe  e para ka dale fituese e zgjdhjeve parlamentare të Kosovës, më 6 tetor 2019.

 Pa asnjë ofendim, Isa si plak me përvojë të gjatë në politikë dhe në pushtet, duhet të dijë se, partia e tij, doli e dyta si fituese në zgjedhjet e theksuara, prandaj, e dyta edhe propozon dhe zgjedh se cilat ministri  dëshiiron t’i drejtojë në qeverinë e koalicionit. Në këtë kontekst, nuk mund të ketë kurrfarë kushtëzimi e as ultimatumi politik  për Lëvizjen Vetëvendosje, sepse kjo ka prioritet në zgjedhjen e ministrive dhe të posteve.

Gjithashtu,  kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka të drejtë ligjore, as kushtetuese e as demokratike, që me nga 2 muaj, t’i zvarrisë “neogociatat” me Albin Kurtin, duke e kërkuar postin e Presidentit për LDK-në, sepse kjo çështje (as ligjërisht e as me Kushtetutë) nuk mund të jetë objekti debate mes Isës dhe Albinit, kur dihet se  edhe 2 vjet të ardhshme (2022) Kosova ka presidentin e saj, të quajtur Hashim Thaçi. – Andaj, logjikisht, morlaisht dhe ligjërisht, si mund të diskutohet posti i presidentit, kur ai është gjallë, shëndoshë e mirë, duke kryer detyrat dhe obligimet e vetaj të përditshme në vendin e punës?!

-Ky është nonsens politik, etik, ligjor, kushtetues dhe demokratik, , sepse posti i Presidentit nuk është bosh.?!  -Ky post mund të jetë i debatueshëm vetëm pasi t’i ketë kaluar mandati presidencial Hashim Thaçit, ashtu siç parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, jo siç do Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri etj., sepse, eventualisht, qoftë edhe e shkruar, ajo marrëveshje politike  me LV-në, de fakto, de jure dhe sipas Kushtetutës, do të ishte vetëm një zero e madhe në akull, asgjë më pak e as më shumë.

 –Edhe pse dikur, lidhja e një marrëveshjeje të tillë për interes të ngushta politike të Isa Mustafës, që ai me çdo kusht  të bëhej kryeministër i qeverisë dhe i Hashim Thaçit, që të bëhej president i Kosovës, qe konkretizuar dhe bërë realitet, jo pse ishte në frymën e Kushtetutës dhe të parimit demokratik, por, pse në atë kohë, posti i presidentit  nuk ishte i plotësuar, nuk ishte sikurse sot rasti i postit të Hashim Thaçit, i cili objektivisht, ligjërisht dhe juridikisht nuk mund të jetë “temë” diskutimi dhe kompromisi politik mes  LDK-së dhe VV-së për të formuar qeverinë e re, e cila nuk ka të bëjë asgjë me postin e presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi. Prandaj, sado dhe, sido që të prononcohen partnerët aktualë për formimin e qeverisë së koalicionit, duhet ditur se, në asnjë formë nuk është kurrfarë “arre në fyt” posti  i presidentit, sepse ligjërisht është krejtësisht e qartë, ndërkaq, politikisht, është “dëshirë-fontanë” e Isa Mustafës, që edhe ky  ta shijojë atë post presidencial  sipas marrëveshjes së dikurshme  me Hashim Thaçin, vetëm për të mos  lëshuar prej dore frenat e pushtetit. Mirëpo, tash, rrethanat politike kanë ndryshuar, nuk do të pi ujë  një “alleshverish”  i tillë Isa-Thaçi, natyrisht, nëse Albin Kurti  nuk “viktimizohet” politikisht nga  Isa Mustafa,  i cili ka meritat kryesore, që sot Hashim Thaçi është president i Kosovës. Ndryshe, sikur të mos ishte  Isa Mustafa, Thaçi kurrë nuk do të arinte që të bëhej president i Kosovës.

Për më tepër , lakimi i postit të presidentit për  “dallavere”  të arritjes së ndonjë kompromisi politik mes “negociatorëve”  për formimin e qeverisë së koalicionit, nuk ka kurrfarë baze juridike dhe kushtetuese, është plotësisht i gabueshëm, sepse i gjithë “mileti” e di se më 6 tetor 2019, nuk ka pasur zgjedhje presidenciale në Kosovë, por vetëm zgjedhje parlamentare  për  formimin e qeverisë dhe të kuvendit të Kosovës.

Në fund, një pyetje shqetësue, si  është e mundur që dy kryeliderë politikë shqiptarë  (Isa Mustafa  i LDK-së dhe Albin Kurti i VV-së), pasi fituan zgjedhjet parlamentare më 6 tetor 2019, qe  2 muaj janë duke debauar, dhe nuk po mund të bijnë në ujdi për formimin e qeverisë së koalicionit ?

-Çfarë nonsensi dhe paradoksi politik ky, edhe për shqiptarët, edhe për Evropën, edhe për botën, se sa dhe, si e duam ne interesin e përgjithshëm të kombit dhe të shtetit, së pari, duke vënë në plan të parë interesin personal karrierisit (kolltukun) dhe partiak, JO  interesin e përgjithshëm të kombit dhe të shtetit. Ndryshe,   qe 2 muaj, nuk do të zvarriteshin “negociatat” ndërpartiake për formimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet VV-së dhe LDK-së.

Për të hedhur poshtë  këtë shembull  negativ politik provincialist shqiptar-shqiptar , po përmendim vetëm këtë  shembull pozitiv nga hisotria e marrëdhënieve ndërkombëtare: -Joseph Stalin (BRSS), Franklin D. Roosevelt (SHBA) dhe Winston Churchill (Britania e Madhe), tre kryeliderë të shteteve të ndryshme  të botës, në Konferencën ndërkombëtare të Jaltës, ia arritën që për 11 ditë (4-11 shkurt 1945), ta lidhin Marrëveshjen e përbashkët për rregullimin  e rendit të ri botëror pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pra, të mësojmë dhe të edukohemi nga shembujt e tillë positive të praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, se ç’është interesi dhe vlera e kompromisit, e tolerancës, e mirëkuptimit dhe e  mirëbesimit si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në atë gjerë. Kjo, ipso facto , është edhe domethënia e filozofisë së jetës.

(Kosova Sot Online)