Viktimizimi i ushtarëve shqiptar në Armaten Jugosllave

Viktimizimi i ushtarëve shqiptar në Armaten Jugosllave
Viktimizimi i ushtarëve shqiptar në Armaten Jugosllave

Skënder Ibishi

  • 22 janar 2020 - 15:09

Është dëshmuar se Armata Jugosllave, e ashtuquajtura «popullore», në fakt nuk ishte asnjëherë popullore, që nga themelimi i saj e deri në ditët e ç’bërjes të saj, të paktën si një armatë e rregullt, ishte e dominuar dhe predominuar nga elementi serb, që udhëhiqej nga qarqet morbide shoveniste të kuzhinave të njohura serbomëdha, madje, që nga koha e të ashtuquajturës Lufta Nacional Çlirimtare. Për shembull, rast më eklatant është pikërisht ai i Kosovës, ku gjatë kësaj lufte aradhat e këtushme kishin shtabin e tyre suprem të LNÇ-së për Kosovën dhe Rafshin e Dukagjinit, ku komandant ishte një shqiptar, por më vonë, me ndryshimin e raportit të forcave si në fushëbetejë, ashtu edhe në kabinetet politike, pikërisht kur edhe duhej shkelur dhe mohuar vendimet e marra në Konferencën e Bujanit, e në radhë të parë të drejtat e popullit shqiptar që të vetëvendoste për fatin e vet, qarqet ushtarake-politike nisën spastrimet e kuadrove komanduese në aradhat dhe brigadat e UNÇ-së të Kosovës, dhe zëvendësimin e tyre me serbë dhe malazezë, të gjithë me biografi të «dyshimta». Dhe, çfarë ndodhi pas kësaj, dihet fare mirë në opinionin tonë: u vendos administrimi ushtarak në Kosovë.

Do të bëhen krime të papara mbi popullin e pambrojtur shqiptar, siç ishin: masakra e Drenicës, e Gjilanit, e Tivarit etj. Kjo politikë e qarqeve ushtarake dominoi edhe gjatë periudhës së pas luftës edhe pas vitit 1981, pas demonstratave të vazhdueshme të popullit shqiptar ndaj padrejtësive që i janë bërë nga pushtuesit sllavë. Situata aktuale politike në Kosovë, në fillim të muajit prill (1981) e detyroi kreun më të lartë ushtarak jugosllav, të ngritë shkallën më të lartë të mobilizimit në Armatën Jugosllave.

E pëforcon me trupa të mëdha korpusin e Prishtinës, përforcon të gjithë mekanizmat ushtarakë dhe policorë, shërbimet sekrete, shërbimin e propagandës speciale dhe asaj publike, organet politike, organet gjyqësore, përfeksionimin i metodikës së zbulimit etj.

Të gjitha këto masa i ndërmorën, duke pasur parasysh ngritjen e vazhdueshme të ndërgjegjes kombëtare e klasore, intensifikimin e luftës së tij për të drejta e liri. Mobilizimi dhe bashkimi i paparë i popullit tonë si dhe numri i madh i shqiptarëve në AJ (çdo i treti ushtarak ishte shqiptar) ishte rrezik potencial në destabilizimin e Armatës Jugoslave, si dhe në destabilizimin e Jugosllavisë në përgjithësi. Mobilizimi i shpejtë i njësive dhe nisja e tyre për në Kosovë në prill të vitit 1981 i tronditi shumë ushtarët dhe eprorët, pasi që nuk kishin informata rreth misionit të tyre në Kosovë.

Mendonin se në Kosovë është në luftë, se atje duhej luftuar kundër popullit shqiptar, prandaj dezertuan shumë ushtarë, refuzuan urdhërat e eprorëve të tyre, shkruanin letra lamtumirëse etj.

Këtë më së miri e shpjegon më vonë gjenerali Mladen Bratiq, sekretar për informim në LK të AJ-së, i cili pati deklaruar: «Funksionarët e lartë dhe oficerët nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në Kosovë, sepse nuk janë «të marrë» të shkojnë e të vdesin në Libanin jugosllav. Atje i dërgonin vetëm naivët dhe kadetët pa përvojë, sepse të vjetrit nuk pranonin të komandonin në territorin e Kosovës.»

Shumë garnizone të Armatës të Parë mbetën me një përqindje të vogël të ushtarëve dhe eprorëve. Tani në Kosovë kishim një korparmatë të Ushtrisë Jugosllave me rreth 40.000 pjesëtarë. Korparmata ka qenë e përbërë me mbi 80 për qind të eprorëve dhe ushtarëve të nacionalitetit serb, gjersa komanda e saj qind për qind me nacionalitetin serb. Veprimet e tyre si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj ishin të orientuar kundër shqiptarëve, filluan me provokime të pareshtura në orët politike dhe jashtë saj e shpeshherë edhe fyerje të rënda ndaj popullit shqiptar në përgjithësi.

Nga eprorët ushtarakë shqiptarë kërkonin që para ushtarëve ta kenë si temë qendrore, situatën në Kosovë dhe t'u shpjegojnë arsyet pse Kosova nuk mund të bëhej republikë.

