Uni i çakorduar – ky është turpi!

Uni i çakorduar – ky është turpi!
Uni i çakorduar – ky është turpi!

Shefik Shkodra

  • 24 March 2020 - 15:21

(Nuk kisha dashur të merrem me këto shkrime)

Botën globale njerëzore po e kërcënon lufta e një murtaje të re në këtë shekull. Nuk dihet, a e ka pasur me dije dikush për këtë virus deri më tash, nuk flitet për këtë asgjë. Veçse erdhi nga vendet aziatike, nga Kina. Njerëzit tanë sado me përpjekje për t’iu shmangur kësaj të zeze vdekjeprurëse, një grup i zakonshëm merret politikisht me gracka ndaj njëri-tjetrit. E nëse nuk e dimë shumë për Corona Virusin dhe ilaçin e tij, ndoshta për këtë politikën e këtyre politikanëve te ne, mund të dimë diçka. Së paku, me përshtypjet e një të kaluara të deritashme, nga tipa të njëjtë e me përsëritje të njëjta. 

Këtu është në pyetje UNI së bashku me interesin  

Këtë punën e UNI-t e kemi përmendur edhe herë të tjera. Vetëm unë jam i besueshëm. Unë dhe askush tjetër...Kosova është e mbuluar krejt prej UNI-t. Ky është kalkulimi i disa politikanëve te ne, në marrëdhënie me botën tjetër përreth. Ata nuk e pyesin tjetrin, veç çka u thotë uni për vetën e tyre. Që të gjitha përpiqen t’i pronësojnë, sikur nuk ka nevojë askush të flasë për këtë vend e këtë popull. Madje, askush e asgjë s’vlen prej të tjerëve për ta. Çdo kënd dhe çdo titull duan ta përulin, nëse ata nuk ‘ledhatohen’ me epitete si në kohën e monizmit. Si atëherë ndonjëri, kur ishte protagonist i diferencimeve me vrull. UNI i këtyre nuk është në gjendje ta pranojë realitetin e sotshëm. Për çdo moment para opinionit publik jashtë e brenda, ky uni gojën e ka plotë parulla joshëse. Fjala demokraci është një mënyrë e një vel i keqpërdorimeve dhe recetë e re sipas uni-t. Dhe në mënyrë tinëzare përpiqet të mbetet në institucione të këtij vendi, duke bashkëpunuar me ata që ia do vetëm uni, herë në të djathtë e herë në të majtë, për interesat e veta. Kjo është shkolla që përcillet nga ajo koha që luftonte kundër shqiptarëve, dikush, bashkë me regjimin e asaj Serbisë së para 30 vjeçe. Nga virusi infektiv i kësaj sëmundje të rëndë, që ka kapluar botën, si një murtajë mesjetare, kalohet në sëmundje psikike – politike te këta tipa. Për të shfrytëzuar rastin shumë të dhimbshëm në kurrizin e qytetarëve, por të volitshëm për ta, sepse personi politik është më i vlershëm se miliona bashkëqytetarë. Kjo është sjellja dhe mendja e këtyre. I duan sa më shumë servilë e portale që të çalldisin për vallen e tyre! Duan të prishin një qeveri, pjesë e të cilës është edhe vetë ideja e një UNI, që ka kaluar nga pragu i monizmit në “demokracinë” e tij. Në emër të një rreziku, shtojmë edhe një rrezik tjetër për këta qytetarë, hatri i UNI-t bastard. Nëse nuk mund të bëjë diç të mençur, atëherë duhet të prishë. Kjo është teza e politikanit në këtë vend. Ky është sadisfacioni që ia ka afruar dhe ia afron përditë qytetarit tonë. Dhe ky babushi rrah gjoks se “moti është në këtë botë!” Do të thotë, klubi i tij është sedërmadh, i paprekshëm. Dhe deshi s’deshi, mirë keq, pa tjetër duhet të bëhet ashtu sikur thotë UNI. Duhet të jetë i veçantë. Ani pse të gjithë e dinë që s’është ashtu. Ani pse, ka shkuar kohë e gjatë me të njëjtat instrumente në këtë vend. Instrumentet politike të këtij UNI-t janë të amortizuara! Por (mendon) duhet të bëhet “deti kos...” dhe nuk mund të pajtohet në emër të popullit me oponentin.  

