Ribashkimi i Shqipërisë Etnike, do të qetësonte Ballkanin

Ribashkimi i Shqipërisë Etnike, do të qetësonte Ballkanin
Ribashkimi i Shqipërisë Etnike, do të qetësonte Ballkanin

Mehdi Hyseni

  • 09 April 2020 - 14:41

“Të jesh besnik ndaj faktorit kombëtar nuk do të thotë të mos përfillësh evolucionin e domosdoshëm shqoëror. Përkundrazi, nuk do të thotë të injorosh kombet e tjera. Çdo komb ka të drejtë të jetojë i lirë, të zhvillohet dhe të krijojë shtetin e vet, si dhe të jetë i respektuar nga kombet e tjera, pavarësisht nga përcaktimi i tij ideologjik.”
(Charles de Gaulle, Memoires d'espoir, 1958-1969, “Plon”, Paris, 1970, f.215.).

- Atëherë, pse kjo e drejtë e ligjshme dhe demokratike universale të mos i njihet edhe Kombit më të vjetër shqiptar në Evropë, sikurse të gjitha kombeve të tjera në Ballkan.

Ipso facto, boshti tematik i këtij libri përbëhet nga analizat dhe komentet e shkruara dhe të publikuara gjatë viteve 1990-2005 në masmediat shqiptare, duke marrë për bazë paradigmat konkrete të krijimit të rrethanave dhe të zhvillimit të ngjarjeve politike lidhur me Kosovën (si shkak dhe pasojë e hollokaustit të dhjetëvjeçarit 1989-1999 të Serbisë së Madhe të Slobodan Milosheviqit), si dhe duke u mbështetur në burimet autentike (duke përfillur kriteret dhe parimet e metodologjisë së studimit multidisiplinor) të literaturës së përzgjedhur në gjuhën shqipe dhe në atë të huaj (kryesisht angleze-amerikane), që në mënyrë të drejtë a të zhdrejtë, të veçantë ose të përgjithshme i referohet çështjes së Kosovës, përkatësisht çështjes së pazgjidhur kolonisle shqiptare në Ballkan si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në atë të gjerë të relacioneve të saj historike, gjeopolitike, juridike dhe diplomatike evropiane e ndërkombëtare, që nga Kongresi i Berlinit (1878) e deri më sot, në dekadën e parë të shekullit XXI (viti 2005).

Pavarësisht nga gama dhe magnetuda e friksionit, e divergjencave dhe e polarizimit të interesave të politikës ditore në hapësirat e Shqipërisë Etnike, si dhe nga relacionet e saj në kontekstin më të gjerë dhe, më të drejtpërdrejtë me partnerët e saj fqinjësorë si në rajonin ballkanik, ashtu edhe në atë evropian dhe ndërkombëtar, brendia e këtij libri nuk bie ndesh as me interesin e përgjithshëm të politikës kombëtare shqiptare, as me normat dhe me kriteret juridike-politike dhe demokratike të Bashkimit Evropian (BE), as të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), as të së drejtës ndërkombëtare publike e as me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Për më tepër, është në frymën e përfilljes së plotë të rregullave dhe të normave të së drjetës ndërkombëtare, që përbëjnë tërësinë e sistemit të sotëm juridik pozitiv ndërkombëtar.