Në një takim të udhëhequr nga gjenerali Bunqiq, i organizuar nga Armata e Parë ishin prezentë të gjithë eprorët të lindur në Kosovë. Në këtë takim nuk u bë fjalë për çka ishim të ftuar, por për t'i provokuar eprorët shqiptarë, me pyetje të ndryshme, si psh. pse Kosova nuk mund të bëhet republikë, nëse do të merrnin detyra në Kosovë, si do të kishim reaguar ndaj «nacionalizmit» dhe «iredentizmit» shqiptar, pse nuk i lajmëronin sjelljet e dyshimta të ushtarëve shqiptarë etj. Kështu me insistimin e organit të sigurimit në foltore dual eprori Ramadan Behljuli i cili u përgjigj në pytjen e parashtruar »Pse Kosova nuk mund të bëhet Republik».

Eprori Ramadani u përgjigj shkurt «Kosova nuk mundet të bëhet Republik pasi që ekziston një shtet shqiptarë» kjo përgjigje i revoltoi pa masë gjeneralin Bunçiq. Kjo përgjigje i kushtoi Ramdanit të qëndroi më tëper se një orë në foltore, deri sa i përsëriti të gjitha «arsyet« e gjeneralit Bunçiq. Gjatë kësaj kohe maltretimet, fyerjet dhe poshtërimi ishte prezent para shumë pjesëmarrësve në këtë tubim të thirrur enkas për provokime në një anë e në tjetrën prezentimi i ynë para shërbimit të KOS-it që ishin të pranishëm aty. Ky «tubim» zgjati më tepër se gjashtë orë.

Presioni psikik mbi eprorët, kadetët dhe ushtarët shqiptarë, e më vonë edhe masa represive në «zbulimin» e të dyshimtëve dhe largimin e tyre nga APJ-ja, kjo fushatë represive filloi qysh nga gushti i vitit 1981 me eprorin më të lartë, Sadik Sutaj, i cili u dënua me 4,5 vjet heqje lirie me të vetmin faj se kolegëve të tij ua tregoi situatën aktuale politike dhe ushtarake në Kosovë, si dhe angazhimin e njësive të blinduara kundër demonstruesve shqiptarë. Në maj të vitit 1982 u dënua edhe eprori ushtarak, Skender Ibishi, si anëtar i organizatës ilegale» PKMLSHJ» me 12 vjet heqje lirie, më vonë u zbuluan disa grupe të eprorëve dhe ushtarëve brenda AJ-së.

Do t'i përmendi vetëm disa, pasi që numri i të arrestuarve në AJ ishte i madh. Më 23 mars 1983 u arrestuan eprorët, Bajram Mehmeti, Gani Lipaj, Izet Zabelaj.Në dhjetor të vitit 1985 u arrestuan eprorët ushtarakë, Naim Maloku, Xhafer Jashari, Fadil Hakiu, Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Shefqet Tahiri, ushtarët: Rrahim Bytyqi, Zeqirijah Hyseni dhe Xhemil Osmani. Më 19.8.1986 u arrestuan grupi tjetër i eprorëve, Agim Mehmeti, Xhafer Kabashi, Miftar Ziba, Shabi Dërmaku, Rrahim Ademi, Xhavit Sadiku, Xhemë Ademi, (nuk është i gjallë) Musa Hoxha, civilët, Tahir Mehmeti, Enver Idrizi, Ramiz Selmani epror i aviacionit u dënua në Sarajevë, Tahir Turkaj, së bashku me gjashtë ushtarë të tjerë në Gjyqin Ushtarak të Manastirit. Pastaj, procesi i Zarës është drejtuar kundër tre shqiptarëve, të cilët akuzoheshin si anëtarë të organizatës ilegale «Fronti i Kuq Popullor», këta kishin për qëllim shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Fadil Vata dhe Murat Bytyqi u akuzuan si anëtarë të organizatës ilegale «LPRK» , Malush Ademaj u dënua me 18 muaj burgim, sepse refuzoi të shërbejë në AJ.

Kjo u ka ndodhur dhe shumë të tjerëve. Përpos dënimit nga gjykatat ushtarake, ata janë dënuar edhe nga gjykatat civile me nga tri vjet heqje lirie, me arsyetim se janë motivuar me ide «nacionaliste». Në Sarajevë Ismail Rashiti u dënua me pesë vjet heqje lirie, si anëtar i grupit ilegal «Flaka e flakosur». E njëjta gjykatë ngrit akuzën edhe për 4 shqiptarë dhe u dënuan me 28 vjet burgim, me akuza se kanë formuar një organizatë ilegale para se të vinin në shërbimin ushtarak, ku qëllimi i tyre ka qenë të merrnin armatim për të luftuar më vonë në Kosovë. Fushat për zbulimin e anëtarëve të grupeve ilegale dhe individëve brenda AJ-së vazhdoi me një intensitet të madh, duke u rritur numri i të burgosurve prej dite në ditë. Në gjykatat ushtarake, eprorët, ushtarët dhe kadetët akuzoheshin si anëtarë të organizatave ilegale të «PKMLSHJ» «OMLK» «Fronti i Kuq Popullor» «LPK» etj.

