Taksa dhe reciprociteti

Taksa dhe reciprociteti
Taksa dhe reciprociteti

Nexhmedin Saqipi

  • 16 February 2020 - 14:36

Qeveria e re e Kosovës, e cila ndryshe po quhet edhe Qeveria Kurti, për të sjellë risi në skenën politike, për dallim nga mandati i kaluar i koalicionit qeverisës, kë kushtëzuar heqjen e taksës në favor të reciprocitetit dhe ripërtëritjes së dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo lojë e kushtëzimesh i ka vënë në siklet jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Dy fuqitë e mëdha aleatë të Kosovës dhe mbështetës serioz të pavarësisë së saj e kanë këshilluar lidershipin shqiptar, që ta heqin taksën dhe mos të manipulojnë me reciprocitetin, si pengesa kryesore në vazhdimin e dialogut.

Qeveria e Kosovës, para disa kohe, pat marrë vendim të rris 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja, ndonëse një vendim i tillë u prit me shqetësim nga Bashkimi Evropian, i cili kërkoi menjëhershëm heqjen e saj.

Pavarësisht arsyetimit të Qeverisë së mëparshme kosovare për aplikimin e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake, nga mllefi ndaj politikës së Beogradit, e cila lobonte kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare dhe tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, krahas BE-së rreshtohen edhe Amerika e Gjermani për heqjen e taksës.

Lëre që nuk u tërhoq taksa, por në vend të kësaj kërkohet reciprocitet me shtetin serb, çka edhe më shumë i acaron raportet në mes këtyre dy shteteve, duke vënë në pozita të palakmueshme edhe faktorët ndërkombëtarë.

Këtë reciprocitet, të cilin kryeministri Kurti e kërkon me zëvendësim me taksën, është përdorur më herët në mes serbëve të veriut dhe shqiptarët e jugut të Serbisë, përkatësisht të Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim edhe spektri politik e institucional kosovar dhe ai i Luginës së Preshevës, bënë shumë politikë në realizimin e kësti reciprociteti, i cili asnjëherë nuk u zbatua në praktikë.

Shtohet pyetja: Si mund të realizohet reciprociteti në mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel dy republikash, kur ai nuk gjeti mbështetje të realizohet mes Mitrovicës dhe Bujanocit, si dy nga komunat më problematike në rajon?!

Për shkak të lojës së stërgjatur në mes Prishtinës dhe Beogradit, si ajo e litarit tërhiq e mos këput, ka sjellë në një gjendje të paduruar të bashkësisë ndërkombëtare dhe fuqive të mëdha, të cilat si duket kanë filluar të lodhen dhe të mërziten, duke kërkuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në realizimin e marrëveshjeve të firmosura në mes të këtyre dy shteteve të cilat bëjnë gara se cila më parë të anëtarësohet në BE e forume të tjera ndërkombëtare siç është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në ditët vijuese do të shihen gjërat se si do të duken në favor të gjetjes së një zgjidhjeje në mes Kosovës dhe Serbisë me një njohje të ndërsjellë, nga e cila do të përfitojnë qytetarët e këtyre vendeve, duke llogaritur edhe paqen dhe stabilitetin ndër-rajonal, si garancë e ardhmërisë ballkanike dhe evropiane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"