Gjendja e mjerueshme që po mbretëron në shtetin më të ri të Evropës –Kosovë, po e rrezikon të zhbëhet

 Gjendja e mjerueshme që po mbretëron në shtetin më të ri të Evropës –Kosovë,  po e rrezikon të zhbëhet
 Gjendja e mjerueshme që po mbretëron në shtetin më të ri të Evropës –Kosovë,  po e rrezikon të zhbëhet

Dr. Hysni Aliu

  • 04 April 2020 - 11:32

Edhe pse kanë kaluar pothuajse 21 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe më tepër se 12 vjet nga shpallja e pavarësisë, Kosova është shumë larg të qenit pjesë e demokracisë evropiane. Të rinjtë janë të pashpresë në lidhje me ardhmërinë e tyre, si rrjedhojë e kësaj ose ja mësyjnë perëndimit ose e kanë mendjen në perëndim. Arsimi, shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit janë në nivel të mjerueshëm. Shumica e popullatës shpëtimin e gjejnë tek paraja që dërgohet nga diaspora, vendet e punës ‘blihen’ në një mënyrë apo tjetër, cilësia e shërbimeve shëndetësore është e mjerueshme, përkujdesja për fëmijët, shtresa e varfër, për të moshuarit është shumë bazik. Investimet janë përqendruar në infrastrukturën rrugore tash e 20 vjet sepse aty është burimi i parave për pushtetarët, ndërsa mungojnë ose janë në minimum investimet në sferat e tjera të zhvillimit të shoqërisë.

Pjesa më e madhe e energjisë dhe paraja po shfrytëzohet në përforcimin e pushtetit të atyre që janë qe njëzet vjet në pushtet, duke i ndërruar herë pas here karriget me njëri-tjetrin. Është krijuar një rrjet i cili kontrollon çdo hallkë të pushtetit dhe pothuajse çdo individ në shoqërinë kosovare. Ata që rezistojnë janë të dënuar automatikisht me dështim dhe vuajtje për veten dhe tërë familjen. Pjesa tjetër e energjisë po shfrytëzohet në bisedimet Kosovë-Serbi, të cilave s’ju shihet fundi.

Si rrjedhojë e asaj që partitë në pushtet kontrollojnë masën e popullit në mënyrat e veta të sofistikuara, faktori ndërkombëtar po i mban në pushtet këta njerëz që po ia shtojnë vuajtjet popullit të Kosovës, në mënyrë që të ruhet qetësia gjatë bisedimeve me Serbinë dhe të garantohet implementimi i marrëveshjeve të arritura, deshi apo s’deshi populli. Mbretëria e Bashkuar është e vetmja që haptas po punon në çkapjen e shtetit, duke mbikëqyr procesin e zgjedhjes së njerëzve me përgatitje adekuate në pozita të ndryshme udhëheqëse.

Opozita është e pa forcë për të bërë ndryshimin si pasojë e rrethanave të lartpërmendura që lidhen me faktorin e brendshëm dhe të jashtëm. Me këtë opozitë që kemi, edhe po të ishte në pushtet, ndryshimi i dëshiruar nuk do të mund të arrihej.

Gjersa Evropa po ec me hapa gjigantë përpara, Kosova veç sa po e shton stagnimin dhe distanca në zhvillimin socio-ekonomik, kulturor, arsimor dhe të demokracisë po shtohet.

Edhe si komb jemi mbrapa në krahasim me kombet tjera në rajon. Kemi tendencë për të fajësuar fqinjët dhe të huajt por harrojmë që 95 për qind e problemit është tek ne shqiptarët. Shqipëria si një shtet i pavarur tash e më shumë se 100 vjet është larg të qenit Ballkan, e mos të flasim Evropë. Ngritja e saj ekonomike bazohet në vrasësin e rinisë të quajtur drogë. Pushtetarë dhe pushtet të kriminalizuar që vetëm sa nuk e hanë njeri-tjetrin. Opozitë që vetëm gërryen themelet e shtetit. Pra, zhvillimi atje mbështetet plotësisht në ndihmën nga SHBA-ja dhe BE-ja për dekriminalizim i cili sfidohet në çdo mënyrë.

Në Kosovë zhvillimi ekonomik bazohet në asfaltimin e rrugëve dhe ndërtimet a larta, ku në shumë raste investohen paratë e nëntokës. Virusi i drogës së Shqipërisë ka filluar ta atakojë edhe Kosovën.

Edhe pse u luftua dhe me qindra e mijëra jetë u shuan për bashkim kombëtar, tani që është mundësia për bashkëpunim në mes të dy shteteve, ajo mundësi minohet nga këta që janë në pushtet në të dy anët e kufirit. Bashkëpunimi i tyre është vetëm për interesat kriminale individuale.