Për organet e sigurimit ishte më rëndësi të zbulohet një pjesëtar i ndonjë organizate ilegale në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre shqiptarë në Kosovë, e pastaj shokët e tij në shërbimin ushtarak, pa kurrfarë argumentesh i akuzonin se janë në të njëjtin grup ose organizatë. Në këto procese politike kundër veprimtarëve e patriotëve nga radhët e oficerëve, kadetëve dhe ushtarëve shqiptarë përdoreshin metoda të dhunës e të torturave të ndryshme, përdorimit të grafologëve, imituesve të zërit, «detektorë të rrenave», elektro-shoku, dëshmitarë të rrejshëm, detyrimet për të nënshkruar deklarata të montuara, kërcënime me likuidim, izolime, bisedat e ashtuquajtura «informative» e që u bë metoda e përditshme për të ushtruar presion në detyrimin e shqiptarëve për bashkëpunim për t'i zbuluar ata, të cilët ishin të orientuar kundër Jugosllavisë, kjo si dhe metoda tjera lënë pasoja shëndetësore te një numër të ushtarëve shqiptarë.

Në këto procese u angazhua një numër i madh inspektorësh ushtarakë, civilë dhe ushtarët policë. Kështu asokohe e pësuan shumë eprorë, kadetë dhe ushtarë shqiptarë, shumë prej tyre në procese të montuara nga organet e sigurimit ushtarak dhe atyre civil, duke i akuzuar për vepra politike, sipas nenit 133, 124, 136, lidhur me nenin 114, dhe 116, akuzat kundër vrasjeve të ushtarëve të tjerë, helmime të ujit dhe ushqimit, diversione, sabotime, moskryerjen e urdhrave të eprorëve ushtarakë, për dezertime individuale apo kolektive nga shërbimi ushtarak etj. Pra, si pasojë e një politike shoveniste ushtarake, si dhe trajtimi i tyre në shërbimin ushtarak është fakt i pakontestushëm se gjatë viteve 1981-1991 nga shërbimi ushtarak u kthyen të vdekur 73 shqiptarë, prej tyre 35 persona ( kufomat e tyre ishin të mbuluara në arkivole dhe familjeve të tyre kryesisht nuk iu lejua t`i shohin). Të gjitha këto raste janë trajtuar kryesisht si vetëvrasje.

Shtrohet pyetja se, a është e mundur që personat e tillë të aftë t'ia marrin vetes jetën, kur është vërtetuar në mënyrë të saktë se janë të aftë psikofizikisht për shërbimin ushtarak.Në anën tjetër statistika e ka vërtetuar se ndër shqiptarë fenomeni i vetëvrasjeve është i rrallë, dhe është më pak i shprehur sesa ndër popujt e tjerë. A është e mundur kur kemi parasysh faktet se gjatë asaj periudhe me mijëra shqiptarë të rinj janë dënuar me burgim afatgjatë, madje deri 20 vjet, duke ushtruar forma dhe metoda më barbare, e nuk kemi asnjë rast të tentimit në vetëvrasje. Ky dyshim më së shumti është i pranishëm te vetë prindërit e prekur drejtpërdrejt.
Nga të dhënat që posedojmë, shihet se numri më i madh i të vrarëve (më shumë se gjysma) ka ndodhur në ish-Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, gjersa në Serbi kanë ndodhur 8 raste, pastaj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Kjo tregon se Serbia ka qenë e kujdesshme që në territorin e vet të ketë sa më pak raste të tilla.

Rasti i Paraqinit, më 3 shtator 1987, në ora 3:05 pa dyshim ishte një nga rastet më tipike, i cili zgjoi interesim të madh në opinionin vendor dhe atë të jashtëm. I akuzuari Rizah Xhakli u arrestua më 19.09.1987 dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie, Abdylxhemil Alimani u denua me 20 vjet, Afrim Mehmeti u dënua me 13 vjet, Pajazit Aliu u dënua me 13 vjet, Shefqet Paqarizi u dënua me 7 vjet dhe, Enver Behlili u dënua me 5,5 vjet heqje lirie. Gazeta e përditshme «Politika» më 04 shtator 1987, pas rastit në fjalë shkruan: «Kelmendi shtiu në Jugosllavi», duke vazhduar «opinioni jugosllav është tmerruar, vrasësi Kelmendi, sipas të gjitha gjasave, nuk e ka tërhequr këmbëzën vetëm, ai shtiu në njërën nga shtyllat më të rëndësishme të bashkimit dhe të stabilitetit jugosllav, në APJ dhe këtë në pulsin më të ndjeshëm të qenies së saj, në rininë tonë, e cila barti gjithmonë me krenari uniformën e saj.

Masakri i djeshëm në Paraqin tregon edhe njëherë në mënyrën tragjike, se »kundërrevolucioni» në Kosovë është problem jugosllav. Tragjedia në Paraqin është tragjedia e Jugosllavisë». Më 08 shtator të gjitha radiostacionet dhe shtypi i Jugosllavisë nuk lanë gjë pa vjellur kundër ushtarit Aziz Kelmendi, si «Kelmendi shtiu në Jugoslavinë. Kelmendi është shqiptar. Shqiptarët shtinë në Jugosllavi, shqiptarët, pra janë armiq dhe rrënues të Jugoslavisë! Kjo fushatë do të rezultonte edhe me efektet negative në Burgun e Pozharevcit dhe në burgjet e tjera. Në fillim të burgosurit ordinarë ndërsehen kundër burgosurve politikë. Pastaj gardianët famëkeq, pa fije dyshimi me urdhrin e drejtorëve të burgjeve, siç ka ndodhur në Burgun e Pozharevcit, do të bjerë edhe viktima e parë, i burgosuri Ibrahim Kastrati, «faji» i vetëm i të cilit ishte se kishte qenë bashkëfshatar i Aziz Kelmendit.