Si në aspektin moral, politk, kombëtar, ashtu edhe në atë juridiko-diplomatik ndërkombëtar, syzheu i trajtuar i këtij libri në asnjë mënyrë nuk e cenon, as nuk e prish imazhin e “kursorit” të busullës strategjike dhe diplomatike të politikës shqiptare në përpjekjet e saj të deritashme, që të aderojë dhe të bashkëpunojë me aleatët e saj rajonalë dhe evropianë në kuadrin e agjendave të Bashkimit Evropian(BE) drejt institucionalizimit të reformave ekonomike, politike, demokratike dhe pluraliste, që janë kusht themelor dhe i pashmangshëm për t'u integruar në strukturat përkatëse të tij. Përkundrazi, është në përputhje me rrjedhat dhe me synimet e këtij procesi transnacional, por jo, në asnjë kuptim, duke e anashkaluar apo duke e heshtur të drejtën historike dhe të drejtën e vetëvenodjes (për hir të maksimalizimit të interesave komplementare të integrales evropiane dhe të globales së përbotshme në disfavor të jetësimit të parimit dhe të së drejtës së vetëvendosjes ndërkombëtare ndaj kombeve dhe vendeve të vegjël, siç janë shqiptarët dhe gjysma e Shqipërisë së kolonizuar etnike) së ribashkimit të Shqipërisë Etnike në favor të drejtpërdrejt dhe të tërthortë të politikës pushtuese dhe të sistemit kolonialist ekzustues të Serbisë, të Malit të Zi, të Greqisë dhe të Maqedonisë.

Qëllimi parësor dhe imediat i këtij libri është jo vetëm që të ndikojë pozitivisht në kthjellimin e ndërgjegjës kombëtare të elitës politike dhe të shkencës mbarëshqiptare, që në asnjë mënyrë dhe, për asnjë interes personal, grupor, partiak apo ideologjiko-tregtar të mos e heshtin të vërtetën mbi qenien e lashtë ilire  të Shqipërisë Etnike, si dhe në anën tjetër, t'i rikujtojë dhe, njëherit t'i apostrofojë të gjithë armiqtë dhe opononentët e dikurshëm dhe të sotshëm të mohimit të së drejtës historike dhe të së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan, se ka ardhur koha që t'i braktisin dhe t'i revizionojnë tezat dhe konceptet e platformave të tyre të vjetra triviale historike dhe politike nacionalshoviniste dhe diletante antishqiptare, të njohura me “akronime” të ndryshme serbomëdha siç janë : “Naçertanie” e Ilia Garashaninit (1844); “Të gjithë serbët kudo që të ndodhen në një shtet të vetëm” e Vuk Karaxhiqit; “Për shfarosjen tonë ose tuajën” e Nikola Stojanoviqit; “Homogjenizimi i Serbisë (1941) i Stevan Moleviqit; “Dëbimi i shqiptarëve”(Memorandum sekret drejtuar Qeverisë serbe, i cili më 7 mars 1937 iu prezentua publikisht edhe Klubit Kulturor Serb në Beograd) dhe “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re(Nëntor 1944) i Vasa Qubriloviqit; “Projekti politik” (1938) i nobelistit dhe i diplomatit Ivo Andriq; “Memorandumi i Akadamemisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë” i vitit 1986 etj.

Edhe pse historikisht (1844-2005) koherenca e teorisë dhe e praktikës së Serbisë(Jugosllavisë) së Madhe ka provuar gjenocidin e institucionalizuar mbi shqiptarët dhe trojet e tyre etnike, kjo assesi, qoftë mbi bazën historike, etnike , etike, kombëtare, politike, ndërkombëtare e as shkencore nuk e justifikon këtë tezë raciste të “krirurgjisë mjekësore” të Dr. Vladan Gjorgjeviqit, (edhe pse këtë specialitet profesionist ai e kishte diplomuar në Universitetin e Vjenës, i cili mëpastaj i ndihmoi që të ushtronte detyra dhe funksione të ndryshme në jetën politiko-shoqërore dhe në aparatin e pushtetit shtetëror, ndër të tjera, edhe si ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Qeverisë së Serbisë gjatë periudhës 1897-1900) se : “ shqiptarët nuk janë nji komb, por janë vetëm nji përzierje fisesh pa typ të përbashkët, pa gjuhë t' unjisueme, pa histori e pa atdhe. Ata s'mund të mbahen si nji popull(Komb), pse popull asht nji rezultat politik, nësa Shqiptarët janë ende në nji shkallë kulturore, parahistorike e nuk çfaqin as ndër cilsi as në karakter të tyne kurrnji aftsi për t'u ba nji element përbas të Shtetit. Prandaj, pamvarsija e Shqipnisë a formimi i nji Shteti Shqiptar në vehte asht gja jo vetëm e pamujtun, por edhe e rrezikshme për Ballkan e për Europë mbarë”( Citat i cituar sipas origjinalit të botuar më 1944. Shih: “Të drejtat e Shqipërisë Etnike”, “Albin”, Tiranë, 2001, f.41).

