Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!

Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!
Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!

Florim Zeqa

  • 03 April 2020 - 12:23

LDK-në nuk mund ta dobësoj askush më shumë sesa lidershipi i saj me mos perfilljen e vullnetit të elektoratit, sikurse që nuk mund ta ndihmojë askush më shumë sesa elektorati i saj me kushtëzimin e lidershipit aktual për mbajtje të premtimit elektoral dhe reformim të thellë të partisë.

Qeveria e fundit e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ishte qeveria me legjitimitetin më të madh qytetarë pas shkuarjes në amshim të liderit historik të LDK-së dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, Ibrahim Rugova. Koalicioni qeverisës LVV-LDK, më shumë se dëshirë e lidershipit të këtyre dy partive, ishte vullnet i elektoratit për ndryshim, i shprehur me votën e mbi 427.000 qytetarëve të vendit apo përkthyer në përqindje, 50,81 % e votuesve të dalë në zgjedhje kanë votuar për koalicionin qeverisës pas zgjedhor LVV-LDK.

Të respektohet vota që determinoi ndryshimin

Puna e nisur mirë e qeverisjes LVV-LDK kishte ngjallur shpresat e qytetarëve për ndryshim. Mirëpo, për fatin e keq të vendit, shumë shpejtë shpresat e qytetarëve u kthyen në zhgënjim të madh.

Pa dashur të përserisë ato që e din i mbarë opinioni publik, ato të ecurisë së prishjes së koalicionit qeverisës, dua të theksoj se zhgënjimin e bën akoma më të madhë tendenca për mos mbajtjen e premtimeve elektorale nga ana e LDK-së.

Siq dihet, LDK-ja ngritjen e lehtë të saj në zgjedhjet e 6 tetorit e arriti në saje të premtimit elektoral për mos bashkëqeverisje me partitë e PAN-it. Në saje të këtij premtimi LDK i mori 206 mijë votat e elektoratit të saj. Pra, votat që i mori  ishin për ndryshim e jo për vazhdimin e keq-qeverisjes.

Kur jemi tek ngritja e LDK-së, do u hyja në hak lexuesve po nuk e permenda edhe një fakt tjetër. I pamohueshëm është kontributi i kandidatës për kryeministre, zonjes Vjosa Osmani, me emrin e së cilës u tubuan hiq më pak se 176 mijë vota të elektoratit, pa të cilën LDK-ja nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, jo vetëm që nuk do të renditej e dyta, do të garonte me AAK-në për vendin e tretë!

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, lidershipi i LDK-së duhet të respektoj vullnetin e elektoratit edhe në raport me Vjosa Osmanin, si vullnet për  ndryshim dhe reforma përmbajtësore në LDK, e jo si mbështetje pro apo kundër ish koalicionit qeverisës.

Çdo gjë që del jashtë premtimit elektoral është e dëmshme për LDK-në dhe me pasoja për vendin. Pra, LDK-së nuk i duhen kalkulimet e pushtetit, por mbajtja e premtimeve elektorale.

Lidershipi i LDK-së nuk duhet të harrojë se mbajtja e premtimeve dhe fjala e dhënë është parim, është vlerë e mbi të gjitha është edhe etikë njerëzore. Çdo shkelje e parimeve dhe premtimeve paraqet tradhti të pastër ndaj elektoratit, sadoqë lideri i LDK-së po mundohet ta mbështjellë me hipokrizi të reja politike.

Mallkimi i elektoratit ndaj abuzuesve të vullnetit politik

Tendecës së hapur të lidershipit të LDK-së për bashkëqeverisje me partitë e PAN-it, elektorati rugovian është duke iu përgjigjur me indinjatë, rënkim të thellë dhe mallkim ndaj abuzuesve me kontrabandim të votës së tyre të shënjtë.

Për ta ilustruar këtë që e ceka më sipër, po e shkëpus vetëm një detaj të bisedës së djeshme me një simpatizant të LDK-së dhe adhurues i frymës rugoviane; "Jam kanë i kallt mas LDK-së rugoviane, kurrë nuk m'ka ba zemra vërr me ju dhanë votën tjerave parti, po me LDK-në e Isa Mustafës nuk po mundem me u pajtu kurqysh, por as që ma don zemra ndonjë parti tjetër, por nëse shkojmë në zgjedhje, pa e votu LVV-në  nuk e la, pra vota ime nuk shkon më për LDK-në e Isa Mustafës" (përfundon citati).

Merreni me mend se në çfarë deregje e ka pru LDK-në Isa Mustafa me klanorët e tij. Pavarësisht kamuflimeve politike dhe mashtrimeve, elektorati i ka kuptuar mirë lojrat plot hipokrizi të liderit partiak.

Sadoqë Isa Mustafa e thotë ditë e natë se LDK-ja nuk është vartëse e Hashim Thaçit, përputhja e qëndrimeve të tij me lojrat e presidentit i vërteton shqetësimet e elektoratit për futjen e sërishme të Isa Mustafës në pazare të pista pushtetore për vazhdimin e mandatit të presidentit Thaçi në këmbim të postit të kryeministrit për LDK-në apo anasjelltas dhe jo vetëm.

Mbështetja symbyllur e liderit të LDK-së dhënë presidentit të vendit në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, sikurse edhe në marrëveshjet paraprake, do të jetë e dhimbshme, tepër e kushtueshme dhe me pasoja të rënda për vendin.

Për më tepër se kaq, LDK-ja nuk ka nevojë të humbë energji dhe kohë rreth përcaktimeve ideologjike të Albin Kurtit, kur ato dihen botërisht siq dihen përcaktimet dhe e kaluara politike e liderit aktual të saj, Isa Mustafa.

LDK si partia e parë, shtetformuese dhe shtetndërtuese, duhet ta gjejë formulen e unifikimit të saj. Hedhja e hapave të parë drejt reformave përmbajtësore duhet të filloj me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të lira dhe të ndershme partiake, për ta zgjedhur një kryetar dhe kryesi kredibile që tërheq vëmendjen e rreth 40 % të votuesve pasiv, si dhe afrimin e veprimtarëve dhe aktivistëve të viteve të '90-ta që ende jetojnë në Diasporë, për ta rrumbullaksuar kështu mozaikun unifikues në LDK.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"