Të bisedosh me dikend për rastin e Paraqinit, në atë kohë ka qenë me pasoja të mëdha. Ismet Krasniqi është dënuar në Bosnjë me një vit burgim për asye se në një bisedë private ka shprehur mendimin» se vepra e Kelmendit në Kosovë është e kuptueshme, pasi që bëhen keqtrajtime në Armatën Jugosllave ndaj shqiptarëve.
Procesi i Paraqinit nxitoi forcat nacionaliste serbe drejt aplikimit të një represioni edhe më masiv ndaj ushtarëve, eprorëve dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Dërguan njësitë speciale ushtarake dhe policore në çdo fshat me urdhërin e gjeneralit të Armatës së Parë, Petar Graqanin. Shërbimet sekrete ushtarake planifikonin të vendosnin eksplozive nëpër tubime të serbëve dhe malazezëve, likuidimin e atdhetarëve të shquar në vend dhe jashtë vendit. Shkatërrimin e varrezave serbe, për t'i fajësuar shqiptarët si «terroristë» «vandalistë» me qëllim shëkputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Më së miri shihet nga fjalimi dhe vlerësimi i admiralit Branko Mamula, sekretar Federativ i Mbrojtjes të APJ-së në të Komitetin e LKJ, më 27 shtator 1987, kur përpiqet t'i arsyetojë veprimet e AJ-së dhe politikën e LKJ-së, citoj: «Në periudhën 1981-1987 në APJ janë zbuluar 216 grupe të organizuara ilegale në të cilat ishin kyçur 1435 pjesëtarë të APJ-së të kombësisë shqiptare.

Është vërtetuar se disa grupe, përveç indoktrinimit, të forcimit dhe të masovizimit të radhëve të tyre, kanë planifikuar, kanë shprehur gatishmëri, kanë propaganduar, kurse disa edhe kanë përgatitur aksione më ekstreme në njësi, vrasje të eprorëve ushtarakë, helmimin e ushqimit dhe të ujit, diversione, sabotime, thyerje të depove dhe vjedhjen e armëve, ekseseve grupore nacionaliste nëpër njësi, kurse grupet më ekstreme kanë shqyrtuar variantet e rebelimit të armatosur dhe shkuarjen në Kosovë me gatishmëri luftarake për t'iu bashkuar fazës së armatosur të «kundrarevolucionit», që shpjegon «Politika», më 4.09.1987.

Të gjitha këto akuza tregojnë përmasat ndëshkuese që kishte ndërmarrë AJ ndaj eprorëve, ushtarëve dhe kadetëve shqiptarë, si dhe arsyetimin para presionit të opionit serbë për gjoja se AJ është duke u sjellur tepër butë ndaj shqiptarëve, të cilët janë edhe më të këqinj se sa turqit para 500 vitesh. Kritikat kryesore vinin nga gjenarali i AJ Nikola Lubiqiq, si dhe nga kisha ortodokse.

Një përjashtim bënte Millovan Gjillas, i cili më parë kishte mbrojtur interesat e një Serbie të madhe, por pastaj, në një tubim të internacionalës për drejtat e njeriut në Venedik pat deklaruar» Jugoslavia ka të Burgosur Politikë më tepër se sa Bashkimi Sovjetik».Por pa marrë parasysh arsyetimet për një politikë të gabuar ndaj popullit shqiptar, pa marrë parasysh represaliet që i ka ndaj eprorëve, ushtarëve dhe kadetëve, pa marrë parasysh trillimet, shpifjet që i kanë bërë, nuk ia arritën në asnjë mënyrë të na mposhtin, të na largojnë nga aspiratat shekullore, përkundrazi na kalitën edhe më tepër, na bënë edhe më këmbëngulës në qëndrimet tona të drejta.

Lista e ushtarëve shqiptarë të vrarë gjatë shërbimit në AJ prej viti 1981-1991

Fatkeqësisht çështje e ndriçimit të vrasjeve misterioze të ushtarëve shqiptarë që mbyteshin disa ditë, apo disa javë para se ta kryejnë shërbimin ushtarak në Armaten Jugosllave, me preteksin se ‘’kanë bërë vetvrasje’’ ka mbetur pa u ndriçuar nga opinioni ynë publik si dhe nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Shtrohet pyetja a nuk ishin këta djem tanë viktimat e para të regjimit shovenist serbo-jugoallav, vetëm pse ishin shqiptarë. Organet kompetente të Republikës së Kosovës, e kanë për detyrë të mos i harrojnë këta djelmosha që u mbytën me mjete dhe mënyra të ndryshme nga dora katile e Beogradit, duke i radhitur në listën e martirëve dhe dëshmorëve tanë.

