Apel publik Ramush Haradinajt

Apel publik Ramush Haradinajt

Gani Qarri

  • 08 June 2020 - 09:35

Shteti serish në duart e klaneve dhe krimit të organizuar!

Ramush largohu nga koalicioni me Listën srpska, e cila po shihet hapur se dominon qeverinë e sapoformuar kundërligjshëm, se e more në qafë krejt Kosovën.

Tërhiqe partinë nga qeveria kukull e Avdullah Hotit butakut të Isa Mustafës ministrit të Rrahman Morinës dhe bashkëpunëtorit të Millosheviqit, se nuk ju bën nder ty as AAK-s, participimi i mëtejmë në te.

Pas pezullimit të reciprocitetit me ish shtetin okupator serb, hapi tjetër i qeverisë kuislinge të Avdullah Hotit, është vetëm edhe heqja e kufijve dhe futja e Kosovës nën okupimin e plotë të Serbisë së Aleksandër Vuçiqit.

Ndaj tërhiqu ti vet, bashkë me partinë tënde nga kurthi i kuislingut Hashim Thaçi dhe ngrehina e shpifur prej tij, se e korite të parë e të mbramë dhe bane horë gjithë Rrafshin e Dukagjinit.
Ik nga tradhtia ndaj vendit të të parëve, shtetit dhe popullit të Kosovës, se e ki ndërmend me i humbë jo vetëm ato pak vota që ke marrë deri më tani, por edhe luftën,nderin, qëndresën dhe emrin tënd dhe të familjes,përgjithmonë.

Një popull i edukuar mirë dhe i informuar në mënyrë transparente, sa dhe si duhet, jo vetëm që përbën një digë të pakalueshme për kriminelët dhe qeveritë e shitura e të degjeneruara, por duke ditur rrezikun që i kanoset vendit prej tyre, bandat dhe kriminelët as që lejohen fare të ngjiten në pushtet dhe mbahen me kohë, sa më larg nga udhëheqjet shtetërore.
Shqiptarët duke mos qenë ende në mesin e popujve me ekonomi, shkollim dhe arsimim të shkallës më të përparuar, bëri që serish shteti të bie në duart e klaneve dhe krimit të organizuar të cilët tash e 20 vite po ia zënë frymën Kosovës së sakatuar prej tyre.
Puna shkoi deri aty, sa që të rrëzohet një qeveri legjitime dhe të krijohet një kuazi-qeveri e hibridizuar, ku që në fillim, po dëshmohet publikisht se fjalën kryesore e ka Lista serbe dhe Goran Rakiqi, i cili punon për Serbinë dhe vepron si dorë e zgjatur e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë.

Habia më e madhe e gjithë kësaj maskarade të turpshme, ndodhi kur këtij koalicioni të përçudnuar iu bashkua edhe AAK e Ramush Haradinajt.

Ai befaso shqiptarët kudo, duke pranuar të gjitha kushtet poshtëruese të Listës serbe, që nga heqja e taksës, e deri te pezullimi i reciprocitetit me Serbinë, që jo vetëm se nuk rrezikonte Serbinë as serbët me asgjë, por edhe nuk ishte hiq më shumë se një e drejtë legjitime e Kosovës, për tu trajtuar si shtet i barabartë, në mesin e shteteve të pavarura.

Ne edhe kur të kemi përkrahur ty Ramush dhe kur ta kemi dhënë votën tonë, pak a shumë e kemi pas parasysh se ti, as atëherë nuk ishe bash ai i duhuri, por asokohe nuk kishim tjetër më të mirë dhe thënë të drejtën, as nuk e dinim se ishe ra bash kaq poshtë dhe deri në këtë derexhe të tillë të ulët.
Unë personalisht kam bërë disa shkrime kur ti burgoseshe, atëherë me bindjen se ishe i pafajshëm dhe mbaheshe padrejtësisht në burgje, por kur shohim sot veprimet tuaja, na ke mbush me dyshime dhe nuk jemi më për asgjë të sigurt.
Që nga ndalimi dhe mbajtja jote në hotelet e Kolmarit në Francë, në janar të vitit 2017, ti ke ndryshuar rrënjësisht.

Nuk je më ai i pari dhe duket se atje, të kanë përpunuar aq mirë sa që të detyrohesh ta kryesosh qeverinë e PAN-it, të formuar në qershor të po atij viti, me propagandën tanimë të njohur dhe të mësuar përmendësh edhe nga kalamajt, kinse e merrje qeverisjen; " për të çuar vendimet dhe proceset e shtetit përpara" dhe si kryetar i saj, të pranosh çdo gjë që u kërkua prej teje si kryeminstër.

Sot i madh e i vogël të gjithë të pyesin njëzëri: Ku e le Kullën Ramush, ku mbet  Zhlebi e Çakorri?!