Pak shënime e sqarime për UNI-n   

Kush nuk e ka të qartë më mirë, shkurt për UNI-n: “Tërësia e tipareve që përbëjnë thelbin e njeriut si individ i caktuar dhe për të cilat ai është i vetëdijshëm, qenia e vet, vetvetja në botën që e rrethon njeriun; let. art. veçoritë e botës së krijuesit, të shprehura në vepër; fil. subjekti; keq. tërësia e vetive të një njeriu të cilat ai përpiqet t’i vërë në dukje e me çdo kusht, vetja; bota e ngushtë e dëshirave dhe e interesave vetjake të një njeriu, të cilën ai kërkon ta vërë mbi çdo gjë tjetër, mbi interesin e përgjithshëm. /Uni poetik (lirik). Fryma e unit. Ngre krye (nxjerr kokë) uni. Shpreh unin e vet. Flet uni. S’e lë uni. E mposhti (e mundi) unin”. Fj. shqip – shqip, f. 2089, sht. I). Por edhe UNI politik, që në këtë fjalor nuk e hasa, meqë ishte i kohës së monizmit (lideri i atëhershëm ishte UNI) dhe nuk kanë guxuar ta përmendnin uni-n politik, se do t’u shkonte koka.  

Sot, te këta politikanët tanë s’është veç UNI që vjen si shprehje filozofike, kulturore, letrare, mentaliteti, etj. Por kemi të bëjmë edhe me diçka shumë më të theksuar – “dobinë” materiale personale, familjare e klanore. Krejt të tjerat janë tepricë esenciale për shtetin dhe kombin!

Anatema për një qeverie të re 

Kur nuk na pëlqen diçka, duhet “të thyejmë zhegra”, ky është hendeku. E pse kjo qeveri pranohet prej qytetarëve, ashtu sikur është menduar prej tyre, për të bërë ndryshimet e nevojshme, e kanë kërkuar dhe e kanë votuar, ndërsa për UNI-n e PAN-it dhe atyre të PRONTO-s me klubet e tyre, nuk mund të jetë e  pranueshme. Për këta të fundit nuk bën! Që nga dita e parë. Nuk e duan ndryshimin. Tash po bëjnë mocion për rrëzimin e saj, brenda dyzet e pesë ditësh, madje për turp, mocioni organizohet nga partneri i koalicionit. Pse? sepse do të  preket teli i tyre. Po do të lëkundet themeli i tyre prej llumi, qe njëzet tridhjetë vjet. Dorën në zemër po them, nuk mund t’ia mohoj askujt qëllimin e mirë që e ka pasur ndonjë herë, edhe pse sot janë përzier egjër me drithë. U largua njëri nga kjo qeveri, e koalicionit (VV-LDK), i cili ishte një “statujë” e rastit, por që apriori në marrëveshje me klubet tjera. Që nga fillimi si për sabotim. Personi që u largua nga qeveria, ishte ai që nuk donte bashkëpunim me VV, por qe pranoj të jetë një ministër. E ai e di mirë se, votat e partisë së tij i fitoi një femër e re me mentalitet të ri, për ndryshime pas njëzet tridhjetë vitesh. Partia e tij nuk do ta arrinte as vendin e tretë. As vetë kryetari dhe klubi i tij nuk do të mund të futej më në institucione. Provokimet ishin nga të gjitha klubet opozitare, jo për ndonjë gabim më të madh se të atyre që ishin deri më tash në pushtet, por për t’ia lënë fajin kryetarit të kësaj qeverie...Me kurthe të parapërgatitur e që nuk doli se ishte ndonjë lëshim. Duhet të shpiket diçka. Arsyeja: Njeriu që do ta udhëhiqte këtë qeveri është i papajtueshëm me korrupsionin, kriminalitetin, nepotizmin, dhe këtyre me UNI-n e çakorduar do t’u dilte punë, sepse aty ndodhën. E kjo kohë e fundme, po thuhet... nuk bën qeveri dhe mafi bashkë!...Qytetarë të nderuar, herëve të tjera do të mendoni, ju kot votoni, meqenëse këtyre zotërinjve nuk u shkon për shtati identifikimi i personave me votën e fituar nga ju. Ata janë të palëkundshëm. Presin si në derë Cerber i Hadit, krejt çka duhet të zgjidhet për ta. Ata nuk i nënshtrohen as votës së qytetarëve. Sepse, ata duan t’i bien defit e dikush tjetër të kërcejë për merakun e tyre. Për sigurinë e abuzimeve të tyre, për nepotizmin e tyre, për të gjitha keqpërdorimet në ekonomi e tregti. Për pazaret që i kanë bërë jashtë e brenda. Për “marrëveshjet” që duan t’i bëjnë me Serbinë me trojet e Kosovës. Për këto arsye është në kundërshtim kjo qeveri dhe nuk vlen për UNI-n. Këtu qëndron dhimbja. Jo për popull. Jo për rregull e ligj. Jo për zhvillim ekonomik. Jo për arsim e shëndetësi. Jo për Korana Virus-in, kush di sa do të vdesin?! Sepse, po ta donin Kosovën si duhet me të gjitha përparimet e këtyre degëve shtetërore, kanë pasur mjaft kohë, qe 20 vjet. Po sot evropianët nuk qenkan të mirë?! Qe sa kohë bisedohet në Bruksel me ndërmjetës evropian për marrëdhëniet me Serbinë, a dinë këta qytetarë diçka lidhur me këto biseda apo edhe marrëveshje të përfunduara?!