Emri, emri i babës, mbiemri - Vendlindja - I vrarë - Vendi

1981

1. Sami Ali Gashi Pejë 06.07.1981 Vërshac (Sërbi)

2. Besim Xhemajl Bajraktari Gjakovë 05.08.1981 Banja Llukë (BH)

3. Shaban Sadik Prushi Lipjan 02.09.1981 Split (Kroaci)

4. Halil Abib Hajrullahu Gjakovë 22.09.1981 Banja Llukë (BH)

1982

5. Sami Shani Krasniqi Dragash 12.03.1982 N. Mesto (Sloveni)

6. Abedin Selman Balaj Besjanë 07.04.1982 Sinj (Kroaci)

7. Rasim Ramadan Zekaj Preshevë 11.04.1982 Split (Kroaci)

8. Hasan Talat Sezeri Drenas 05.051982 Mostar (BH)

9. Nazmi Abdullah Muja Mitrovicë 04.06.1982 Dobrinjë

10. Izeir Rr. Sadiku Gostivar 15.07.1982 Krivollakë (Kroaci)

11. Musë Ramadan Haxhaj Therandë 20.12.1982 Split (Kroaci)

12. Latif Mehmet Zeqiri Burim 04.06.1982 Lubjanë (Sloveni)

1983

i. V Adem Binak Osmanaj Shkup 30.05.1983 Lubjanë (Sloveni)