Ia vlen të nënvizojmë se, asnjëra nga këto “komponente” shpifëse dhe spekuluese në adresë të mohimit të gjenezës së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, që përbëjnë thelbin e kësaj teze antisemitiste dhe psikopatologjike antishqiptare të dr. Vladan Gjorgjeviqit, nuk janë të qëndrueshme as nga aspekti historiko-kombëtar e as nga ai juridiko-politik shtetëror dhe ndërkombëtar. Këtë e kanë hedhur si të pavlefshme dhe të pabazë jo vetëm shkenca historiografike shqiptare, por edhe ajo evropiane e ndërkombëtare, duke u bazuar në argumente të qëndrueshme shkencore se shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës. Në favor të kësaj teze janë edhe këto konkluzione aksiomatike shkencore të autorëve të ndryshëm evropianë, që e mohojnë në tërësi konstatimin e theksuar e të turpshëm propagandistik të ish-kryeministrit dhe pseudohistorianit dr.Vladimir Gjorgjeviq kinse shqiptarët dhe Shqipëria e tyre etnike “nuk përbëjnë një tërësi unike” si në pikëpamje të prejardhjes etnike, gjuhësore, kulturore, shtetërore dhe territoriale etj. Se tezat e V.Gjorgjeviqit kanë karkater imoral, racist, iracional dhe propagandistik, që kanë për qëllim sofistikimin e së vërtetës natyrore historike të gjenezës indigjene të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në llogari të vazhdimësisë historiko-politike të hegjemonizimit dhe të imperializmit të Serbisë së Madhe, provojnë edhe këto kundërargumente racionale në favor të zanafillës dhe të jetëgjatësisë së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Gadishullin Ballkanik:

(1) “Si përkah gjuha si përkah rraca mund të dallohen caqet e banimit të një Kombi Shqiptar” (N. Jorga, Breve histoire de l'Albanie,f.1, citat i cituar në “Të drejtat e Shqipërisë Etnike, “Albin”, Tiranë, 2001, f.42);

(2) “E vetmja arsye qi shtyen disa të mohojnë se Shqipnija asht nji Komb, asht lakmija e tyne për tokat e plleshme e limajet e randsishme të bregdetit Shqiptar”( X. Lefcoparidis, A travers l'Albanie, f.92. Po aty, f.42);

(3) “Asht e pamujtun të mohohet ekzistenca e Kombit Shqiptar. Shqiptarët kanë gjithçka lypset për nji Komb: gjuhën, traditën, ndërgjegjën kombtare” (L.Lamouche, Les Droite de l'Albanie- La question albanaise, f. 21 dhe 28). Po aty, f.42);

(4) “Se asht nji Komb Shqiptar, kurrkush nuk mund ta mohojë.Shumë Kombe nuk mbledhin ndër pjestarë të tyne kaq elemente të përbashkët sa Shqipnija.Shqiptarë t trajtojnë nji Komb të fortë, të vetdijshëm e të gatshëm për t'i mprojtun votrat e tynvet”( G.L., Jaray, L'Albanie inconnue, f. 195-196; Les Albanais, f.6. Po aty, f.43);

(5) “Populli Shqiptar ka ruejtun Kombësinë e tij, e se Kombësija e Popullit Shqiptar asht shumë e qartë e fort e moçme, sadoqë e kundërshtueshme nga disa të verbuem nga epshi e interesa”(J. Godart, L'Albanie en 1921, f. 189,195. Po aty, f.43);

(6) “Titujt e pakundërshtueshëm të Shqipnisë si Komb në vete s'mund të mohohen veçse nga ata qe kanë interesë për copëtim të saj. Populli Shqiptar përban nji Komb të vërtetë, ase nji mbledhje individesh qe kane te njajtën zanafillë, të njajtën gjuhë, të njajtat tradita historike e të njajtat zakone.”(A.Baladocci,Albania, f.385; G.Tozzi, L'Albania e il suo incerto destino, f.9; R.Almagia, f.28. Po aty, f.43).

