Qeveria Kurti

Qeveria Kurti
Qeveria Kurti

Islam Lauka

  • 06 February 2020 - 15:41

Megjithëse i vonuar, krijimi i këtij koalicioni dëshmoi se të dy partitë respektuan vullnetin e popullit për ndryshim, të shprehur shumë qartë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Gjithashtu, u dëshmua se VV dhe LDK janë të gatshme të marrin përsipër misionin e vështirë të këtij ndryshimi.

Me këtë, iu dha fund spekulimeve dhe “parashikimeve” të fallxhorëve të Prishtinës dhe Tiranës se, gjoja, as VV dhe as LDK nuk janë të gatshme, që, në këto momente të vështira, të marrin përsipër qeverisjen e Kosovës.

Që Kosova po ballafaqohet me një situatë të rëndë, askush nuk e vë në dyshim. Por vendosmëria, serioziteti dhe pjekuria politike, pikërisht, në momente të tilla kërkohen dhe verifikohen.

VV dhe LDK e treguan veten si opozitë e suksesshme. Tani është koha për ta bërë më të vështirën – realizimin në praktikë të premtimeve dhe angazhimeve të tyre, por, tashmë si pozitë. është koha e reformave të thella, brenda vendit, sidomos, në ekonomi, drejtësi dhe arsim. është koha e shkapjes së shtetit.

Në fushën e politikës së jashtme, pas dështimeve të njëpasnjëshme, është koha për hapjen e një kapitulli të ri. Të gjitha këto sfida kërkojnë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe frymë të pashembullt sakrifice.

Le të shpresojmë që opozita e re, deri tani në pushtet, t’i bashkohet misionit të ndryshimit, para së gjithash, të vetvetes, duke bërë mbikëqyrjen e punës së qeverisë, jo mbi bazën e interesave partiake, të inateve dhe hakmarrjeve personale, por duke u nisur nga interesat jetike të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Kriteri i vlerësimit të punës së Kryeministrit Kurti duhet të jenë, jo deklaratat e tij, të bëra para 20 vjetësh, siç ndodhi, për fat të keq, në seancën e sotme plenare të Kuvendit, por në rezultatet konkrete në zbatimin e programit qeverisës, në mënyrë të veçantë, në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Urime qeverisë së re të koalicionit VV-LDK!
Urime simboleve të shpresës dhe të ndryshimit, Kryeministrit të ri Albin Kurti dhe Kryetares së re të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"