Ti jo vetëm se i shite ato fare lirë dhe gati pa bë zë fare, por tash ke vendos ta tradhtosh edhe Kosovën!

Hoqe dorë nga taksa, nga betimi se nuk do të bashkëpunoje me atë që tradhtoi dhe të akuzonte publikisht se ke mbushur liqenin e Radoniqit me pjesëtar të popullit dhe me bandat kriminale serbe të veriut të Kosovës.

E fute partinë edhe në një koalicion të dirigjuar nga Lista srpska, ku duhet votuar vendime të rënda në dëm të Kosovës, për plotësimin e tekeve të srpsk-ës dhe kërkesave të Serbisë.

Ti shkove aq larg, sa pranove kriminelin Goran Rakiq edhe për zëvendëskryeministër tëndin, e të familjes tënde dhe me hyrjen në koalicion me Goran Rakiqin ua imponove këtë kriminel të njohur edhe shqiptarëve, familjes Jashari dhe të gjitha familjeve të heronjve e dëshmorëve të kombit, që kanë rënë në altarin e lirisë, për çlirimin e Kosovës, si zëvendëskryeministër të parë të  tyre.

Ramush, ata u flijuan për ta çliruar vendin po nga këta kriminel si Goran Rakiqi me shokë dhe politika shfarosëse e qeverisë së Millosheviqit! 

Shpresoj të mos kesh harruar se Rakiqi punon për Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin, e "Vuça" edhe atëherë ishte pjesë e qeverisë së Millosheviqit dhe ministër i informatave të Serbisë, ndërsa sot president aktual i këtij shteti okupator, që për gati një shekull e mbajti të pushtuar me zjarr e hekur, Kosovën. 

Veçanërisht ti, me mostërheqjen nga kjo qeveri kukull të dirigjuar nga lista serbe e Goran Rakiqi, edhe pas pezullimit të reciprocitetit me Serbinë,na ke bindur të gjithëve, se sa më shumë që zgjat qëndrimi në pushtet dhe parti i "komandantëve" kuisling e sharlatan, aq më të padurueshme, të trishta dhe skandaloze bëhen uverturat e tyre të paprecedent, që si akt të fundit, kanë shitjen e Kosovës.
Shto gjithë kësaj edhe faktin që këshilltarja e Hashim Thaçit, autorit faktik të formimit të qeverisë "Hoti" dhe pushtetit aktual ekzekutiv, anëtarja e kryesisë së PDK-s, këshilltare edhe e ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, si dhe ministre në Ministrinë e Integrimeve "evropiane“, Dhurata Hoxha me paratë e taksapaguesve të varfër kosovar, hiq më larg se në vitin 2019, ka paguar mbi 168 mijë euro firmën franceze "Majorelle PR & Events" me seli në Paris,që të lobojë për ndarjen e Kosovës tonë,dhe këtë, mu para hundëve tua z.Haradinaj, pikërisht kur ti ishe kryeministër i vendit, e kjo nuk do më asnjë koment.
Një e ashtuquajtur Ministre për Integrime Evropiane, e cila provoi ta shes NDARJEN-këtë tradhti të lartë e të paprecedent kombëtare, si ide të Kosovës për marrëveshje me Serbinë, mu në kohën kur ti qeverisje Kosovën, dëshmon më së miri se nga çfarë kuislingësh e renegatësh të pashembullt,u udhëhoq dhe në çfarë duarsh të dyshimta e rreziku permanent është dhe mbetet, tash e mbi 21 vite me radhë, vend ynë i mjerë.

Nga ç`njerëz të pafytyrë e tradhtarë të degjeneruar, vijon të keqpërdoret Kosova e shkretë e çliruar dhe pavarësuar nga SHBA dhe NATO, por e shkatërruar, e plaçkitur, e izoluar, e varfëruar dhe e bërë “paçavër” dhe pothuajse e pajtueshme për shqiptarët, nga të ashtuquajturit "komandant të luftës" .

Nga ata të cilët nuk u ngopën kurrë duke vjedhur, plaçkitur e shitur tokat tona pjesë, pjesë, të cilët kohët e fundit kanë filluan ti paguajnë me para të taksapaguesve kosovar edhe lobuesit ndërkombëtar, për ndarjen përfundimtare dhe shuarjen e tërësishme të shtetit të Kosovës.

Kjo vërtetë është tepër e rëndë për të gjithë shqiptarët, që ua kanë besuar votën juve.
Për aq më keq edhe më alarmues bëhet fakti, kur sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN,sheh se kontrata e nënshkruar në vitin 2018,nga Dhurata Hoxha, ministre për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-s, me firmën franceze "Majorelle" për ndarjen e Kosovës, u ripërtëri serish në mars të vitit 2019, pikërisht nga qeveria e koalicionit PAN, e udhëhequr po nga sharlatani Ramush Haradinaj.