Duke mbajtur parasysh këto argumente të vlefshme dhe të pakundërshtueshme të autorëve të huaj (grekë, francezë, rumunë, anglezë, amerikanë, gjermanë, hungarezë, skandinavë etj.) mbi realitetin dhe të vërtetën historike të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Gadishullin Ballkanik, me të drejtë dhe në mënyrë objektive është njxerrë edhe ky përfundim: “E njemend Populli Shqiptar asht nji shoqni natyrore qi ka xanafillë, gjuhë, qytetnim e kulturë, doke e zakone, histori e tradita të përbashkëta, dhe asht krejt i vetdijshëm për ketë unjisi të tij Kombëtare” (I njëjti burim: Të drejtat e Shqipërisë Etnike, “Albin”, Tiranë, 2001,f.43-44).

Së këndejmi, pavarësisht se ndodhemi përpara shumë sfidash dhe alternativash kushtëzuese të kanonierave të dipomacisë kolonialiste serbomadhe dhe grekomadhe sllave dhe të asaj ndërkombëtare, që njihen si recidiva të historisë së dikurshme dhe, si produkte të reja të fenomenologjisë së sotme të integrimit dhe të globalizimit në përmasa evropiane dhe ndërkombëtare, “Problemi i ardhmenisë e i bashkimit të Kombit tonë s'mundet mos me iu interesue e mos me i shqetësue sundimtarët ( e vjetër dhe të rinj – mh) dhe intelektualët tanë, e mbarë Popullin Shqiptar, tue qenë në rrezik vetë ekzistenca e Atdheut.” (Po aty, - Hymje). Ndaj, ribashkimi i shqiptarëve dhe i territoreve të tyre brenda kufijve natyrorë historikë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike, është e drjetë morale, legjitime dhe legale, e domosdoshme, e cila në asnjë mënyrë nuk rrezikon, as nuk i cenon të drejtat e popujve të tjerë fqinj në Ballkan e as interesat strategjike të aleatëve perëndimorë të shqiptarëve. Përkundrazi, ribashkimi i Shqipërisë Etnike është në frymën e ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe të thellimit dhe të intensifikimit të bashkëpunimit konstruktiv në procesin e afirmimit të demokracisë, të integrimit, të pluralizimit ,të drejtave të njeriut dhe të promovimit të paqes dhe të sigurisë në Ballkan. Mirëpo, të gjitha këto atribute dhe vlera të rëndësishme për popujt ballkanikë dhe më gjerë, kanë gjasë të realizohen në praktikë vetëm pasi t'i jetë e njohur e drejta e ribashkimit dhe e vetëvendosjes së popullit shqiptar në Ballkan, sipas sistemit të rregullave dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ndryshe, “konservimi” dhe shpërfillja e së drejtës së kombit shqiptar, që të ribashkohet në një shtet të vetëm unik të Shqipërisë Etnike, nxjerrë në sipërfaqe fantazmën e ringjalljes dhe të mbrojtjes së “formulave të reja” të kolonialistëve të vjetër serbosllavë, se pavarësimi i Kosovës, përkatësisht i Shqipërisë Etnike, do të “rrezikojë” Ballkanin, ashtu siç kanë pohuar në mënyrën më të rafinuar të propagandës subverisve serbomadhe, edhe Dr. Vladan Gjirgjeviq, si dhe pasuesit e tij të mëpastajmë shovinistë serbomëdhenj: Slobodan Milosheviq, Vojislav Sheshel, Vojislav Koshtunica, Boris Tadiq, Nebojsha Çoviq., etj. së bashku me kreun e “industrisë” së produkteve politike (memorandume dhe elaborate të panumërta për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe për djegien e trojeve të tyre të Shqipërisë Etnike) të gjenocidit kolonial dhe militarist të Kishës Ortodokse Serbe dhe të Akademisë së Shkencës dhe të Arteve të Serbisë.

