Bërllok diplomaci

Bërllok diplomaci
Bërllok diplomaci

Mehdi Hyseni

  • 22 April 2020 - 10:11

Pse qe 2 vjet  diplomacia e Tiranës  nuk e shpalli persona non grata ambasadorin e Serbisë, Milomir  Zariq, i cili deklaroi se “Kosova ka qenë, është dhe do të jetë Serbi” ?!

 *** Serbomëdhenjtë më lirshëm po e sulmojnë dhe  po e mohojnë pavarësinë e Kosovës në Tiranë sesa  në Beograd !?

 -Po, çfarë do të kishte ndodhur, sikur një ambasador i Shqipërisë, të kishte deklaruar  në Beograd, se  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja  janë të Shqipërisë Etnike ? – Që historikisht, de fakto dhe de jure janë territore autoktone të Shqipërisë  Etnike, ashtu sikurse është edhe Kosova e pavarur.

 -Do të ndodhte më e keqja, jo që çetnikët serbomëdhenj,  do ta përzinin ambasadorin shqiptar, por edhe do ta sulmonin fizikisht atë së bashku me personilin e tij, si dhe do ta demolonin dhe do ta përflaknin ambasadën shqiptare, duke krijuar skandal diplomatik ndërshtetëror dhe ndërkombëtar.

 E, ne pse heshtim, kur zyrtarët serbë midis Tiranës, pohojnë se “Kosova është Serbi”? Pse nuk reagojnë policia dhe organet e drejtësisë ?

 -E, ku ngeli diplomacia e rilindjes gjithëkombëtare” shqiptare e Edi Ramës, pse qe 2 vjet nuk bëri asgjë për dëbimin e këtij ambasadori serbomadh nga Tirana?

-Pse diplomacia e  Shqipërisë së Ilir Metes dhe e Edi Ramës mbështet Dialogun e Brukselit  mes Beogradit dhe Prishtinës (2011-2018), që është  “arma” më e sigurt diplomatike paqësore për bosnjëzimin e shtetit të Kosovës me një  mini “Republika srpska”, ose të paktën me kantonizimin e  enklavave me shumicë serbe në Kosovë?

-Pse diplomacia e  qeverisë së Edi Ramës  mbështet “formulën” e presidentëve A.Vuçiq  dhe H. Thaçi për “shkëmbimin” ose për “korrigjimin” e territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?

- Pse diplomacia e Edi Ramës mbështet Marrëveshjen e lidhur mes palës serbe dhe kosovare ( pa pëlqimin e qeverisë dhe pa pëlqimin e kuvendit të Kosovës), që Serbia përmes autostradës nëpër Kosovë, të dalë në Detin Adriatik, kur kjo paraqet rrezikun më të madh strategjik permanent  për pushtimin e territorit të Kosovës dhe të Shqipërisë?

 -Ata që e njohin mirë historinë e deristome të marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe të atyre serbo-kroate, që nga zhvillimi i luftërave ballkanike të aleancave sllave (1912-1913) e deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore ( 1914-1918),  e dinë mirë se  Serbia militariste dhe gjenocidale pushtuese me kryeministrin serbomadh Nikola Pashiq në krye, si dhe pasuesit e tij të mëpastajmë deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ( 9 maj 1945), të gjitha luftërat pushtuese kundër shqiptarëve, kroatësve dhe myslimanëve boshnjakë i kanë bërë  për të dalë në Detin Adriatik. Me një fjalë, ky ishte projektplan nacional, shtetëror dhe vizion stragjik dhe gjeopolitik i kryeministrit serb Nikola Pashiq, i cili ishte edhe vetë autor dhe propozues i këtij Projekti të ashtuquajtur “Ndërtimi i hekurudhës Danub-Shkodër”.  Mirëpo,  Serbia, me gjithë luftërat saj pushtuese, asnjëherë nuk ia ka arritur që të “dalë në Detin Adriatik”.

 Ndërkaq, sot, në fund të dekdaës së dytë të shekullit XXI, për shkak të bërllok diplomacisë dhe të politikës shqiptare të boshtit Prishtinë-Tiranë, Beogradi ia arriti të nënshkruajë një marrëveshje me palën kosovare ( pa dijen dhe pa lejen e qeverisë së Albin Kurtit dhe pa lejen dhe pa miratimin e Kuvendit të Kosovës, Vjosa  Osmani) për ndërtimin e autostradës Beograd-Prishtinë – Durrës !? – Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, në mënyrë paqësore dhe të vullnetshme, pala negociuese e Prishtinës pranoi që Serbia të ketë “korridorin  santitar” të saj nëpër Kosovë, që pa asnjë pengesë të dalë në Detin Adriatik në Shqipëri. Në këtë rast, ndër të tjera, u realizua ëndrra shekullore e programit nacional strategjik e ish-kryeministrit të Serbisë, Nikola Pashiq (1901), që Serbia pa luftë, ta puthë Adriatikun shqiptar !

– Ja, kjo është bërllok politikë dhe bërllok diplomaci shqiptare, duke harruar se, dikur për këtë qëllim nacional strategjik dhe gjeopolitik pushtues të Nikola Pashiqit, Serbia ka vrarë me qindra dhe mijëra shqiptarë, duke filluar që nga Luma, Elbasani, Tropoja, Kuksi, Hasi e deri në Durrës, duke mos kursyer as nënat  shtatëzëna, as foshnjat në djep e as fëmijët, gra burra e pelq vetëm për ta copëtuar dhe okupuar Shqipërinë Veriore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"