Populli është i pashpresë në të dy anët e kufirit. Vota e shqiptarëve ose manipulohet, ose kushtëzohet, ose blihet, kështu që ndryshimi i gjërave është i pamundshëm.

Është koha që diaspora në vend të parasë ose së bashku me paranë të mendojë që të përdorë aftësinë e saj intelektuale, përvojën e fituar në perëndim për zhvillimin e kombit. Duhet t’i japim fund të qenit një popull që është punëtor por që detyrohet të kërkojë lëmoshë, të japë lëmoshë ose të gjejë zgjidhjen në perëndim.

Ne si komb duhet të përfundojmë së kërkuari fajin për stagnimin mbarëkombëtar në kopshtin e huaj, ku faji është tek ne dhe aty duhet ta gjejmë.

Kush po e detyron Shqipërinë të bëhet bahçe droge për Evropën, apo Kosovën çerdhe korrupsioni dhe krimi të organizuar, fqinjët? Jo, besimet fetare? Jo, Evropa apo Amerika? Absolutisht jo. Jemi ne dhe pikërisht ne që po i gërryejmë dheun ndër këmbë shteteve tona e jo të tjerët.

Me sa di unë zhvillimin dhe demokracinë e një kombi nuk e ka sjellë paraja por ngritja e nivelit arsimor, vetëdijesimi i popullatës dhe mendja e shëndoshë, përmes së cilës dhe pas së cilës vjen çdo gjë e mirë, duke përfshirë edhe paranë e pastër.

Tema e kombit dhe ndryshimi mbarëkombëtar është shumë e gjerë. Kosova dhe Shqipëria ndryshojnë në aspektin e rrethanave njëra nga tjetra, kështuqë unë do të koncentrohesha në hapat që duhet të marrë diaspora kosovare për ndryshimin e kësaj gjendjeje të mjerueshme që po mbretëron në shtetin më të ri të Evropës, i cili po rrezikon të zhbëhet.

Shumica në Kosovë dëshirojnë ndërrimin e pushtetit, me përjashtim të atyre që i gëzojnë frytet që sjell ky pushtet.

Në Kosovë ndërrimi i pushtetit nuk do të mund të bëhet pa angazhimin maksimal të diasporës kosovare nëpër botë. Pas çlirimit nga okupimi serb, tani në paqe Kosova ka nevojë për një fitore të re, pra një fitore e paqes. Kjo fitore mund të vijë vetëm nëse diaspora kosovare mobilizohet për të ofruar kapacitetet e veta intelektuale për atdheun e vet. Nuk dua të them asnjëherë që në Kosove s’ka intelektualë, është e kundërta, por mundësia që zëri i tyre të dëgjohet është e vogël, për shkak të rrethanave që të gjithë i dimë.

Duhet që diaspora të punojë për ndërrim të pushtetit në mënyrë të dinjitetshme pa e nënçmuar apo përulur askënd. Secili do ta ketë vendin e vet në historinë e Kosovës.

Si do të behej kjo?

Unë besoj që e gjitha duhet të fillojë në kryeqytetin BE-së, Brukselin, ku do të mblidheshin në një kongres të intelektualëve, njerëz të shkencës, profesorë, akademikë nga Kosova që jetojnë në vendet e BE-së dhe më gjerë, e ata janë të shumtë.

Diaspora në SHBA, Kanada dhe Australi duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Këto dy degë ose duhet të koordinohen ose të bashkohen në një kongres të vetëm i cili do të ishte më madhështori në historinë shqiptare.

Këtij kongresi do t’i bashkëngjiteshin edhe intelektualët nga Kosova në fazat e mëvonshme, të cilët do të ishin urë lidhëse në mes të diasporës dhe Kosovës. Ky do të ishte fillimi i vërtetë i ndryshimeve në Ballkan. Ky do të ishte model edhe për Shqipërinë dhe shtetet fqinje se si të dalin nga ky rreth vicioz që Ballkanin po e qon drejt luftës e jo prosperitetit.

A mund të bëhen këto ndryshime pa përkrahjen e demokracive perëndimore?

Unë mendoj që jo, por është gjithashtu e domosdoshme që ne ta fillojmë ndërsa perëndimi do ta përkrahë çdo gjë që është në të mirë të zhvillimit dhe demokracisë.

iu bëj thirrje intelektualëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë të mbarë diasporës kosovare që ta marrë në konsideratë këtë propozim.

Unë ëndërroj një ditë kur në krye të këtij kongresi do të ishte dhe do të mbante fjalën hyrëse ish-senatori amerikan Joseph J. DioGuardi, i cili bëri shumë për kosovën. Zoti do ta bekojë Kosovën dhe Ballkanin atëherë kur ne do ta bekojmë me punën e mirë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"