Urime shqiptarëve dhe Qeverisë “Kurti“, 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Urime shqiptarëve dhe Qeverisë “Kurti“, 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!
Urime shqiptarëve dhe Qeverisë “Kurti“, 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Skender Kapiti

  • 16 shkurt 2020 - 08:29

Me 12 Qershor 1999 NATO dhe UÇK çliruan Kosovën duke e mundur dhe dëbuar njëherë e përgjithmonë kolonizatorin barbar serb nga Kosova, dhe me Me 17 Shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë, gjë e cila pra shënoi krijimin e Shtetit të Ri shqiptar të Kosovës të njohur edhe ndërkombëtarisht, pavarësi e cila erdhi  pas përpjekjesh, mundimesh e sakrificash mbinjerëzore të popullit martir të Kosovës.

Pra, Shqiptarët e Kosovës qëndruan, sfiduan dhe sakrifikuan për shtetin, për atdheun dhe për Kombin për të siguruar, garantuar dhe zhvilluar liritë dhe të drejtat kombëtare, progesin qytetar, progresin arsimor, kulturor, ekonomik dhe mirëqënien. Shqiptarët e Kosovës luftuan  për dinjitetin kombëtar,për  lirinë, për drejtësinë dhe për lumturinë kundër padrejtësive, jolirisë dhe kundër barbarisë sllavo-serbe.Por ky 12 Vjetor i shpalljes së Pavarësisë, Kosovën e gjen të “okupuar”, të rrezikuar dhe të  kërcënuar e të plagosur  nga korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, varfëria dhe nga eksodi, të cilat Kosovës dhe popullit të saj i vijnë nga politika, pushteti dhe nga sistemi i drejtësisë, nga mafiooligarkia e cila ka kapur shtetin dhe ligjin, dhe ka bllokuar patriotizmin, demokracinë, zhvillimin, drejtësinë e integrimin.

Nuk e meritonte populli shqiptar i Kosovës keqqeverisjen  dhe tradhtinë që atij i ka bërë në këto vite klasa politike, elita politike e saj. Kur zhgenjen politika dhe keqqeveris qeverisja, kur korrupsioni dhe hajnija e pushtetit dhe e drejtësisë kapin shtetin dhe nuk japin llogari para askujt dhe as para ligjit, kur mashtrimet e gënjeshtrat bëhen të bezdishme dhe monotone, dhe kur humbet shpresa e besimi te shteti, politika, drejtësia  e qeverisja atëhere festa , as ajo kombëtare nuk ka entuziazmin e duhur  por venitet e zbehet.     

Prandaj është koha për reflektim dhe ndryshim për të çuar në vënd amanetin dhe sakrificat e popullit shqiptar dhe të  qindra e mira heronjve e dëshmorëve të kombit për një Kosovë të lirë, të fortë politikisht, ekonomikisht, demokratikisht, të mirëqënë dhe të  emancipuar në rrugën e qytetërimit europian me dinjitet ashtu sikurse edhe kombet e tjera të Europës.Dhe falë demokracisë që ajo bën të mundur lirinë e zgjedhjes për të bërë ndryshimin, Kosova, verdikti i saj me 6 Tetor 2019 bëri zgjedhjen e duhur , pasi bëri edhe ndëshkimin e duhur duke e larguar nga pushteti keqeverisjen e mëparshme, sepse vetë historia e një kombi të lavdishëm  si ajo e kombit shqiptar, është përpjekje e pandërprerë për liri, dhe liri, do të thotë: përpjekje e lufte kundër pushtuesit të huaj dhe kundër jolirisë, korrupsionit dhe padrejtësisë.

Urime gjithë shqiptareve 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovë. Urime familjeve të dëshmorëve të lirisë; urime invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së; urime sportistëve dhe xhudisteve të Kosovës dhe të gjithë meritorëve që i shërbejnë me përkushtim e përgjegjshmëri kombit dhe atdheut.

Urime kryeministrit Kurti, Qeverisë së re të drejtuar prej tij, dhe i urojmë suksese asaj në reformimin dhe në drejtimin e shtetit e të shoqërisë  për forcimin dhe konsolidimin e Pavarësisë, të ligjit, drejtësisë dhe në rrugën e shtetndërtimit të shtetit modern  demokratik e ligjor për të cilat kanë sakrifikuar patriotizmi dhe kombi shqiptar, për të cilën  votuan shqiptarët me 6 Tetor 2019. Kjo  pasi te Kurti, te sinqeriteti, korrektesia, pastërtia dhe patriotizmi i tij  kanë besim dhe shpresë shqiptarët se gjërat do të ndryshojnë për nga përmirësimi dhe për nga më e mira kombëtare për ta nxjerrë Kosovën nga ky udhëkryq ku e kanë futur politika korruptive dhe injorante e paraardhësve të tij; politika  e interesave personale,e papërgjegjshme, dështake dhe antipublike e tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"