Isa Mustafa: Politikani i tri ideologjive, komuniste, naziste dhe “demokratike”

Isa Mustafa: Politikani i tri ideologjive, komuniste, naziste dhe “demokratike”
Isa Mustafa: Politikani i tri ideologjive, komuniste, naziste dhe “demokratike”

Gurakuç Kuçi

  • 11 May 2020 - 14:38

Ne nuk jemi monarki që lojërat e vënies në pushtet të ndodhin vetëm brenda pallatit pa e pyetur popullin, por jemi parlamentarizëm që vendosim zgjedhjen e popullit në qeveri nëpërmjet një procedure parlamentare.

Në pamje të parë ju duket se Isa Mustafa me nazizmin e Hitlerit nuk kanë asgjë të përbashkët, por fatkeqësisht kanë dhe këtë do ua argumentoj gjatë gjithë tekstit, ngjarjet sigurisht nuk janë homologe (të njëjta), por gjithsesi analoge (të ngjashme).

Isa Mustafa ka qenë një komunist (i vyer) gjë që e bënë kundër Hitlerit dhe nazizmit, por kur Isa Mustafa kishte pranuar të jetë pjesë e kabinetit të Rrahman Morinës, ky i fundit kishte pranuar nazizmin e Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve, atëherë kjo pikë i bashkon Mustafën dhe Hitlerin. Mustafa duke qenë njeri i tri ideologjive i bie se të tria kanë mbytur tek ai çdo lloj sentimentalizmi.

Mustafa së fundmi deklaroi se populli nuk e zgjedh qeverinë. Sipas tij (një logjikë të gabuar të tillë dikur e kishte edhe Albin Kurti) kush e bën shumicën parlamentare mund ta krijojë qeverinë pa marrë parasysh që para popullit ke dhënë një premtim se kush do udhëheqë qeverinë.

Një zbrazëtirë ligjore për një vend normal demokratik dhe me klasë politike demokratike nuk përbën mungesë normash por kulturë politike (po tingëllon si shumë angleze apo jo, dhe Mustafa është nga komunizmi dhe nazizmi). Por, pasi Mustafa nuk i ka qëndru besnik as komunizmit e as nazizmit, nuk i qëndron besnik as demokracisë.

Këtë po e argumentoj me një anekdotë, njëri duke ndryshuar dhe duke u bërë spiun i çdo lloj regjimi që ka ndryshuar, e pyesin njëherë “po pse bre burrë po i ndërron kaq shumë bashkëpunëtorët si po ndrrojnë regjimet”, ai ua kthen se “unë nuk po ndryshoj, unë jam i njëjti, regjimet vetë po ndryshojnë e unë veç po u m’veshna”.

Andaj, deklaratat e tilla të Mustafës përdhosin kulturën politike dhe demokratike që qytetarët votojnë në një sistem parlamentar demokratik. Deputeti në sistemin parlamentar përse e ka votën nuk mund të bëj çfarë të dojë, ai duhet vetëm të kujdeset që të zbatohet programi dhe vota e qytetarëve në mënyrë të drejtë ashtu siç është thënë e dhënë “besa” para qytetarëve.

Para se Hitleri të merrte pushtetin në Gjermani, SHBA-ja aq shumë i jepte hua Gjermanisë, sa kjo e fundit ia delte të paguante borxhet ndaj Francës dhe të rindërtonte vendin. Kur SHBA-ja u fut me 1929 në krizën ekonomike që u quajt “Depresioni i Madh” dhe i ndali huat dhe ndihmat ndaj Gjermanisë, këtë të fundit po ashtu e kaploi kriza ekonomike, hiperinflacioni dhe kriza e borxheve. Në kuadër të kësaj, Partia Naziste doli e para nga zgjedhjet në korrik 1932 por që nuk u lejua Hitleri të bëhej kryeministër dhe me dekret të Presidentit, Paul von Hindeburg, vazhdonte qeverisjen Franz von Pappen, zgjedhjet e radhës do të mbaheshin në nëntor 1932, pasi Pappen i kërkoi Hindeburgt që të shpallte zgjedhjet e reja ku prapë nazistët dolën të parët, por pushtetin vazhdonte ta mbante Pappen. Me 3 dhjetor, Pappen pushtetin e barti tek Kurt Von Schleicher, pasi Pappen kishte kërkuar pezullimin e Kushtetutës së Vajmarit. Schleicher u mundua që ta përçante partinë naziste duke ftuar Gregor Strasser që të bëhej zëvendës i tij por që kjo u ndalua me forcë nga Hitleri.

