President: dëgjoje popullin dhe kushtetutën!

President: dëgjoje popullin dhe kushtetutën!
President: dëgjoje popullin dhe kushtetutën!

Skender Kapiti

  • 09 March 2020 - 14:21

President apo edhe kushdoqoftë politikan e pushtetar: dëgjoje popullin dhe merre në konsideratë interesin, vullnetin dhe inteligjencën e tij, si dhe lexoje dhe mësoje Kushtetutën dhe përgjigju e shërbeju atyre.

Kjo është detyra e politikanit dhe e pushtetarit, përndryshe do të bëhesh referencë e të këqijave, dhe nuk ka as demagogji, nuk ka  as finesë djallëzore dhe as maskë ideali, morali e përkushtimi që të mbulon dhe as justifikon.

Politikani egoist, injorant dhe shpirtlig për pushtet nuk ndalet para asnjë skrupulli, kundramorali dhe asnjë matrapazllëku e tradhëtie kunder bashkëkombasve të vet, por ai shkon edhe më tej duke iu bindur dhe servilosur edhe ndëkombëtarëve, atyre të cilët kanë autoritetin dhe forcën për të dominuar. Servilizmin ndaj ndërkombëtarëve politikani e përdor  si propagandë “dashamirësie” dhe “imazhi” ; servilizmin ndaj ndërkombëtarëve e përdor si presion, pikë dhe si avantazh për konsum të brëndshëm politik duke menduar se po manipulon dhe helmon publikun me atë se ai është më i pranueshmi, i besueshmi dhe më i respektuari edhe te ndërkombëtarët.

Ka kohë madje jo vetëm muaj por edhe vite që Presidenti i Kosovës po përballet me demokracinë, me opinionin, me popullin, me mediat, me publikun, me intelektualët, me Republiken dhe me Kushtetutën e Republikës.

Me të gjithë dhe me gjithcka ai është në kundërshti.Por ku e gjen mbështetjen dhe “guximin” jo për t’u mosdorëhequar por as edhe për t’u ndalur të paktën dhe as për t’u menduar se përse është  bërë kaq shumë i papranueshëm dhe i padëshirueshëm publikisht.

Mos prit që historia nesër ta bëjë gjykimin , pasi sot në demokraci gjyqin po ta bëjnë për ditë politika, opinioni, mediat,intelektualët dhe publiku. A nuk po i dëgjon, apo po bën sikur nuk i dëgjon; apo vetëmashtrohesh se je pasfidueshëm, shpëtimtari dhe i pagabueshmi se je lart, e President. Kuptoje mesazhin e të tjerëve, kuptoje popullin dhe Kushtetutën , kuptoji ato në mënyrë që ta shërosh verbimin, pasi ai ta pengon vështrimin e realitetit; fillo e kuptoje dhe lexoje realitein që t’i e fsheh dhe si realitet njeh vetëm vetveten, pushtetin e mashtrimin.

Lavdinë tënde e ka përfshirë dështimi, dhe se ajo krenaria e kokëfortësia jote është bërë fatkeqësi për popullin dhe atdheun. Dëgjoje popullin dhe Kushtetutën po deshe që të largohet ankthi dhe të shpëtosh prej tij. Dëgjoje popullin dhe Kushtetutën që mos shkosh drejt humbjes thellë e më thellë.Largohu prej gjërave që nuk të takojnë. Nuk duhet që t’i bësh kurthe e t’i vendosësh kushte të këqija dhe të dëmshme demokracisë, popullit, kombit dhe shoqërisë sepse vetë pastaj do të pëballesh me të këqijat dhe me gjykimin në kushtet edhe më të këqija që vijnë prej vetë vetes tende.Tërhiqu dhe lere që gjëndjen dhe kushtet t’i përmirësojnë të tjerët në mënyrë që ata ta korigjojnë dhe ta lehtësojnë edhe përgjegjsinë  tënde. Besoji popullit tënd se ai është bamirës dhe se edhe ta fal gabimin, por jo ndëshkimin kur e tepron me zullumin dhe pabesine.

A nuk e kuptove verdiktin,mencurinë dhe gjykimin e popullit as me 6 Tetor 2019?! Vëreje realitetin dhe kuptoje mendimin e të tjerëve, merri në konsideratë ato, pasi largimi yt do të vijë pashmangshmërisht, por  pesha e pushtetit kur të largohesh prej tij nuk do ta lejë rehat ndërgjegjegjen dhe Pse-të gjithmonë do ta godasin dhe ngacmojnë arësyen e gjykimit të vonuar.

Kuptoje demokracinë.

Në demokraci reformën , përmirësimin dhe moderacionin politik dhe ndryshimin e bëjnë ligji demokratik   dhe verdikti popullor, dhe pushteti është gjithmonë nën kontrollin e tyre. Dhe është mjerim i madh për ata të cilët nuk mendojnë se një ditë demokracia dhe populli i dëbon dhe i ndëshkon individët nga politika e pushteti.Populli di gjithcka, inteligjenca zhbirilon deri në skutat ku as pushteti nuk e beson, duhet ta pranosh realitetin dhe ta marrësh në konsideratë revoltën dhe pakënaqësitë që vijnë prej teje, dhe kur e njeh realitetin mos u mundo ta fshehësh dhe as ta justifikosh atë me hipokrizi, mashtrime e gënjeshtra. Në Demokraci Ligji dhe Populli nuk e falin gjatë politikën dhe pushtetin e keq.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"