Mirëpo, pa marrë parasysh strategjinë dhe taktikat dredhuese antishqiptare të institucioneve më të larta politike, shtetërore, fetare dhe ushtarake serbomalazeze, që në format më të ndryshme “noveluese” (duke u thirrur në mënyrë fiktive dhe të rreme në agjendat integruese, pluraliste, demokratike të rendit të ri ndërkombëtar, vetëm për t'i realizuar interesat e politikës grabitçare në kurriz të territoreve etnike shqiptare) po e stimulojnë sistemin kolonial ekzistues dhe imperilaist të Unionit të Serbisë dhe të Malit të Zi, pa njohjen e së drejtës së pavarësisë dhe të vetëvendosjes së Shqipërisë Etnike, zor se mund të pritet ndonjë rezultat spektakular i arritjes së ndonjë marrëveshjeje pajtuese ndërmjet popujve dhe vendeve të kolonizuara dhe vendeve e popujve kolonizues-hegjemonistë (Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia), që do të ishte në funksion të ndërtimit të demokracisë universale, të integrimit evro-rajonal dhe, të institucionalizimit të paqes, të sigurisë dhe të zhvillimit në Ballkan.

Me gjithë rethanat dhe realitetet e krijuara politike në Ballkan, për shkak të ndryshimeve ideologjike, gjeopolitike, gjeostrategjike, ekonomiko-shoqërore dhe integruese në Evropën Lindore (1989-1990), si rrjedhim i përfundimit të sistemit bipolar të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, me ç'rast me të drejtë përmbyset përgjithmonë “perandoria e kuqe”- ish-Bashkimi Sovjetik si superfuqi botërore, çështja kombëtare dhe koloniale shqiptare në Ballkan ende ka ngelur e paprekur në kuptimin e zgjidhjes së saj përfundimtare sipas së drejtës natyrore historike dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes., edhe pse historia ka provuar se kombi shqiptar është një nga kombet më të vjetra jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.

Ndër të tjera, margjinalizimi dhe mosriaktualizimi i zgjidhjes së drejtë i çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, tërthorazi ka për pasojë edhe përçarjen dhe paralizimin e faktorit të brendshëm politik shqiptar dhe ndikimin e diktatin e fuqishëm të faktorit integrues evropian, që njihet si periudhë e re transicionale për popujt dhe vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.

Pa marrë parasysh llogaritë e gabuara të strategjisë së qorrsokakut dhe të frikësimit të politikës zyrtare shqiptare (1990-2005), që po zhvillohet sipas inercionit të forcave centrifugale të diplomacisë evro-ndërkombëtare, duke “osciluar” në formën parazitare të polarizimit ideologjiko-politik e partiak “djathtas-majtas”, duke kërkuar “qendrën demokratike-inetgruese”, si dhe “vjeljen e përjetshme” të ndihmave humanitare ndërkombëtare, ka ardhur çasti i fundit që të riaktualizohet, të rindërkombëtarizohet dhe të mbrohet ideja dhe kërkesa legjitime dhe e drjetë historiko-politike e kombëtare për ribashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre indigjene në kuadrin e kufijve natyrorë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë Etnike.