14. Enver Selman Elezaj Shkup 04.06.1993 Split (Kroaci)

15. Mustafë A. Pantina Klinë 01.08.1983 Derventë (BH)

16. Murat Muharrem Jusufi Shkup 04.06.1983 Lublanë (Sloveni)

1984

17. Naser Sh. Gashi Skënderaj 10.06.1984 Tollmin

18. Agron Haxhi Ferizi Deçan 23.081984 B. Topollë (Sloveni)

1985

19. Abedin S. Balaj Drenas 1203.1985 Postonjë (Sloveni)

20. Ejup Fejzë Sahiti Papaz (Ferizaj) .1985 Valevë (Sërbi)

21. Fadil Xhafer Gashi

22. Fadil Selim Bërdynaj Radoc (Pejë) 24.06.1985 ?

23. Mujë T. Maqaj 16.06.1985 Benkovc (Kroaci)

24. Rexhep Ismet Balaj

1986

25. Inajet Isrefi ? Strugë 12.06.1986 Novi Sad (Vojvodinë)

26. Haki Rexhep Shatri Tomoc (Istog) 03.02.1986 Sarajevë (BH)

27. Sami Daut Shabani Zastok (Ferizaj) 09.01.1986 Zagreb (Kroaci)

28. Erdohan A. Morina Prizren 02.12.1986 ?

1987

29. Bedri N. Bajgora Vushtri 14.01.1987 Nish (Sërbi)

30. Mustafë Mumin Ramadani Bozoc (Tetovë) 27.04.1987 Strumicë (Maqedoni)

31. Qani Muharrem Shabani Rahovec 05.11.1987 Pulë (Kroaci)

32. Ibrahim Jusuf Kastrati Turjak (Rahovec) 22.09.1987 Pozharevc (Sërbi)

33. Miftar Sylë Tali B.Bokës (Gjakovë) 22.04.1987 Kutina

34. Aziz S. Kelmendi Karaçicë 03.09.1987 Paraqin (Sërbi)

35. Raif Adem Isufi Kotorr 05.12.1987 Bohinsko B (Sloveni)

36. Tafil Zahir Hyseni

1988

37. Nehat Xh.Gashi Orrëberdë 15.05.1988 Ribnice

38. Naim Ramadani Ajgeri Prizren 1988 Beograd (Sërbi)

39. Afrim Muhamet Lushtaku Prekaz i Ulët 28.06.1988 Kranj (Sloveni)

40. Osman Hajdar Ismajli Gerbic (Medvexhë) 28.06.1988 Titograd (Mali i ZI)

1989

41. Enver Shaban Ramadani Brojë 16.01.1989 Viroviticë (Kroaci)

42. Xhavit Alush Berisha

43. Hilmi Shaqir Litaj Klinë 04.09.1989 Doboj (BH)

1990

44. Vehadin Xhemshit Hajrizaj Kuklibeg 26.04.1990 Divule

45. Jetullah Haxhi Desku Siçevë 18.05.1990 Suboticë (Vojvodinë)

46. Xhevdet Hajredin Aruçi Rezallë 26.06.1990 Tuzëll (BH)

47. Enver Has ? Tetovë ? ?

48. Fatmir A. Tafaj Grejkovc 25.08.1990 V. Goricë

49. Rexhep I. Blakaj Jabllanicë ?

1991

50. Izet Sadri Bushi Pustenik 01.01.1991 Qupri (Sërbi)

51. Lulzim F. Rexhepi Viroviticë 16.01.1991 Viroviticë (Kroaci)

52. Samedin P. Krasniqi Tërpezë 31.08.1991 Shibenik (Kroaci)

53. Enver S. Maksutaj Orrobërdë 15.09.1991 Gjakovo (Kroaci)

54. Selman Sh. Metaj Shushicë 15.09.1991 Pakovë

55. Agim S. Gllareva Verbovc 16.09.1991 Zvor (Kroaci)

56. Tahir A. Gashi Verbovc 18.09.1991 Osijek (Kroaci)

57. Bashkim S. Krasniqi ***llak 24.09.1991 Shibenik (Kroaci)

58. Ejup S. Bedrolli 29.09.1991 Bjellovar (Kroaci)

59. Skender D. Kryeziu Çaparc 16.09.1991 Sinj (Kroaci)

60. Haki D. Morina Gllarevë 24.10.1991 Trebinje (Kroaci)

61. Burim Sh. Behramaj Mitrovicë 25.10.1991 Beograd (Sëerbi)

62. Vesel D. Duraku Damja 15.12.1991 Turanj

63. Ali S. Sahiti Komogllavë 19.12.1991 Sllunj (Kroaci)

64. Setar M. Ramadani Pejë 28.09.1991 Trebinje (Kroaci)

65. Ejup E. Gashi Bell. i Madh 21.11.1991 Llastovë (Kroaci)

66. Abedin S. Krasniqi Bell. i Madh 03.11.1991 Beograd (Sërbi)

67. Rasim R. Istrefi Kovaçicë 20.12.1991 Karllovc (Kroaci)

68. Xhevdet Z. Musliukaj Mitrovicë 23.12.1991 Utenje

69. Raif J. Miftari( kapiten) Medvexhë 27.04.1991 Zhivicë

70. Fatmir Krasniqi

71. Rasim Isrefi

72. Xhevdet Musliukaj

73. Muharrem Robelli

74. Nesim Dana nga Gjakova i vrarë nga AJ në vitin 1981

75. Fadil Talla nga Podujeva i vrarë nga AJ në vitin 1990

Të dhënat janë marrë nga këshilli i drejtave të njeriut.

Lista e eprorëve ushtarak të arrestuar prej viti 1981-1990

Eprori ushtarak u arrestua më 1981

Sadik Sutaj

Eprori ushtarak më vitin 1982

Skener Ibishi

Grupi i eprorëve ushtarakë të arrestuar më 23 mars 1983

Bajram Mehmeti

Gani Lipaj

Bilall Hadërgjonaj

Izet Zabelaj

Eprori ushtarak më vitin 1984

Ramiz Selmani

Grupi i eprorëve ushtarakë të arrestuar dhjetor të vitit 1985

Naim Maloku

Xhafer Jashari

Fadil Hakiu

Fadil Demiri

Ramadan Gashi

Shefqet Tahiri

Rrahim Bytyqi - ushtar (dhjetar)

Zeqirijah Hyseni - ushtar

Xhemil Ismani - ushtar

Grupi ushtarak i arrestuar më 1986

Agim Mehmeti

Xhafer Kabashi

Miftar Ziba

Shabi Dërmaku

Rrahim Ademi

Xhavit Sadiku

Xhemë Ademi (nuk është i gjallë)

Musa Hoxha - civil

Tahir Mehmeti - civil

Enver Idrizi - civil

Eprori ushtarak u arrestua më 1987

Agim Krasniqi.

(Kjo listë mund të mos jetë e plotë, mund të ketë edhe gabime sa i përket ndonjë emri apo ndonjë date të caktuar, mund të ndodh të mos jenë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë vrarë apo janë dënuar në APJ, për të cilët ende unë nuk disponoj të dhëna.)

Deklaratat e individëve që kanë përjetuar metodat më barbare të regjimit ushtarak gjatë periudhës 1981-1990

Rizah Xhakli i dënuar me 20 vjet heqje lirie si pjesëmarrës në vrasje (ekstrakti i shkurtër):

Jam arrestuar më 19 shtator 1987 në Paraqin. Gjykatës hetues ishte një kapiten i klasës së parë. Më pyeste por s'kisha çka t'i them. Më tha: »Kemi bërë masakër atje, e këtu nuk flet». Kur më dërguan për herë të parë te gjykatësi hetues, më pyeti se a dua mbrojtës. Nuk desha të pranoj, i thashë se nuk më duhet, sepse nuk jam fajtor. Gjykatësi ma caktoi për mbrojtës majorin Spaso Stojkovski nga Garnizoni i Kumanovës. Më vonë më lejuan mbrojtës civil…Kështu, nga shtatori e deri në fund të nëntorit (1987) më kanë marrë në pyetje dy inspektorë tërë ditën. Ma shanin zotin, nënën dhe krejt me rend, bërtitnin në mua. Filluan dhe të më rrahin. Më jepnin letër dhe laps të shkruaj krejt çka di për ngjarjen. Hidhëroheshin se shkruaja gjithnjë të njëjtat gjëra. Më vonë nuk insistonin të mësojnë nga unë gjë të re. Më thonin të flas për shokët. Pasi që edhe ata po flasin për mua. Më thonin se po i mbroj ata, por po ia hap varrin vetes.

Në fillim më thanë se do të dënohem me vdekje, kurse më vonë më thanë se do të marr 20 vjet. Mua më akuzonin se jam marrë vesh me Rizo Alibashiqin që ai t'ia japë Aziz Kelmendit dy krehra me municion, dhe se gjatë kohës që ka shtënë e ka zgjuar nga gjumi Islam Mahmutin që të mos e kap ndonjë plumb. Filluan të më rrahin çdo ditë. Një ditë, një polic (quhet Blazheviq Zdravko, nga Zagrebi) më mbyelli në WC dhe më tha se do të më rrahë çdo ditë deri sa të pranoj. Një ditë po ai më nxori në shëtitje dhe në fund të çdo rrethi me godiste me shufër gome duke thënë: »Këtë e ke nga Beqiqi, këtë e ke nga Simiqi… dhe ashtu për secilin ushtar të vrarë merrja nga një goditje….

