A do ta fut coronavirusi demokracinë në krizë globale?

A do ta fut coronavirusi demokracinë në krizë globale?
A do ta fut coronavirusi demokracinë në krizë globale?

Fadil Maloku

  • 29 April 2020 - 09:40

1. Në Kosovë e në Shqipëri e padyshim edhe më gjerë në rajonin tonë, (meqë konsideroj që nuk ka ndonjë qasje edhe aq të dallueshme për këtë çështje, përveç satelitit të Rusisë – Serbisë), e ndoshta edhe më gjerë, sa i përket diskursit mbi të ardhmen e këtyre vendeve, tash për tash mbretëron bindja se demokracia liberale është forma dhe alternativa më e mirë për ndërtimin e raporteve të ardhshme sociale, politike dhe sosh ekonomike në rajon. Arsyet ndoshta duhet kërkuar në energjinë negative dhe në frustrimin kolektiv që këto vende kishin akumuluar me dekada të tëra gjatë pretendimit të ndërtimit të socializmit përkatësisht – komunizmit.

Ky mendim dhe gjykim vlen sidomos për vendet dhe shtetet që ndërtonin tipin e socializmit stalinist, ku në veçanti dallohet Shqipëria, sidomos. Kapitalizmi global në esencë edhe sot e kësaj dite vë në siklet dhe në pikëpyetje të madhe identitare shtetet, kombet, bile edhe vendet me traditë të gjatë demokratike. Ndërkaq, për vendet dhe shtetet që sapo kanë filluar të ndërtojnë vlerat demokratike, është interesant se demokracia dinë ngandonjëherë të tregohet edhe shume problematike dhe shumë e vështirë për t ‘u implementuar në jetën e re sociale, politike e sidomos sosh ekonomike të një vendit. Demokracia shpesh i dobëson shtetet sepse bënë të nevojshme kompromise jofunksionale dhe qeveri të brishta koalicionesh në shoqëri ku institucionet burokratike nuk kanë funksionuar kurrë si duhet. Për këtë arsye demokracia as nuk formon e as nuk i forcon fillimisht shtetet. Globalizimi i aktiviteteve të reja ekonomike, me faktin e krijimit të organizatave të reja mbinacionale, bën që identiteti i shtetit si mekanizëm i gjertanishëm dinamik të zëvendësohet me lehtësi me projektin e sipërpërmendur.

2. Pra, procesi i ri i tipit të demokracisë neoliberale, padyshim që pretendim e ka jo vetëm zëvendësimin e rolit të shtetit si koncept dhe strategji moblizuese për masat e gjera qytetare, por edhe largimin e tërësishëm të tij nga skena e transaksionëve historike, siç është duke ndodhur aktualisht në Kosovë. Pra, problemi është fakti se si do të jetë e mundur që të ushtrohen këto lloje këto transaksionesh pa prezencën e instrumentit të shtetit, kur ai të jetë mënjanuar nga skena e përgjithshme botërore? E në veçanti, kur dihet që shteti si instrument politik përveç tjerash jep edhe garancinë dhe sigurinë e fuqishme për këto gjëra? Padyshim që kjo është një çështje fundamentale në diskursin e demokracisë liberale dhe të asaj neoliberale. Përgjigjja në këtë projekt propozim, sipas shumicës së ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm ende nuk është në horizont. Por, si qëndron çështja me shtetet që aktualisht janë anëtarësuar në identitetin e ri të quajtur BE-ane? Në të vërtetë, ato de jure janë bërë pjesë e demokracisë liberale, por de facto asnjëra nga këto shtete ende (e mendoj edhe për një kohë të gjatë as që do të mund ta quajë veten demokraci liberale e tipit identifikues evropian) nuk është bërë liberale.Është poashtu interesant se të gjitha këto shtete të anëtarësuara i kanë kushtetutat të cilat janë përshkruar nga vendet të cilat kanë dalë nga tradita liberale, por nuk kanë ndonjë kulturë dhe traditë demokratike të mirëfilltë qytetare, që është një element shumë i rëndësishëm për të funksionuar demokracia e vërtetë.

3. Demokracia liberale, për vendet të cilat janë duke kaluar katrahurat e transicionit, pa dyshim që pa elementin e traditës qytetare është vështirë të funksionojë si duhet, kjo vlen sidomos për shtetet e transicionit, siç janë psh. Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Kroacia, të cilat e kanë më të theksuar problemin e lartpërmendur.Sipas kësaj logjike, të gjitha këto vende kanë instaluar demokracinë e tipit liberal, por asnjëra në esencë nuk mund të thuhet se i përket diskursit të mirëfilltë demokratik dhe demokracisë liberale. Të gjitha këto vende i kanë instaluar kushtetutat e ish- vendeve apo shteteve demokratike dhe liberale, kurse u mungonte elementi apo paradigma kryesore e identifikimit, ajo e traditës apo kulturës demokratike që nuk mund të fitohet edhe aq shpejt, ngaqë duhet një kohë më e gjatë e kultivimit të këtyre raporteve. Për shembull, ne në Kosovë kemi institucione të cilat nuk funksionojnë (jo ndoshta edhe për shkak se kanë defektet e tyre, bie fjala të natyrës juridike, apo të asaj politike dhe ekonomike), për shkak se ne nuk jemi as gjermanë e as anglezë, pra nuk posedojmë ende mentalitet mobiliteti të theksuar në punë. Por, a mund të themi se periudha postpandemike do shquhet me ndryshime edhe ne procesin e qeverisjes globale? Në fakt, që tani ka indikacione të shumta, se pandemia do reflektohet, në; ngritjen e nacionalizmit dhe formimin e lêvizjeve tê reja me ngjyrime populiste, të cilat dosido do t’i rikthehen mekanizmit të shtetit për t’i rregulluar raportet ndërshtetërore dhe ndërkombëtare; në rritjen e rolit shumë më të madhë të shtetetkombeve dhe në ndërmjetësimin social, politike, ekonomik e sidomos kulturor të qytetarêve; në ngritjen urgjencave dhe agjendave nga ana e regjimeve autokrate, ngase, vetëm kështu do mund të mbajnë pushtetet e tyre autoritare; në synimin e kthimit kah projektet lokale. Ku shtetet të cilat pretendonin të bartin sovranitetin e vetë në një institucion të përbashkët, ashtu si insistonte parreshtur ideja dhe koncepti globalist, tani do të marr trajtë dhe përmbajtje të re; në zgjerimin dhe këmbimin kontinental dhe ate global, ku do të synohet që të zgjerohet sa më shumë dhe sa më me aplikativitet masiv, në mënyrë që globalizimi ta marr formën dhe përmbajtjen dixhitale. Suma sumarum, coronavirusi gjithësesi do vendos standarde të reja sociale, politike, ekonomike, kulturore dhe padyshim edhe ushtarake! Por, për ta dëshmuar këtë tezë hipotetike, padyshim që duhet pritur…!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"