Pse me Albinin, pyetjet e vështira bëhen të lehta!

Pse me Albinin, pyetjet e vështira bëhen të lehta!
Pse me Albinin, pyetjet e vështira bëhen të lehta!

Andi Bejtja

  • 17 February 2020 - 12:36

Një video amatore me celular dje, nga Konferenca e Mynihut, na shfaqi një lider të vërtetë që edhe ata që nuk e donin, e dëgjonin me vëmendje:  Albin Kurtin përpara një tavoline me ballkanas dhe perëndimorë, duke mbrojtur në fakt ato parime që i ka paraartikuluar me kohë.

Shumë shqiptarë andej dhe këndej kufirit, si rrallëherë, panë një "stof" politikani tjetër nga ata që janë mësuar të shohin përditë, me dinjitet dhe plot me mendim e peshë e mbi të gjitha vizion.

Për sa i përket dialogut me Serbinë, për shumë politologë e gazetarë pjesa më e vështirë në rrugëtimin e Albinit si Kryeministër, ai foli për tre parime që ngelën si gozhda jo vetëm në atë sallë.

Albin Kurti tha: "Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta dhe jo harta me Presidentë rreth tyre".

Kisha kaq kohë që dëgjoja nga dashamirës dhe jo-dashamirës të tij kur thoshin: "Si do t’ia bëjë Albini kur ndonjë nga këshilltarët e Trump, t'i vërë hartën e ndarjes së Kosovës në tavolinë e t'i thotë firmos!".

Kjo ishte një pyetje e vështirë, por dje e pamë që u bë një pyetje e lehtë: Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta. Nuk ka perëndimor e amerikan në botë ta kundërshtojë.

Dhe më tej kur foli për taksën dhe riartikuloi tezën e reciprocitetit, zgjidhi sërish një pyetje të vështirë (në fakt e kishte zgjidhur me kokë).

Me të njëjtën lehtësi do të rrëzojë, në mos e ka rrëzuar dhe të ashtuqujturin "Shengen Ballkanik".

Me Albinin, pyetjet e vështira do të vazhdojnë të bëhen të lehta, sepse përgjigjet në këtë rast nuk i japin as Kulisat, as Intrigat, as Pazaret, por parimet, që falë Zotit këtë herë artikulohen jo thjesht nga një lider patriot, por nga një lider me brumë, vizion e me një epërsi dije të dukshme më së paku në krahasim me liderët e tjerë të Ballkanit.

E mbani mend për shembull sa të vështira i kishte përgjigjet Presidenti Thaçi apo edhe gazetari Baton Haxhiu në studiot televizive:  Njëherë thoshin nuk është ndarje, është korrigjim, pastaj do  të shkëmbejmë territor, por nuk ka ndarje, pastaj nuk ka ndarje në bazë etnike, është një muhabet tjetër, multietnicitetin do e ruajmë, nganjëherë thuhej që Presidentin e kanë përkthyer keq nga anglishtja, pastaj dilte vizorja njëherë 30 km brenda, një herë 30 km jashtë Mitrovicës e të tjera e të tjera si këto....

U, se harrova, a e mbani mend sa të vështirë e kishin t'i jepnin përgjigje pyetjes se, e kujt ka qenë ideja e ndarjes?! Cfilitje e vërtetë!

Përkundrazi, shikoni sa të lehtë e pati Albini dje, edhe pse rruga do të jetë më e gjatë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"