Pappen pastaj bëri koalicion me Hitlerin dhe me shumë presione edhe nga grupe të tjera politike dhe jo politike, Hindenburg u detyrua që t’ia jap të drejtën për të qenë kancelar Hitlerit, dhe kështu morën fund zgjedhjet e lira në Gjermani dhe filloi nazifikimi i shtetit. Kjo ishte hera e fundit ku nëpërmjet Parlamentit dhe të ashtuquajturve demokratë, Gjermanisë iu vu në krye tmerri qeverisës.

Lojërat e tilla në formë analoge janë sot në Kosovë, vetëm se duke shfrytëzuar mjetet dëmokratike dhe kamuflazhin juridik. Isa Mustafa i njeh këto lojëra më mirë se të gjithë, ai vetëm në një formë më të modifikuar e përmbysi dhe po e përmbys demokracinë për të krijuar qeveri të llojeve që tashmë populli nuk i dëshiron. E njeh mirë mënyrën e të bërit grusht-shtet dhe e njeh mirë metodën e Bauerit që arti për të marrë pushtetin, rregullohet me të njëjtat parime dhe aleatë që mundësojnë humbjen e pushtetit.

Nëse Hitleri përdori të qenurit i pari dhe i veçantë krizën në Gjermani për të ardhur në pushtet, Mustafa po përdor bashkimin e gjithë të tjerëve kundrejt dëshirës së popullit dhe kulturës politike për të kthyer uzurpokratët në pushtet. Me këto lëvizje të Mustafës në demokraci do të befasohej ndoshta edhe Lenini si strateg e Trocki si takticient.

Kjo nuk do të thotë që po i jap të drejtë Vetëvendosjes si e vetmja legjitime dhe legale për të udhëhequr tani, sepse pas rrëzimit të Qeverisë nuk ka të drejtë legjitime demokratike as LVV të krijojë një Qeveri të dytë pa shkuar në zgjedhje, por do të thotë që po i merret e drejta popullit për të zgjedhur kryeministrin e vet pas rrëzimit të kryeministrit të tanishëm. Andaj, dallimi është se nëse me 6 tetor ka pasur një grusht-pushteti, tani ka një grusht-shteti, por gjithmonë sipas formës Napoleoniane për të mbetur dhe përvetësuar rregullat ligjore (legalitetin). Demokracia nuk nëkupton vetëm krjimin e një bagazhi të pafund ligjesh por ideologjinë e respektimit të të drejtave të njeriut, lirive të të zgjedhurit dhe i të qenurit i zgjedhur.

Vendit i duhen zgjedhjet jo për hatër të Albin Kurtit e Vetëvendosjes, e as për t’i mposhtur partitë tjera, por për hatër të opinionit publik i cili në Kosovë duket se ka ndryshime.

Nëse nuk ka rëndësi se kush del i pari në zgjedhjet elektorale dhe premtimi ndaj qytetarëve se nëse X partia del e para do ketë Y personin për kryeministër, dhe krijimi i precedencës për shumica parlamentare, atëherë në të ardhmen nuk duhet të zhvillohet më gara për të qenë i pari, por vetëm për të kaluar pragun dhe për të krijuar një shumicë parlamentare. Nisur nga ky argument krijohet precedenca psikologjike tek qytetarët e parëndësisë së daljes në zgjedhje, për pasojë në zgjedhje do dalin vetëm klasa klienteliste e partive politike dhe kështu i sigurohet ekzistenca uzurpokracisë.

Nëse kjo gjë nuk është lejuar të ndodh me 2014, nuk duhet lejuar as tani, por ja që gjasat tani janë të lejohet pasi bëhet fjalë për ruajtjen e pushtetit të uzurpokracisë dhe Gjykata Kushtetuese guxon të vendos kundër Fatmir Sejdiut apo Behgjet Pacollit, por jo kundër Hashim Thaçit pasi kjo është Republikë e disa individëve.

Nëse Gjykata vepron siç pritet të vendos pro-presidentit, nuk dua ta mendoj Kosovën si do të duket aty e tutje.

P.S.

A e dini se kush është kryetar i Partisë Republikane në SHBA?

President i SHBA-së nga kjo parti është Donald Trump, por ky nuk është kryetar, në fakt ata nuk kanë kryetar, por një komitet udhëheqës që “chairperson” apo kryetare e ka Ronna Romney McDaniel. Por kjo e fundit nuk menaxhon votat e Donald Trumpit sikur Isa Mustafa të Vjosa Osmanit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"