Parlamenti apo kori i sorrave 

Të gjithë kundër. Të gjithë duhet luftuar me masa dhune, ndryshe do të pësojmë disfatë. Përafërsisht ishin diskutimet e opozitës kundër koaliciont qeverisës. Mëkat është të gjenden në politikë tipat, si këta që po i shohim e dëgjojnë në këtë parlament! Opozita edhe më e dobët se në mandatet e kaluara. A e dini veten, se sa të pa këndshëm jeni para opinionit publik, këtu në Kosovë, por kudo që u dëgjojnë shqiptarët. Ju është vështirë t’ua kuptojnë fjalët njerëzia, le këtë, por as qëllimi nuk dihet ku del. Asnjëherë nuk mund të pres gjë kush prej jush. Jeni të dobët në oratorinë e juaj. Nuk keni diapazon kulturor e politik. Fare nuk punoni me kokën e juaj. Edhe kur flisni me ngërçe, të kap infarkti kur e dëgjon ndonjërin/ndonjërën. Nuk keni dinjitet njerëzor. Ju i kërcënoheni (PAN dhe PRONTO) Qeverisë së re që në takimin e parë. Ju çirreni dhe kërcënoheni se, së shpejti do ta humbni betejën. Ju nuk mund ta fshihni helmin e smirën...Jeni opozitë shumë e dobët! Merre me mend o njeri, kush ka qeverisur deri dje! I kërkoni qime në ve dikujt tash, sepse abuzimet e juaja nuk janë trajtuar si duhet asnjëherë publikisht. Gjyqet janë përvetësuar nga ju dhe ua keni mbyllur gojën. Zëri i juaj në ato diskutime të zymta bëhen krejt klishe. Si njeri dhe tjetri. Dhjet minuta i harxhon pa thënë asgjë të re: “Marre! Turp!” (marre dhe turp, më duket është një). Po pse ishte “marre, turp!” Sepse jeni përpjekur që kjo qeveri të dështojë që në hapin e parë, duke mos u aprovuar buxheti për vitin 2020. Shihe ti çfarë maskarade! Po vërtet është “marre dhe turp!” Po për kë kjo “marre dhe turp”?! PAN-i dhe PRONTO e dinë mirë për kë, por po përpiqen që t’u shpërlajnë trurin qytetarëve. Demek, shihni çka po dinë PRONTO dhe PAN-i! Kur e ngrit ndonjëri zërin, si ato disqet e prishura, gjilpëra të topitura: “h-e-e-e! h-i-i-i! h-y-y-y! Kij kujdes! ule-e-e kokën...! Vërtet turp t’i dëgjosh...! – Mos bë ci-u-ciu atu!...Këta njerëz, në anën tjetër janë duke i helmuar edhe gjeneratat e reja, duke përvetësuar këso budallaqesh. Duke menduar se mossuksesi duhet të shprehet me sharje, shantazhe e kërcënime edhe fizike te tjetri. Duke menduar se, vetëm dikush mund të ketë të drejtë edhe atëherë kur nuk ka fare. Ku po doni të shkoni ju që e fikët këtë vend dhe këtë popull si keni bërë qe njëzet-tridhjetë vjet?! Sërish të vendoseni në pushtet? Që të vijoni ta shkatërroni edhe më këtë vend? Që ta mbuloni krizën me ornamentet klishe e improvizimet e juaja? Ndoshta po nguteni, që sa më parë ta rehatoni Serbinë? Edhe gjatë zgjedhjeve e edhe në raste të tjera, s’ka tjetër punë UNI, pos liberalizimit të vizave. Qytetarët, rinia sidomos, turr t’ua japin votën, se këta do t’i bëjnë vizat, e ne për të ikë sa më shpejt prej Kosove! Edhe këto viza nuk i liberalizoi Evropa dhe asnjërit, me radhë sa keni ardhur në pushtet, shkaku është se krerët institucional janë të korruptuar...! Jo për tjetër. Po ju të koalicionit me këtë qeveri, pse jeni gjithmonë për incident e të lidhur me ato problemet e PRONTO-s dhe të PAN-it? Ju jeni të njohur tashmë për perfiditete të pakëndshme. Heshtje për ju, a. Jeni të magjepsur, madje edhe të kënaqur tepër me ato çjerrjet e opozitës. E dini çka keni bërë z. Mustafa që nga koha e masave të dhunshme të viteve të tetëdhjeta. Po ç’pate që je pishman me koalicioni. Prej fillimit ishte ashtu me ty dhe klubin. E dimë edhe qeverisjen tënde të kohës së tre përqindëshit. Ti nuk mund të udhëheqësh asgjë drejt pa intriga. Po ato që i ke të teprojnë. Ti je i ngarkuar me vepra penale. Ju po doni që dikush tjetër të luaj vallen sipas melodive tua?! Ti që vjen në këto kohë me shkop (tri këmbë) e që në vend që do të ishe një gjysh i mirë, madje këshillëdhënës për të gjithë për rrethin, ti merresh me punë të ulëta. Të kujtohet çfarë ke bërë për këta qytetarë para do kohe, duke të pritur për formimin e institucioneve, në fund i tradhtove të gjithë, ata që kishe pranë, për t’u bërë një kryeministër. E ata me të cilët bëre Pazar, ta futën ndërskëmbësen më në fund...Keni pak kujdes! Krejt po byrytni lehtë në shpinën e këtij populli!

Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë

Në rast nevoje, për mbrojtjen e shtetit nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm, policia nuk ia arrin qëllimit, shpallet edhe Gjendje e jashtëzakonshme. Kemi pasur Gjendje të jashtëzakonshme, shtetrrethim, orë policore, etj. Jemi të mësuar. Qeveria e re ka marrë shumë seriozisht punën. Të gjithë janë angazhuar. Problemi shfaqet te ata un-at, se po pastron kjo qeveri klanet,nepotizmin, korrupsionit, (në borde, në aleanca të tenderëve, etj.) e nga këto uni kishte gurrën që nuk i pushonte në të mira. Tash, si duket po merr thatë dhe ka zënë të shteret burimi. Çfarë iu desh presidentit orvatja për shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme? Në kohën kur Qeveria me resorët e vet e ka marrë shumë seriozisht këtë punë. Qytetarët janë shumë të dëgjueshëm. Çfarë dobie ka që ta merr ushtria? Çfarë preventive do të bëjë në shëndetësi kundër një virusi siç është korona? Me armë do ta mbrojmë popullin nga sëmundja infektive? Presidenti është përçarës në mesin e partive dhe të gjithë qytetarëve. Nuk dua të them se, nuk ka lëshime edhe te të tjerët. Po nuk mund të numërohen sa aferat i ka krijuar ky person, gjithnjë kur gjendja kombëtare është në peshojë, ai hedh një prag për t’i ndezur të tjerët në mes veti, e për ta hedhur vetin si njeri i pa faj, shumë gjeneroz, njeri i matur, por qe të tjerët nuk vlejnë gjë. Ai/ata këshilltarët e tij do të duhej ta dinë se, nuk fshihet asgjë në kohën e sotme. Kjo psikologji është e zbehtë që të përdorët te popullata e Kosovës sot, prandaj meriton edhe kujdesi i juaj në kohën e duhur e për çështje duhura! Krejt këto lëvizje duken sikur janë apriori të përgatitura me kryetarin e LDK-s dhe klubin e tij. Gjithnjë në fatkeqësinë e popullit të kërkohet për t’u realizuar një qëllim i një personi, kjo është për t’u vajtuar! 

Për njëzet vite e mbajtën në robëri këtë popull, duke i shikuar vetëm punët e juaja. Për ju nuk vlen ‘shekulli i shqiptarëve’, por shekulli egoist! Shekulli jo i vizave për shqiptarët, Shekulli i liberalizmit të neurozës! Shekulli i intrigave nëpër zyra të juaja! 

Në fund: vetëm këto fjali sipas meje sa i përket marrëveshjes me Serbinë, ashtu si po flitet e po shkruhet, me dhënie të tokave shqiptare Serbisë, formimin e shtetit etnik brenda shtetit, me eksterritorialitetin e manastireve, me ndërrime territoresh e popullatash, në Kosovë nuk do të ketë paqe. Kjo do të ishte një fundosje atlantike, jo detare. Askush nuk mund të prognozojë se shqiptarët do të jenë të kënaqur...Me këtë do të shihet edhe një vuajtje edhe më e madhe, një sëmundje e pashërueshme në këtë vend. Nëse marrëveshje të tilla pranohen, është pacifikim i zorit dhe relativisht i përkohshëm. Andaj, na ndjeni ne qytetarëve për këtë çështje, ose tregoni çka mund të bëni!