Mbështetje Albin Kurtit

Mbështetje Albin Kurtit
Mbështetje Albin Kurtit

Skender Kapiti

  • 31 March 2020 - 11:00

Albin Kurti , qeverisja e tij dhe qëndrimi e mbështetja e Vjosa Osmanit ishin shpresë dhe risi në politikën jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri e më gjërë në Ballkan. Kjo u pa si herezi nga elita politike e vjetëruar, e dështuar dhe mbartëse  dhe e infekuar nga abuzimi, spekulimi, hipokrizia, mashtrimi, manipulimi dhe korrupsioni. 

Si e tillë elita e korruptuar politike përdori komplotin parlamentar për ta ndëshkuar dhe rrëzuar qeverinë Kurti.Por tashmë ky kopmplot ka për të marrë ndëshkimin e madh sepse atë që shikon dhe që ka  si vizion Kurti dhe Osmani  ato janë të vertetat e mëdha që i kërkon, i shikon dhe i ka si vizion të tij edhe populli, për të cilat edhe me 6 Tetor 2019  votoi dhe  zgjodhi .

Kauza e Albinit përputhet dhe është brënda kauzës publike e kombëtare të shumicës së shqiptarëve.

Në demokraci rreziku atlernativ që e kërcënon demokracinë janë korrupsioni dhe krimi.  Qeveria Kurti ra si rezultat i një puçi parlamentar të “alternativës” antidemokratike të krimit e korrupsionit.

Dhe a mos vallë në Kosovë, në shtetin e vogël dhe më  të ri u ekspirementua se si mund të përdoret politikisht edhe pandemia globale, fatkeqësia globale e koronavirusit, dhe këtë e shfrytëzuan  krimi, hajnija dhe tradhtia të cilat u bashkuan dhe rrëzuan në parlament qeverinë legjitime të Kosovës?!

Pikërisht votimi pro mocionit të mosbesimit dhe rënia e qeverisë Kurti ndodhën për “faktet” absurde dhe te pabesueshme dhe teper te cuditshme se: qeveria Kurti po mbronte interesin kombëtar dhe shtetin, po luftonte korrupsionin dhe po jipte rezultate ne çlirimin e institucioneve të shtetit prej tij, si dhe ishte përkushtuar në luftën për mposhjen e koronavirusit. Me këto nuk pajtoheshin në asnjë mënyrë shkaktarët dhe autorët e gjëndjes ku ata e kishin degraduar shtetin dhe drejtësinë, të cilët u bashkuan në një reaksion regresiv antilegjitimor.

Pra, sukseset e qeverisë Kurti ishin herezi për ishpushtetin, Presidentin dhe elitën e vjetër politike e ndërlidhur me afera hajnije e korrupsioni, dhe këta me paturpësinë më të madhe shfrytëzuan edhe fatkeqësisë e pandemisë së koronavirusit dhe përdoren e mirëorganizuan një mocion puçist duke  rrëzuar qeverine Kurti.

Qeveria Kurti ishte shpresë jo vetëm për shqiptarët, por shpresë ndryshimi dhe emancipimi edhe për shtetet ballkanike, edhe për politikën në Ballkan. Qeveria Kurti  ishte politikë qeverisëse paqësore dhe jo agresive, as konfliktuale sociale dhe  ndëretnike; ishte qeverisje parimore, zhvillimore dhe emancipuese dhe politikë vlerash e parimesh njerëzore të gjithpranueshme nga moderniteti perendimor; ishte  politikë respekti e ndërnjohje reciproke; ishte politikë e hapur, e sinqertë,e drejtpërdrejtë; qeveria Kurti ishte politike e papajtueshme me antivlerat , krimin, hajninë e korrupsionin. 

Këto janë  papajtushmëri dhe herezi për vjetërsirën e korruptuar politike e cila organizoi dhe bëri edhe pucin parlamentar kundër qeverisë Kurti.

Si ka mundësi që u bënë bashkë kundër qeverisë Kurti e gjithë elita e kalbur politike parlamentare kosovare, u bënë bashkë me deputetët serbë të parlamentit të Kosovës  dhe në sinkron edhe me Beogradin ?!

Mos u ndëshkua  Kurti për herezi nga errësira, injoranca dhe llumi i tradhtisë dhe korrupsionit politik?!

Ky grusht parlamentar i 25 Marsit 2020  ishte rezistenca e fundit e grupit të hajna tradhtarëve. Nuk është tradhëti vetëm kur del haptazi si mercenar i të huajve kundër popullit dhe atdheut tënd; por tradhti është edhe kur e vjedh popullin e atdheun, por edhe kur e mashtron dhe kur gënjen popullin tënd. Tradhtinë e bëjnë edhe inatxhinjtë, egoistët, dështakët, injorantët, shpirtligët, zemërzinjtë   dhe bashibozukët, por edhe “të mëncurit” negativ e të korruptuar të cilët e urrejnë talentin, meritën dhe suksesin e të tjerëve; tradhëtinë e pabesinë e bëjnë edhe intelektualizmi servil e materialist. 

Këto janë mjerisht edhe tiparet e pothuajse te te gjithe elitës politike kudoshqiptare sot  si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Kurti dhe politika e tij janë ndryshe nga këta, prandaj edhe nuk u prit mirë fitorja e “VETVENDOSJES” nga elita e vjetër politike shqiptare, sepse politikën e re,  politika e vjetër e sheh si herezi.

Si është e mundur që ata të cilët u injoruan, u ndëshkuan dhe u mohuan nga verdikti popullor, pikërisht ata arritën  në parlament që të mohojnë dhe rrëzojnë legjitimitetin demokratik, qeverinë legjitime duke krijur një krizë politike krahas asaj të pandemisë së koronavirusit?! 

Populli po vëren dukjet, ngërdheshjet, nihilizmin dhe  realitetin e qëllimin e pucistëve, populli nuk ka për t’i harruar dhe as nuk ka për t’i falur falangistët e së keqes.Mëkatarët, hipokritët, të pabesët, të korruptuarit, pra  keqbërësit, do t’i zërë dhe do t’i ndëshkojë  edhe mallkimi dhe nuk do të munden që t’i shpëtojnë ndëshkimit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"