Kërkesa legjitime për rikthimin e territoreve shqiptare (mbi 50%), të aneksuara dhe të kolonizuara me forcë, me agresion dhe me gjenocid nga Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia (1878-1999), titullarit të ligjshëm-Shqipërisë Etnike, nuk mund të cilësohet si kërkesë e dënueshme, iracionale, utopike dhe megalomane, sepse është me bazë të qëndrueshme historiko-juridike e politike të së drejtës kombëtare shqitare dhe të së drejtës ndërkombëtare publike.

Në vijimësinë historike, këtë kërkesë të drejtë dhe të paparashkruar ligjërisht të shqiptarëve, e kontestojnë si kuazishkenca historiografike , ashtu edhe politika propagandistike e njësuar nacionaliste dhe kolonialiste serbomalazeze, greke dhe maqedone, me qëllim që të sofistikojnë të vërtetën mbi identitetin historiko-kombëtar, territorial dhe shtetëror të Shqipërisë Etnike brenda kufijve të saj natyrorë etnikë. Përpjekjet dhe tendencat e politikës nacionalshoviniste dhe kolonialiste të amalgamës serbomalazeze, greke dhe maqedone kanë qenë vazhdimisht në funksion të rrumbullakësimit teorik dhe praktik të projektideve: Serbia e Madhe (Ilia Garashanini), Greqia e Madhe (“Megalidea” sipas Joanis Koletis) dhe Maqedonia e Madhe: (përpos Maqedonisë së Vardarit, nënkupton edhe përthithjen territoriale të Maqedonisë Pirineje dhe Egjeje). Kjo është arsyeja kryesore (si në aspektin historik, ashtu edhe në atë politik) pse kuazishkenca dhe historiografia falsifikatore serbosllave me bazë bizantine e mohon origjinën dhe qenësinë e pastër ilire të Shqipërisë Etnike, me qëllim që të justifikojë “shkencërisht” dhe “politikisht” tezën e trilluar nacionaliste serbomadhe “Shqipëria e Madhe”. Kjo tezë e ndërruar dhe e atribuar pa të drejtë shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, është e papranueshme si në sfondin e politikës, ashtu edhe në atë të shkencës historiografike shqiptare, sepse nuk ka asnjë ndërlidhuri me të drejtën natyrore, historike dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, por në thelb, është tezë e nacionalizmit të pamposhtur serbosllav në Ballkan, që nënkupton armën më të fuqishme dhe më efektive të mbrojtjes së konceptit Serbia e Madhe si në aspektin historik, etnik, politik, propagandistik, territorial dhe religjioz ortodoks, ashtu edhe në atë diplomatik ndërkombëtar.

Prandaj, për të mos krijuar dilema dhe konfuzion në opinionin publik dhe te studiuesit e historisë së marrëdhënieve shqiptare – serbe, është e domosdoshme që si shkenca, ashtu edhe politika, propaganda e diplomacia shqiptare, ta përgënjeshtrojnë në vazhdimësi tezën e ndryshuar falsifikuese dhe spekuluese “Shqipëria e Madhe”, sepse pas kësaj fshihet vetëm teza doktrinare dhe praktika gjenocidale-ekzistenciale e Serbisë së Madhe, që nga periudha mesjetare, pas shembjes së Bizantit, e deri më sot, në fillimshekullin XXI. Në këtë kontekst, është zhvilluar edhe politika gjenocidale e Serbisë nën drejtimin e ish-presidentit të saj, Slobodan Milosheviq, i cili në saje të Kishës Ostodokse Serbe dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (në emër të “rujatjes” së Jugsollavisë socialiste), qe ndihmuar dhe instrumentalizuar në skajshmëri, që të zbatojë politikën e terrorizmit dhe të gjenocidit të institucionalizuar shtetëror serb kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës(1990-1999). Në këtë mënyrë, krimineli S.Milosheviq, dëshmoi botërisht rikonfirmimin e konceptit “demokratik-modern” të Serbisë së Madhe, sipas Programit nacionalist serbomadh “Naçertanie” të Ilia Garashaninit (1844).

