Mos ma prek Badovcin!

Mos ma prek Badovcin!
Mos ma prek Badovcin!

Islam Lauka

  • 14 January 2020 - 13:31

Para dy-tre vjetësh, bashkë me shumë qytetarë të tjerë kam ngritur zërin kundër ndërtimit të 14 hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës, duke protestuar me moton, “Mos ma prek Valbonën!”. Me rezistencën tonë qytetare arritëm që të bllokojmë 12 prej tyre, megjithatë, nuk arritëm të ndalojmë ndërtimin e 2 hidrocentraleve, sepse në kundërshtim të hapur me ligjet e brendshme në fuqi dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, koncesionari kishte siguruar lejet përkatëse.

Këto ditë, mësova se dy kompani private në Prishtinë kanë planifikuar ndërtimin e një lagjeje në bregun e Liqenit të Badovcit, i cili, veë të tjerash, furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të kryeqytetit të Kosovës. Në shpjegimin e ofruar nga kompanitë ndërtuese, thuhet se projekti do të mbrojë mjedisin, do t’i shërbejë rritjes së mirëqënies etj.etj. Jepen edhe shembuj të ndërtimeve analoge në brigjet e liqeneve të Gjenevës dhe Lucernës.

Këto “argumente” i kam dëgjuar edhe në rastin e Valbonës dhe të ndërtimeve të tjera të paligjshme në brigjet e lumenjve dhe në bregdetin e Shqipërisë, të gjitha të “justifikuara” me nevojën e zhvillimit dhe rritjes. Tashmë, ne i dimë pasojat: zhdukja e lumenjve të virgjër, betonizimi I bregdetit dhe hakmarrja e natyrës (erozioni, tërmeti dhe shembja e ndërtimeve në këto zona).

Ambjentalisti i njohur amerikan, Eduard Ebej, ka shkruar se rritja për hir të rritjes është ideologjia e kancerit. Unë nuk do të doja që, pas Shqipërisë, këtë ideologji ta bëjë të vetën edhe Kosova.

Ndërtimi i lagjes së banimit nuk i shërben liqenit të Badovcit, as rritjes së mirëqënies së qytetarëve të Kosovës. Përkundrazi, i dëmton ato, sepse ndikon negativisht në florën dhe faunën e kësaj zonë, në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe ndot mjedisin në një zonë të mbrojtur me ligj.

Për pasojë, prishen ekuilibrat e ekosistemit dhe biodiversitetit, duke ëuar kështu në uljen e cilësisës së jetës, në përgjithësi. Badovci nuk ka nevojë për lagje banimi, por të mbrohet nga rreziqet që i kanosen nga ndryshimet klimatike që po prekin edhe Kosovën.

Ndërtimet analoge në vendet europiane, gjatë historisë, nuk justifikojnë ndërtimet e kësaj natyre në shekullin e 21-të, në Kosovë. BE ka standarde shumë rigoroze për mbrojtjen e mjedisit dhe synon t’i forcojë edhe më tepër ato me Strategjinë e Europës së Gjelbër, për periudhën 2020-2025. Vet ambjentalsitët europian thonë se, po të kishin mundësi, do t’i kthenin lumenjtë dhe liqenet e tyre në gjendjen e mëparshme natyrore, por e kanë të pamundur.

Ne që, ende kemi ndonjë liqen apo lumë të paprekur, nuk duhet, kurrsesi, të lejojmë që një grup njerëzish, për të kënaqur babëzinë e tyre, t’i përdhunojnë e t’i masakrojnë ato.

Për fat, ndryshe nga Valbona, në rastin e Badovcit, firmat ndërtuese ende nuk e kanë siguruar lejen e ndërtimit. Në gjykimin tim, organet vendimmarrëse, qëndrore dhe lokale, që kanë tagrin e mbrojtjes së interesit publik, nuk duhet ta japin këtë leje, pasi ndërtimi i lagjes së banimit në Badovc, e kalon biokapacitetin e tij.

Ndryshimi i kërkuar nga qytetarët e Kosovës me 6 tetor 2019, duhet, domosdoshmërisht, të përfshijë edhe mbrojtjen e mjedisit. Përndryshe, do të krijohej një precedent i rrezikshëm. Lagjia e banimit do të pasohej me ndërtime të tjera në Badovc, Batllavë e gjetkë.

Liqeni i Badovcit më dhimbset po aq sa Valbona. Ndaj edhe thirrja ime është e njëjtë: Mos ma prek Badovcin!

(Kosova Sot Online)