Gardianët e mbrojtën Kushtetutën e jo Albinin e Hashimin!

Gardianët e mbrojtën Kushtetutën e jo Albinin e  Hashimin!
Gardianët e mbrojtën Kushtetutën e jo Albinin e  Hashimin!

Florim Zeqa

  • 31 May 2020 - 10:47

Kapërcimin e harkut kohor nga muaji i dredhëzave në atë të qershive, e bëri më të ngrohtë vendimi i kushtetueses sesa rrezet e ngrohta të diellit.

 

Testi demokratik i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019

 

Demokracia është ligji demokratik i cili i jep mundësinë popullit që përmes  zgjedhjeve të lira të zgjedhë pushtetin dhe qeverisjen që e dëshiron. Këtë të drejtë populli e realizon një herë në 4 vite duke dërguar në parlament përfaqësuesit e tij të preferuar.

Deputetët e zgjedhur në legjislaturën e re të Kuvendit janë organi më i lartë ligjvënës, të cilët e kanë drejtën e zgjedhjes dhe të shkarkimit e të gjithë drejtuesve të institucioneve tjera shtetërore, përfshirë presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin si dhe Gjykatën Kushtetuese.

Një fjalë e urtë italiane e thotë; "Çdo vend e ka qeverinë që e meriton" ("Ogni paese ha il governo che si merità").

Prandaj, asnjë forcë politike dhe asnjë liderë partiak nuk e ka të drejtën që të veprojë në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën, që në mënyrë të dhunshme t'ua imoponoj qytetarëve vullnetin e tij politik, pra as zgjedhjet e parakohshme si mjet për realizimin e qëllimit politik.

Qytetarët e vendit e kaluan me sukses testin demokratik në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por jo edhe politikanët.

 

Ishte i pritshëm dështimi i koalicionit qeverisës LVV-LDK

 

Koalicioni LVV-LDK ishte konsideruar i dështuar nga qytetarët e vendit, për shkak të betejës së gjatë për ndarjen e "gjahut" apo tortës qeveritare, e cila kishte çuar në humbjen e imazhit pozitiv që kishin këto dy parti politike para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Mirëpo, imazhi i LVV-së dhe LDK-së para qytetarëve të vendit ishte dëmtuar akoma më shumë pas përfundimit të zgjedhjeve në mosmarrëveshjen e gjatë mes tyre për ndarjen e gjahut të pushtetit, e të mos flasim tani pas prishjes së koalicionit qeverisës, saqë më nuk po konsiderohen forca të ndryshimit politik në vend.

Acarimi i raporteve në mes këtyre dy subjekteve, i ka kthyer LVV-në dhe LDK-në rival të fuqishëm politik dhe thyerëse të shpresave të qytetarëve për ndryshim të shpejtë në Kosovën e katandisur nga antivlerat.

Siq shihet, ka qenë e pritshme që edhe Albin Kurtin e pret fati i kryeministrave paraprak, Thaçit, Mustafës dhe Haradinajt, duke mos e arritur përmbushjen e mandatit të plotë 4 vjeçar si kryeministra të vendit.

Mirëpo as pesimistët më të mëdhenjë nuk e kanë pritur një përfundim kaq të shpejtë të 'Qeverisë Kurti'!

Për ta dëshmuar këtë që ceka më sipër po ua ilustroj me një prononcim timin disa javë para formimit të 'Qeverisë Kurti', në një prononcim të datës 17 dhjetor 2019, po citoj; "Edhe po që se arrijnë marrëveshje në minutat e fundit për çështjen e presidentit, do të jetë kjo një marrëveshje e zorit, e një koalicioni jo natyral dhe jo parimor. Qeveria Kurti, jo vetëm që nuk do ta përmbush mandatin 4 vjeçar, nuk pritet të shkojë më gjatë sesa në pranverën e vitit 2021. Arsyet që mund ta lënë në gjysmë mandatin e qeverisë Kurti janë të shumta. Fillimisht do të jenë pakënaqësitë e ndërsjella të dy partnerëve në koalicion, të cilat gjatë rrugëtimit do të prodhojnë kriza të pa evitueshme, si pasojë e rikonfigurimit të grupeve parlamentare në Kuvend”.

 

Zgjedhjet e shpejta nuk sjellin ndryshim

 

Shkuarja në zgjedhje të reja në afatin e shkurtër kohor do të ishte vetëm një maltretim për qytetarët e zhgënjyer, për shkak se do ta kemi përafërsisht të njëjtin rezultat zgjedhor, me plus-minus 5 për qind të votave të elektoratit për subjektet aktuale e jo më shumë se kaq.

Nga zgjedhjet që do të vijnë, ndryshimi pozitiv me votë duhet të jetë akoma më i madh në favor të nismave dhe partive të reja politike, të pa korruptuara, ngase në këtë mandat qeverisës, u shfrytëzua rezultati i ngushtë i partive fituese për ta kontrabanduar votën dhe abuzuar edhe Kushtetutën.

Në zgjedhjet e reja do të ndëshkohen pamëshirshëm partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit (LDK dhe LVV) që rrëmbyen besimin e elektoratit me premtimin për ndryshime rrënjësore, por që dolën të jenë një mashtrim i madh për qytetarët. Me këto parti politike të konsumuara nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi në vendin tonë.

Dështimi i koalicionit LVV-LDK nuk erdhi si rezultat i aspekteve programore dhe as i ndarjes së "përgjegjësive", por si pasojë e egos për pushtet, përkatësisht për dominim ndaj njëra-tjetrës në qeverisjen e vendit, duke u sjellur me njëra tjetrën si rival politik e jo si partner të koalicionit qeverisës.

Tani kur jemi në pritje të shpalljes së aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë duhet ta kuptojmë një gjë, se vendimi i kushtetueses nuk ka të bëjë me persona fizik, por me mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë.

Pra, gardianët e kushtetueses e mbrojtën Kushtetutën e jo liderët politik, nuk e mbrojtën Albinin e as Hashimin, por e mbrojtën udhëzuesin juridik të vendit tonë, për çka edhe janë të mandatuar.

Vendimin e Gjykatës duhet ta respektoj parashtruesi i kërkesës, në të kundërtën  e demaskon veten si subjekt antikushtetues në këtë vend.

Vakumet ligjore që ndodhen në udhëzuesin juridik (Kushtetutë), janë çështje tjetër me të cilën duhet të merren me urgjencë ekspertët ligjor dhe ligjëvënësit e kësaj legjislature, për të mos na u përseritur edhe në të ardhmën të njëjtat konteste dhe çrregullime ligjore.

Meqë shkrimin e fillova në mënyrë metaforike, ashtu edhe po e përfundoj; "kujdes mos i lagni qershitë, se pas rrezeve të diellit do ta keni të vështirë t'i dalloni"!

Do të keni përseri nevojë edhe në të ardhmën për ndihmën e gardianëve të kushtetueses!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"