Ti Ramush aga, pasi shite fare lirë dhe pa asnjë lloj rezistence qoftë edhe vetëm politike, Kullën,Zhlebin dhe Çakorrin, tani pa fije turpi, këmbëngul të na imponohesh edhe si "hero" i mbrojtjes së Kosovës nga ndarja, prej shokëve të tu, kuislingëve me nam si Hashim Thaçi & CO...
Pse e bënë këtë?! Tallesh apo vërtetë ke bindjen se ende të beson ndokush, ndaj dhe ke vendosur ta “mbrosh” (shesësh) edhe Kosovën, njëjtë si Kullën, Zhlebin dhe Çakorrin?!

Vetëm para pak ditësh, kryeparlamentarja Vjosa Osmani me plot të drejtë alarmoi publikisht se personat të cilët në qeverinë e mëparshme shpenzuan para marramendëse të taksapaguesve kosovar për ndarjen e vendit dhe shpërblimin e Serbisë me territor të Kosovës, për veprimet e saj gjenocidale mbi popullin e pafajshëm shqiptar, po rikthehen serish me forca të bashkuara kriminale në pushtet, jo "për të na qeverisur" neve, por për ta çuar ndarjen e Kosovës deri në fund.

Ramush Harakiri, po të quaj kështu, sepse tanimë po shihet qartë, që ti atë rrugë ke marrë, mos harro se nga përfundimi i luftës e këndej,Kosova ka ndërruar 7 kryeministra, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta qonte deri në fund mandatin qeverisës.
Pse i ndodhë kjo vetëm Kosovës?!

Fatkeqësia qëndron në faktin se kjo mënyrë e qeverisjeve episodike i pëlqen Thaçit,Veselit, Ramushit,Limajt dhe të gjithë banditëve e kriminelëve të cilët e plaçkitën e varfëruan dhe bënë rrafsh Kosovën.

U pëlqen atyre të cilët për gjithë këto vite kanë dëshmuar se duan, që shteti i Kosovës, të mos stabilizohet kurrë.

Ju me rrëzimin e shpeshtë të qeverive, dëshironi që populli i Kosovës të mos rehatohet asnjëherë, të mos mësohet me udhëheqje normale shtetërore, e cila në mandat katërvjeçar, do të kishte kohë ta luftonte edhe korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe ti ndiqte penalisht kriminelët, ndaj dhe ndërroni qeveritë si lav.rja brekët.

Kështu që shkaku i makinacioneve të këtyre bandave në pushtet, për mbi 20 vite me radhë, pushteti në vend kalon nga dora në dorë, por mjerisht gjithmonë bie vetëm nëpër duar të hajnave dhe kriminelëve, të cilët nuk lejojnë askënd, jashtë grupit të tyre banditesk, të arrijë apo qëndrojë në pushtet edhe nëse i fiton zgjedhjet, siç ndodhi edhe me rastin Kurti.

Tash e mbi dy dekada në Kosovë nuk guxon të ndryshojë as sistemi i zgjedhjeve as njerëzit të cilët udhëheqin me shtetin, nëse ata nuk u takojnë grupeve të inkriminuara në korrupsion e krim të organizuar.

Deri kur kështu?!

Për aq më tepër, në mënyrë që me vota të mos mund të ndryshojnë asgjë sa i takon qeverisjes në vend, kriminelët janë kujdesur me kohë, për mënyrat më meskine të dështimit të cilit do votim, që nga shumica e votuesve kosovar, bëhet për ndryshime, me shkeljen e vullnetit të popullit dhe përdhunimin e votës së lirë të votuesve të vendit, siç ndodhi edhe me rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019. 

Shembulli më drakonik i një veprimi të tillë "kamikaz" është akti i rrëzimit të Qeverisë Kurti, kur të gjithë kriminelët u bashkuan si një, që në vend të saj, të vendosnin një qeveri kukull me Hotin në krye, për të qeverisur serish hajnat, kuislingët dhe kriminelët pa shkuar fare në zgjedhje, nga frika se serish e kishin të garantuar humbjen, bile edhe më denigruese se atë parapraken.

Metodat e tilla perfide, nuk janë të parat as të fundit, ato që nga janari i vitit 2008 e këtej, qysh kur kuislingu Hashim Thaçi u bë përherë të parë kryeministër, përsëriten e ri përsëriten nga mafia politike vendore, në mënyrë që pa marrë parasysh se si do të votojë populli, kriminelëve të mos mund t`ua marrë askush më pushtetin nga dora.