Me vizitonin shpesh disa oficerë të lartë … më mbanin «fjalime», më kërcënonin më thonin se jam duke ia hapur vetës varrin. Më thonin se me siguri e kam vrarë edhe Aziz Kelmendin që t'ia humbi gjurmën. Deri sa më kanë marrë në pyetje inspektorët nuk kam pranuar asgjë (s'kisha çka të pranoja)….pastaj erdhi një gjykatës tjetër hetues (quhet Milorad Vukosav, major). Më mundonte, më detyronte të qëndroja gatitu me fëtyrë nga dera, që të mos shikoja fotografinë e Titos… Më pyeti se kë e kam në familje, kur i thashë, ai ndërhyri më fjalët» E mjera nëna jote, dhe ajo do të qajë tërë jetën për ty sikur qajnë nënat e ushtarëve të vrarë«. Një ditë tha se do të më ballafaqojë me shokët dhe me pyeti se a dua të më sjellë dhe do të më thonë « Rizah, ti e ke bërë këtë dhe duhesh të pendohesh».

M'i dha deklaratat e shokëve me nënshkrimet e tyre, të cilët kishin folur për mua, por nuk besova, mendova se donte të më detyrojë t'i akuzoj edhe unë ata. Kërkova të më ballafaqojnë me Shefqetin (Paçarizi). Me shpien në dhomë tjetër, por në vend të Shefqetit ma ndezën televizorin me videorekorder ku paraqitet Shefqeti, foli duke më akuzuar. Pastaj u paraqitën fytyrat e Afrimit, Pajaziti… por pa zë…. Gjykatësi hetues më tha se do të m'i sjellë nënat e ushtarëve të vrarë që të më shohin sa i vrazhdë jam, do t'iu them, ja ku është vrasësi i më të dashurve tuaj, do të lidhim që të dukesh vrasës i vërtet do të shohim çka do të thonë ato».

Skender Ibishi epror ushtarak

Festën e Një majit të vitit 1982 nuk e kisha planifikuar të shkoja në shtëpi pasi që pas një muaj e kisha pushimin vjetor, por komandanti i batalonit ma inponoi të udhëtoja për të ditur se si a kam familjen, pas demonstratave në Kosovë. Arsyet e këtij imponimi do t'i kuptoj më vonë. Gjatë festës do të takohem me vëllain e Bahtirit, i cili më tregoj se Bahtirin, Nusretin, Kadriun etj., ishin burgosur si dhe shtëpia ime ishte nën kontrollin dhe vrojtimin e njerëzve të sigurimit, për çfarë do të vërtetohet më vonë.

Dy persona nga operativa e organeve të sigurimit të cilët më përcillnin këmba-këmbës kudo që qarkulloja, vetëm që nuk më thanë «Na falni zotëri, ne e kemi për detyrë që të ju përcjellim në çdo kohë». Tani ishte e qartë përse komandanti i batalionit ma imponoi këtë «pushim» në vendlindje. Pas mbarimit të «pushimit» do të kthehem në garnizonin e Valevës. Në zyrën time erdhën të gjithë eprorët ushtarak të batalonit për të ndëgjuar se çka ka të re lidhur me gjendjen në Kosovë (ani pse ata këtë e dinin më mirë se unë). Pasi që ju thashë se kam qenë te vëllai tërë kohën se ishte i sëmurë dhe nuk kam pasur mundësi të dalë jashtë për ta shiquar gjendjen në Kosovë. Filluan provokimet e eprorëve ushtarak e sidomos nga kapiteni i klasës së parë Gjorgjeviq, i cili ishte edhe bashkëpunëtorë i organit të sigurimit. Më 16 maj 1982, është dashur të shkojmë në stërvitje të rregullta, por kjo do të shtyhet për një ditë më vonë, siç do ta kuptoja më vonë, e gjithë kjo do të bëhet mu për shkakun tim.

Të nesërmen, tok me katër eprorë të tjerë, jo shqiptarë, do të më dërgojnë në Beograd, gjoja për të na testuar. Në vend të testimit mua do të më shpien drejtë në komandën e Armatës së parë. Aty në bisedë «informative», më mori gjeneral Bunçiq dhe koleneli Jerko. Në fillim biseda dukej spontane, por gradualisht do të marrë konotacione të tjera dhe do të kalojnë në politikë. Kryesisht interesimi i tyre kishte të bënte me demonstratat e 81', duke vënë theks të veçantë mbi aktivitetin e organizatave ilegale. Dhe, nga fundi i bisedës ata do të fillojnë t'i kërkojnë nga unë emrat e shokëve të mi në Kosovë. Unë i thashë disa emra të personave që nuk ekzistonin, gjë që këta do t'i revoltojë pa masë. Dhe, atëherë nga syza do të nxjerrin një fletë me emrat e shokëve të ilegalitetit e që ishin të arrestuar në Kosovë. I njeh? - më pyesin - Shokët të shkollës fillore, u përgjigja.

Pastaj në zyre hynë katër polic ushtarakë dhe më dërguan në burgun hetues ushtarak në Beograd. Gjatë hetuesisë ndaj meje do të përdoren mjete dhe metoda më barbare. Dua të theksoj se gjatë tërë kohës në hetuesi (nëntëmbëdhjetë muaj të plota) më ngujuan në një qeli të vetmuar, e prej tyre, tetë muaj s'kam pasur kurrfarë kontakti me familjen e as që më është lejuar shtypi. Më kujtohet kur një ditë erdhën aty dy inspektorë të sigurimit (Bashkimi dhe Lutfiu) nga Prishtina, të cilëve do t'i rrëfej për të gjitha ato sjellje të egra gjatë procesit të hetuesisë.