Ndër të tjera, këtë vizion nacionalist serbomadh të Slobodan Milosheviqit, e provoi edhe krijimi me gjenocid i Republikës Serbe në Bosnjë, si pasojë e Marrëveshjes së Dejtonit(1995), me ç'rast erdhi në shprehje triumfi i politikës fiktive mbi të drejtën dhe drejtësinë ndërkombëtare. Me një fjalë, Serbia e Madhe ka ekzistuar dhe, si ngrehinë e tillë shtetërore ekziston edhe sot, duke i mbajtur nën sundimin e saj të egër kolonial territoret autoktone të Shqipërisë Etnike: Medvegjën, Bujanocin, Preshevën, Leskovikun, Kurshumlinë, Bllacën, Vranjën, Tregun e Ri( Jeni Pazarin), si dhe Kosovën në kuptimin de jure sipas Rezolutës 1244,10.VI.1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, “Shqipëria e Madhe” (tezë e ndërruar serbomadhe, që është në funksion të mbrojtjes së konceptit doktrinar dhe praktik të Serbisë së Madhe) nuk ka ekzistuar dikur, as nuk ekziston si e tillë as sot në fillim shekullin XXI në teorinë e as në praktikën e shtetësisë shqiptare. Këtë realitet Evropa e di njësoj sikurse kolonialistët serbosllavë, mirëpo, nuk e pohon, as nuk e pranon si të tillë, për shkak se edhe vetë ajo ishte pjesëmarrëse në copëtimin e territoreve të Shqipërisë Etnike (1878; 1912-1913;1919-1920;1945).

Pavarësisht nga qëllimet latente grabitçare dhe interesat heterogjene ose konvergjente të forcave të errëta me ambcije mesjetare serbo-bizantine, ose të alenacave të reja integruese, demokratike dhe pluraliste me bazë të vjetër të “Koncertit Evropian”, që të mohojnë historinë e vazhdimësisë së ekzistencës së ligjshme të Shqipërisë Etnike, riaktualizimi i kërkesës për ribashkimin e pjesëve të saj territoriale etnike nga: Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar (FBKSH), Partia e Aleancës Demokratike të Shqipërisë (PAD), Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës (LPK), në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet, as të trajtohet me tendencë dhe, naivisht si absolutizëm politik apo “skandal politik” në kuptimin e brendshëm të politikës kombëtare shqiptare, ose si “tradhti” a “provokim historik” ndaj diplomacisë së aleancës evroperëndimore. Për më tepër, kjo kërkesë e drejtë dhe e ligjshme si kombëtarisht, ashtu edhe ndërkombëtarisht nuk mund të cilësohet si ekuivalencë e konceptit Serbia e Madhe, as si “akt i qëllimshëm për diabolizimin e shqiptarëve” e as si “fluskë sapuni” në kuptimin e fjalorit vulgar-diletant të “politikës së lartë” etatiste shqiptare, që ka për qëllim të vërtetën ta shndërrojë në mashtrim-spekulim të “politikës ditore” në disfavor të idesë dhe të procesit historiko-politik e kombëtar të ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Përkundrazi, riaktualizimi dhe mbështetja e gjithanshme e kërkesës për ribashkimin e Shqipërisë Etnike, edhe në kushtet dhe në rrethanat e krijuara të periudhës së transicionit demokratik, integrues, pluralist dhe ekonomik të Evropës Lindore dhe Juglindore (1990), është realitet me bazë racionale dhe të qëndrueshme historike, juridike, kushtetuese, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këto argumente të parrëxueshme i provojnë edhe Platforma gjithëkombëtare shqiptare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878)., etj., Platforma për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998), ku ndër të tjera, në faqen 50 të saj thuhet: “ ., aspirata e drejtë e gjithë shqiptarëve është ashtu siç e kanë përcaktuar që në shekullin e kaluar rilindësit tanë – bashkimi i mbarë trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Deri sot ky bashkim ende nuk është arritur jo për faj të shqiptarëve. Përkundrazi, gjysma e trojeve etnike shqiptare ndodhet ende nën zgjedhën e disa shteteve të huaja (në vend të këtij përgjithësimi diplomatik “nën zgjedhën e disa shteteve të huaja”, më e drejtë do të ishte të thuhej në frymën e konkretes shkencore: “gjysma e trojeve etnike shqiptare ndodhen ende nën zgjedhën kolonialiste dhe imperialiste të Serbisë, të Malit të Zi, të Greqisë, dhe të Maqedonisë – MH). Si rrjedhim, çështja kombëtare shqiptare është një çështje ende e pazgjidhur.” (Platforma   për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, ASHSH, Tiranë, 1998, f.50).