Ndaj në luftën e ashpër, se kush duhet e kush jo, të vije dhe qëndrojë në pushtet, kriminelët tanimë kanë futur në përdorim edhe Gjykatën Kushtetuese, pasi që gjykatësit e saj i kanë vet në dorë, sepse i kanë vendosur aty, jo sipas meritave por përmes pazareve politike dhe kalkulimeve partiake, ndaj ata medoemos duhet të sjellin vendime në favor të bandave.
Vet vendimi i fundit skandaloz i Gjykatës Kushtetuese, është edhe një provë më tepër dhe flet më së miri, se pa marrë parasysh shumicën e votave të popullit në Kosovë, ajo që në fund vendosë se kush mund dhe guxon të qeverisë me vendin, është kasta e degjeneruar e politikanëve të inkriminuar dhe jo vota e qytetarëve të këtij shteti, të cilin ata ende vazhdojnë ta mbajnë të kapur.
Kështu edhe po dëshmohet katërçipërisht se vendimet e kësaj Gjykate, nuk guxojnë të merren në pajtim me ligjin, por në përputhje me dëshirat e Thaçit & CO, ndaj e njëjta gjykatë, për raste të njëjta, detyrohet të sjellë vendime të ndryshme.

Këtë e vërteton edhe fakti se vendimet e Gjykatës "Kushtetuese" të turpit, në masën më të madhe, përputhen plotësisht me dëshirat, kalkulimet dhe veprimet e presidentit kuisling të vendit Hashim Thaçit.

Ndaj duke mos pasur frikën e saj, dhe as të shtetit të kapur nga mafia e udhëhequr prej tij, përditë e më tepër po argumentohet, se pa marrë parasysh kush ka udhëhequr deri më tani qeverinë, për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi ka dhënë shuma marramendëse të parave për ndarjen e Kosovës edhe gjatë kohës sa ka qeverisur Ramush Haradinaj.

Krejt kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se grupimi dominues me pari kriminale në krye, babai ideor i të cilit është kuislingu Hashim Thaçi, kurrë nuk do të largohet nga pushteti me dëshirë, cilido që të jetë rezultati i shumicës së votuesve dhe vullneti i shprehur i popullit në zgjedhje.

Ata ka vite që këtë vend e shohin, jo si shtet të vetin, por vetëm si plaçkë lufte dhe Kosovën si tokë të premtuar për ta grabitur e plaçkitur deri në fund, duke bërë në mënyrë banditeske, shkeljen e votës së shumicës së qytetarëve, përdhunimin brutal të shpresës për ndryshime dhe mbytjen e aspiratave të shqiptarëve për integrime euro-atlantike.

Thaçi & CO, po dëshmojnë hapur, se për të qëndruar në pushtet, janë të gatshëm jo vetëm të bëjnë pazare me tokat tona, por edhe ti falin Serbisë territoret me vitale të Kosovës, vetëm e vetëm, për të  sunduar vendin dhe siguruar përfitime të mëtejme, madje pa asnjë fije ngurrimi, ata lidhin aleancë me çdo lloj krimineli që nga Millan Radojçiqi, Zvonko Veselinoviqi, Goran Rakiq etj,në mënyrë që të vazhdojnë të qëndrojnë me ço kusht dhe sa më gjatë në pushtet
Kështu që edhe vendimet se kush duhet dhe mund të marrë qeverisjen e vendit,nuk dalin nga vullneti i popullit të Kosovës, por vijojnë të merren nga kuislingu Hashim Thaçi dhe forcat e bashkuara të kriminelëve, të cilët u rikthyen serish në pushtet dhe mbi 21 vite pas çlirimit, duan ta sundojnë, vjedhin, varfërojnë dhe plaçkitin edhe më tej këtë vend dhe mbajnë të kapur deri në pafundësi shtetin e Kosovës.

Ndaj është koha e fundit që ligji zgjedhor medoemos të ndryshojë, jo vetëm për njësit zgjedhore në vend, por edhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit, që ai, të mos guxojë më, të katapultohet nga banditët dhe partitë e krimit, por të votohet drejtpërsëdrejti nga populli i Kosovës. 

Dhe për fund, nga shqiptarët e vetëdijesuar dhe gjithë populli i vuajtur i këtij vendi, kërkohet prerazi dhe urgjentisht që në zgjedhjet e ardhshme të cilat duhet të mbahen sa më parë, të distancohen përjetësisht nga banditët dhe shitësit e shtetit të Kosovës, duke vendosur me votën e vet të lirë, për një udhëheqje të civilizuar dhe qeveri legjitime e me dinjitet dhe dërguar përfundimisht kriminelët atje ku e kanë vendin, që nga Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj e deri te Limaj e cili do komandant tjetër që ka qëndruar në pushtet dhe qeverisur me vendin, duke shitur interesat e shtetit dhe bërë pazare me tokat e vlershme të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"