Ndërsa ata, në vend që të më japin kurajo do të ma kthejnë me arrogancë «Mirë e ke këtu, po të kishe qenë në duar tona do të bënim më butë shpinën se barkun». Pas «takimit me ispektorë» nga Prishtina sjelljet e organeve të hetuesisë ishin edhe më të vrazhda. Kërkonin emrat e eprorëve ushtarak që i kam angazhuar në organizatën ilegale, pasi që isha i organizuar në aktivitetin ilegal në Kosovës qysh nga viti 1987. Ky fakt i frikoi organet e sigurimit ushtarak se në radhët e AJ ka shumë eprorë të organizuar në baza ilegale, prandaj bënin të pamundur për të ditur se sa i kam futur «Rrënjët» ilegale në mes të eprorëve ushtarakë dhe ushtarëve shqiptarë.

Reth rastit tim ishin të organizuar në katër grupi, grupi i parë ishte angazhuar me mua, grupi i dytë rreth eprorëve ushtarak shqiptarë në AJ, grupi i tretë me ushtarë të garnizonit ku kam punuar dhe grupi i katër ishte i angazhuar të përcjellë proçesin gjyqësor të organizatës ilegale «PKMLSHJ» që zhvillohej në Prishtinë. Të gjitha këto grupe ishin të kordinuara mirë dhe, bënin presion psikik dhe fizik për të ditur reth detyrave që i kam marrë nga Komiteti Qendror i organizatës ilegale’’Partia Komuniste Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi«PKMLSHJ-së».Si do të veproja si eprorë ushtarak nëse fillon lufta në Kosovë. Roli i ushtarëve në rast të luftës në Kosovë. Më çfarë detyrash kanë ardhur Osmani dhe Bahtiri në Valevë vetëm tri ditë para se të fillojnë demonstratat e 11 marsit 1981.

Përse e ka lëshuar ushtarin Agim Sinani që të shkojë për vikend në shtëpi gjatë vrullit më të madh të demonstratave të 1,2,3 prillit 1981, etj. Për këto dhe shumë e shumë pyetje të tjera më pyetnin edhe nga 24 orë pa ndërpre. Në shqyrtimin kryesorë i kam pasur 26 dëshmëtarë, të cilët dolën eprorë ushtarak shqiptarë dhe jo shqiptarë, ushtarë dhe civil, ca prej të cilve edhe nuk i njihja. Pas, seancave maratonike trupi gjykatës më shqiptoi dënimin në kohëzgjatje prej 12 vjet heqje lirie. Për këtë aktvendim të gjyqit ushtarak më njoftoi afër një muaj para seancës kryesore sekretari i gjykatësit, ushtari Safet nga Bosnja.

Në pyetjen time si erdhe deri te kjo informatë më tha» Unë veç e kamë shtypur aktvendimin tënd», pra në këtë mënyrë kanë vepruar organet gjyqësore. Shqyrtimi i lëndëve të burgosurve shqiptarë nuk është bërë në bazë të fuqisë të argumenteve dhe dëshmive por në baza politike ndëshkuese.

Në fund të them se në atë kohë burgu hetues ushtarak në Beograd - ka qenë përplotë me ushtarë shqiptarë, të cilët kanë përjetuar në mënyrë më barbare regjimin ushtarak të armatës jugoslave. Një nga metodat më atraktive në burgun hetues ushtarak në Beograd ishte, kur ushtarët- policë të burgut, i rrahin ushtarët shqiparë në shetitore, gjatë mbrëmjes, kur të gjithë ishin në gjumë. Bërtimat e mëdha në shetitore na zgjonte nga gjumi duke dëgjuar skena të tmershme deri në mesnatë. Me këtë metodë donin t'i frikësonin të gjithë shqiptarët që ishin aty. Donin t’ua thejnë qëndrimin e drejtë dhe dinjitoz, por këtë nuk ja arritën, shqiptarët ishin edhe më të fortë dhe më këmbëngulës t'i mbrojnë aspiratat shekullore të popullit shqiptar.

PS.

Këtë shkrim ma ka dhënë për t’ia botuar miku dhe shoku im i vjetër i ndjeri Skënder Ibishi,( i cili ka ndrruar jetë më 06. 07. 2017) . Edhe pse e kemi botuar këtë shkrim në,, Bota sot’’, nuk më kujtohet as data dhe as viti i botimit. Por duke ditur se organet shtetrore, por as mjetet e opinionit publik nuk janë merë fare me krimet e para të Armates së Jugosllavisë, që u banë pas demostratave të 1980-ës, ndaj ushtarve shqiptarë që ishin duke e kryer shërbimin ushtarak, e shohim të udhes ta ribotijmë edhe një herë këtë shkrim , mundësishtë në gazeta e portale me qëllim që organet kompetetnet të Republikes së Kosoves t’i detyrojmë të merren me të gjitha krimet , jo vetëm me krimet serbe, por edhe me krimet e përbashkëta serbo- jugosllave. Është e pafalshme, për të mos thënë turp, që organet kompetente të mos interesohen fare për djelmoshat tanë që u mbytën në mënyrën mizore nga oficerët serbo-jugosllav, vetëm pse ishin shqiptarë me vetëdije të lartë kombëtare dhe fetare. Shefqet Jashari-STROFCI.

(Kosova Sot Online)