Gjithashtu, kërkesa reale për ribashkimin gjithëkombëtar shqiptar, është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së vitit 1998: “. me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar” (Preambula, f.5), SHBSH “Pegi”, Tiranë, 2002.

Mirëpo, fatkeqësisht në shpërputhje me këtë Platformë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe me këtë Kushtetutë të Republikës së Shqipërisë, janë deklaruar botërisht si Alfred Moisiu (kryetar), Sali Berisha (kryeministër), ashtu edhe Besnik Mustafaj (ministër i Punëve të Jashtme) të Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë në konsideratë të gjitha këto argumente historike dhe politiko-shkencore të mësipërme, që janë në favor të riaktulizimit, të mbështetjes, të sensibilizimit dhe të jetësimit të së drejtës së ribashkimit të Shqipërisë Etnike, atëherë del krejtësisht e qartë se, edhe shkenca, edhe politika, edhe diplomacia e sotshme shqiptare, edhe mbarë kombi shqiptar janë të detyruar që moralisht, ligjërisht, politikisht, diplomatikisht, kombëtarisht dhe shkencërisht, ta mbështesin botërisht me gjithë potencialin e tyre kërkesën racionale dhe të domosdoshme-ribashkimin e Shqipërisë Etnike.

Shpëtimi ynë i përbashkët gjithëkombëtar dhe gjithështetëror, duhet të kërkohet vetëm nën flatrat e Shqipërisë së ribashkuar etnike e jo kursesi, as në Evropën Perëndimore, as në Evropën Lindore (si refugjatë dhe krahë pune të përjetshëm), të cilat në historinë e derisotme të saj, tre herë i kanë sakrifikuar dhe mashtruar shqiptarët në favor të interesave territoriale kolonialiste dhe imperialiste të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë (1878; 1912-1913; 1945).

Pikërisht, në këtë vështrim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm nacional, shtetëror, gjeopolitik, gjeostrategjik, ekonomik dhe kulturor, faktorë kryesorë këta, që përbëjnë thelbin e jetësimit të përmbajtjes së idesë dhe të programit të çlirimit antikolonial dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike, është sajuar në mënyrë analitiko-sintetike edhe tërësia historiko-juridike, politike dhe diplomatike e këtij libri, si antitezë e “argumenteve” të historiografisë falsifikatore dhe të politikës propagandistike kolonialiste dhe gjenocidale të Serbisë së Madhe, e cila që nga miti i njohur Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, në dekadën e parë të shekullit XXI (viti 2005) ka gënjyerë, ka shpifur dhe ka manipuluar me opinionin publik politik dhe shkencor të brendshëm dhe të jashtëm në disfavor të së vërtetës historike, territoriale dhe etnike mbi shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike në Ballkan. Mirëpo, edhe përsëritja e gjenocidit të dhjetë me radhë kundër shqiptarëve dhe Kosovës më 1989-1999, të kryer nga Serbia e Madhe, dëshmoi para tërë botës së civilizuar se e vërteta qëndron anën e çlirimit antikolonial kombëtar dhe të pavarësimit të Kosovës-Shqipërisë Etnike nga tutela shekullore e politikës kolonialiste dhe hegjemoniste serbomadhe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"