Injorimi i diasporës, turpi i pushtetit në Kosovë

Injorimi i diasporës, turpi i pushtetit në Kosovë
Injorimi i diasporës, turpi i pushtetit në Kosovë

Muhamet Kelmendi

  • 10 June 2020 - 23:20

Në shtetet demokratike është obligim i domosdoshëm që të iu sigurohet e drejta e votës të gjithë qytetarëve me nënshtetësi. Në këtë të drejtë nuk ka rëndësi vendi ku gjendet, sepse mekanizmat e votimit aktualisht janë në disponim. Veç ambasadave dhe konzullatave që i ka vendi, është edhe votimi me postë dhe në formë elektronike. Kërkohet vetëm të gjendet mekanizmi. Në këtë anë obligimet tona si shtet janë shumë të mëdha. Diaspora ka dhënë dhe po jep kontribute të mëdha në ndërtimin e vendit dhe në mbajtjen e gjendjes ekonomike. Kundruall gjendjes që është në vend në fushën ekonomike dhe sociale, pagesave prej 200 Eurove, ndihmave sociale qesharake dhe pensioneve shumë të ulëta, pa ndihmën e mërgatës, kishte me ardhur deri tek gjendja e vuajtjes për ushqim. Populli nuk mundë të jetoj me 2-3 Euro në ditë. Nuk mundet të jetoj me të ardhura nëpër firmat mafioze prej 200 Eurove në muaj dhe pa sigurime. Ky është turpi i pushtetit në Kosovë.

Po si të tregohet respekti ndaj diasporës për pjesëmarrjen e madhe në luftë dhe për financat e dhëna për çlirimin e vendit nëse nuk u krijohen kushtet për pjesëmarrje në jetën politike dhe ekonomike, kulturore si në vend. Hap i madh është vota. Por, kjo nuk mjafton, pa i krijuar mundësi të njëjta në fushën ekonomike, politike e shoqërore-kulturore si në vend. Nuk ka rrugë tjetër për të ruajtur qenien kombëtare pa këtë. Kosova duhet ti krijoje kushtet që mërgata të investoj në ekonomi dhe në politike. Me këtë ka mundësi rikthimi në atdhe dhe aty edhe dhënia e kontributit të lartë për ndërtimin e vendit. Nuk duhet të kemi frikë nga mërgata. Mafiozët ekonomik dhe politike duhet ndalur nga mundësia e pengesave të krijuara për mërgatën. Mërgata nuk është vetëm financuese. Ajo është pjesë e jona dhe domosdo duhet përkrahur.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".