Në bisedimet për marrëveshje me Serbinë, në krye të tavolinës fjalën e thotë Amerika

Në bisedimet për marrëveshje me Serbinë, në krye të tavolinës fjalën e thotë Amerika
Në bisedimet për marrëveshje me Serbinë, në krye të tavolinës fjalën e thotë Amerika

Rexhep Shahu

  • 11 May 2020 - 09:55

Deklarata e përfaqësuesit të lartë të BE as mish as peshk që nuk përjashton asgjë, as ndarjen apo copëtimin e Kosovës e as të kundërtën, është si deklarata e atij që nuk ka fuqi të vendosë asgjë por dëshiron të jetë e të shfaqet si fendosës. Në kohën e Mogherinit ndoshta kanë qenë më ndryshe rrethanat se atëherë nuk ka pasur një të ngarkuar special amerikan legal në udhëheqje të bisedimeve mes shqiptarëve e serbëve. Sot ka një emisar amerikan në krye të bisedimeve dhe gjithë evropianët edhe shqiptarët edhe serbët janë nën udhëheqjen amerikane për këtë proces, janë pjesëtar tavoline por në krye të tavolinës është Amerika.

Mirë apo keq ky është fakti, ky është edhe fati se nuk duron askush zhagitje kaq të gjatë të këtij procesi dhe këtë nyje qelbi në Ballkan. Ndaj Amerika që udhëheq gjithçka tani do e udhëheqë këtë proces sepse që kur Bushi plak vuri vijën e kuqe, që kur Klinton e çliroi, që kur Bushi i ri e pavarësi, Kosova është interes amerikan, investim amerikan, jo individësh amerikan por e shtetit amerikan. Të gjithë thonë se çështja duhet të zgjidhet me dialog, ky është refren i njohur se askush nuk ka fuqi ta zgjidhe ndryshe.

As Serbia nuk hyn dot në luftë, as shqiptarët nuk hyjnë dot në luftë se kur ishte koha për luftë shumica jonë i ikëm luftës, as Evropa nuk hyn në luftë për shqiptarët a për serbët, as Rusia nuk hyn dot në luftë se lufta kërkon fuqi, kërkon ekonomi e Rusia nuk ka ekonomi për luftë, e vetmja fuqi që mund të hyj siç hyri në luftë për të mbrojt arritjet e veta është Amerika, dhe Kosova është projekt amerikan, i ngritur nga Amerika, e çliruar dhe e pavarësuar nga Amerika, e njohur në botë nga ndikimi amerikan.

Nëse dikush si Albin Kurti mendojnë e veprojnë ndryshe do të thotë se ju kanë ikë gjithë trenat dhe kanë me mbet statuja në stacione treni qi refuzon historia. Unë besoj fort që nuk do ti shërbehet Serbisë me territor Kosove, nuk besoj se do të blihet njohja e Serbisë me tokë shqiptare për arsye se Serbia e ka humbë Kosovën me lufte dhe garant është Amerika. Nuk besoj në veprime e vendime evropiane pasi asgjë nuk bënë dot Evropa pa leje amerikane. Jam i bindur se siç është Kosova një projekt plotësisht amerikan lirie ashtu është vete Evropa një projekt amerikan e ndërtuar siç është pas Luftës së Dyte me fonde e projekte amerikane.

Besoj se Kancelarja Merkel dhe gjermanët nuk do e lejojnë që të shërbehet Serbia me territor Kosove. Me gjithë situatën e turbulluar dhe pa vëmendje intensive në rajon për shkak të zgjedhjeve në Amerikë, nuk besoj se Fuqitë e mëdha do të copëtojnë Kosovën. Siç nuk besoj se ngrihet në luftë Kosova apo Shqipëria apo kombi shqiptar për Kosovën, përveç se e ndotin rëndë ambientin me parulla patriotike nga njëra ane dhe kërkojnë me çdo kusht tradhti e komplote tradhtie nga ana tjetër.

Shpresoj e besoj se Amerika e mbron investimin e vet, Kosovën sic është. Ajo që nuk e shtrojmë drejt por e shtrojmë sipas modelit dhe fjalorit albinian është se Kosova ndarja apo bashkimi nuk janë projekte të Hashim Thaçit apo te Vuciqit se ne gabimisht po i zmadhojmë të dy këta presidente. Sepse i duket Thaçi gogol e lugat Albinit, nuk është i tillë për Kosovën sepse ai është i pa fuqishëm, nuk ka tagër të nënshkruaje dhe as nuk ka për të nënshkruar kurrë asgjë për kufijtë  Kosovës ndonjë vendim të vetin, vetëm nëse i duhet të nënshkruaj ndonjë ligj apo dekret.

Nuk ka ndodh, nuk ndodh dhe as ka për të ndodhë, veç se në mendjet që janë të formatuara të mendojnë si në diktaturë komuniste, që janë mësuar në diktature komuniste se për çdo gjë vendos shefi, udhëheqësi, lideri, presidenti, nuk ka për të ndodhë që për kufirin e Kosovën të vendosë Hashim Thaçi edhe sikur Kosovës ti jepet Toplica. Nuk e ka tagrin presidenti të vendosë, as kryeministri Kurti që po vdes që të jetë pak udhëheqës delegacioni se i duket atdhe i veti vetëm partia VV, nuk kanë tagrin të vendosin për fatin e kufijve të Kosovës asnjeri as tjetri.

Çfarëdo lloj vendimi që të merret, ai nuk zbatohet, nuk hyn në fuqi kurrë pa vendose parlamenti i Kosovës dhe ai i Serbisë. Asnjëherë në historinë e më se një shekulli nuk kanë qenë shtetet e veçanta kufitare që kanë vendos kufijtë mes tyre që kanë caktuar kufijtë mes tyre. Janë Fuqitë e mëdha, edhe dje edhe sot edhe nesër të udhëhequra e të diktuara nga Amerika e Anglia që kanë vendosë, vendosin e do të vendosin kufijtë mes shteteve, jo vetë shtetet.

Po të lihej në dorë të shteteve do të kishte vetëm lufte kudo pa ndërprerje sepse kufijtë në masën më të madhe nuk janë vija që kanë ndarë etnikisht popujt se vetë popujt nuk janë të ndarë në mënyrë të prerë etnikisht. Kështu që le të japin ushqim për gazetat e televizionet sa të duan gjithë evropianët, çështja e marrëveshjes shqiptaro serbe është tani projekt amerikan. Dhe nuk është projekt amerikan i portaleve të Albin Kurtave, që emërojnë e shkarkojnë zyrtarët e lartë amerikane sipas shijeve të shëmtuara, interesave e të frikës së Albin Kurtit, por është projekt amerikan i Shtëpisë së Bardhë i Senatit dhe Kongresit amerikan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"